More
    KreuOpinionBujar Hudhri: Besimi te letërsia e Kadaresë i ngjashëm me besimin te...

    Bujar Hudhri: Besimi te letërsia e Kadaresë i ngjashëm me besimin te hyjnia

    Kur fotografi i njohur Roland Tasho më tregoi kopjen e parë të albumit të tij të sapobotuar me fotot bardhezi për vizitën e Kadaresë në Gjirokastër, aty nga viti 2000, befas provova ndjesinë kur brenda je ngrohtë në dhomë dhe sheh se si jashtë bie shi, bën ftohtë. Kishim ardhur në qytetin e tij të lindjes, sepse Kadareja ishte shpallur Qytetar Nderi dhe tani ky titull do t’i dorëzohej nga bashkia. U nisëm herët atë ditë me makinë vetëm me Rolandin, sepse Kadareja me zonjën Helena do të mbërrinin me helikopter nga Tirana. Kisha marrë me vete një sasi librash të Kadaresë, botime të miat dhe në gjuhë të huaj. Kisha menduar që në sfond të Kadaresë të ishin librat e tij dhe jo ndonjë flamur partie. Ceremonia u zhvillua në një sallë të madhe të bashkisë dhe nga larg ndiqja portretin e tij që nuk i lëvizte asnjë muskul, ndërsa dëgjonte lumin e lëvdatave nga ata që rendnin ta merrnin fjalën njëri pas tjetrit. Kur mbaroi ceremonia, iu sulën stendës me libra dhe pothuaj i morën të gjithë. S’kisha qenë asnjëherë në atë pozicion që të bëhesha shitës i librave dhe nga larg ndieja vështrimin qortues të Kadaresë. “Ç’më rrije si tutkun, t’i morën librat falas”, – më tha kur po largoheshin të gjithë. Nuk i fola asgjë dhe nuk mund t’ia shpjegoja se si edhe unë isha përfshirë në atë turmë, thua se edhe unë isha vetë një lexues si ata.

    Pasdite kryetari i bashkisë, Ylli Asllani, organizoi një takim me Kadarenë në sallën e kinemasë. Isha ende i mpirë nga ajo gjendje ku kaloi ceremonia dhe ja tani, në një presidium së bashku me çiftin Kadare dhe Yllin. Një dialog me pyetje e përgjigje të mençura, një atmosferë gati magjike, kur befas nga mesi i sallës ngrihet një zonjë. Pasoi heshtje dhe u ndie zëri i saj, në fillim i dobët:

    – Ju botoni vetëm tek Onufri, – u duk se po e qortonte ajo Kadarenë.

    Me sa duket, Kadareja nuk e dëgjoi mirë, ndaj vuri dorën te veshi. Tani zëri i zonjës u bë më i fortë:

     – Ju shkruani vetëm për Onufrin?

    Kadareja iu kthye me një zemërim:

    – Nuk të kuptoj, çfarë thua?

    – Si e zgjodhët Onufrin si botues? – u dëgjua krejt qartë zëri, ndërsa salla mbante frymën.

    – Si e zgjodha? Fare rastësisht, – e mbylli gjithë bezdi këtë dialog Kadareja.

    E ndieja se po më thahej goja dhe doja të ndërhyja. Po si? Mund të bëhej edhe më e ndërlikuar situata. Më është fiksuar një shprehje e Kadaresë, ku thotë pak a shumë: “Nganjëherë, kur dëshiron t’i shpjegosh gjërat, i bën më lëmsh.”

    Dola i dërmuar nga salla, kur shoh të afrohet kolegu im i Toenës, Fatmiri.

    – E pe? Të kam thënë që nuk ka respekt për ty. Por ti je i sëmurë pas tij. Ndërro sjellje.

    Ishte hera e parë që nuk i thosha Fatmirit që i sëmurë je ti që nuk do artin e madh, jo unë. Por atë ditë i dhashë  të drejtë, i lodhur siç isha nga gjitha ajo rrugë deri në Gjirokastër, nga tensioni i marrëdhënieve me një autor të madh dhe unë si një botues i ri, mbase të gjitha.

    Të nesërmen në mëngjes e përcollëm te helikopteri. Kur po ngjitej në kabinë, më kujtoi të merrja në makinën time një pikturë të mbuluar, dhuratë nga një artist vendas.

    – Kur po ktheheshim në Tiranë, në një kthesë gati na nxore na rruga, – më thotë Rolandi teksa shfletojmë albumin ku në disa prej fotove jam edhe unë me Kadarenë.

    Sapo mbërrita natën vonë në Tiranë, siç isha, u drejtova për tek apartamenti i Kadaresë. I vura përpara pikturën e mbuluar dhe ai nga padurimi e grisi letrën e trashë që shërbente si ambalazh. Ishte një pikturë në format të madh. Në qendër ndodhej kalaja dhe, sikur të ishte një triko model golf, ajo rrethonte qafën e Kadaresë dhe portreti i tij të kujtonte pikturat kineze me Mao Ce Dunin me kokën mbi re. 

    – Ç’është kjo idiotësi? Merre flake në kazanin e plehrave kur të dalësh, – më tha. Pastaj m’u drejtua qetësisht: – Harrova të të pyesja dje, kush ishte ajo femër me ato pyetje idiote? Ndonjë e njohura jote?

    – Nuk jam nga Gjirokastra. Nuk njoh njeri atje përveç jush, – munda t’i thosha.

    E ndieja që më ishte tharë pështyma dhe nuk guxoja t’i kërkoja një gotë ujë, sepse nuk kishte njeri tjetër në shtëpi. Doja t’i thosha se ende nuk e besoja që isha botuesi i tij, por vetëm një adhurues që nga fëmijëria i veprës së tij. Madje, nuk e konsideroja as banor të kësaj toke, sepse takimet tona ishin vetëm pritje dhe përcjellje në Rinas. Apo edhe tani në Gjirokastër. Vajtje-ardhje me helikopter, nga qielli, ku pas disa çastesh të humbet nga sytë.

    Megjithatë, kolegu im i çmuar, Fatmiri, tre muaj më pas, ndërsa po përcillnim Kadarenë nga Panairi i Librit në Paris, në radhë për të pritur taksinë e tij, i tha:

    – Dëgjo, Ismail, botues si Bujar Hudhri ti nuk gjen në botë.

    Pasoi një heshtje e thellë. Askush nga ne nuk miratoi apo kundërshtoi.

    Fotografia në të majtë është më e shtrenjta që kam në marrëdhënien me çiftin e shquar Kadare dhe të gjithëve aty dua t’u shpreh mirënjohjen time të thellë. Këtu jemi në një kafe në Ishull Lezhë. Para 15 vjetësh, ndërsa po ktheheshim nga Panairi i Librit në Ulqin. Në mes të zonjës Helena dhe zotit Kadare është mbesa e tyre, Doruntina. Pranë saj, vajza ime Enxhi, tani drejtore e “Onufrit”. Djathtas saj, djali im Davidi, që është botuesi i “Minervës”. Pranë meje është bashkëshortja ime, Suzana, mbështetja e së cilës për të gjitha ëndrrat e mia ka qenë vendimtare.

    Shumë vjet më vonë, përsëri në Gjirokastër, kemi ardhur me çiftin Kadare që të shohim shtëpinë e tij të rindërtuar. Në drekën solemne që shtroi bashkia rastisa në tavolinën e përkthyesve nga e gjithë bota që kishin ardhur të ftuar nga Akademia e Shkencave. Kuriozitetit të tyre se si isha bërë botuesi i Kadaresë iu përgjigja:

    – Në fakt, kisha ëndërruar gjithmonë të isha aq i zoti në një gjuhë të huaj sa të bëhesha përkthyesi i tij. Si një Jusuf Vrion, për shembull. Por, megjithatë, edhe botuesin e krahasoj pikërisht me përkthyesin. Edhe botuesi është një ndërmjetës midis autorit dhe lexuesit. Por, duke qenë ndërmjetës, është edhe një pengesë, apo jo? Ja, ne po flasim shqip dhe merremi vesh pa përkthyes. Ashtu sikundër lexuesi do të thoshte: sa bukur është përkthyer, sikur të jetë shkruar në gjuhën tonë! Ndaj synoj si botues të jem i padukshëm, që shkrimtari të duket sikur komunikon vetë me lexuesin, pa asnjë ndërmjetës.

    Sot që po shkruaj këto radhë po afrohet 85-vjetori i lindjes së gjeniut tonë. Pas çerek shekulli që bashkëpunoj me të, kam kuptuar se, nëse mbijetova në këtë biznes të vështirë në një vend si Shqipëria, ishte besimi te letërsia e Kadaresë, një besim i ngjashëm si te Hyjnia, po të perifrazoj një shprehje të tij.

    Në shenjë mirënjohjeje ndaj tim vëllai, Feridit, e kam bërë këtë foto. Ishte ai që më njohu me Kadarenë. Ndërsa po më zgjaste librin e parë për botim (“Dialog me Alain Bosquet”), Feridi i tha: shkruaji diçka Bujarit, ndryshe ky takim do t’i duket si ëndërr. Ai mori stilolapsin dhe shkroi autografin e parë dhe të vetëm për mua: “Zotit Bujar Hudhri, duke i uruar suksese në punën e tij fisnike dhe si fillim i bashkëpunimit tonë.
    Ismail Kadare. 14 nëntor 1995″.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË