More
    KreuLetërsiBibliotekëDalja nga hiçi (Exit ex nihilo), tregim nga Flodian Maloku

    Dalja nga hiçi (Exit ex nihilo), tregim nga Flodian Maloku

    I mora të gjitha këto pjesë dhe i shënova në bllokun tim të xhepit, për t’ua bërë pastaj një analizë të mirëfilltë. Po teksa shkruaja në bllokun tim dhe i shënoja këta rreshta, si për habi më kapte një ndjenjë e çuditshme. Në fakt edhe i gjithë ai ambient aty ishte i errët, i papastër, i çrregulluar tërësisht. U përpoqa me një vullnet të cunguar të kërkoj edhe gjurmë e shënjues të tjerë që do ma kthjellnin më shumë imazhin e krejt kësaj, megjithatë dikur dëshiroja të ikja. Tek e fundit, s’ishte kjo e vetmja ditë për të përfunduar hulumtimet e mia, mund të vija edhe tjera ditë, nëse do më duhej të thelloja diçka që mund të korrespondonte me atë që isha afër ta gjeja.

    Ora kishte ikur vonë, thuajse të gjithë ditën e kishim kaluar në atë “shtëpinë e kuqe”. Kur mbërrita në zyrën time, u ula në kolltukun tim, ndeza dritën me ngjyrë të lehtë zjarri, që zbardhte vetëm pjesët për të cilat kisha nevojë. Përpara meje mbaja bllokun e hapur pikërisht në ato faqe ku kisha shkruar ato psalmet, e ato fjali që më dukeshin si një thirrje, më jepnin ndjenjën e një pakti, një marrëveshjeje, një bazë që ishte tejet e rëndësishme për motivimin e kësaj ngjarjeje, edhe në mos qoftë arsyeja e vërtetë.

    Duke ia lëshuar sytë më thellë kësaj pune, e pash një të përbashkët të të gjitha këtyre fjalive që me gjasë ishin të përzgjedhura saktë. Ishte një lloj përpjekje për pranim, një pranim abstrakt i reduktuar në ndjenjën e mëshirës, një thirrje për fuqi, një fuqi që justifikohet nga një motiv a shkak i rëndësishëm që duhet falur. Po, në anën tjetër, më duket që këto fjali nuk e kishin vlerën kuptimësore të një post-actum, që vinin si një rrjedhim i veprimit të kryer, më shumë më dukeshin se ishin pre-actum. Pra, më përpara ishin studiuar këto fjali e ishin përbrendësuar, që, jo vetëm të jenë një pjesë e zbutjes së një energjie të errët që mund të gurgullonte brenda shpirtit të atij personi, por edhe si përpjekje për një përligjje për veprimin që do ta kryej. Ato fjali ishin një mbështetje për planin tashmë të bërë e të prerë, që do të bëhet e kryhet.

    S’di pse, më dukej sikur ky lloj i mëkatit është i shkëputur totalisht nga trupi, e duhej të jetë thellësisht i koncentruar te shpirti. Më shumë se sa kërkonte prehje e mbështetje fizike, kërkonte falje e mëshirë shpirtërore, jo si një akt mëkati, por si një akt shpëtimi. Pra, sikur vetë burri kishte falur, e nuk ishte ndalur së faluri gabime e mëkatime të ndryshme, prej të cilave tash kërkonte një rimbursim faljesh, jo si një falje origjinale, e kryer për hir të së keqes, por si çlirim. Kurban i këtij çlirimi duhej të jetë shpirti i tij, dënimi i tij në burgosjen e shpirtit në trup, një shpirt i copëtuar e i shkapërderdhur gjithandej brenda trupit.

    Pohimi i mirësisë hyjnore, i një mirësie të kulluar, të pastër, sikur ishte një garanci për njësimin e fajit të tij të papranuar. E një siguri që mëkatimi sikur është dhënë nga librat e shenjtë, është bërë për hir të një të mire më të madhe. Në fund të fundit, zoti është i gjithëkuptueshëm, përligjësi i madh, lëvizësi i gjithçkaje, dhe mëshiruesi i pashoq. E në të njëjtën kohë, në psalmet e para, disi, sikur nënrreshtash po e sheh një kërkim falje që vjen pas pasojës, jo si fajtor, por si bashkëpunëtor.  Ku, si në një marrëveshje, zoti t’i kishte thënë: Bëje, bëje, përkulu, kërko falje, dhe do të jesh i falur. E në këtë kuptim, kjo kërkesë imanente për mëshirë, është një faktum që dëshmon punën e kryer. Në të përjetohet vetja si një instrument vetëm ekzekutues i një punë që tashmë ishte kryer.

    Dhe, teksa thellohesha shkallë-shkallë në këtë dimension të mendimit, kisha harruar fare sa kishte vajtur ora, sa më ishin rënduar kapakët e syrit, gjë të cilën nuk e vëreja shumë nga interesi im për të menduar rreth kësaj çështjeje. U ngrita në këmbë dhe fillova të bëjë disa hapa nëpër zyrën time, të lëvizja pak, ta ndjeja të gjallë atë gjak nëpër trupin tim. E mora një shishe me ujë që ta flladis pak shpirtin tim që ishte rrëmbyer nga një helm që s’më lëshonte dot. Shumë më tërhiqte pjesa mistike e krejt kësaj pune, sepse isha fuqishëm i bindur se këtu shkaqet janë më të jashtëzakonshme se sa të gjitha natyrat e vrasjeve tjera që kemi pasur deri më tash. Kjo me jepte edhe motiv, por edhe një ndjenjë të çuditshme pune, një gëzim nëse guxoj ta quaj ashtu.

    Pas lëvizjeve të mjaftueshme që ndezën trupin, u ula në kolltukun tim të punës. Në tavolinën poshtë në të majtë kisha tre rafte stratifikimi gjërash. E hapa të dytën, aty kisha një pako me cigare. Nuk e pija rregullisht, ndonjëherë kështu si për t’u ngritë në mendim e për t’i qetësuar sinapsat. E mora pakon, e nxora cigaren dhe e ndeza me çibritin që ishte ngjitur me pakon. U lëshova më shpinë në kolltuk, këmbë mbi këmbë, kokën përpjetë, tymosja duhanin duke rënë në mendime abstrakte. Situatat konkrete nuk mund t’i shkëpusja më për analizë, po i analizoja idetë e përgjithshme që si tutelë mbronin një mori probabilitetesh që mund të konkretizoheshin në një ngjarje a situatë. Mendoja se ç’kuptim do të kishte mëkati po qe se nuk do të ekzistonte nocioni i së mirës? Dhe, se si nuk mund t’i ndaja si realitete totalisht të shkëputura? Se si njeriu mund të bënte mëkatin edhe për hir të së mirës?! A duhet të quhen mëkat disa të mira që supozojmë t’i bëjmë në emrin e sakrificës? Se si njeriu është i aftë që në emër të dashurisë të sakrifikojë jetën e tij? Se si njeriu në emër të dashurisë kolektive a kombëtare vret tjetrin? Se si njeriu nën besimin e një zoti, për ta mbrojtur të drejtën e të vërtetën hyjnore mund të shkatërrojë popuj, vrasë njerëz në masë. Se si nocioni i mëkatit mund të jetë shtytje subjektive e perceptimit mbi një të drejtë që shpesh nuk mund të marrë formë në botën e kalueshme, në botën e kufijshme.

    Tymin që nxirrja nga cigarja ngjasonte me vaporin që avullon e mjegullon gjithçka përpara, se verbon syrin, sikur të kishte një simbolikë, sikur ai tym para meje më thoshte që nën realitetin e mjegullt e të amullt ka gjithherë diçka më shumë, sikur realiteti i tillë është i pa kthjellët, e sytë bashkë me shqisat tjera kanë vetëm këtë qëllim, që ta dallojnë këtë realitet të tymosur.

    Nuk hiqja sytë nga ato forma lëvizëse që krijoheshin nga rrjedhshmëria e lirshme që kishte tymi në ajër, se si sillej qetësisht në vallëzimin e saj në mënyrë të pa formë, po që në të njëjtën kohë ndërtonte forma të ndryshme fantazme, fryme, kodifikime që duan të thonë diçka, që duan të të rrëmbejnë drejt mistikës. Figura që mund të jenë të panjohura dhe marrin trajtën vetëm në përkimin e saktë të përpjekjes për t’u thelluar në meditim mbi to. Sikur, ato thirrje janë vetëm të njëanshme, të njëtrajtshme, të njëherë lexueshme, dhe në fund të pakthyeshme e të çmësuara natyrshëm, sikur s’kishte ndodhë gjë, një amnezi determinuese.

    Filloja të besoja që edhe vrasja duhet të jetë çlirim për njeriun e ngujuar në një realitet që jo vetëm nuk e shijon, por as nuk e kupton. Në mungesën e një kuptimi të përgjithshëm se si humbet toka nën këmbë mbi kuptimin e vetes. E kjo mungesë duhet të çojë në çlirim. Çlirimet janë nga format më të ndryshme më dukej. Ta zëmë, ne kemi artin që mos të vdesim nga realiteti. Po, gjithnjë duke ndërtuar një realitet tjetër, për të cilën vetëdija jonë është më së e vetëdijshme. Dikur as mashtrimi më i sofistikuar nuk kryen punë më, nëse nuk ngjallë në shpirt një lloj kënaqësie, një lloj dëfrimi, nëse nuk fillon të harrohet, të rindërtohet gjithçka nga e para, të përjetohet gjithçka për herë të parë. Sikur fëmija që mashtron veten me lodra, adoleshenti që mashtrohet me instinktin e tij prej të revoltuari. Profesionisti me punën që bënë për shoqërinë. Prifti, që e mohon epshin e tij për zotin. Deri atëherë kur fëmija rritet edhe e kupton mashtrimin e lodrave, adoleshenti i bie pishman për sjelljet e tij dikur. Profesionisti që e kupton se s’është i vetëm dhe i pazëvendësueshëm. Dhe në fund prifti, që nuk e di pse është bërë prift. 

    Po si vret njeriu për tjetrin? Çfarë mund të jetë ajo energji e thellë, e errët që mund të gurgullojë brenda një shpirti, që në emër të çfarëdo atributi emotiv e shpirtëror vret, privon jetën?

    Për rastin të cilin ishim të angazhuar dhjetëra njerëz, me gjasë vetëm unë mendoja që nuk mund të jetë një mëkat i bërë për hir të së keqes. E di që mund të dukem totalisht i krisur, i panjeri, pa pikë ndjenje. Por, nuk më mbushet mendja që personi i kishte vrarë ata fëmijë, atë grua, për ndonjë konflikt në rend të parë, sepse nuk do kishte vrarë të gjithë familjen, nëse vetëm vrasja qenka zgjidhja e konfliktit. Në rend të dytë, mendoja që mund të ishte edhe ai i krisur, i çmendur, i lajthitur, po nuk korrespondonte me gjithë jetën e tij. Ai kishte qenë një njeri që për vite të tëra ishte një burrë shembull për familjen. Së paku, ashtu ishin deklaratat e tmerruara nga fqinjët e tyre që ishin totalisht të dalë mendsh. Në tjetrën anë, ishte më se e qartë që ishte një burrë religjioz, i cili qetësinë mendore e shpirtërore e kishte nxjerrë nga fjalët e shenjta të librit të zotit.

    (Fragment nga romani në dorëshkrim me titull  “Anomalitë e shpirtit”)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË