More
    KreuOpinionCynthia Ozick: Fantazma në tryezën e shkrimit

    Cynthia Ozick: Fantazma në tryezën e shkrimit

    Nëse shkrimtarët janë të padukshëm, kjo s’ka lidhje me famën, ashtu si fama s’ka të bëjë shumë me letërsinë. Fama e meriton të shkruhet me “F” të madhe ngaqë është fluturake, letërsia “L” të madhe sepse na lartëson gjithnjë. Aktorët, personazhet e famshëm televiziv dhe politikanët, fjalimet e të cilëve marrin lëvdatat e pafundme të publikut, shumë herë të stisura, mund ta arrijnë shpejt famën, por ajo është përherë produkt i kulturës së tanishme, asaj të ditës, pra kulturës kalimtare. Shkrimtarët janë ndryshe. Ajo që shkrimtarët çmojnë është njohja e vlerave letrare, diçka më e thjeshtë, më e pabujshme dhe më jetëgjatë se fama. Fama, në përgjithësi, përcaktohet nga rritjet e shitjeve në platformën e Amazon-it. Vlerësimi i pazhurmshëm dhe i natyrshëm për librin e shkruar bëhet nga lexuesi: autori i padukshëm është provë e vlerës së librit.

    Pranimi i vlerave letrare mund të jetë proces i brishtë, si një dritë që fiket fare lehtë. Kujtoni keqardhjen e Henry James-it për botimin në Nju Jork të njëzetë e katër volumeve, me rishikimet e bëra dhe parathëniet e paçmuara: ishte vepër e madhe, e panjohur, e palexuar dhe e pashitur. E gjitha kjo ndryshoi në mënyrë tepër bujare. Banorët e Parnasit janë të shurdhër ndaj lajmeve tokësore pasi gjithçka ka ndodhur por nga vonesa s’vjen asgjë e mirë. S’ka asgjë më sprovuese ndaj vlerave të qëndrueshme letrare se sa vdekja: sa shpesh ndodh që një shkrimtar i cili sa është gjallë, lavdërohet, lartësohet, dekorohet, dhe pastaj lihet në hije pa kalaur as një ose dy vjet pas largimit nga jeta? Tashmë Norman Mailer-i është një zhurmë e largët që s’ngjall keqardhje, William Styron-i grimcë në largësi të mesme (frazë gati e harruar e Max Beerbohm-it e përdorur për Henry James-in që po zbehet). Mistiku i trullosur Jack Kerouac ose Allen Ginsberg-u orator dhe ulëritës janë dëshmi të një epoke për të cilën interesohet aradha e përhershme e historianëve shoqëror dhe profesorëve që ngazëllehen nga studimet kulturore.

    Sidoqoftë, heshtja e papritur dhe mungesa e vëmendjes pas vdekjes, duhet të shihet e shkëputur nga heshtja ngaqë shumë shkrimtarëve të gjallë janë të detyruar të shkruajnë në gjuhët e pakicave, larg dritave që hedh mbi veprat e tyre lingua franca, ndërkohë që veprat shumë shpesh u mbeten të papërkthyera. Padukshmëria e shkrimtarëve të vdekur kohët e fundit është çështje e cila në disa raste mundet (do të isha i kënaqur të përmendja disa), të jetë lehtësues, por padukshmëria e shkrimtarëve të gjallë është çështje krejt tjetër, me rëndësi thelbësore për vazhdimësinë letrare.

    Shmangia politike e shkrimtarëve për t’i bërë të padukshëm dhe të padëgjueshëm është  projekt shtypës që sjell si pasojë atë që mund të quhet padukshmëri publike, e rrënjosur në rrethana të jashtme, tek paragjykimet e egra të gangsterëve që drejtojnë regjime të kalbura, tek paragjykimet hakmarrëse të akademikëve të korruptuar që propozojnë bojkotime intelektuale, tek paragjykimet e cekëta të lordëve botues në gjuhët sot mbizotëruese, dhe së fundi (reductio ad absurdum!) tek paragjykimet ideologjikisht të ngushta të disa botuesve të revistave letrare. Të gjitha këto ndodhin në mënyrë të shfrenuar, skandaloze dhe shkatërruese. Por çfarë mund të thuhet për një padukshmëri vetjake, të brendshme, të ndjeshme dhe shumë më të përhapur?

    Vladimir Nabokovi ishte dikur shkrimtar i padukshëm i cili vuante nga tre prej këtyre rrethanave të pafavorshme: padukshmëria nga publiku, padukshmëria vetjake dhe ajo gjuhësore. Si emigrant që u largua nga trazirat bolshevike dhe më vonë si refugjat që u largua nga nazistët, ai u shpëtoi dy tiranive më të mëdha të shekullit XX. Dhe si emigrant që shkruante në rusisht, në Berlin dhe Paris, mbeti i padukshëm gati për të gjithë, me përjashtim të bashkatdhetarëve në mërgim. Vetëm pasi vajti në Amerikë, termi diskriminues “emigrant” filloi të zhdukej, duke u zëvendësuar së pari me nocionin e qytetarit, dhe në fund fare me atë të shkrimtarit amerikan, sepse ndodhi që në Amerikë, nga i padukshëm Nabokovi jo vetëm u bë i dukshëm por edhe i pathyeshëm.

    Por Brian Boyd, autori i biografisë intime dhe panoramike për Nabokovin, “Vitet amerikane të Nabokovit”, rrëfen vështirësinë e bojës së padukshme e cila kthehet në bojë të dukshme, jo vetëm në luftën e zgjatur për botimin e romanit “Lolita”, por edhe me revistat më liberale letrare. Ishte “New Yorker-i” i guximshëm i viteve 1950-të që s’pranoi të botonte një kapitull të “Pnin”, romanit që jepte kronikën e alter egos magjepsëse dhe vetë-parodiozuese të tij sepse sipas Boyd-it, “Nabokovi s’pranoi të heqë referencat për regjimin e Leninit dhe Stalinit, të gjitha historikisht të sakta”. (Frazat në fjalë përfshinin “torturat mesjetare në një burg sovjetik”, “diktatura bolshevike” dhe “padrejtësi e pashpresë”, të cilat redaktorët me sa duket i shihnin ose si të tepërta ose si gënjeshtra.) Sigurisht që kapitulli i përjashtuar politikisht s’e shmangu për shumë kohë padukshmërinë, dhe për sa i përket Lolitës, dekada pas ngadhënjimit të saj tronditës dhe të qëndrueshëm, ajo mori hov edhe një herë, në mënyrë të çuditshme, në kujtimet e admiruara të Azar Nafisi-t, i cili e lidhi fatin e Lolitës me mullahët e pamëshirshëm të Teheranit. (Edhe sot, edhe në New York, mund të gjesh një revistë të shquar liverare, e gatshme për të jetësuar përjashtimin për arsye politike të një shkrimtari, shembull i bojës zakonisht të dukshme, e cila kthehet në ndëshkim të padukshëm.)

    Dhe këtu, më në fund është thelbi dhe paradoksi: shkrimtarët janë qenie të fshehta. Nuk e keni takuar kurrë një të tillë, dhe nëse ndonjëherë besoni se po shihni një shkrimtar, po diskutoni me një shkrimtar, po dëgjoni bisedën e një shkrimtari, të jeni të sigurt se e keni plotësisht gabim. Natyrisht, duhet të kujtojmë përsëri Henry James-in, i cili shumë kohë më parë e ka zhbiruar padurimin e padukshmërisë së shkrimtarëve. Në një histori të quajtur “Jeta private”, protagonisti, Clare Vawdrey, shkrimtar i ngarkuar me barrën e një prej këtyre emrave të veçantë që përdor James-i (ndoshta jo rastësisht emri në anglisht rimon me fjalën “tawdry”-i rëndomtë), është shkrimtar i dukshëm në çdo situatë të imagjinueshme shoqërore. Ai është përherë i gatshmëm për një bisedë, shëtitje, për t’u takuar, i këndshëm, rrëfyes historish argëtuese, asnjëherë larg njerëzve ose i zënë me punë të tjera. Ka një dashuri mendjelehtë borgjeze: “Flet, qarkullon”, – na tregon rrëfimtari i James-it, “është jashtëzakonisht i popullarizuar, flirton me ty”. Veprat që shkruan, siç rëndom ndodh, janë krejt e kundërta e karakterit të tij të dukshëm, ajo përshkohet nga një madhështi e hallakatur. Një mbrëmje, ndërsa Vawdrey po pushon jashtë në tarracë, dhe po bën biseda të rëndomta me një shok, rrëfimtari hyn vjedhurazi në dhomën e Vawdrey-t për të zbuluar se ai në të vërtetë është i ulur në tryezën e shkrimit, në errësirë, duke shkruar si në ethe. Meqenëse është fizikisht e pamundur që një trup njerëzor të jetë në dy vende njëkohësisht, rrëfimtari arrin në përfundimin se Vawdrey shoqëror është një fantazmë, ndërsa shkrimtari që shkruan në errësirë është Vawdrey i vërtetë. “Njëri është gjeni”, shpjegon ai, “tjetri është borgjezi dhe është vetëm borgjezi që ne njohim personalisht”.

    Dhe që të mos e hedhim poshtë si një tjetër histori fantazmash të James-it, apo thjesht si parabolë komike, le të kujtojmë kredon e njohur Jamesian-e, shpallje të panikut vetjak e përzier me një intuitë të mprehtë, të cilën kaq shumë shkrimtarë e mbajnë fshehtas në tryezat e shkrimit: “Ne punojmë në errësirë, bëjmë atë që mundemi, japim atë që kemi. Dyshimi ynë është pasioni ynë, dhe pasioni ynë është detyra jonë”.  Shpallja përfundon në mënyrë të paharrueshme, “Pjesa tjetër është çmenduri e artit”.

    Çmenduri e artit? Ndoshta po. Por ka më shumë të ngjarë të jetë logjika e padukshmërisë. Thënia e James-it ka dhe anën tjetër. Nuk është personaliteti shoqëror fantazma por shkrimtari i kërrusur mbi letër, përngjashmimin e mjegullt të të cilit s’do ta njohim kurrë personalisht, hija që fshihet në errësirë ndërsa dytësori i tij i prekshëm shëtit jashtë, flet, qarkullon dhe ndonjëherë edhe flirton me shoqërinë. Rastet kur shihen këta shkrimtarë- fantazma janë të rralla dhe të pakta, të pabesueshme, por ekziston një numër i vogël shfaqjesh të befta që mund të na udhëheqin, të paktën për pak, drejt një klasifikimi të duhur. Për shembull, një shkrimtar arrogant që kapardiset plot vetëbesim, përçmues në mënyrë agresive, i cili nënvlerëson dhe të shpërfill, çfarë është në të vërtetë? Kur e sheh fshehurazi përballë shkëlqimit të vetmuar të ekranit të kompjuterit, është thjesht një qenie e ndrojtur, e paralizuar nga ideja që së shpejti do të filloj një fjali të re. Dhe kjo krijesë shfajësuese, lajkatare, e ndrojtur, e pasigurt dhe kundërshtuese, kur është e pushtuar nga pasioni i natës, ngjan me kaldajën e zjarrtë të një pushteti të pakundërshtueshëm dhe me siguri të jashtëzakonshëm. Shkrimtarët e vërtetë janë ata që kur po punojnë janë vetëm në manastirin e heshtur dhe instinktiv të vetmisë – fantazmë dhe asnjëherë ata që po bisedojnë me zell me ty në tarracë.

    Cili është kuptimi i vërtetë i “çmendurisë së artit”? Të shtiresh sikur je dikush tjetër, duke shkërbyer, gënjyer, duke qenë i pavërteti dhe ti të besosh se kjo është shtirja, shkërbimi, gënjeshtra, e pavërteta e rrëfimit krijues. Jo, përkundrazi, arti e shndërron çmendurinë në ndjekje të fytyrës së rreme të shpërqendrimit të dëshiruar. Shkrimtari i pavërtetë është i dukshmi, kërkuesi i turmës, folësi i turmës, ai që do të hajë darkë me ty duke patur një motiv në mendje, do të jetë, të flasë dhe të diskutojë zakonet e të shkruarit me ty, ose thjesht të bëj thashetheme për romancierët e tjerë dhe fatin e tyre për t’u pasur zili apo fatin e tyre të keq. Shkrimtari i pavërtetë është si Henderson-i, personazhi i Saul Bellow-t që përsërit gjithnjë: dua, dua, dua.

    Nëse është kështu kështu, dhe kështu është, atëherë si mund të kërkojë një shkrimtar i ri të bëhet pjesë e të padukshmëve të zjarrtë shpirtërorë? Apo, e thënë në një mënyrë tjetër, megjithëse të gjithë shkrimtarët janë detyruar herë pas here të bëhen të dukshëm, si mund të ruhet një padukshmëri e mirëfilltë dhe e fshehtë kaq e lakmuar? A nuk synojnë të gjithë shkrimtarët e rinj të jenë në zonat e shikueshmërisë, ku marshojnë përpara falangat e zjarrta të shkrimtarëve të vjetër dhe të rrëgjuar duke i bërë fresk vetes me recensa vlerësuese për ta? A nuk funsionon kështu, përmes modeleve dhe mentorëve dhe këshillave të mençura të redaktorëve me përvojë?

    “Të lutem”, – thotë Rilke, duke iu drejtuar një shkrimtari të ri: “Të lutem hiq dorë nga gjithçka. Ti e sheh letërsinë nga jashtë, dhe nga të gjitha gjërat kjo është ajo që s’duhet të bësh tani. Askush s’mund të të këshillojë dhe s’mund të të ndihmoj askush. Ka vetëm një mënyrë: depërto brenda vetes. Zbulo motivin që të detyron të shkruash, hulumto nëse rrënjët e tij të shpien në skutat më të thella të zemrës, rrëfeji vetes nëse do të doje të vdisje nëse të ndalohet të shkruash. Para së gjithash, pyet veten në orën më të qetë të natës: a duhet se të shkruaj s’bën? Gërmo tek vetja për një përgjigje që vjen nga thellësia e qenies sate. Dhe nëse kjo përgjigje është pozitive, nëse mund t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje solemne me një “duhet se s’bën”, të fortë dhe të thjeshtë, atëherë ndërtoje jetën sipas kësaj nevoje”.

    Kështu, poeti Rilke, duke nënkuptuar që i riu i papërvojë duhet të shpërfill të gjitha shpërblimet e kësaj bote, bashkë me nxitjen, dhe ndonjëherë edhe iluzionin romantik të famës, ai kërkon që shkrimtari t’i përkushtohet një karriere më shpirtërore. Vini re se Rilke flet për “orën më të qetë të natës”, e cila është gjithashtu më e errëta, ora kur bëjmë atë që mundemi dhe japim atë që kemi: çmendurinë e artit, dhe përsëri dua ta kundërshtoj qëllimisht Henry James-in, nuk është tek arti, por tek turma e çmendur, fare e çmendur, vendi ku të gjitha llojet e dukshmërisë shtyjnë me bërryla njëra-tjetrën, ndërsa fantazmat në tryezat e tyre të shkrimit ulen vetëm dhe shkruajnë, shkruajnë, shkruajnë, sikur prej saj të varej tejdukshmëria e nevojshme e shpirtrave të tyre.

    Përktheu Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË