More
    KreuLetërsiBibliotekëClarence Day: Babai kërkon të qepë një komçë (tregim)

    Clarence Day: Babai kërkon të qepë një komçë (tregim)

    Përktheu nga origjinali Aristidh Shqevi

    Sipas pikëpamjes së babait, komçat ishin problemi më i madh që ai kishte. Këmishët dhe çorapet e grisura nga të gjitha anët mund të visheshin përsëri, por të brendshmet me komça të këputura, kurrë. Shpejtësia me të cilën ai vishej, dukej sikur ia hiqte besimin komçave dhe i detyronte ato t’i largoheshin atij. Për më tepër, ato këputeshin fare papritur në situata krejt të papërshtatshme.

    Në të tilla raste, sigurisht, ai kërkonte ndihmë, por këtë ama e donte menjëherë. Ai shfaqej tek dera e dhomës së mamasë me një jelek në dorë dhe një komçë të pabesë në tjetrën, duke ngulmuar që ajo të qepej aty në çast; sa herë që ajo përgjigjej se në atë çast nuk kishte mundësi, babai indinjohej tamam sikur të kishte qenë duke u mbytur dhe një notar i skuadrës së shpëtimit ta kishte njoftuar se do t’i vinte në ndihmë vetëm të nesërmen.

    Kur indinjata shkonte aq larg sa t’ia rrëmbente dhe gjykimin, me një zë të ashpër ai shtonte: ‘Shumë mirë atëherë, komçën do ta qep vetë,’ dhe pastaj vihej në kërkim të gjilpërës dhe fijes. Mamaja e dinte shumë mirë se ç’do të thoshe kjo. Ajo i lutej atij që ta linte jelekun në shportën e saj të punës për ta qepur atë të nesërmen. Babai këmbëngulte në të tijën. Për më tepër, mendimi i forcohej nëse rastiste që vështrimi i tij ta haste shportën e ta konstatonte aty pirgun e madh të çorapeve, të cilat, plot pezmatim, prisnin radhën të lëna në harresë.

    ‘Kam plot një muaj që i kërkoj çorapet me topa bojë qielli,’ shpërtheu ai gjithë inat një mbrëmje para se të uleshim për të ngrënë darkë. ‘Nuk bëhet asgjë për burrin në këtë shtëpi. Edhe komçat më duhet t’i qep vetë. Ku janë gjilpëra dhe fija?’

    Mamaja ia jepte mjetet e punës pa dëshirë. Ai ecte me hap të rregullt në mes të dhomës, zinte vend buzë divanit dhe bëhej kati për punë. Ndriçimi i llambës me gaz ishte më i mirë pranë tavolinës së shkrimit, por për shkak të mungesës së vendit të bollshëm, atij nuk i pëlqente që të ulej në karrige. Mbi divan, pranë vetes, vendoste gërshërët, jelekun dhe rrokelin e fijes, njomte gishtërinjtë, mbante gjilpërën lart në pozicion ballor dhe mundohej t’ia kalonte fijen përmes.

    Si çdo komandant, babai kërkonte që bindja të ishte e menjëhershme, lëre pastaj që donte të kishte të bënte gjithmonë me njerëz kompetentë. Gjilpëra e pabindur dhe kokëfortësia e pandreqshme e fijes e detyruan të shante. Ai e la gjilpërën të zhytur në divan me qëllim që të njomte gishtërinjtë, dhe u përpoq ta drejtonte fijen përsëri. Kur u mat për ta marrë gjilpërën, pa se ajo ishte zhdukur. Kërkoi me dorë rreth e rrotull. U ngrit në këmbë, duke shtrënguar fort fijen e perit, dhe u kthye prapa ballë për ballë divanit për të parë se ku mund të ishte fshehur ajo, por gjatë kthimit, rrokeli i fijes kërceu në dysheme, u rrokullis dhe u çmbështoll.

    Krizat e epilepsisë ishin bërë shkak që bashkëshortët e dy shoqeve të mamasë të shkonin në botën tjetër. Ndaj ajo trembej së tepërmi kur mendonte se e njëjta gjë mund t’i ndodhte edhe babait. Me të dëgjuar britmat e tij, mamaja sulej në dhomë. Ai ndodhej aty, i shtrirë sa gjerë e gjatë në dysheme, ashtu siç në të vërtetë ajo e priste. Duke u munduar ta kalonte kokën nën divan, ai çirrej me të madhe, fytyra i merrte një përflakje të veçantë dhe sytë i përskuqeshin aq shumë, saqë mamaja tmerrohej. Lutjet për ta ndalur vetëm sa e bënin më epileptik. Thoshte se do të ishte i mallkuar nëse ndalej. Në atë moment ngrihej në këmbë me rrokelin e fijes në dorë, flokët të shpupuritur, dhe pamjen triumfuese. Mamaja vraponte për të marrë një gjilpërë të re. Ajo ia kalonte fijen dhe, më në fund, ai fillonte qepjen.

    Babai e qepte komçën furishëm, me ngulje e shkulje. Nëna thoshte se nuk mund të duronte duke parë, por edhe të largohej nga dhoma e kishte po aq të vështirë. Ajo qëndronte duke vështruar, në një gjendje hipnoze e tmerri dhe me një dëshirë munduese për ta qepur vetë komçën. Njëri-tjetrit i flisnin të acaruar. Pikërisht në ato momente ndodhi e pashmangshmja: gjilpëra doli me forcë përmbi jelek dhe ndeshi në komçë. Babai e shtyu atë me më tepër forcë dhe, për pasojë, ajo shpërtheu përmes birës duke u ngulur drejt e në gishtin e tij.

    Ai  u hodh përpjetë tek ulëriti me të madhe. Të shpoheshe në këtë mënyrë nuk ishte vetëm e dhimbshme, por njëkohësisht dhe fyerje. Ai u kthye nga unë, kaloi me hap të rregullt nëpër qilim dhe, duke shtrënguar gishtin fort, i zemëruar tha: ‘Faji është i sat’ ëme.’

    ‘Përse Clar?’ thirri nëna.

    ‘Sepse llomotit gjithë kohës,’ i bërtiti babai asaj, ‘dhe të gjithë njerëzit i bën çorbë.’

    ‘Si dreqin mund të qepet komça me gjithë këto dërdëllitje e llokoçitje mu në rrëzë të veshit? Ja se ç’më bëre!’ shtoi ai papritur. ‘Jeleku më i mirë, i lyer në gjak. Obobo, ç’më gjeti! Merre të mallkuarin. Më sillni një shami për ta lidhur gishtin. Po tani, ç’të bëj?’

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË