More
    KreuOpinionCharles Bukowski: John Fante ishte heroi im

    Charles Bukowski: John Fante ishte heroi im

    Për John Fante

    31 janar 1979


    Faleminderit për letrën me fjalë të bukura. Është një ndjenjë kaq e çuditshme, kaq e pazakontë të marrësh një letër nga ti. Kanë kaluar disa dekada qëkur lexova për herë të parë Pyesni pluhurin. Martini më ka dërguar një kopje të romanit dhe po e filloj përsëri, lexohet për mrekulli, si gjithmonë. Së bashku me Krim dhe ndëshkim të Dosit dhe Udhëtimin e Celine është romani im i parapëlqyer. Më fal që s’jam përgjigjur më shpejt, por tani jam në mes të shumë gjërave të mëdha: shkrim skenari, korrigjimi i skenarit të dikujt tjetër, një histori e shkurtër, dhe gjithashtu pija, loja me kuajt, zënkat me të dashurën, vizitat sime bije, herë ndjehem keq, herë ndihem mirë, gjëra të tilla. Pastaj humba letrën tënde, isha aq krenar për të dhe veç para një nate e gjeta prap, kisha përdorur pjesën e pasme të zarfit për të shënuar korrigjime në skenarin e një shoku (dhe përshtatjen e romanit tim të parë Zyra postare). Kështu, këtu po bie shi dhe po të shkruaj shpejt e shpejt se dua të shkoj në bankë për të thyer një çek, që të mund t’u rikthehem basteve në garat me kuaj, nesër. Shkrimet e tua ma ndryshuan jetën, më dhanë shpresë të vërtetë se thjesht mund t’i shkruash fjalët dhe të shfaqësh plotësisht emocionet. Askush s’e ka bërë këtë kaq mirë sa ti.

    Do ta lexoj librin ngadal, do ta shijoj edhe një herë dhe shpresoj të mund të shkruaj një parathënie të dobishme. [H. L.] Mencken pati ndër të tjera meritën që arriti të të pikas, dhe mendoj se është koha që një talent si i yti të duket sërish, edhe pse botuesi Black Sparrow s’është New York, siqodofta ka njëfarë prestigji, vëmendjeje, libra të tillë janë jetëgjatë dhe lexohen nga njerëz të tjerë përveç publikut të gjerë që thjesht ha gjithçka që New York i jep.

    E mrekullueshme të dëgjoj nga ti, Fante, je dhe mbetesh numri një, përgjithnjë. Ndjesë për gabimet e shtypit. Pasi ta mbaroj librin dhe të shkruaj parathënien, do të ta dërgoj me postë, në rregull, shpresoj të bëhet. Të fala gruas dhe djalit. Qielli është me shi sot dhe nesër pista e vrapimit do të jetë me baltë por unë do të mendoj për ty dhe fatin që do të kem mundësi t’u tregoj njerëzve pse Pyesni pluhurin është kaq i mirë. Faleminderit, po, po, po. . .


    Për John Fante

    2 dhjetor 1979


    Ishte gjë e mirë të dëgjoja fundin e romanit tënd përmes telefonit; ishte më shumë Fante përsëri kudo, shkallë e lartë, e vetmja shkallë si gjithmonë. Më hoqi atë dreq dyshimi nëse po vazhdoje të shkruaje apo i kishe dhënë fund. Ti ishe motivuesi im kryesor për të filluar të shkruaj dhe përsëri po më motivon fuqishëm pas gjithë këtyre viteve.

    Kam përjetuar një periudhë pafuqie për të shkruar dhe s’them se kam pasur shumë të tilla. S’dua të them se çfarë kam shkruar ka qenë gjithmonë e jashtëzakonshme, por se ka vazhduar të ndodh gjithmonë. Vonë është ndalur. Epo, shkrova disa poezi një natë më parë por s’më janë dukur njësoj.  Shumë herë kam parë se acarohesha me time shoqe, Lindën dhe madje i kam gjuajtur maces një natë në parë. S’më më pëlqen të sillem si një primadonë e vogël por më duket sikur nëse s’shkruaj dot për të nxjerrë çfarë kam brenda, atëherë helmohem, harroj si të qesh, s’dëgjoj më muzikën e parapëlqyer simfonike në radio dhe kur shihem në pasqyrë shoh një njeri shumë të lig aty, sy të veckël, fytyrë të verdhë, jam fytyrështrembër, i padobishëm, një fik i thatë. Dua të them, kur s’arrin të shkruash, çfarë ka tjetër, çfarë ka mbetur? Rutinë. Emocione rutinore. Mendime bajate. S’e duroj dot këtë valle vendnumëro.

    Të dëgjoj nga ti, pasi Joyce më lexoi fundin e romanit tënd, duke dëgjuar Fanten e guximit dhe pasionit më nxori nga kjo lloj vdekjeje. Shishja e verës është hapur dhe radio është ndezur dhe unë do të fus disa letra të bardha në këtë makinën e shkrimit dhe të shkruarit do të ndodh përsëri, për shkakun tënd. Do të ndodh për shkak të Celine dhe Dos-it dhe Hamsunit por para së gjithash për shkakun tënd. S’e di se ku e keni marrë këtë dhunti, por perënditë me siguri jua dhanë me bujari. Për mua ti ke pasur rëndësi, ke më shumë rëndësi se çdo njeri tjetër i gjallë ose i vdekur. Duhej ta ta thosha këtë. Tani kam filluar të buzëqesh pak. Faleminderit, Arturo [Bandini].


    Joyce Fante

    Për Joyce Fante

    18 dhjetor 1985

    Më vjen keq që më keni pyetur për librin e John-it dhe kam disa ditë e net që po mendohem dhe s’mund të ju përgjigjem veçse në këtë mënyrë: s’më pëlqeu as ky as libri pas këtij.

    E dini, ka një mënyrë për t’u treguar i ashpër me stilin dhe ka një mënyrë për t’a mbytur hidhërimin me humor, por të dy këto libra thjesht më bënë të ndihem shumë keq. S’ka asnjë problem nëse tregohesh zemërak, nëse zemërata jote kërkon guxim, por nëse është zemëratë thjesht për hir të zemëratës, kjo ndodh çdo ditë në jetën tonë, kjo ndodh në autostradat dhe shtigjet e ikjeve dhe pritjeve tona.

    John ishte ndikimi im kryesor, së bashku me Celine dhe Dostojevskin dhe Sherwood Anderson-in, dhe ai shkroi disa nga librat më të ndjeshëm dhe plot hir të kohës sonë, por kam ndjesinë se këto veprat e fundit ose të mëparshme më mirë të ishin lënë të pabotuara. Mund të gaboj, natyrisht. Shpesh gaboj.

    Që unë isha në gjendje të takoja heroin tim (nëse më lejon ta përdor këtë fjalë, vonë në jetën e tij dhe në kushtet më të dhimbshme, ishte një gjë shumë e trishtueshme dhe shumë e madhe për mua. Dhe shpresoj që fjalët e pakta që pata me John-in e ndihmuan në mes të ferrit më të tmerrshëm.
    Për të gjitha këto, do ta kujtoj gjithmonë leximin e Pyesni pluhurin, të cilin ende e konsideroj romanin më të mirë të shkruar në të gjitha kohërat, një roman që ndoshta më shpëtoi jetën, për të gjitha vlerat që ka.

    Askush s’është në kulmin e mundësive të tij në çdo kohë; në fakt, pak njerëz i afrohen kulmit. John-i e bëri, dhe më shumë se një herë. Ju jetuat me një njeri shumë hidhërak, i cili e kapërceu hidhërimin e tij, më në fund, me një dashuri që jehoi dhe mbushi dhe shpërtheu në çdo rresht në një mrekulli të paharrueshme që thoshte po pavarësisht jo-së po për shkak të jo-së që do të thoshte po po po dhe vazhdoi ta thoshte, edhe kur e takova ashtu siç ishte. S’do të ketë kurrë një John Fante tjetër. . . Ai ishte një bulldog me zemër, në ferr.

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË