Pas shumë vitesh, pjesa e vëmendjes që publiku i ka dhënë gjërave shpirtërore ishte veçanërisht zvogëluar; buxheti i tij i ndërkalljes shkonte dhe tkurrej çdo ditë. Vitet e fundit të Lui-Filipit panë shpërthimet e fundit të një shpirti gjithmonë të ndezur prej lojës së imagjinatës; por romancierët e rinj u gjendën përballë një shoqerie vjetërsisht të shumëpërdorur – akoma më keq të drobitur, – të budallallepsur dhe makute, një shoqeri që kishte tmerr veç prej trillimit, dhe dashurisë veçse për zotërim.
Në kushte të ngjashme, një shpirt i ushqyer mirë, flakadan ndaj së bukurës, por i magjepsur nga një lojë-shpatash e fortë, shpesh herë gjykues i pasojave të së mirës dhe së keqes, do të thoshte: “Kush është mjeti më e sigurt t’i zbythi të gjitha këto shpirtra të plakura? Këto shpirtra nuk njohin në realitet atë çka dashurojnë; ato nuk mbartin një neveri pozitive veç pompozitetit; ndjenjës naive, të përvëluar, braktisja poetike i bën ato të skuqen dhe i lëndonë.
Qofshim pra të rëndomtë në zgjedhjen e subjektit, ndërsa zgjedhja e një subjekti tepër të madh është një fyerje tepër e madhe për lexuesin e shekullit të XIX. Njëherazi ngërthen të mbajtur mirë braktisjen tonë dhe fjalosjen në emër të çështjes tonë në veçanti. Ne do të ishim pasqyra duke rrëfyer ndjenjat dhe kuturisjet ku bashkësia e botës vendos zjarrminë e saj; ne do të ishim, sikurse shkolla dëfton, objektiv dhe të pavetishëm.
Gjithashtu, veshët tanë sikur të ishin rraskapitur në këto kohë të fundit nga dërdëllitja e shkollave foshnjarake, sikurse kemi dëgjuar të flitet për një farë procesi letrar të quajtur realizëm, – fyes i neveritshëm flakur në surrat të të gjithë analistëve, fjalë të turbullta dhe të fushkëta që kanë kuptim veç për të rëndomtin, jo një metodë e re krijimi, por një përshkrim me imtësi plotësuese të dorës së dytë, – ne përfitojmë nga amullia e shpirtrave dhe mosdija universale. Ne shtrojmë një stil gjith nerv, piktoresk, mendjehollë, të njimendtë, mbi një kanavacë të rëndomtë. Ne kyçim ndjenjat më të ngrohta dhe më të zjarrta në kuturisjen më banale. Fjalët më madhështore, më vendimtare, të rrjedhura prej buzëve më të marrëzishme.
Cili është terreni i marrëzisë, ambienti më idiot, më prodhues në absurditet, më i bollshëm ndër torollakë që nuk lëshojnë udhë?
– Krahina.
Cilët janë aktorët më të padurueshëm?
– Njerëzit e vegjël që shqetësohen kah funksionet e vogla në të cilat ushtrojnë gabimisht idetë e tyre.
Cila është e dhëna më e dalë boje, më e kurvëruara, sedra e barbarisë më të rraskapitur?
– Një shkelës(e) kurore.
“Nuk kam nevojë, thotë poeti, që heroina ime të jetë një heroinë. Me kusht që ajo të jetë mjaftueshëm e bukur, të ketë nerv, dëshira sipërore, një frymëmarrje të pandalshme drejt një bote të epërme, ajo duhet të jetë tërheqëse. Rrethi i forcës, përveç kësaj, duhet të jetë fisnikërisht fisnik, dhe mëkatet tona do të jenë së paku të merituara, – krahasimisht jo i rëndomtë, – shques i dërdëllimave të mërzitshme të epokës që na ka paraprirë.”
“Nuk kam nevojë të shqetësohem për stilin, vendosjet piktoreske, përshkrimet e ambientit; e zotëroj të gjithë këtë dhunti me një fuqi të tepruar; marshoj i mbështetur mbi analizën dhe logjikën, dhe do të mundesha gjithashtu që t’i bëja të gjitha subjektet të ishin pa dallim të mira apo të këqija, nga mënyra se si janë trajtuar, dhe ku më i rëndomti mund të bëhet më i miri i të mirave.”
Bash prej këtu, Zonja Bovari, – një kuturisje, një kuturisje e vërtetë, një bast, si të gjitha veprat e artit, – u krijua.
Autorit nuk i ngelet gjë tjetër, për ta kompletuat rrethin e forcave në tërësinë e vet, veçse ta rrjepi e ta zhveshi (sa të jetë e mundur) seksin e tij dhe të bëhet grua. Dhe kjo i ka rezultuar si një mrekulli; gjë e cila, pavarësisht zellit të tij të aktorit, nuk ka mundur më tej mos me i shtënë një gjak burrëror në vena krijesës së tij, dhe që zonja Bovari, për të pasur në ‘të më tepër energji dhe ambicie, gjithashtu më tepër ëndërrim, zonja Bovari pra ka ngelur një burrë. Si Athina Pallas e armatosur, e dalë prej trurit të Zeusit, kjo androgjene e çuditëshme mbart të gjithë ngashnjimin e një shpirti burrëror në një trup epshndjellës femëror.
E përktheu nga frëngjishtja:
Flurans Ilia