Nga Vittorio Strada
Ç’të bëjmë me Vladimir Majakovskin? Me Majakovskin që për antonomazi është “poeti i revolucionit”? I një revolucioni të ashtuquajtur i “Tetorit” i cili në fillim u ngrit në qiell nga të shumtit, nga Majakovski edhe më me zjarr se kushdo tjetër, kurrë sot është stigmatizuar nga shumica dhe a nuk ishte i tillë ai që në fillim për cilindo që s’ishte verbuar nga shkëlqimi i një “bote të re” imagjinare? Pyetja “Ç’të bëjmë me Majakovskin” si dhe me këngëtarë të tjerë të ringjalljes së kuqe, është e pashmangshme tani që kolosi i ndërtuar në terrenin e asaj përmbysjeje të padëgjuar është në rrënim, provë kjo e pasigurisë së materialeve dhe e gabimeve të projektit. Veç kësaj, nuk bëhet fjalë aspak për një pyetje pa vend, po të kujtojmë deklaratën e bujshme të futuristëve (më 1912 ), e firmosur që atëherë nga i riu Vladimir, i cili urdhëronte që “të hidheshin nga anija e modernitetit” Aleksandër Pushkini dhe “klasikët “ e tjerë që konsideroheshin vjetërsira dhe pa vlerë nga ai që, si homonimët italianë të këtij grupi të kryesuar nga Marineti, për t’u kualifikuar, duke kapërcyer të tashmen dhe të kaluarën, shpallej flamurtar i së Ardhmes. Nga “anija e modernitetit” e mijëvjeçarit të ri mos duhet “hedhur jashtë” ndoshta një klasik “i avangardës” si Majakovski, sepse është i plakur dhe i papërshtatshëm? Një përgjigje e miratuar nga disa është se poezia majakovskiane, fajtore se ka ekzaltuar një revolucion kriminal që midis shumë të tjerësh, vrau dhe torturoi shumë poetë, i përket tashmë një errësire të merituar: ajo shtrihet në pluhur, nën rrënojat e ndërtesës kolosale komuniste së bashku me shumë figura të tjera të së njëjtës stampë ideologjike. Por nuk mund të mohojmë se poezia e Majakovskit, edhe pse e shfronësuar nga vendi qendror që i ishte dhënë në panteonin e “regjimit të vjetër”, ekziston dhe reziston edhe, sepse ajo nuk është një kufomë për të cilën mund të thuhet “parce sepulto” (e varrosur).
Një përgjigje tjetër na këshillon që të provojmë te Majakovski operacionin të cilit duhet t’i nënshtrohet trashëgimia e shumë personazheve të shkëlqyer: të hiqet ajo që është e vdekur
(ditirambi politik) dhe të ruhet ajo që është e gjallë (lirika e dashurisë). Por kjo ndërhyrje e ka të keqen këtu se, cungon një organizëm ku gjithçka është e lidhur dhe prerja e një pjese që quhet e nekrotizuar dëmton pjesën që mbijeton. Parashtrohet edhe një zgjidhje tjetër: ta quajmë Majakovskin, jo poetin e revolucionit, por një viktimë të këtij revolucioni, një lloj zhongleri tragjik i pushtetit të ri: ta quajmë, jo një poet të oborrit të autokracisë së re bolshevike, por një demaskues paradoksal të miteve revolucionare, të fuqizuara nga ai vetë që shihte sa lot dhe sa gjak kullonte Molloku (përbindëshi) i ri i nderuar prej tij.
Të pranosh këtë zgjidhje nuk do të thotë të falsifikosh Majakovskin, duke i ndërtuar një fytyrë ndryshe nga e tija, përkundrazi, ta defalsifikosh duke i hequr maskën zyrtare që i ka vënë për dhjetëra vjet “realizmi socialist”. Megjithatë edhe kështu Vladimir Majakovski do të skematizohej dhe, gjëja që do të humbiste do të ishte kompleksiteti dramatik i fatit të tij dhe i poezisë së tij që nuk e ka shoqen në letërsinë e Nëntëqindtës, ku nuk mungojnë njerëz si ai që iu nënshtrua miteve të reja politike dhe si Celini iu nënshtrua joshjes makabre të nazizmit ose si Paundi që e gjeti të përshtatshëm fashizmin për muzën e vet, për të mos folur për turmën, me Brehtin në krye, që u rreshtua me komunizmin e epokës staliniste.
Është “dukuria Majakovski” që perceptohet në unitetin e tij të thellë të jetës dhe poezisë brenda epokës së revolucionit të parë total e totalitar të shekullit XX, lidhur me të cilin emrat, edhe ata më të shquarit që i përmendëm më sipër kanë si tipar që erdhën pastaj, kur nuk kishte më vend për iluzion dhe shumë prej tyre e bënin këtë nga cinizmi.
Duhet të ndjekim rrugën ekzistenciale dhe krijuese të poetit duke u nisur nga një pikë fikse, e vetmja e padiskutueshme, por për këtë, jo më pak enigmatike për biografinë e tij të vuajtur: ajo e vdekjes me vetëvrasje më 1930. Mund të themi se edhe kjo pikë është e pasigurt, meqë vdekja e Majakovskit është vënë në dyshim përsa i përket mënyrës së kryerjes së saj: vetëvrasje apo inskenim? Në rastin e dytë, autore dhe regjisore e simulimit makabër, do të ishte ajo policia politike dhe, ai regjimi, vegël e të cilit ajo ishte, që ndiqte me një interesim të vëmendshëm jetën e poetit dhe do të vendoste më në fund, kur ajo po i shpëtonte nga dora dhe, duke pasur parasysh famën e personit, po bëhej e rrezikshme për atë forcë revolucionare, bard i së cilës poeti ishte.
Nuk do të ishte pa interes të ndiqej ky version virtual, por i pakuptimtë, pasi nuk do të arrinte në asnjë gjë të sigurt. Nga ana tjetër, nëse pranohet teza, e besueshme dhe bindëse, e vetëvrasjes së vërtetë edhe, kjo do të mbante erën e një vrasjeje të bërë, jo nga ajo policia e fshehtë, (“çekistët”) së cilës Majakovski i kushtoi një admirim të devotshëm që, veçanërisht, sot, habit dhe ngjall neveri, por nga regjimi i hyjnizuar nga ai si shpëtim i vetëm universal dhe i tiji personal. Në këtë dritë Majakovski është poet i një revolucioni jo rrëzëllues e triumfues, por vdekjeprurës dhe mistifikues: një poet që i tunduar nga një instinkt i papërmbajtshëm vdekjeje, në luftë me një vullnet të dëshpëruar jete të revolucionit si një jetë e rreme, gjeti një iluzion të përkohshëm mbijetese.
Tri vetëvrasje të mëdha shënojnë historinë e poezisë ruse të Nëntëqindshit: vetëvrasja e Sergej Eseninit më 1925, vetëvrasja e Vladimir Majakovskit më 1930 dhe ajo e Marina Cvetajevës më 1941 (e ngjashme, por e ndryshme është lista e poetëve të vrarë, nga Nikolaj Gumilovi, Osip Mandelshtami dhe të përndjekurit, që nga Ana Ahmatova deri te Boris Pasternaku). Më e bujshmja qe padyshim vetëvrasja e Majakovskit e cila përveç skandalit për atë gjest të kryer nga poeti më i shquar i regjimit komunist, me barrën e enigmave domethënëse, u bë shkak për gjykime me vlerë të lartë, si ato të Andrea Bretonit dhe Roman Jakobsonit dhe la një gjurmë të thellë te Boris Pasternaku që asaj ngjarje i kushtoi faqet më intensive të Lejeqarkullimit të tij. Më pak e paralajmëruar qe vetëvrasja e Marina Cvetajevës e cila ishte gjithashtu më e kuptueshme: pas kthimit në Bashkimin Sovjetik, më 1939 dhe arrestimit të burrit dhe të vajzës së saj dhe pastaj, pas largimit të saj, në fillim të luftës në një lokalitet të humbur tartar, Elabuga, pa mjete jetese, e izoluar dhe e ndrydhur (“Ka një vit që hahem me vdekjen. Gjithçka është monstruoze dhe e tmerrshme”, shkruan në ditar pak më parë se të vriste veten), Marina kishte vepruar “logjikisht” siç tha me kuptim dashamirës djali i saj Mur.
Përsa i përket Eseninit largimi i tij vullnetar nga jeta, pas përpjekjesh të ndryshme të dështuara, nuk ngjan e errët, po të mendohet për tëhuajsimin e tij nga realiteti i pasrevolucionit, për jetën e tij të çrregullt që bëhej shkak që ai të gjente miqësira mes fundërrinave të shoqërisë dhe, midis kapove të policisë së fshehtë, si dhe për alkoolizimin që u bë shkak që ai të mbyllej në një klinikë psikiatrike pak para udhëtimit të tij për në Leningrad, ku në një nga dhomat e hotelit Ndërkombëtar (tashmë Angletere), preu venat dhe u var në një nga dritaret (edhe në rastin e tij u përhap versioni që vetëvrasja kishte qenë e inskenuar nga çekistët, por s’u besua). Në lidhje me vetëvrasjen e Eseninit që shkaktoi në mënyrë epidemike një valë vetëvrasjesh si imitim, çështja më interesante qëndron në marrëdhënien me Majakovskin. Esenini, me gjakun e damarëve të vet, shkroi dy vargjet e tij të fundit:
Në këtë jetë të vdesësh nuk është e re,
por as të jetosh s’është e re sigurisht…
vargje këta që mbetën më të gdhendur nga vdekja e poetit, aq sa Majakovski mendoi se ishte detyra e tij sociale “të paralizonte në mënyrë të ndërgjegjshme efektin e atij testamenti poetik, “të bëjë të zakonshëm fundin e Eseninit, të tregojë në vend të forcës tërheqëse të vdekjes, një tjetër bukuri, pasi njerëzimi punëtor kishte nevojë për të gjitha forcat, për gjersa revolucioni ishte në fillim”. Bëhej fjalë që të çestetizohej ajo vdekje duke i kundërvënë atyre vargjeve jo analiza sociologjike ose fjalë politike, por vargje të tjerë, po aq të gdhendur. Poezia “Sergej Eseninit,’’ në të cilën Majakovski kërkon të neutralizojë edhe me anë të ironisë fundin e poetit, mbyllet me këta vargje, gjithashtu po aq të famshëm si ata të Eseninit:
“Në këtë jetë nuk është e vështirë të vdesësh.
Të jetosh është shumë më e vështirë”.
Të jetosh një jetë kolektive, “t’u shkëpusësh gëzimin ditëve të ardhshme, pasi “planeti ynë nuk është aq i ndërtuar për gëzimin” (janë fjalë të së njëjtës poezi): kjo ishte detyra që Majakovski poet i revolucionit i vinte gjithë poezisë dhe në radhë të parë, vetes, gati, siç thotë në një varg tjetër të tij, që t’i shqyejë fytin këngës së vet, domethënë të sakrifikojë prirjen e tij lirike mbi altarin, për ndërtimin e një bote të re dhe për njeriun e ri.
Mbi këtë sfond Marina Cvetajeva krijoi një legjendë të vetën të bukur për vdekjen e Majakovskit: ai pasi kishte përdorur vokacionin e vet duke i shërbyer një force keqbërëse që ai e kishte pandehur të mirë, qenkej penduar sepse’’ dymbëdhjetë vjet rresht, njeriu Majakovski, vrau brenda vetes Majakovskin poet, në të trembëdhjetin, poeti u çua dhe vrau njeriun. Nëse ka në këtë jetë një vetëvrasje, ajo nuk është atje ku e shohin dhe zgjati, jo aq sa zgjati çasti i tërheqjes së këmbëzës së revolverit, por dymbëdhjetë vjet jetë,,
Vetëvrasje “lirike” ajo e Majakovskit pra? Fitorja e poetit mbi njeriun, e lirisë mbi shërbimin?, e frymëzimit mbi politikën? Por te Majakovski që vret veten nuk ka “gjurmë” pendese, as nuk mund të kishte se, po të kishte pasur, do të shkatërrohej monumenti që Majakovski poet dhe njeri, i kishte ndërtuar vetes gjatë gjithë jetës dhe donte ta ruante edhe për shokët pasardhës”. Letra e fundit (dikush ka dyshuar se ka pasur një tjetër,e sekuestruar dhe e mbajtur e fshehtë nga policia politike, me sa duket, kjo është legjendë ), nuk është aspak një mesazh i “lartë”, që ia kalon ‘’angazhimit’’ ideologjik dhe politik të mëparshëm, e përqendruar siç është, te çështjet e ‘’ditës’’, pa llogaritur aluzionet te polemika letrare më e zakonshme.
Më afër thelbit të kësaj vdekjeje janë, me forcën e tyre largpamëse, fjalët përmbyllëse te “Lejekalimi” i Boris Pasternakut për të cilin Majakovski i gjallë dhe i vdekur, poet dhe njeri, futurist dhe komunist, zuri një vend qendror dhe edukues: ‘’nën dritaren e dhomës ku shtrihej kufoma e Majakovskit,” afër murit, ishte shteti ynë i paparë kurrë, shteti i pamundur që çan nëpër shekuj e mirëpritet përgjithmonë.
Dhe shton: “Vetëm në të, risia e kohës klimatikisht në gjak. Ai ishte krejt i çuditshëm për shkak të çudive të epokës, ende gjysmë të parealizuara”. Nga ky vizion misterioz i një Pushteti, “të paparë kurrë” dhe i pamundur, por real, çudia e të cilit dhe risia revolucionare, duket i ngjashëm me këngëtarin e saj të vetëm, të ndierë dhe, vërtet të ndierë (i asaj qytetarie, ishte i vetmi qytetar), le të kalojmë tani në një konsideratë më të qartë dhe të thjeshtë mbi lëngatën e errët që minonte Majakovskin dhe që i jepte shpirt fshehtësisht poezisë së tij, duke e çuar atë në aktin final të vetëvrasjes. Është dëshmia e Lilja Brikut, grua që edhe kur marrëdhënia e tyre erotike u ndërpre, mbeti si një kushtëzim i përhershëm në jetën e Majakovskit: kjo grua ambicioze dhe tekanjoze që sëmuri një varg të gjatë burrash, qe figura qendrore dhe fatale e fatit të poetit, ashtu si burri i saj, Osip Brik, qe për të një lloj mësuesi politik dhe letrar, që të dy bashkëshortët ishin të lidhur me policinë politike dhe me personazhet e saj të errët.
Në kujtimet e saj, Briku shkruan: “Mendimi i vetëvrasjes ishte sëmundja kronike e Majakovskit dhe si çdo sëmundje kronike, ajo bëhej më e mprehtë në rrethana të disfavorshme”. Ja një episod: “Në vitin 1916, në mëngjes herët, më zgjoi një telefonatë. Zëri i ulët, i zymtë i Majakovskit: “Po ia heq vetes. Lamtumirë Lilik”. Bërtita: Pritmë!”, hodha diçka sipër fustanit, shpejtova hapat nëpër shkallë, u luta, nguca, qëllova me grushta mbi shpinën e karrocierit. Majakovski më hapi portën. Në dhomë, mbi tavolinë ishte një pistoletë.
Ai tha: “Shtiva, nuk ndezi, s’e provova edhe një herë tjetër, të prita ty”. Më në fund Briku kujton: “Kur në 1956 erdhi në Moskë Roman Jakobsoni, ai më kujtoi një bisedën tonë të 1920-ës dhe ai më tha: “Nuk mund ta përfytyroj Volodjan plak me rrudha”. Unë iu përgjigja: “Nuk do ta arrijë kurrë pleqërinë ai, do të shtjerë kundër vetes me siguri. E qëlloi njëherë veten dhe s’i ndezi. Por s’do të ngjasë përherë kështu!”. Dhe përfundoi: “Para se të shtinte kundër vetes, Majakovski hoqi karikatorin nga pistoleta dhe la në tytën e saj vetëm një plumb. Duke e njohur, jam e sigurt që ai i besoi fatit duke menduar se po të mos ishte e shkruar, do të kishte bërë prapë një shkrepje bosh dhe do të do të mbeste gjallë”.
Në interpretimin e Brikut, mendimi i herëpashershëm i vetëvrasjes është reduktuar në dukuri të jetës së përditshme (frika e pleqërisë), ndërsa Majakovski ishte i shqetësuar nga vdekja si zhdukje totale e botës reale, trupore, dhe i shpërblyer nga miti i ringjalljes si kthim në këtë botë, temë e pranishme kjo në poezinë e tij.
Burri i Liljas, Osip Brik, inteligjenca e ftohtë e të cilit ishte ngurtësuar në tmerret e torturave dhe pushkatimet dhe bodrumet e policisë politike sovjetike, spektator i të cilave ai kishte qenë, e komentoi vetëvrasjen e Majakovskit në mënyrë më pak sipërfaqësore: “Njerëzit nuk vetëvriten për dy arsye: ose pse janë më të fortë se kundërshtitë që i rrethojnë ose pse në përgjithësi nuk kanë asnjë kundërshti”. Dhe pas këtij pohimi, pyetjes pse qëlloi veten Majakovski i përgjigjet: “Është një pyetje shumë komplekse dhe përgjigja është, po kaq domosdoshmërisht komplekse”. Por ai s’e dha. Fjalët e tij megjithatë tregojnë drejtimin në të cilin duhet të kërkojmë: nëse duhet përjashtuar që Majakovski është pa kundërshti, do të duhet të mendojmë që “kundërshtitë që e copëtonin”, ishin më të forta tek ai dhe që në një farë pike, ta kishte braktisur ajo forcë që i kishte lejuar t’i dominonte. Gjë e cila na çon drejtpërtdrejt në zemër të poezisë së tij.
Të thuash se, Majakovski i ri qe futurist, do të thotë të përsërisësh një të vërtetë që duket sheshit, që ideologët sovjetikë kërkuan ta errësonin për t’u theksuar më mirë figura e një Majakovski, poet i revolucionit në frymën e “realizmit socialist”.
Dashuria, vështirësia për të dashuruar dhe për të qenë i dashuruar, për të gjetur një plotësim në marrëdhënien komunikuese, në çastin e tij më mishëror sesa shpirtëror, me tjetrin (tjetrën), është në qendër të kësaj drame që sheh Vladimir Majakovskin, jo vetëm si autor, por edhe si personazh (të mendohet për tragjedinë e tij që titullohet pikërisht, Vladimir Majakovski ) mbi një skenë që përkon me gjithësinë ashtu si trupi i poetit – protagonist – priret të njësohet me kozmosin, duke dialoguar në mënyrë polemike me Zotin. Lirika e dashurisë majakovskiane bëhet kështu diçka unike në këtë lloj poezie, një bisedë plot dëshirë dhe e copëzuar. Në të erosi dhe Tanatos takohen dhe largohen, duke aspiruar me një zotërim të pamundur dhe një përjetësim gjithashtu të pamundur. Është një etje për jetë që kthehet kokëposhtë si negativitet i jetës, të jetës këtu, dhe tani në emër të një jete të re që të vijë: Majakovski, Majakovski i parë si futurist është poet revolucionar në shpirtin dhe në gjuhën. Drama e tij (“Kontradikta” për të cilën fliste Brik) qe ajo që, ai bëhej poeti i revolucionit duke transformuar “revolucionin e dëshiruar siç e quajti, në një revolucion të institucionalizuar dhe totalitar, këngëtar i të cilit u bë, duke i lënë vetëm ndonjëherë liri zërit të tij autentik dhe të thellë.
Por edhe te Majakovski poet i revolucionit ka një forcë magjepse perverse që pengon për të vënë mënjanë vëllimet e veprës së tij të periudhës sovjetike: didaskalizmi i tij utopik, megjithatë është i ndryshëm nga ai partiak i të vegjëlve dhe gjysmërimuesve të laureuar të regjimit; kiçi sovjetik i shumë poezive të tij, ka sugjestionin e një ëndrre obsesive: sarkofagu që ai ndërton në poemën “Vladimir Iliç Lenin” ka madhështinë e muzeut analog në sheshin e kuq, i destinuar të mbetet edhe kur të boshatiset nga mumia që mban; realiteti me të cilin dhuna e pakrahasueshme bolshevike këndohet hapur, kalon përfytyrimin e ëmbëlak sentimental që “realizmi socialist” ka kërkuar të japë për disa fatkeqësi të komunizmit; patetike, por e sinqertë është kritika e tij kundër “burokratizmit dhe filistinizmit”, gati si të ishin këta shkaku i të këqijave të revolucionit, ndërsa “burokratike” dhe “filistine” ishte partia që poeti e hyjnizonte, duke e idealizuar; më në fund vetëvrasja konkluzive,vetëvrasja letrare dhe poetike që mbyll një lojë kontradiktash, jo të dominueshme ; vulë katastrofike dhe shpëtimtare e fatit majakovskian, e tensionit të tij ateisto – religjioz që në revolucion kishte gjetur një zgjidhje surogato të tillë, si kërkesa e tij e dashurisë te çdo grua, gjente një kënaqësi kalimtare.
Nëse te i riu Majakovski shikojmë një revolucionar metafizik në luftë me Zotin, dhe te Majakovski, më pak i ri shikojmë pasuesin e një Kishe revolucionare të varfër në besim, por të pasur në pushtet, thyejmë një klishe të pranuar, qoftë tek ai që e interpreton poetin duke përdorur çelësin e “avangardës”, qoftë tek ai që e kufizon në skemën e “realizmit socialist”, një lexim i Majakovskit futurist nxjerr në dritë një element risie; referimin e fortë me Niçen, me Zarathustrën, në veçanti. Mund të shihnim dy Majakovskë, njeri në shenjën e Niçes, tjetri në shenjën e Marksit (dhe Leninit) ose vetëm një Majakovsk në të cilin impulsi elementar i revoltës nihiliste kundër botës së përbërë prej (borgjezëve) e ve atë tragjikisht në shërbim të një revolucioni real (programatik) dhe institucional (komunist). Por këtu ka vend që të hapet një analizë mjaft e gjerë.
Si ta lexojmë sot Majakovskin? Secili në mënyrën e vet, natyrisht. Kjo që propozohet këtu ka si sfond, jo vetëm tragjedinë dhe vetëvrasjen e poetit, por tragjedinë dhe vetëvrasjen e revolucionit që ai e quajti të tijin, katastrofa e atdheut të tij (150000000 sipas titullit të një poeme të tij mbi Rusinë) dhe për gjithë atë “internacionale”, pjesë të së cilës e ndjente veten dhe ai si shokët e tij (Internacionalja e pestë, titulli i një tjetër poeme të tij). Të mos e cungojmë veprën e Majakovskit, por as edhe të mos ta përsërisim dobësisht në stilin e vjetër të fanfarës revolucionare dhe të retorikës tribunale. Poezia e ndez shkëndijën e saj të së vërtetës në heshtjen, në kontaktin rastësor ose të kërkuar mes dy shpirtrave, e njërit që e ka shkruar dhe të tjetrit që e lexon. Kjo mund të duket antimajakovskiane, antifuturistike, antirevolucionare.
Por britma e sfidës dhe e dhimbjes së Majakovskit, na mbërrin e topitur. Si një jehonë e shuar është thirrja e tij shungulluese e propagandës. Zëri i tij autentik na prek në shpirt, duke na bërë të ndiejmë vetminë e tij, si tonën, dashuria e tij, si të jetuar nga ne, ankthin e tij dhe shpresën e tij si ato që na pushtojnë edhe ne.
Poet deklamues, Majakovski kapërcen provën e diksionit të brendshëm, në hapësirat e heshtura të së cilës, fjala e tij e ashpër, tingëllon më e gjallë se në fjalën zhurmuese të origjinës, pranë zërave të ndryshëm që, të ngjyrosur nga gjuhë të ndryshme të poezisë universale, formojnë mikrokozmosin e imazheve që secili personalisht krijon dhe ndjek brenda vetes pambarimisht. Pjesa tjetër është artefis letrar.
Përgatiti dhe përktheu: Faslli Haliti