More
    KreuLetërsiShënime mbi libraDamian Alia: Miqësia tek “Udhëtim në Malin e Shenjtë” nga Nikos Kazanxaqis

    Damian Alia: Miqësia tek “Udhëtim në Malin e Shenjtë” nga Nikos Kazanxaqis

    Miqësia dhe vrulli i pandalshëm i jetës janë dy kategoritë e mëdha që veprojnë brenda tekstit të vogël të Kazanxaqis. Miqësia është ngjizje; vrulli jetësor, shtysa drejt kësaj të përpjete. Kazanxaqis na tregon një përvojë që shkon në kufijtë e njerëzores. Brenda këtyre kufijëve ziejnë vorbullat e parehatura që janë sepse ka kufijë që i kushtetojnë, e nuk qetësohen sepse kufijtë duhen zgjeruar e përthyer.

    Si ta kuptojmë më mirë miqësinë arketipale mes Kazanxaqis dhe Siqelianos tek teksti i tij i fundit “Udhëtim në Malin e Shenjtë”? Një harmonizim i përsosur përgjigjet Kazanxaqis: “U bëmë, menjëherë, papritmas, miq; aty për aty, me mend se njëri kishte nevojë për tjetrin dhe se të dy së bashku do të përbënim njeriun e përkryer.”[1] Një sforcim i madh e i pandalshëm i jetës për të prodhuar forma më të larta e të përsosura, për të krijuar vetveten nga pjesët më të mira të vetes do të thoshim ne. Jetësor i një lloj të ri prej frymës, ky është komuniteti i miqësisë. Mishi e kockat, gjaku e ropullitë janë shumëfishësi jo më prej individualitetit por prej përmasave që fryma shpalos vrullin. Trupi nuk mjafton më, trupat bëhen një, të ndarë e të bashkuar; një shumëfishësi organesh e gjymtyrësh që shkojnë drejtë farkëtimit të një specieje të re. Miqësia është një përpjekje e tillë e jetës e ndoshta rezultati i saj është civilizimi. Ndoshta, një miqësi njerëzish të tillë është fara e nëndheshme e çdo civilizimi të madh. Vërtetësia e kësaj teze kërkon pranimin se koncepti i njeriut si të tillë nuk ekziston në këtë rrugëtim qytetërues, as si qëllim, as si shkak e as si pasojë. Njeriu abstrakt nuk ekziston, por në mënyrë të pakundërshtueshme imponohet qenia e një entiteti që vjen duke u formuar prej miqësisë si frymë, si jetë që i mundëson vetes, rrallë, takimet e duhura në vendet e duhura. Kështu e kuptoj pra, miqësinë e Kazanxaqis me Siqelianos, një miqësi kozmogonike, një ndër mundësitë e lindjes së vazhdueshme metafizike që jeta i siguron vetes. Mbarsje dhe lindje jo organike.

    Elementët e këtij komuniteti janë kushtet e domosdoshme për të formuar strukturat e këtij koncepti kozmogonik të miqësisë, të këtij erosi jofizik. Ky wshtw Siqelianos sipas Kazanxaqis: “Mirëpo, një ditë, shndriti drita. Atë ditë, në Kifisia, u takova me një djalosh të moshës sime, të cilin do ta doja dhe çmoja pa ndërprerje dhe ishte nga ata pak njerëz, prania e të cilëve më gëzonte më shumë se mungesa e tyre. Ishte shumë i hijshëm dhe e dinte; ishte poet i madh lirik dhe e dinte; kishte shkruar një poemë të mrekullueshme; atmosferë poetike, varg, gjuhë, harmoni magjike, nuk ngopesha së lexuari e së shijuari atë poemë. Ky poet ishte nga raca e shqipeve; me të shkundur pak flatrat, mbërrinte në kreshtë. Më vonë, kur deshi të shkruante edhe prozë, e pashë që ishte, me të vërtetë, shqipe; kur nuk fluturonte, por përpiqej të çapitej në tokë, i ngjante shqipes së rëndë, që mezi çapitet; forca e tij ishte ajri. Flatra kishte, mendje të qëndrueshme nuk kishte; vështronte larg dhe vagullt. Mendonte me pamje dhe krahasimet poetikë ishin, për të, argumente të pakundërshtueshëm logjikë; kur ngatërrohej nëpër përsiatje pa gjetur dot zgjidhje, vetonte brenda tij një pamje shkëlqimtare ose shpërthente në një gaz shkundullues dhe shpëtonte. Por kishte fisnikëri të madhe, dhunti të rrallë dhe mirësjellje; ta shihje tek fliste me syrin e kaltër që i ndrinte çartur apo ta dëgjoje tek recitonte vjershat e veta duke i bërë të trandeshin xhamat e shtëpisë, kuptoje se ishin rapsodët e lashtë, që, të kurorëzuar me gjethe hardhish a me lule vjollcash, silleshin nga pallati në pallat dhe zbusnin, me këngën e tyre, njerëzit, që ishin ende bisha. Vërtet, qysh nga çasti i parë që e pashë, ndjeva se ai djalosh i rriste nderin racës njerëzore.”[2] Ky është poli i cili beson se mund të ringjallë të vdekurit teksa përpiqet një natë të tërë të risjellë mes imazheve të gjalla fqinjin e tij, rrobaqepësin. Poeti që mund të të rënqethi prej shkarkimit elektrik që përcjellin duart e tij zeusiane. Një pushtim absolut fuqish e bënë ti thotë Kazanxaqisit:

    “-Kaq Zot ndjehem thellë vetes, saqë, sikur të më prekësh dorën këtë çast, ka për të lëshuar shkëndija.

    –Nuk fola.

    –Çfarë, nuk beson? ia bëri ai, ngaqë më pa tek rija në heshtje; provoje, preke! dhe më nderi dorën.”[3]

    Këtu kemi të bëjmë me një lloj të riu që shkëlqen në këtë formë vetëm prej lashtësisë së forcave që e kaplojnë, dashur apo pa dashur. I riu që kthehet në enë, mish teurgjik, shprehje e hyjnores. Besimi është gjysma e udhës.

    Tjetri, rrëfyesi, i kënaquri, dyshuesi, i habituri dhe besuesi, Kazanxaqis, nuk mund të vendoset më poshtë në këtë komunitet të barabartësh brenda rrafshit hierakik. I riu që udhëhiqet nga parimi “Unë prij duke kurorëzuar ngadhnjimtarët e tjetër.”[4] Më i ekuilibruar, më apollonian në pozicionet e tij, në përpjekje të vazhdueshme për stabilitet me furinë dionisiake të mikut të vetë, Kazanxaqis është miku tjetër, miku i domosdoshëm i kësaj mbarsjeje kozmike. Përpjekja e tij titanike për harmonizim të forcave vjen edhe në imazhin e fundëm të dramës universale. “…do të vijë dita e shpëtimit përfundimtar, e pajtimit përfundimtar, do të shuhen flakët e Skëterrës dhe Biri Plangprishës, Satanai, do të ngjitet në qiell, do t’i puth dorën atit dhe do t’i rrjedhin lot nga sytë: ‘Gabova’, do të thërrasë; dhe Ati do të hapë krahët: ‘Mirë se erdhe’, do t’i thotë, ‘mirë se erdhe, bir; më fal që të mundova kaq shumë!”[5] Shija dionisiake trafikohet në këtë vizion paqtor të fundit të kohëve. Diskutimi me At Ignatin mbi mëkatin si shërbim ndaj Zotit nuk është gjë tjetër veçse konfirmim i kësaj force dehëse brenda çdo forme të ndritshme. Fundja, a nuk mëson Sabbatai Zevi dhe të nistuarit e dorës së majtë në traditat hinduiste se shpërbërja e formave është udha tjetër për te transhendenca, për tek Zoti?

    Kjo miqësi e gllabëron Malin e Shenjtë Athos, duke e kthyer atë në spektator të formave të reja që po përgatiteshin teksa Kazanxaqis dhe Siqelianos kalojnë nga një manastir në tjetrin, nga murgu i ngopur tek oshënari në kocka. Kështu, udhëtimi është esencialisht jo një njohje e të gjeturve në mal, por e të paardhurve ende. “Është domosdoshmëri; ka ardhur koha ta bëjmë Krishtin të qeshë; të mos rrihet më me kamxhik, të mos qajë, të mos kryqëzohet. Të përthithë dhe t’i përshtasë vetes zotat e fuqishëm dhe të qeshur të Greqisë së lashtë.”[6]

    Ja pra, pjella e re që ravijëzohet. Nëpër dhoma të ndriçuara prej qiririt apo në shëtitje buzë liqeneve në mbrëmje, vijnë e marrin trajtë porositë e mëdha të së ardhmes, nxjerrin kokën potencialet e të shkuarës, të pa-aktualizuara plotësisht, të pashmangshme përfundimisht. Miqësia është ky proces zierje dhe krijimi, e dhimbshme, me krenaritë dhe përplasjet e veta,  e ëmbël, me guximet dhe këngët e veta. Dy miq janë në këtë tekst, pafundësi formash shfaqen virtualisht në bisedat e tyre, në vështrimet, heshtjet, të qeshurat…dy miq dhe një vend përcjelljeje e mbërjeje krijohet sepse “Klithma nuk është e jotja. Nuk flet ti, flasin paraardhësit e tu të panumërt me gojën tënde. Nuk dëshiron ti; dëshirojnë breza të panumërt pasardhësish me zemrën tënde. Të vdekurit e tu nuk prehen nën dhe. U bënë zogj, pemë, ajër. Rri nën hijen e tyre, udhqehesh me mishin e tyre, frymon frymën e tyre. U shndërruan në ide e pasione, dhe përcaktojnë dëshirën e veprimet e tua.”[7]


    [1]1 Nikos Kazanxaqis, Udhëtim në Malin e Shenjtë, Zenit Editions, Tiranë, 2013, f. 14.

    [2]  Nikos Kazanxaqis, Udhëtim në Malin e Shenjtë, vep. e cit., ff. 13-14.

    [3]  Po aty, f. 17.

    [4]  Nikos Kazanxaqis, Udhëtim në Malin e Shenjtë, vep. e cit., f. 15.

    [5]  Po aty, f. 73.

    [6]  Po aty, f. 44.

    [7]  Nikos Kazanxaqis, Asketika – Salvatores Dei, Zenit Editions, Tiranë, 2021, f. 31.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË