More
    KreuLetërsiShënime mbi libraÇështje të identitetit gjinor dhe kombëtar në letërsinë queer të Pajtim Statovcit

    Çështje të identitetit gjinor dhe kombëtar në letërsinë queer të Pajtim Statovcit

    Prof. Dr. Christian Voss, Dr. Belfjore Qose

    Pak fjalë për autorin

    Pajtim Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990 dhe dy vite më pas emigroi në Finlandë me prindërit e tij, për shkak të regjimit aparteid serb dhe të luftës që po afrohej.

    Aktualisht ai po kryen studimet doktorale në studime letrare në Universitetin e Helsinkit. Statovci mund të konsiderohet si një figurë queer dhe ndryshe për Europën Juglindore. Megjithatë domethënia politike e veprës së tij shkon përtej kësaj, pasi romanet e tij nuk mjegullojnë vetëm kufijtë nacionalë dhe gjinorë, por edhe ato midis të mirës dhe të keqes, duke e sfiduar drejtpërdrejtë prirjet nacionaliste në shoqëritë e pas konflikteve, po ashtu edhe botëkuptimin e tyre bardhë e zi dhe viktimizimin përjashtues.

    Deri më tani Statovci ka botuar në finlandisht tre romane që kanë fituar shumë çmime letrare: “Macja ime Jugosllavia” (2014), “Kalimet” (2016) dhe “Bolla” (2019). Të tre librat e tij janë të përkthyer në gjuhën angleze, por ende vepra e tij nuk ka ardhur në gjuhën shqipe. Romanet e Statovcit kanë nota autobiografike. Në të tre romanet e tij ai flet për emigrantë shqiptarë (nga Kosova apo nga Shqipëria), të cilët provojnë fatin e tyre në perëndim. Përmes kësaj teme ai ngacmon klishetë e lexuesit perëndimor, i cili ka ende në kokë të gjallë imazhin e anijes “Vlora” të 1991-shit, të tejmbushur me emigrantë teksa zbarkonte në Bari. Saktësisht ky është imazhi që përcjell filmi më i njohur i dekadave të fundit me në qendër Shqipërinë, “Lamerica” (1994) i regjisorit Gianni Amelio.

    Edhe pse ngjarjet në romanet e Statovcit zhvillohen në diasporë (në romanin e tij të tretë përvoja në Europën Perëndimore abstragohet përmes “megaqytetit”, emri i të cilit nuk përmendet), tema e tij e vërtetë është identiteti seksual. Të tre romanet e tij kanë protagonistë “queer” që kërkojnë fatin e tyre nëpër botë, duke mbartur me vetë diskursin etnocentrist të një vendi të vogël, por krenar.

    “Besa e shqiptarit është si shkëmbi. Shqiptarët i ndihmojnë njerëzit në nevojë, ndërsa kombet e tjera ballkanase hidhen si shtazë grabitqare pas parave dhe të mirave materiale.” (My cat Yugoslavia, Macja ime Jugosllavia f. 69.)

    Ky diskurs ronitet në kontakt me realitetin racist dhe format e skajshme të privimit dhe të stigmatizimit në Europën Perëndimore, duke u shndërruar në të kundërtën e tij, konkretisht në mimetizim me vendasit dhe mohimin e origjinës shqiptare. “Një mbrëmje gushti ai e palosi gazetën dhe deklaroi se shqiptarët ishin njerëz të tmerrshëm, kafshë dhe pastaj e bëri copash gazetën, a thua se aty ishte fotografia e armikut të tij më të madh dhe me bindjen e vetëbesimit të pakufi dhe me frustrimin e skajshëm tha se kur të arrijmë në Europë nuk do t’i themi askujt që ishim shqiptarë, kështu do bëjmë, nuk jemi më shqiptarë dhe unë rashë dakord sepse më vinte për shtat më së miri.” (Crossings, Kalimet, f. 162)

    Nëpërmjet paradigmës “Queer” (“queer” – në kuptimin të tëhuajësosh, të stresosh, të kundërveprosh, të ekzagjerosh – njohjen dhe institucionet heteronormative dhe subjektivitetet që janë krijuar prej tyre. Statovci është në gjendje të kapë konfliktin e brezave dhe atë të vlerave përmes personazheve të tij. Për shumë vite studimet gjinore dhe “queer” e kanë mohuar lidhjen midis gjinisë biologjike me atë sociale dhe përfundimin e thjeshtë të biseksualitetit. Të qenit “queer” ngrihet kundër çdo lloj përcaktimi, pikërisht këtë proces emancipues pësojnë personazhet e Statovcit, të cilët pavarësisht tragjikes dhe brutalitetit përfundojnë me optimizëm utopik.

    Në fraksionin mes të qenit queer me kulturën shqiptare, krijohet tensioni në të cilin zhvillohen romanet e Statovcit, duke përfshirë dhunën në familje, gerontokracinë (sundimin e të moshuarve) dhe mizogjininë. Këto personazhe portretizohen si pjesë e familjes nukleare ballkanase, autori ia del të shkatërrojë stereotipet dhe nga ana tjetër i zhyt personazhet e tij haluçinantë postmodernë në mitologji shqiptare, duke i shndërruar ato më së fundi në arketipe shqiptare.

    Të qenit shqiptar dhe queer duhen lexuar bashkërisht si metafora kulturore, kombinimi i këtyre dy aspekteve është i rëndësishëm, origjinal dhe novator. Shqiptarizma në të gjitha romanet e Statovcit është metaforë e kulturuar dhe formë ekstreme e privimit shoqëror dhe stigmatizimit të emigrantëve të varfër ekonomikisht që përpiqen të dalin prej saj me teknikat e mimetizimit etnik. Vetë fakti që një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të letërsisë queer sot në Europë vjen prej një vendi që konsiderohet patriarkal dhe i prapambetur, është shumë i rëndësishëm. Këtu qëndron sensacioni i veprës së Statovcit, tek përdorimi i paracaktuar i skenës shqiptare për heronjtë e tij queer (shembulli i burrneshave si më poshtë). “Kur isha fëmijë dëgjova një histori për një vajzë që u bë djalë. Ishte një histori e marrë dhe e pamundur, si të gjitha historitë që tregonte babai […] këto histori ishin plot me dragonj fluturues, shpata vetëtitëse, vajza që visheshin me rroba burrash, kafshë që u flisnin njerëzve dhe njerëz që flisnin me kafshët.” (Crossings, Kalimet, f. 133)

    Megjithëse Statovci përmbush pritshmeritë stereotipike të lexuesve perëndimorë, ligjërata e romaneve të tij “queer” është shumë origjinale dhe befasuese, teksa ai e paraqet konfliktin e brezave dhe të vlerave duke u fokusuar në identitetet seksuale: Queerness (të qenit ‘queer’) si ndikim prej angazhimeve të çdo lloji pasqyron çorientimin dhe mosbesimin e pavetëdijshëm të heronjve të tij në botën post-totalitare. Në një utopi tipike “queer”, Shqipëria nënkupton ndarjen me shtëpinë e prindërve, me identitetin e saj të fiksuar, por edhe me përjetimet e skajshme të përjashtimit në shoqëritë pritëse evropiane.    

    Kjo ndodh në shumë mënyra, të tilla si: largimi në Itali dhe çrrënjosja e së shkuarës, humbja e identitetit dhe paraqitja e një shqiptarie të varfëruar, “Kalimet” e Statovcit janë një kujtesë e drejtpërdrejtë dhe e dukshme e “Lamerica”. Në të njëjtën kohë filmi “Lamerica” i 1994 nën drejtimin e Gianni Amelio- s kontekstualizon migrimin europian jashtë vendit, atë italian në veçanti, në fillim të shekullit të 20-të në SHBA-të. Duke ndjekur traditën e bildungsroman-it (romanit të edukimit) një snob arrogant italian, i cili përfiton nëpërmjet mashtrimit gjatë transformimit të Shqipërisë post-socialiste, në përfundim të veprës shndërrohet në një qenie njerëzore të mirë. Më parë atij i grabiten veshjet, dokumentet, pra identiteti i tij. Për këtë arsye i duhet të shkojë në varkën e emigrantëve shqiptarë në mënyrë që të kthehet në Itali. Shoqëruesi i tij, një ish i burgosur politik i kampeve të Enver Hoxhës, rezulton të jetë një dezertor italian gjatë Luftës së Dytë Botërore, prandaj kufiri i ngurtë midis italianizimit dhe ruajtjes së shqiptarisë bëhet në fund i paqartë. Një tjetër kujtim kinematografik është filmi i famshëm “Plein soleil” me Alain Delon i 1960-ës ku një burrë vret mikun e tij në një varkë për të vjedhur identitetin e tij – por këtu kemi të bëjmë vetëm me ngjashmëri në detaje.

    Tre romanet e Pajtim Statovcit për lexuesin që nuk e njeh veprën e tij, përmbajnë tematika, personazhe dhe ngjarje si në analizat e mëposhtme.

    My Cat Yugoslavia (Macja ime Jugosllavia)

    Romani mbulon periudhën nga viti 1980 deri në 2009-ën dhe tregon historinë e një familje kosovare që emigron në Finlandë në mesin e viteve 1990. Vepra ndërtohet sipas dy këndvështrimeve, ai i nënës (që para dasmës së saj deri në moshë të thyer) dhe ai i djalit të saj. Tema është dhuna në familje ndaj gruas dhe fëmijëve. Narratori bart simptomat e problemeve të familjes, kur ishte fëmijë ai vuante nga probleme të mëdha me gjumin dhe makthet. Më vonë, si homoseksual i vetmuar, ai tërhiqet në një botë fantazie në të cilën gjarpërinjtë dhe macet bëhen miqtë e tij më të ngushtë.  

    Romani fillon me një “blind date” në skenën gay të Helsinki-t dhe ne menjëherë kuptojmë se personazhi vuan nga çrregullimi i marrëdhënieve – vetëm më vonë do të bëhet e qartë se ai është skizofrenik. Raporti mes realitetit dhe imagjinatës është i paqartë edhe për lexuesin. Historia e nënës tregohet në detaje: në moshën 17 vjeçare ajo bie në dashuri me një burrë, i cili pak para dasmës rezulton të jetë tiran. Përshkallëzimi i dhunës nën regjimin e  Millosheviçit është shkaku që familja largohet për në Finlandë. Në Helsinki tirania e babait bëhet më e ashpër, ai është një shqiptar mysliman krenar, fëmijët e të cilit sa vjen dhe largohen nga familja dhe në një kohë të shkurtër akulturohen. Në të dy romanet autori përdor kapërcimet në kohë dhe hapësirë, ​​që krijojnë ura mes biografisë dhe subjektit, por kryesisht ilustrojnë thyerjet e ashpra të realitetit midis Evropës Perëndimore dhe vendit të origjinës, Kosovës. Ne kurrë nuk zbulojmë pse macja quhet Jugosllavi. Marrëdhënia e dytë e narratorit është me një mace antropomorfe që ai takon në një bar homoseksualësh dhe fillon të jetojë me të. Edhe pse djali ishte në terapi psikiatrike që fëmijë për shkak të maktheve të tij të përsëritura, ai merr një gjarpër si kafshë shtëpiake. Në fund të tregimit nëna flet me babanë e saj në telefon dhe zbulon se djali i saj i kishte hedhur një gjarpër helmues gjyshit të tij gjatë një vizite në Kosovë. Në këtë reflektim, më në fund bëhet i qartë personaliteti psikopatik i narratorit.

    Romani na magjeps me anë të gjendjes së pasigurisë në të cilën na lë. A është Bekimi i çmendur apo do të gjejë një marrëdhënie të qëndrueshme deri në fund të romanit me një burrë më të moshuar se ai, Samiun, të cilin e takon në një fluturim teksa kthehet nga Prishtina? Kjo gjendje e pasigurisë rritet nga elementët fantastikë, veçanërisht maçoku si mik që na kujton së pari demonin e Bulgakovit në Moskën e viteve 1930. Sidoqoftë, nuk bëhet fjalë për fantazi, por për sëmundjen mendore të një fëmije të trazuar, siç e zbulojmë hap pas hapi.

    Pjesa e parë e librit rrëfen sesi nëna takohet dhe martohet me burrin e saj dhe përfundon me vdekjen e Titos në vitin 1980. Paralelisht, tregohet situata e Bekimit në vitet 2000, ku ai jeton me një gjarpër imagjinar dhe një mace. Pjesa e dytë e librit rrëfen vitet 1993 deri në 2007, largimin e familjes në Finlandë dhe përpjekjet për integrim.

    E gjithë situata kryesore e romanit zhvillohet në 1994 kur imami ftohet t’i heqë djalit shpirtrat e këqij. Këtu nënkuptohet dhuna ekstreme ndaj djalit dhe me këtë skenë mbyllet jeta familjare. Njëkohësisht tregohet një histori e Bekimit në 2008, kur ai viziton fshatin e të atit pas vdekjes së tij dhe në fluturimin e kthimit takon partnerin e tij të mëvonshëm. Skenat e rrëfyera janë misterioze, Bekimi merr një mace endacake në fshat dhe kap një gjarpër helmues me një qese plastike. Kjo jepet vetëm në fund të romanit, kur gjyshi i tregon nënës së tij për vizitën e Bekimit me anë të një telefonate – ky është edhe kulmi i romanit.

    Pjesa e tretë e librit vendoset në të tashmen, nëna është sistemuar dhe jeton e vetme në Finlandë, ndërsa babai kthehet në Kosovë dhe vdes atje. Bekimi jeton i lumtur me partnerin e tij. Provokimi i romanit qëndron në pozicionimin kulturor ndaj integrimit të dështuar të një familjeje shqiptare në Finlandë. Statovci në një farë mënyre riprodhon një linjë atërore, pasi Bekimi vazhdon të evokojë parimet dhe besimin e babait të tij tek shqiptarizma. Ky kushtëzim mendor i heroit në sytë e mi e bën romanin pjesë të letërsisë shqipe dhe jo thjesht të letërsisë evropiane. Babai dhe gjyshi paralajmërojnë rrezikun e akulturimit dhe të asimilimit dhe predikojnë disimilimin. Thelbi i shqiptarëve, sipas pleqve, është zemërmirësia dhe besa. Herë pas here Statovci fut fjalë ose fjali shqipe në roman, pjesërisht pa i përkthyer ato. Diskursi mashkullor i nderit dhe krenarisë megjithatë ndërpritet në diasporë kur adoleshentët vendosin të shmangin stigmatizimin duke fshehur identitetin e tyre kombëtar.  

    Romani bazohet në ndërthurjet historike bashkëkohore duke na paraqitur rastin e vdekjes së Titos dhe politikën e aparteidit të Millosheviçit. Ne lexojmë komente gjykuese për shqiptarët në Jugosllavi nga nëna e re qe është apolitike dhe e paarsimuar. Sidoqoftë, çështja kryesore në qendër të romanit nuk është Jugosllavia, por aftësia e një familje kosovare për t’u integruar në Evropë, si dhe ksenofobia në Finlandë. Shqiptarizma nuk përfaqëson vetëm një kulturë gerontokratike myslimane të prirur ndaj dhunës, por edhe një përjashtim ekstrem kulturor dhe social të të huajve.   

    Crossings (Kalimet/Kapërcimet)  

    Romani fillon me përpjekjen e një emigranti transeksual për të vrarë veten, teksa hidhet para një autobusi në Romë. Ngjarjet përmbledhin kohën nga viti 1998 e më tej, duke përmbledhur kryesisht frymën e viteve ’90 në Tiranë dhe paraqesin stacionet e Bujarit si emigrant nga Roma në Berlin, Madrit, Nju Jork dhe Helsinki. Pranë këtyre kërcimeve në kohë dhe hapësirë ​​qëndron një shtresë tjetër e rekursit të vazhdueshëm ndaj përrallave dhe miteve shqiptare pasi heroi i kujton ato. Historia rrëfen marrëdhënien mes babait dhe birit në detaje, një baba i ashpër që emigroi nga Kosova në Shqipëri si një komunist i betuar, por ndërron jetë herët për shkak të kancerit. Ai i transmeton djalit të tij përrallat dhe legjendat shqiptare. Përsëri, mitologjia shqiptare përcillet në mënyrë patrilinerale, që e inkuadron romanin dhe e ndihmon heroin të përballojë eksperiencat e tij të dhunshme. 

    Bujari është një njeri shumë i dobët, pa vullnet të tijin dhe jo fort i zgjuar. Ai në të vërtetë largohet nga Tirana për shkak të mikut të tij të fëmijërisë Agimit, i cili që dhjetë vjeç lexon Hemingway-n dhe Orwell-in, dhe rrihet nga babai i tij pasi provon fustanet e nënës së tij. E gjithë pjesa e parë e romanit është vendosur në Tiranë në 1990-1991 dhe përfundon në kaosin e trazirave në pranverën e vitit 1991. Gjatë kësaj kohe Bujari tregon miqësinë e tij me Agimin dhe kujton intensivisht udhëtimet me babanë e tij (në Krujë), si dhe funeralin e babait në fshatin e tij në Kosovë. Pjesa e dytë është vendosur në një botë krejtësisht të ndryshme, nga prologu ne dimë se heroi në 1998-ën u hodh para një autobusi në Romë. Kjo skenë rimerret dhe Bujari fillon udhëtimin e tij që do ta çojë nga Roma në Berlin, Madrid, Nju Jork, Helsinki dhe përsëri në Tiranë – nga 1998 në 2001. Ai nuk ka asnjë plan për jetën e tij dhe pengohet nga një keqkuptim në tjetrin. Para së gjithash, ai nuk ka një identitet të qartë seksual.

    Transgresionet gjinore “Post-shqiptare” i zhvillohen Bujarit në rendin e mëposhtëm.

    Në Berlin ai pothuajse përdhunohet në një fabrikë piperi nga i dashuri, kjo pasi ai e kishte çuar në shtëpi të veshur si grua duke menduar se ishte një grua boshnjake. Pas kësaj skene të dhunës fizike në të cilën Bujari gati e godet me thikë burrin, ai niset për në Madrit, ku gjen një të dashur. Kur ajo e kap të veshur si grua para pasqyrës, ai e rreh brutalisht. Pasi plaçkitet nga një “drag queen” (burrë i veshur si grua për qëllim argëtimi, psh. në teatër) në Nju Jork me të cilën bie në dashuri, ai ndjek pronarin e tij më të vjetër finlandez në Helsinki. Pjesa e tretë kthehet në 1991-1992 dhe tregon historinë e Agimit dhe Bujarit që ikin nga shtëpia dhe jetojnë si ilegalë për muaj të tërë në rrugë, së pari në Tiranë, pastaj në Durrës. Përfundimisht ata marrin një varkë të vogël me motor për të kaluar në Itali. Kjo është pika kur rrëfimi ndalon papritur dhe ne nuk e dimë më se çfarë ndodh me Agimin.

    Pjesa e katërt nga ana tjetër vendoset në Helsinki në vitin 2003. Bujari takon gruan trans Tanja (“një vajzë në trupin e një djali”), e cila bie në dashuri dhe dëshiron të jetojë me të. Ai megjithatë përdor identitetin e saj trans, veshjet e saj (dhe madje filmon një video me një ekip televiziv në dhomën e saj të gjumit) etj., në mënyrë që të lartësohet në një shfaqje talentesh në TV. Kur ai dëbohet përfundimisht nga shfaqja, largohet dhe nga Tanja. Ajo kryen vetëvrasje dhe ai e lë trupin e saj të shtrirë në banesën e saj. Në skenën e fundit ai viziton nënën e tij të çmendur në Tiranë, e cila nuk e njeh më. Në ëndërr Bujarit i shfaqet si vizion “i dashuri i tij si kalë”, i cili e viziton dhe ne mësojmë vetëm tani se Bujari e shtyu Agimin nga barka, pasi e kishte ngacmuar dhe kështu Agimi u mbyt.

    Kjo është skena më mbresëlënëse e librit: Për të përballuar kujtimet për Agimin dhe fajin e tij, Bujari tërhiqet nga realiteti dhe kërkon strehim në vendlindjen e tij surrealiste të fëmijërisë, atë të mitologjisë shqiptare. Në përgjithësi, fjalët kyçe dhe motivet e Statovcit si kali, shqiponja ose gjarpri janë elementë prototipikë në mitologjinë shqiptare. Statovci madje përmend dukurinë tradicionale të burrneshave, për të përzier aspektet kombëtare dhe ato seksuale. Në këtë mënyrë ai e përcjell Shqipërinë si skenën perfekte për kulturën “queer”.

    Romanet e Statovcit në mënyrë eksplicite formulojnë kredon për të sfiduar qëndrueshmërinë e gjinisë dhe e kombinojnë atë me prejardhjen e tij kombëtare. Është shumë interesante të shihet se në të dy romanet e tij Statovci kalon mes identitetit kosovar dhe atij shqiptar të heronjve të tij dhe i përdor të dyja prejardhjet për transgresionet e tij utopike gjinore.

    Si një etiketim të përbashkët për romanet e Statovcit do të doja të propozoja termin “post- Shqiptar”, i cili nuk përcakton një kuptim ekskluzivisht kohor, por post si një situatë e kushtëzuar nga një trashëgimi e caktuar. Autorë të tjerë të diasporës si Gazmend Kapllani ose Ornela Vorpsi përshkruajnë në mënyrë të ngjashme tronditjen kulturore të emigrantëve shqiptarë. Kontributi i Statovcit këtu është leximiqueer i kësaj përvoje. Pavarësisht dhunës fizike që e shohim shpesh në letërsinë dhe kinemanë queer (duke filluar nga klasikët si Baldëin ose filmi Kimberly Peircesn “Boys don’t cry” (“Djemtë nuk qajnë”) nga 1999), ambivalenca gjinore ndihmon në formulimin e një projekti utopik optimist për të ardhmen.

    “Bolla”

    Romani i tretë i Statovcit lidhet nga ana tematike dhe ajo formale me dy romanet e tij të mëparshme, por risia qëndron në fuqinë shpërthyese politike dhe në provokimin që çliron një çift homoseksual serb-shqiptar në Prishtinën e periudhës 1990-2000. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Kosovë dhe sërish Statovci zgjedh një narracion që alternon pikëvështrimet, duke kapërcyer sa në pikëvështrimin shqiptar aq edhe në atë serb. Perspektiva e diasporës është më pak e pranishme sesa në romanet e mëparshme, teksa emri i vendit pritës ku banojnë personazhet as nuk përmendet, por në mënyrë të tërthortë kuptohet se kemi të bëjmë me “megaqytetin”. Risia qëndron në portretizimin e shoqërisë post-konflikt në Kosovë në mes të viteve 2000, në të cilën të kthyerit ndihen të huaj dhe të papërshtatur. Kemi një kapërcim në sistemin e pasluftës, i cili është ndërtuar prej komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. P.sh. kjo shfaqet në episodin në të cilin Arsimi dëshiron të kthehet në apartamentin e tij të vjetër që dikur kishte blerë në Prishtinë, por i duhet të përballet me një veteran të fortë që e ka zënë ilegalisht apartamentin e tij. “Kam luftuar në luftë”, thotë ai, “Nuk kam frikë nga armët, burgu apo Allahu, unë mbroj familjen time”, vazhdon ai egërsisht, i palëvizshëm si badigard.” (Bolla, f. 155)

    Ngjarja përqëndrohet tek historia e dashurisë mes Arsimit dhe Milloshit, të cilët ranë në dashuri në Prishtinën e vitit 1995, saktësisht në kohën kur gruaja e tij e re priste fëmijën e tyre të parë. Pas historisë së shpejtë dashurore që të dy përjetojnë kryesisht në një plazh në jug të Ulqinit në Mal të Zi, Arsimi emigron me familjen e tij të re dhe shndërrohet në të njëjtin tip babai që paraqitet tek “Macja ime Jugosllavia”. Gjithsesi, ai arrestohet disa vite më pas dhe depërtohet në Kosovë pasi kapet duke bërë seks me një djalosh që e ka takuar online, i cili del se ishte minoren. Në Prishtinë ai niset në kërkim të dashurisë të tij të jetës dhe e takon rastësisht atë, pasi sheh një raportim televizim nga një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ai është në një institucion psikiatrik ku ka pacientë serbë. Edhe pse Milloshi është i sëmurë mendor dhe ka nevojë serioze për kujdes të specializuar ai e merr me vete atë, por përfundon duke e lënë atë pa asnjë kujdes në rrugë.

    Ditari i Milloshit ndërfutet në historinë e Arsimit, duke treguar gradualisht sesi u çmend. Milloshi vinte nga një familje e shkatërruar diku në provincë të Serbisë, i cili shkoi në Prishtinë për të studiuar mjekësi, por përfundoi duke u futur në ushtrinë serbe dhe siç zbulohet vetëm në fund të romanit, ka marrë pjesë në masakrat më të mëdha kundër popullsisë civile shqiptare gjatë 1998-1999. “Kam luftuar në Prekaz, Drenicë, Rahovec dhe Reçak. Kam qenë kudo dhe mbaj mend çdo gjë, çdo detaj, sesi bagëtia ulërinin duke u mbytur nga tymi, sesi toka dridhej nga shpërthimet, sa gjatë veshët na bënin zhurmë pas kësaj, terrenin kuvendosnim minat… sesi plaçkisnim dhe shkatërronim… dhe gjuanim dhe ndaheshim… kë përdhunonim dhe vrisnim… pa mëshirë.” (Bolla, f. 216) Shënimet e ditarit mjegullojnë vijën ndarëse mes marrëzisë dhe realitetit teksa ai tregon, bie fjala kur ai tregon se digjte shtëpitë për shkak të urrejtjes që kishte ndaj babait të tij që i kishte përdhunuar të motrën, por pastaj dy ditë më vonë, në të njëjtin ditar e hedh poshtë këtë shpjegim.

    Provokimi politik qëndron në faktin që çifti gay paraqitet në sfondin e luftës së Kosovës. Gjuha është faktuale dhe e përmbajtur, Statovci nuk kërkon të provokojë në nivel pornografik siç bën p.sh. Michel Houellebecq-u. Fakti që letërsia e pasur e Ish Jugosllavisë nuk ka as edhe një vepër të mirënjohur për këtë temë, rikonfirmon se hapësira ish jugosllave dominohet ende nga nacionalizmi. Nuk është rastësore që Statovci zgjedh ndërtesën “Boro dhe Ramirez” si vendtakimin e çiftit në fund të kapitullit të parë,  ka një reminishencë të pashmangshme të dyshes së famshme ndëretnike, prej të cilës kishte marrë emrin dhe godina. Serbi Boro Vukmiroviç dhe shqiptari Ramiz Sadiku ishin dy studente komunistë në Beograd, që u torturuan dhe u vranë nga pushtuesit italianë më 1943. Në diskursin e Jugosllavisë së Titos këto dy personazhe ishin simbole qëndrore të çështjes mbarëetnike partizane, simbol i cili e humbi tërë legjitimitetin pas politikave aparteide të Millosheviçit.

    Nëse çështja kryesore tek romani “Kalimet” është sa larg i duhet njeriut të shkojë për të kuptuar veten, tek “Bolla” theksi vihet tek çështja se çfarë mund të ndodhë me një histori dashurie mes një serbi dhe një shqiptari, që filloi në vitin 1995 dhe si e përjetojnë personazhet ndarjen e pashmangshme nga njëri-tjetri për të vazhduar jetën. Fuqia estetike e librit qëndron sërish në lidhjen mes botës së personazheve dhe të ideve të tyre me krijesat mitologjike shqiptare, ku edhe vetë romani titullohet sipas një prej tyre. Bolla, krijesa mitologjike, e shoqëron Arsimin që prej përvojave të para shkrimore e deri në fund të librit dhe lidhet me kundërvënien direkte mes brutalitetit, mizorisë dhe mbijetesa ndërton optimizmin shqetësues të veprës. Figura mitologjike e bollës mishëron ambivalencën mes fobisë dhe tërheqjes, dhunës dhe erosit. Gjarpri paraqitet në mitologjinë ilire si një kafshë shtëpiake që mund të jetë mbrojtësë, e rrezikshme apo totemike, si një metamorfozë hibride ndërmjet kafshës dhe njeriut, ndërmjet zotit dhe njeriut, duke na ofruar hapësirën për projeksionin e duhur për çështjen e fajit, pafajësisë dhe të ndërgjegjes në Kosovën e sotme.

    Liminaliteti dhe fantastikja

    Bota e romaneve të Statovcit paraqet personazhe jostatikë, të cilët janë gjithnjë në ndryshim. Shndërrimi është një temë qëndrore tek “Crossings” dhe tek “Macja ime Jugosllavia”, duke përfshirë dy kategorizimet e mëdha të romaneve të Statovcit si letërsi e migracionit dhe letërsi “queer”. Për këtë të fundit duhet thënë se letërsia shqipe nuk e njeh si kategorizim dhe kontributi i romaneve të Statovcit është i rëndësishëm po të kemi parasysh risinë tematike në raport me sistemin tonë letrar. Gjendja e ndërmjetme, ajo e transformimit herë paraqitet e herë jo, por gjithnjë ka shenja për të na treguar se si apo pse ka ndodhur shndërrimi, duke na paraqitur gjendjen ‘para’ dhe ‘pas’. Tek “Macja ime Yugosllavia”, romani debutues i Statovcit, momenti përfundimtar dhe njëherësh kulmor i transformimit i personazhit kryesor, Bekimit, paraqitet përmes rrëfimit të gjyshit gjatë një telefonate, ndërsa shndërrimi i nënës së tij nuk shprehet kaq qartë, thjesht përshkruhet gjendja para dhe pas.

    Liminalilteti është një gjendje zotëruese në roman, duke implikuar gjithë çka përfshin në errësirën, kaosin dhe ngulfatjen me irracionalitet. Veprimet e personazhit janë misterioze, prirjet e tij të vështira për t’u kuptuar dhe pranuar. Por rrëfimi është përfshirës për intensitetin e lartë të gjendjes, pikërisht sepse kemi të bëjmë me momentet e rëndësishme të shndërrimit dhe jo me paradigmën e rrafshët të monotonisë. Perceptimi shqisor i përshkruar nga personazhi kryesor është i përqëndruar, i fuqishëm dhe gati ‘fizik’. Nuk është e vështirë të përfshihemi në botën e personazhit edhe pse ai është kontraversal dhe i mbrapshtë, por është e vështirë ta kuptojmë atë.

    Po ndalem shkurt tek natyra e gjendjes liminale siç përshkruhet nga antropologu kulturor Victor Turner. “Gjatë periudhës së ndërfutur liminale, karakteristikat e subjektit të ritualit (“kalimtarit”) janë ambigue, ai kalon nga një botë kulturore që ka pak ose aspak atribute të së shkuarës apo të asaj që po vjen.”[1] Kjo është një periudhë e paqëndrueshme për subjektin, i cili ndihmohet nga komuniteti përmes ritualeve për ta realizuar shndërrimin e tij.

    Në liminalitetin e natyrës personale dhe në atë të akulturimit, ndërfutet një botë e tërë mitologjike, të cilën autori e transformon sipas estetikës dhe qëllimit të tij. Sa i takon problemeve psikologjike dhe të natyrës së marrëdhënieve intime, personazhi i “Macja ime Jugosllavia”, duket se momentin kulmor të kalimit e ka përgjatë rikthimit të tij në vendlindje, ku gjithçka përshkruhet në formë onirike. Ky moment paraqitet përmes dy këndvështrimeve, të vetë narratorit-personazh, i cili është onirik, p.sh. ai nuk mban mend ku e gjeti gjarpërin që i hedh gjyshit, humbet sensin e kohës dhe nuk e shpjegon dot nevojën për t’u rikthyer në origjinë. Ndërsa këndvështrimi objektiv i gjyshit e kthjellon situatën dhe na bën të kuptojmë perceptimin skizofrenik të narratorit. Gjithsesi, pas këtij momenti ai ‘shërohet’ dhe krijon një lidhje të qëndrueshme. Akulturimi nga ana tjetër, shfaqet më shumë në figurën e nënës, e cila arrin të largohet nga martesa e saj, guxim i cili vjen i pabesueshëm fillimisht, një grua e paarsimuar, pa asnjë profesion dhe krejt e mbyllur ndaj botës, arrin të gjejë lirinë e saj! Por përshkrimi lakonik, pa patetizëm apo qëllimësi feministe, të bë ta rimendosh këtë shndërrim të rëndësishëm. Akulturimi i saj është kaq i fuqishëm dhe kjo është arsyeja e largimit të saj. Siç vëren pasi ka krijuar një jetë të sajën të vetmuar “Këtu (në Finlandë) nuk është e cuditshme që një grua e moshës sime të jetojë e vetme.” Madje është krejt e zakonshme, kolegia e saj e punës jeton gjithashtu e vetme edhe pse ka fëmijë.

    Tek “Crossings”, kapërcimi është disa nivelësh, akulturim, gjinor dhe familjar, intim. Duket sikur autori është kujdesur të përmbledhë gjithçka që ka të bëjë me këtë temë, duke shumëfishuar fuqinë e rrëfimit të tij. Transgjinia dhe transkultura shndërrohen në gjendjen zotëruese të romanit, teksa ngjarjet ndryshojnë shpesh kronotoposin e tyre të jetuarit ndërmjet është kryetema e romanit. Gjendja e të jetuarit ndërmjet vendeve, kulturave, qyteteve, nacioneve dhe nga ana tjetër ndërmjet gjinive përforcojnë psikikën e rënduar të personazhit. Gjendja e tij ka një shkak të thellë, i cili mezi zbulohet gjatë rrëfimit të komplikuar të romanit. Për idenë e jetës moderne gjithnjë në lëvizje vepra të kujton “Shtërgjet” e O. Tokarczuk, por me ndryshimin se këtu rrënjët shqiptare janë të rëndësishme edhe pse herë-herë të refuzuara.

    Siç u tha më lart raporti me identitetin në roman është mjaft interesant, po aq sa edhe pararendës i zhvillimeve të reja të shoqërisë shqiptare moderne e cila karakterizohet nga lëvizja. Një prej formave më interesante të raportit me identitetin shqiptar është ndërfutja e simboleve dhe mitologjisë shqiptare në narrativën e romanit. “Kapërcimet” nis me fëmijërinë e personazhit, ku vendin më të rëndësishëm në formimin e imagjinatës dhe të perceptimit të realitetit e zënë legjendat që rrëfen babai. Ato nuk paraqiten kryekëput si në traditë, por babai i interpreton duke u përpjekur të brumosë tek i biri vlerat që ai i mendon të rëndësishme. Provokimi i Statovcit shkon shumë larg, ai kinse me naivitetin e personazhit fëmijë sheh tek Skënderbeu një aspekt krejt të ndryshëm, fshehtësinë e idesë së tij për t’u kthyer dhe luftuar përgjatë qëndrimit të tij në Turqi. Kuptohet lehtë analogjia me fshehtësinë e seksualitetit që pritet të dalë në dritë në roman. Nga ana tjetër, prania e mitologjisë shqiptare përmes simbolikës së gjarpërit tek “Macja ime Jugosllavia” i jep një dimension tjetër veprës, atë të natyrës metafizike, si dhe të ngarkuar me kuptime arketipale. Sipas Aleksandër Stipçeviçit për ilirët gjarpri ishte simbol totem, natyra htonike e të cilit ngërthen sa kuptime të errëta, aq edhe mbrojtëse, siç është gjarpri i shtëpisë. Tek Statovci obsesioni për gjarpërinjtë është sa fobi aq edhe tërheqje, dhunë dhe eros, stabilitet domestik dhe rrezik i paparashikueshëm. Mitologjia dhe simbolika transformohen, ruajnë diçka nga origjina por kuptimi ndryshon, njësoj si edhe thelbi zanafillor i shpirtësisë i shqiptarit modern. 

    Stili i Statovcit është preciz, i ftohtë dhe njëherësh ai arrin të ndërtojë një vepër ku rrëfimi zhvillohet mes reales dhe imagjinatës. “Ftohtësia më bëri të stepem fillimisht, acari i veprës më bëri edhe mua të kem ftohtë, por teksa e lexoja toni dhe stili filluan të kishin kuptim. Romani ngadalë shkatërron dhe rindërton reflektimet e protagonistëve në rëniet përkatëse në mpirje derisa drejt fundit, ata rifillojnë të jetojnë dhe të dashurojnë.”, shkruan Gabrielle Bellot për The New Yorker-in. Një botë surreale ndërtohet përmes një stili preciz, një rrëfimi intensiv që na shëtit në labirintet e errëta të qenies njerëzore. Kufijtë mes reales dhe imagjinatës shpërbëhen pasi ngjarjet i shohim sipas këndvështrimit të personazhit tek “Macja ime Jugosllavia”, ndërsa tek “Kalimet” personazhi na shfaqet herë si grua, herë si burrë, emri i tij, i saj mund të jetë çfarëdo. Në mes të tërë dyzimeve të romanit, të tranzicionit si gjendje permanente edhe atmosfera është e tillë, midis të vërtetës dhe të pavërtetës, të perceptueshmes dhe të përfytyrueshmes.

    Kontradikta është në qendër të romaneve të Statovcit, ajo manifestohet në mjaft dimensione të lidhura me identitetin, kulturën, familjen, traditën etj. Kontradikta mbizotëruese është ajo me babain, në kuptimin përgjithësues sa edhe konkret, real. Babai është mbrojtësi i traditës, i së vjetrës, të cilën e çmon në mënyrë parimore dhe idealiste. Kush mund të verë në diskutim idealin kombëtar që babai idealizon, apo vlerat që duhet të ketë burri? Këtu Statovci nuk vepron me papjekurinë e një të riu, i cili e sheh botën vetëm nga këndvështrimi i tij. Po, personazhet e tij janë të rinj, perspektiva është e tillë, por brezi i mëparshëm motivohet dhe justifikohet duke parë kontekstin dhe formimin e tij. Realizmi në të parin e largimit të natyrshëm nga tradita, apo identitetin e dyfishtë të një fëmije të rritur nga prindër emigrantë në një vend tjetër, është largpamësia e autorit për të parë të ardhmen e brezit të dytë apo të tretë të emigrantëve shqiptarë në botë. Nëse përpiqemi të gjejmë një shkak edhe më të thellë të kontradiktës etër-bij në kontekstin e epokës sonë, më vjen në ndihmë koncepti i ‘modernitetit të lëngët’ i Baumanit. Baballarët e romaneve të Statovcit besojnë në të vërteta të pandryshueshme, në parime të padiskutueshme dhe sipas tyre të përjetshme dhe vetëm një jetë sipas atyre parimeve ka vlerë të jetohet. Kujtojmë një skenë nga “Kalimet” ku babai rrëfen sesi burrëria është virtyti më i lartë dhe se pa të jeta nuk vlen, edhe nëse sherri nis për lëngun e fasules të derdhur padashje në këmbën e një të panjohuri në han. (!) Botëkuptimi i bijve nuk mbështetet më në të vërtetat absolute, vlerat janë gjithnjë në ndryshim dhe relative. Ky është fraksioni më themelor mes traditës dhe modernitetit, që Statovci e paraqet me mjaft talent në romanet e tij.


    [1]  Turner, Victor, The Ritual Process, Structure and Antistructure, Cornell University Press, Ithaca, New York, 1991 (1969), pg. 94.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË