More
    KreuLetërsiBibliotekë"Cikli i verimeve", poezi nga Shqiptar Oseku

    “Cikli i verimeve”, poezi nga Shqiptar Oseku

    mirë se vini bashkatdhetarë!

    AEROPORTI ADEM JASHARI

    Kur aterruam, pritëm gjatë për valixhet.
    Dikur kuptuam që ato s’kishin ardhur.
    Asgjë e re, mërgimtarët humbin gjithmonë
    copa të vetat ndër aeroporte.
    Aeroportet janë bisha që i kafshojnë
    rregullisht, ashtu si gjahtohen buajt në vada ujërash.
    Nganjëherë bishat vjellin mbrapsht
    çfarë kanë kafshuar, e mërgimtarët
    gjejnë copa të veta, stërkequr në zorrë të bishës.
    Nganjëherë ato copa treten përgjithmonë.
    Mërgimtarët duhet herdokur t’u qasen bishave.
    E ato presin durueshëm, të fshehura
    mbrapa emrash të mëdhenj.

    o sa mirë që keni ardhë

    GJAKOVË

    Ja ku jam prapë, në këtë qytet mes tre lumenjsh.
    Një syresh pothuaj është shtjerrur,
    e një tjetër ishte gjithmonë më shumë përrua
    se lum. Por emrat i kanë madhështorë:
    Krenë. Llugë. Erenik. Trini e shenjtë që ngërthen
    tiparet e qytetit: krenarinë, punët llugë,
    e erën e freskut që ka prurë uji në çdo vendbanim
    qysh nga agu i kohëve që përmenden.
    Por cilat kujtime përmenden? Cilat harrohen?
    Nga larg më thërret nëna të kthehem, se ra terri.
    Mirëpo ajo s’është më këtu. Duhet të ripërkufizoj
    se ç’të quaj ag të kohëve, e të ndaj vërtet mendjen
    se ç’dua të mbaj mend.

    a doni me shku en det

    NIMFA

    Janë ulur të tri vajzat e mia
    e hanë ngeshëm bashkë më në fund
    Në anëdetin shqiptar
    Gjithçka është njësoj si në kujtimet e tyre
    Deti njësoj turkozë
    Dielli njësoj i nxehtë
    Kënga e gjinkallave njësoj ëndërrimtare
    si isoja që jehon diku në largësi
    (ky është ai momenti perfekt)
    Bijat e mia kënaqen si uliksë të kthyer në shtëpi
    Diku jashtë perimetrit të gëzimit
    ndiej si u shtohen dyshimet
    E si të quhet vallë ky vend i mirë
    kur askush s’duket i lumtur
    e të gjithë me të cilët flet duan të ikin sa më larg
    (përmbysjet nisin gjithmonë në periferi të vetëdijes)
    Vajzat kanë arritur atë moshë
    kur flasin me njëra-tjetrën tinëza prindërve
    Vitin tjetër ndoshta s’vijmë dot bashkë më
    Ndoshta kjo është vera e fundit kur ky det
    është njësoj turkozë
    si ndër kujtime të fëmijërisë
    e ky diell njësoj i nxehtë
    e kjo këngë gjinkallash njësoj ëndërrimtare
    si isoja që paket diku në largësi

    nga jeni juve

    SHPELLA E ULQINAKUT

    Organizatorët kishin përmendur shpellën si atraksion kryesor por, kur arritëm, na thanë se s’hynim dot brenda. E shikoni mbase edhe vetë, na thanë, që anija është tepër e madhe dhe hyrja s’e zë; m’u duk metaforë e saktë, por s’di se për çka. Kur dolëm në stere, goditëm një skaf. Ndërsa turistët polakë po laheshin, ne u bëmë drugëz që përshkonte cohën blu të Jonit, duke lënë pas vrushkuj fijesh të lara shkume nëpër avlëmend të ujtë. Diell e valë. Nando italiani ua la drejtimin vajzave dhe, ndërsa hidhte nganjëherë sytë te timoni, zuri të rrëfejë historinë e vet. Mall e mërgim. Në anë të skafit stërpikat sajonin një ylber të vocërr që na ndiqte si këlysh lotësh. Shpella e detarit ulqinak ndodhej te Kepi i Gjuhëzës, në fund të siujdhesës që dikur quhej Gadishulli i Rrufeve, por që sot mban emërtimin Karaburun. Hundë e zezë. Në dorën e regjur të Nandos, skafi hyri brendë me thjeshtësi elegante, si liburnë lashtësie. Ngadalë, si pilgrimë në procesion solemn. Heu. Poshtë nesh, një sy ekliptik bluje të akullt, dhjetë metra thellësi. Lart nesh, shpendë kureshtarë duke endur një rrëfim stalaktitësh. Notre Dame. Kur po largoheshim nga andej, mbasi ishim pagëzuar në altar perëndish, askush nga ne s’kish gojë të fliste. Nano italiani zuri të nanurisë në gjuhë të vet, diel e vallë, mall e mallëngjim. Këlyshi i lotëve na ndiqte nëpër Jon. Ne ishim drugëz që përshkonte cohën blu të Jonit, vrushkuj fijesh të shpëlara shkume nëpër avlëmend të ujtë mbas nesh. Organizatorët kishin plotësisht të drejtë. Shpella e ulqinakut vërtet s’duronte anije të mëdha. Ajo do që vdektarët t’i qasen të përkorë, ngadalë. Si pilgrimë në procesion.

    sa do të rrini

    SAZAN

    Shoqëruesi kish hyrë vërtet në rol.
    ”Në kohën e diktaturës këtu ishte një bazë e flotës
    ku rrinin nëndetëset tona. Kishte shkollë
    për fëmijët e oficerëve, një teater, e vinotekë.”

    Ishulli i pabanuar na vështronte
    nga njëmijë sy të gërryer dritaresh të errëta;
    na këndonte me njëmijë gjinkalla.
    Ato u kishin kënduar të njëjtën këngë ilirëve,
    grekëve, romakëve, princave arbër, venecianëve,
    osmanëve, francezëve, anglezëve, italianëve.
    “Kujtoni fundin.” “Çdo lavdi mbaron me ne.”
    Asnjë syresh s’ua kish vënë veshin.

    ”Sazani është i vetmi vis shqiptar
    me klimë nëntropikale”, thonte shoqëruesi.
    Unë ngel me rezerva për shtetësinë e pemëve.
    Por dielli, deti dhe njëmijë gjinkalla
    mbanin iso.

    a ju pëlqen më shumë këtu a atje

    ERA ÇAM

    ”a ma jep një çik atë deododorantin se më vjen erë çam”

    dëgjuar në Vlorë, anno 2022

    1.
    erë çam
    erë djerse e gjaku të freskët që ende bujis
    nga damarë të hapur

    erë gjenocid

    2.
    e pra dikur kundërmonim sapun ulliri nga banjat publike në janinë
    e aromë mëndafshi e parfumesh nga arta
    erë boje pergamenti e librash të vjetra në skolitë tona

    erë deti ndër portet

    dikur qemë gjindja më urbane në këtë gadishull të nëmur
    pothuaj gjysma prej nesh rronim në qytete

    bashkëjetonim përditë nëpër lagjet tona
    me frëngj vllehë turq arabë persianë çifutë anglezë
    ndërsa pampurët na sillnin lajme të mrekullishme
    nga Egjeu i gjerë e nga Joni jonë

    erë limoni tek bujtinat në filat erë portokall
    erë bredhash nga mal i kurrilave në sarajet mbi ajdonat
    nga mal i shtizës atje lart mbi pargë
    erë pishash

    (sot ajdonatin e quajnë paramithi)

    3.
    erë grurë katundet tona erë miell
    pesëdhjetë mullinj bluanin përditë vetëm në prevezë
    se aty kishim 175 fshatra

    në filat 68 në magëlliç 76
    në ajdonat 64

    tash ua stërkeqin emërtimet:
    livadhia lekoures lakres malesis toskes liopes
    kalouresis giomaris poules
    gouresis gourakoukis gourabardis goursi
    gestenia molia dardis
    kriesis krouia krouiasis krouiabardis
    lioumi lioumibardis lioumises likenis
    lekouris
    giakis

    4.
    një ditë na dëbuan zbathur
    pasi na grabitën nga gjithçka pos gjuhës e emrave
    çobanë gdhë e priftërinj idhnakë

    kishin vendosur të sajojnë një vath gjigant
    pa larmi ngjyrash e gjuhësh të bezdisshme qytetesh
    ndaj na masakruan e na dëbuan të tërë
    shqiptarë vllehë sllavë turqi persë arabë arumunë
    çifutët gjer tek i fundi

    katundin që krijuan e quajtën krenarisht ”qytetërim”

    5.
    erë shkrumb
    mure tulla çati trerë të rëna
    në flakë

    çirrje fëmijësh
    erë kurmi nga prindër që kalben
    ndanë përrenjsh

    djersë e gjak kutërbonte kush mbijetoi
    gjer këtu

    6.
    më vonë na fajësuan edhe tanët
    si vegël të djallit

    ndonëse djallin s’ua sollëm ne
    atë e gjetëm këtu midis jush

    7.
    erë çam
    erë gjaku të valë që ende bujis në truma
    nga damarë të hapur

    erë gjenocid

    8.
    por dikur kundërmonim sapun ulliri nga hamamet e janinës
    e aromë mëndafshi e parfumesh nga arta
    e erë limoni nga serrat në filat e në margëlliç erë portokall

    e erë grurë na mbanin katundet
    e portet erë det

    9.
    vallë fryn ende era jonë
    nga mal i kurrilave mbi ajdonat e në mal të shtizës
    atje tej mbi pargë

    a ju mbaruan ditët a

    PRISHTINË

    Ky është qytet dashurish të ndërlikuara.
    Gjatë luftës këtu e donin guerilen me afsh
    nëpër kafene të mbushura dëng.
    Kafenetë u zbrazën vetëm kur e grahën klientelën
    gjer matanë kufirit, ashtu si grahen bagëtitë.
    Me britma, e me goditje të herëpashershme.
    Pas luftës u kthyen e gjithë klientela dalë-ngadalë,
    si bagëti që e ka mësuar rrugën e shtëpisë.
    Sot kafenetë janë prapë të mbushura dëng.
    Edhe kjo ndoshta quhet fitore.

    mirupafshim bashkatdhetarë!

    AEROPORTI ADEM JASHARI

    Para nisjes, na kanë ndërruar oraret e fluturimit
    pesë herë rresht. Asgjë e re,
    mërgimtarët janë mësuar me jetë interesante.
    Aeroportet janë bisha që na kafshojnë
    rregullisht, si gjahtohen buajt në vada ujërash.
    E ne presim durueshëm, të zënë rob
    prej emrash të mëdhenj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË