More
    KreuLetërsiBibliotekë"Burg e jazz" nga Arbër Ahmetaj

    “Burg e jazz” nga Arbër Ahmetaj

    Jaho M. më kishte kërkuar në mbrëmje të jepja një intervistë në emisionin e tij radiofonik Larg dhe Afër. Ja se pse u gjenda herët te një kafe anash ndërtesës sovjetike të RTSH-së. Qysh të rinj, Jaho respektonte anën time karteziane. Saktësinë. Erdhi tri minuta para orës së takimit. Kisha dymbëdhjetë minuta që ndodhesha aty. Kishim rreth gjysmë ore kohë përpara se të lirohej studioja “jonë”. Kamerieri më foli anglisht, pasi po lexoja një roman të Orwell-it, “Animal’s farm”. E marr me vete sa herë udhëtoj në vende ish-sovjetike. Romanin tjetër të tij, “1984” e marr kur vizitoj Amerikën, Anglinë, Francën, ku gati në çdo vend publik shkruhet: Për sigurinë tuaj jeni të vëzhguar! Ia ktheva tropojançe! Ai qeshi. Më tha që ishte nga Kukësi dhe studionte fizikë bërthamore, por për të përballuar studimet i duhej të punonte. I urova me zemër të bëhej, në mos shkencëtar, të paktën politikan, si të gjithë ata që kishin studiuar fizikë bërthamore para viteve 1990. Jaho u ul ngadalë përballë meje e porositi një ekspreso. Nxori nga mbajtësja e dokumenteve një listë me pyetje e m’i vuri në tavolinë. 

    – Është thjesht një projekt-intervistë! – më tha! – Pastaj në studio ia bëjmë si të duash ti.

    Ndërkohë që po u hidhja një sy pyetjeve, një grup prej gjashtë burrash, me kravata, kostume, pallto të zeza, hynë njëherësh në kafe. U ulën zhurmshëm në një tavolinë pas shpinës sonë. Dukeshin të lumtur. Nxorën prej xhepave e vendosën mbi tavolinë telefonat e tyre, paketat e duhanit, gazetat e ditës, çelësa makinash të shtrenjta. I ndezën përnjëherësh cigaret, thua se në mur shkruhej: “Pini duhan të gjithë!” e jo “Ndalohet rreptësisht duhani”. Prania e një gazetari të radios dhe një shkrimtari që jetonte jashtë, pra, jo nga ata që rrinë studiove televizive çdo mbrëmje në të gjitha formatet e bisedave, nuk iu bëri asnjë përshtypje burrave. Jaho dhe unë po bisedonim me zë të ulët. I thashë se disa prej pyetjeve nuk më përshtateshin, pasi nuk mund të përgjigjesha, më saktë s’kisha asgjë për të thënë që mund t’u interesonte dëgjuesve të tij. Ndërkohë një zile e fortë telefoni, me motivet e një kënge patriotike, u dëgjua në tavolinën përbri. Njëri prej burrave, profilin e të cilit e kisha në vrojtim, u përgjigj pa i kërkuar falje askujt. 

    – Mirëmëngjesi! Ne mirë jemi! Hë a je mirë ti?

    Dëgjoi për pak sekonda përgjigjet e tjetrit, pastaj iu kthye me një rrjedhë të pabesueshme fjalësh: “Jepi, biri im! S’janë asgjë 2 vjet. Aq futeshin në Shqipëri për një thes çimentoje! Paratë i mora! Po, po m’i solli Llambi. Aq, aq ishin rrumbullak! Të kam blerë një restorant në rrugën më të mirë të Tiranës. Do ta shohësh vetë! Edhe ne të përqafojmë e presim me padurim të dalësh. Hajt, ditën e mirë! Duro tani si burrë, edhe tre muaj të kanë mbetur! Të duam e të çmojmë shumë! Patjetër!” 

    – Ishte im bir! Mërzitet në burg! Na merr dy-tri herë në muaj!

    – Edhe imi, i vogli, më mori dje! E kanë burgosur të madhin! Gjoja sikur shiste drogë dhe kontrollonte një rrjet shpërndarjeje. Çfarë rrjeti more aman, ata që ia nisnim ne me një mijë halle shpërndante. Sa për një çap bukë! – tha njëri prej tyre që nuk e shihja, por zërin e të cilit m’u duk se e kisha dëgjuar dikur. Ku? As që mund ta sillja ndër mend.

    – Ai që sapo foli, – më thotë Jaho nën zë, – ka qenë oficer në T., nënkryetar Dege, apo Shef i Policisë në fund të viteve ’80.

    Nuk e ktheva kokën, por solla ndër mend imazhin e njeriut që rrihte me grushte qytetarë në mes të shëtitores, sepse kishin veshur bluza me ngjyra apo me shkronja të huaja. Njëri prej vartësve të tij kishte pyetur një të ri se “çfarë ishte ajo Coca Cola” e shkruar në fanellën e tij. “Pije freskuese”, – që përgjigjur i riu i tmerruar. “Po pse nuk e ke shkruar Bozë apo Lëng Boronice, por emrin e pijes armike?” Ai vetë ia kishte thyer për kokë radion “Iliria” Man Q., prej së cilës po dëgjonte këngën “Shi bie në Prishtinë” të Sabri Fejzullahut. Qeshnim atëherë me injorancën e tyre. Ne qeshnim dhe revoltoheshim nga pak. Ata na rrihnin. Na poshtëronin.

    Dikush, siç duket, pëlqeu muzikën që vinte nga zërritësat e maskuar andej-këndej nëpër kafen luksoze. Kishte të rinj, madje edhe pak njerëz të moshës sonë që e pëlqenin muzikën Jazz, të ndaluar për pesëdhjetë vjet në Shqipëri. Ai që kishte kërkuar rritjen e volumit të muzikës ndoshta thjesht kishte dashur të mbulonte pak zërin e padurueshëm të burrave që po flisnin për fëmijët e tyre heronj, burgjeve e trotuareve të Europës. Qenë këngëtarët Ella Fitzgerald e Luis Amstrong me këngën e tyre “Sumertime”. Pas pak sekondash burri që kishte folur me të birin në burg, thirri kamerierin që studionte fizikë bërthamore dhe i kërkoi, sigurisht me mirësjellje: 

    – A mund të na hiqni qafe këtë muzikë të dhjerë?

    – Po flas me padronin! – tha djali duke u tërhequr me kujdes.

    – Eja këtu, eja! Nuk pyes unë për padronin tënd. Ja ku i ke dhjetë mijë lekë e na e hiq qafe këtë muzikë të thashë!

    Shkencëtari apo politikani i ardhshëm mori dhjetëmijëlekëshin dhe u nis drejt banakut për të negociuar me padronin e tij. Pas pak muzika u ndal. Një zile tjetër telefoni, me modifikime digjitale të muzikës popullore, kërciti në tavolinën pas nesh. Jaho dhe unë lamë paratë mbi tavolinë për ato që kishim marrë e dolëm në rrugë. Tingujt e këngës dhe zërave të mrekullueshëm të Ella Fitzgerald e Luis Armstrong, jo aq të panjohur, apo jo, po jehonin andej-këndej kafkës sime, të zëna në kurth aty-këtu prej tingujve të zileve patriotike të telefonave të burrave me pallto e kravata të zeza. I ngjitëm shkallët e radios në heshtje. Jaho e vuri re se nuk ndihesha mirë. 

    – Nëse do, – më tha me butësinë e tij njerëzore, – e lëmë për një herë tjetër intervistën!

    – Jo! – ia ktheva. – Është njëlloj si dje, si sot, si pas pesëdhjetë vjetësh. Derisa të shuhemi ne që u rritëm pa dëgjuar Jazz. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË