More
    KreuEditorialBujar Hudhri: Përse e botoj këtë gazetë

    Bujar Hudhri: Përse e botoj këtë gazetë

    Ka qenë fillimi i vitit 1988, kur nisa punën në redaksinë e një gazete lokale, që dilte çdo të mërkurë dhe të shtunë. Ndonëse nuk kishim një ndarje sektorësh, mua më lanë hapësirën për krijimtarinë letrare artistike. Me sa dukej ishte një orientim nga lart, që shtypi të afrohej më shumë me lexuesin dhe në gazetë vërshuan shumë krijues, sidomos të rinj. Nisën të vinin edhe në redaksi, por pas një kohe të shkurtër, kjo u duk si e tepërt nga kryeredaktori. Edhe ciklet me poezi që përgatisja, me vështirësi e gjenin rrugën e botimit. Më ka ngelur në mendje një nga këto cikle, kur një poet i njohur i qytetit kishte përfshirë edhe një poezi për lejlekët, për trishtimin që po linin pas shtegtimit. Kur ia paraqita kryeredaktorit, ai më pa me një lloj habie dhe tha: po ç’janë këto lejlekë në gazetën tonë. S’është serioze! Dhe nuk u botua atë numër. As në tjetrin, tjetrin, me radhë. Kur një ditë prej ditësh, kishte ngelur një vend bosh dhe kryeredaktori i shqetësuar se po afronte koha e shtypit, më kërkoi një shkrim të shkurtër unë gjeta rastin t’i kujtoja poezinë e lejlekut. Më pa me njëfarë dhembshurie sikur të më thoshte të dija më serioz.

    Në shtator të vitit 1991 themelova një gazetë me titullin ‘Fjala e lirë”. Tani isha vetë zot dhe askush nuk më pengonte të botoja ç’të doja. Por tashmë ishte tjetër kohë. Lexuesi kërkonte tjetër gjë, letërsia shqipe nuk kishte më aq lexues, krijuesit mund të botonin në shumë organe letrare që  u themeluan. Ka qenë një kohë vërtet idealiste kur vendi po ndahej nga një periudhë pesëdhjetëvjeçare dhe gazetat politike ishin më të kërkuarat. Si botues gazete edhe unë nuk bëra përjashtim deri sa mbaruan edhe zgjedhjet e para lokale të vitit 1992. Kisha menduar që ta orientoja gazetën drejt letërsisë, por kjo u duk që ishte e parakohshme. Lexuesit donin sa më shumë politikë, ndërsa unë synoja botimin e krijimtarisë letrare. Një gazetë e tillë s’mund të kishte jetë të gjatë atë kohë. Dhe u gjend zgjidhja. Kishte ardhur momenti që të botoja jo një poezi apo dy, por libra të tërë dhe këtë mund ta arrija me themelimin e një shtëpie botuese. Po atë vit themelova Onufrin dhe i kam ndenjur besnik, sidomos letërsisë shqipe, duke botuar majat e saj Kadare e Camaj si edhe një listë të gjatë shkrimtarësh, nga më të talentuarit e letrave shqipe, këndej dhe andej kufirit.

    E megjithatë, refuzimi i ish-shefit tim për të mos botuar atë poezi të bukur për shtegtimin e lejlekëve, më ka ngelur në mendje sot e gjithë ditën. Madje, mund të them kjo ka qenë përherë një shtysë e fortë për të hapur një gazetë letrare. Kam tentuar disa herë që ta hap këtë gazetë (emri nuk ka ndryshuar, pavarësisht viteve) më 1996, pastaj më 2006, herë tjetër më 2014 derisa e themelova më 16 nëntor 2018, sepse kisha një lajm që vetëm unë e dija dhe ky ishte botimi i librit të fundit të Kadaresë “Kur sunduesit grinden”. Ishte si një bekim.

    Tani kjo gazetë ka mbushur një vit. Ndryshe nga ç’mund të hamendësohej, kurrë nuk kam pasur si synim të botoj një gazetë vetëm për librat e autorëve të mi. Kanë dalë deri më tani 52 numra  dhe cilido mund ta shfletojë online apo ta blejë në kioskat e gazetave dhe ta konstatojë këto që po shkruaj.

    Në këtë përvjetor të parë, gjej rastin edhe një herë t’i ftoj kolegët e mi të bashkëpunojnë me këtë gazetë, po ashtu  krijuesit dhe studiuesit e letërsisë shqipe kudo që ndodhen, si dhe përkthyesit për të përcjellë zhvillimet e fundit të letrave botërore.

    Në fund dua t’i shpreh mirënjohjen për kontributin e saj kryeredaktores së parë, gazetares së mirënjohur Violeta Murati.

    2 KOMENTE

    1. Po Bujar gazeta që ju keni nxjerr vërtetë është e mrekullueshme mbase edhe e pelqyeshme jo vetëm nga krijuesit të cilët gjejnë vend për botime mbrenda saj, por edhe për lexuesit dashamirët e letërsisë. Kam pas rastin t’ i kem disa numera dhe me dashuri të madhe e përcjell nepërmes inter… dhe me inkurajon shum me shkrime nga më të ndryshme, prandej edhe vazhdoj ta lexoj duke u njohur me krijues të rinjë si dhe me vlera letrare nga shkrimtarët nga vendi dhe té jashtëm botëror. Qamil Foniqi Rotterdam- Holandë.

    2. Na pelqen permbajtja e kesaj gazeete.I kam pare te gjitha numurat e saj ne 52 javet qe kane kaluar nga fillimi i saj.Synimi eshte i bukur, te orientohet lexuesi ne krijimtarine letrare.Sidomos ne te rinjte e te rejat qe botojne per here te pare e qe duhen nxitur. Me qe ju z.Bujarkini punuar ne nje gazete lokale duhet te kini nje koncept te gjere per krijuesit.Nuk e teproj te them nje shprehje qe perdor populli per “ferren e madhe dhe ferren e vogel qe mund te mbaje lepurin e madh”.Bjeshke natyre te bukur, ujra e lemenj e det ka gjithe vendi yne.Keshtu ka dhe krijues.Ata, po ta shikojne veten me shume ne kete gazete do te jete me mire, per ta e per gazeten.Ju pershendet Shyqyri Fejzo Hamburg-Gjermani.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË