Bisedoi Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: Profesor Brian Daniel Joseph, shumë vite keni ligjëruar lëndët e gjuhësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe keni studiuar për gjuhët ballkanike, gjuhë që fliten në një distancë gjeografike shumë të largët nga vendbanimi juaj. Pikërisht për këtë pjesë do dëshiroja të flisnim në fillim. Si u lidhët me Ballkanin? Çfarë ishin interesimet tuaja për gjuhët ballkanike?
Brian Daniel Joseph: “Tregimi” im për mënyrën se si u futa në gjuhësi dhe përfundimisht si Ballkani fillon me latinishten time në shkollë të mesme dhe duke e dashur atë. Kur fillova të shkojë në kolegj, vazhdova studimet në latinisht dhe me sugjerimin e motrës sime të madhe, e cila kishte studiuar greqisht kur ishte në kolegj, fillova dhe unë greqisht. Pas një viti greqisht dhe më shumë latinisht, fillova të kuptoj se nuk isha veçanërisht i interesuar për letërsinë që po lexonim, por përkundrazi isha i magjepsur nga vet gjuhët, nga struktura e tyre, nga fjalori i tyre, etj. Kështu që mendova se mund të më pëlqente një orë në gjuhësi bazuar në interesin tim për gjuhët, dhe kjo ishte arsyeja që më nisi në këtë fushë. Por, unë vazhdova interesimin dhe studimin për Greqishten dhe vendosa ta kaloj vitin e tretë në kolegj (1971-72) në një program studimi jashtë vendit dhe u vendosa në Athinë (College Year in Athens, ende është i fortë). Aty vazhdova të studioj Greqishten e Lashtë dhe fillova të mësoj Greqishten e re. Ndërsa, interesimi im për gjuhësi kish lëvizur në drejtim të gjuhësisë historike, studimi i ndryshimit të gjuhës, studimi i të dy formave antike dhe moderne të gjuhës në të njëjtën kohë ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Që nga ajo kohë pothuajse gjithçka që kam bërë në gjuhësi ka pasur ca lidhje me greqishten – greqishten si një gjuhë anëtare e familjes indo-evropiane, greqishten si një gjuhë natyrore njerëzore dhe greqishten në kontekstin e saj gjeografik dhe ndërveprimet e saj me gjuhët e saj fqinje në Evropën Juglindore. Është kjo perspektivë e fundit në greqisht që më çoi në gjuhësinë ballkanike dhe studimin dhe hulumtimin gjuhësor të shqipes.
M.: Gjatë karrierës suaj, keni studiuar për çështje të ndryshme gjuhësore, njëra prej tyre është për Gjuhën, Politikën dhe Shprehjen Njerëzore në Azinë Jugore dhe Ballkan, si pjesë e Evropës Lindore, a janë të krahasueshme dhe si këto hapësira gjeografike në temën tuaj?
B.D.J.: Trajnimi im në shkollën pasuniversitare në gjuhësinë historike përfshiu disa vite të studimit të sanskritishtes dhe në 40 vitet e mia në Universitetin Shtetëror të Ohajos, kam pasur mundësinë të jap mësim në Sanskrite çdo të dytin vit. Kështu që Azia e Jugut zotëron një pjesë të rëndësishme të interesave të mia jo-ballkanike/jo-helene. Por, ato nuk janë interesa të ndara dhe të dallueshme dhe nuk kanë asnjë lidhje me njëra- tjetrën, sepse ka shumë për rolin e gjuhës në formësimin e ndërveprimit shoqëror dhe politik midis njerëzve dhe grupeve të ndryshme të njerëzve. Azia e Jugut padyshim që është më e madhe për nga popullsia dhe sipërfaqja, dhe ka një shkallë më të madhe të larmisë gjuhësore dhe kulturore, por çështjet me të cilat përballet dikush në të dy rajonet janë mjaft të krahasueshme. Ekziston një konvergjencë strukturore dhe leksikore në mes të gjuhëve të Azisë Jugore, aq sa është gjetur në Ballkan, dhe politikat e gjuhës, siç kam sugjeruar, janë të ngjashme në të dy pjesët e botës.
M.: Sa i përket gjuhës shqipe, keni punuar në një projekt në lidhje me zhvillimin e Mësimeve Online për Gramatikë dhe Lexim Shqip. Ky hulumtim ishte mbështetur nga Qendra Indo-Evropiane e Dokumentimit, Universiteti i Teksasit. Cili ishte qëllimi dhe cilat ishin rezultatet e projektit?
B.D.J.: Qendra e kërkimit të Gjuhësisë (LRC) e Universitetit të Teksasit ka pasur si një nga qëllimet e saj për të zhvilluar një seri mësimesh online në gjuhët antike Indo-Evropiane. Ekzistojnë module në gjuhën Sanskrite, në greqishten e vjetër, në irlandishten e vjetër etj. Shqipja ishte një nga gjuhët e fundit të shtuara në listë, dhe unë isha ftuar të përgatis një sërë mësimesh që do të prezantonin gramatikën dhe historinë e shqipes. Regjistrove një student timin të Ph.D, Angelo Costanzo (i cili ndoqi seminarin ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare). Unë i ftoj të gjitha palët e interesuara ta vizitojnë tutorialin në https://lrc.la.utexas. edu/eieol/albol.
M.: Si e shihni gjuhën shqipe në kontekstin e Gjuhëve Ballkanike, bazuar në studimin që keni bërë me temën “Gjuhësia Ballkanike” (Universiteti i Pavias në Itali)?
B.D.J.: Përvoja ime në mësimdhënien e një “mini-kursi” mbi gjuhësinë ballkanike në Universitetin e Pavia në vitin 2016 ishte shumë argëtuese. Kam mbajtur një seri leksionesh gjatë një jave dhe isha me fat që kisha një grup shumë të angazhuar studentësh dhe pedagogësh atje, të cilët ishin të interesuar për Ballkanin. Italia është shtëpia, në jug, e enklavave historike, si greke ashtu edhe shqipe, kështu që ka interes të konsiderueshëm për gjuhët dhe sigurisht që Italia ka qenë një qendër për studimin e Greqisë Klasike për shekuj me radhë. Sa i përket shqipes në kontekstin e saj gjuhësor ballkanik, ka kaq shumë detaje të strukturës gramatikore, fjalëve dhe frazeologjisë që shqipja ndan me gjuhët e tjera në Ballkan, për shkak të një kontakti shumëvjeçar intensiv midis gjuhëve dhe dygjuhësisë. Kjo konvergjencë strukturore dhe leksikore është ajo që e bën Ballkanin kaq interesant nga ana gjuhësore.
M.: Përvoja juaj e mësimdhënies shënon disa dekada. Përveç Universitetit të Ohios, keni ligjëruar në rreth 20 universitete të botës, duke përfshirë universitetet më të vlerësuara si: Universiteti i Harvardit (ShBA), Universiteti Karl-Franzens (Austri), Universiteti i Canterbyry (Zelandë e Re), Universiteti i Albertas (ShBA) dhe në disa universitete tjera. Si profesor vizitor, keni bërë edhe kurse në gjuhën shqipe, pikërisht në Shkollën Verore Ndërkombëtare të Pavijës së Dytë për Gjuhësi Indo-Evropiane në Pavia të Italisë (2013). Po në universitetet shqiptare, si është bashkëpunimi juaj me universitetet shqiptare?
B.D.J.: Një korrigjim i vogël: universiteti im është Ohio*State* University; arsyeja që e përmenda këtë është se, besoni apo jo, ekziston një tjetër universitet, vetëm rreth 100 kilometra nga Universiteti Shtetëror i Ohajos me emrin Ohio University! Kështu që unë dua të jem i sigurt se shënimi i duhur i përkatësisë sime është kuptuar. Por po, unë kam dhënë mësim për 40 vjet në Universitetin Shtetëror të Ohajos dhe kam pasur fatin të kem mundësinë, gjithashtu të jap ose mësim ose të mbaj leksione individuale në një numër të madh të universiteteve në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, siç thatë ju, duke përfshirë leksione në disa vende të Ballkanit. Kam ligjëruar në Tiranë, gjatë një konferencë të mbajtur atje në vitin 2004 (vizita ime e pare në Shqipëri), por lidhjet e mia të forta universitare në botën shqipfolëse janë me Universitetin e Prishtinës, të cilin e kam vizituar disa herë dhe kam ligjëruar leksione (në shqip!) dhe kam bashkëpunuar me gjuhëtarët atje për projekte të ndryshme. Për më tepër, një profesor nga Universiteti i Gjirokastrës ka vizituar Laboratorin tim për Dialektologjinë Greke, që përfaqëson minoritetin grek të jugut të Shqipërisë.
M.: Profesor Brian, jeni pjesë e shumë revistave gjuhësore dhe kulturore në shtetet më të njohura në botë, a mund të flasim për interesimet e studiuesve aktualë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare që kanë shprehur interesimet e tyre për të botuar në këto revista?
B.D.J.: Për të gjithë faktin që unë kam punuar, studiuar dhe hulumtuar gjuhën greke për pjesën më të madhe të 45 viteve të mia në gjuhësi, unë kam marrë më shumë pyetje në dy dekadat e fundit për shqipen sesa për greqishten, në lidhje me studentët që vijnë për të studiuar te unë në Ohio State, kërkesa për ekspertizën time dhe të ngjashme. Kështu që mendoj se ka interesim shumë të madh për shqipen si objekt i hulumtimit gjuhësor. Unë nuk mund të flas për çështje të letërsisë dhe kulturës, por mendimi im është që gjuha ka tërhequr interesim më të madh se letërsia, madje edhe me shkrimtarë të tillë të mëdhenj si Kadare që përfaqëson gjuhën në skenën ndërkombëtare.
M.: Në listën e punimeve tuaja për gjuhësinë ballkanike, shohim shumë punime lidhur me gjuhën greke, njëra prej tyre i përket greqishtes së folur nga komuniteti grek në pjesën jugore të Shqipërisë (2011). A mendoni se mund të kenë ndikuar gjuha shqipe tek ajo greke?
B.D.J.: Duke pasur parasysh interesin tim të kahershëm për Greqishten dhe interesin tim më të fundit, por ende afatgjatë, për shqipen, ishte pothuajse e pashmangshme që unë të kthehesha në bashkëveprimet ndërmjet këtyre gjuhëve në Shqipërinë e Jugut. Në vizitën time të parë atje në vitin 2007, gjatë së cilës kalova disa ditë kryesisht në Sarandë, nuk e kisha krejt të qartë për praninë greke në jug, por në vizitat pasuese në vitin 2010 dhe pothuajse çdo vit që kur (para Covid-19, mjerisht), kam ardhur të kaloj më shumë kohë midis pakicave greqishtfolëse në qytetet me vendin e vet në “ekologji” gjuhësore lokale, por në të njëjtën kohë, e ndërthurur në bisedë, përdorimi i së secilës ndryshon bazuar në atë se kush flet me kë, mbi atë që është tema e bisedës, cili është konteksti retorik etj. Ndërveprimi midis gjuhëve ka ofruar mundësi interesante për efektet e dygjuhësisë dhe kontaktit ndërmjet folësve të gjuhëve të ndryshme.
M.: Në disa universitete nëpër botë, studimet e albanologjisë janë përfshirë në departamentet e gjuhëve dhe letërsive sllave, a keni menduar të krijoni një program studimesh të veçantë (siç është edhe gjuha shqipe) për gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin Shtetëror të Ohios, SHBA?
B.D.J.: Në rolin tim si anëtar i departamentit sllav (përveç rolit tim si anëtar i departamentit të gjuhësisë), unë jam shumë mirënjohës që departamenti të Ohio State Slavic nuk është një departament vetëm i gjuhëve sllave, por përkundrazi është një departament i sllavishtes dhe gjuhëve të Evropës Lindore (dhe kulturat, gjithashtu). Pra, është një shtëpi për studime albanologjike në kuadër të departamentit tim. Kam përfituar nga kjo bazë e gjerë dhe i kam dhënë mësim një klase për gjuhësinë shqiptare rreth pesë herë në 15 vitet e fundit. Nëse fushëveprimi i gjerë i departamentit mund të çoj një ditë në një qendër apo program për studime shqiptare është një pyetje më e vështirë për t’u adresuar, pasi krijimi i një lloji të tillë kërkon më shumë sesa interes nga disa studentë ose profesorë
– kërkon një komunitet të konsiderueshëm interesi dhe në fund të fundit, mbledhja e fondeve. Megjithatë, mbi baza shkencore, studimet Albanologjike meritojnë një vend në universitetet amerikane dhe shpresoj të bëj atë që mundem për të vazhduar të promovoj studimin e gjuhës në Ohio State dhe gjetkë.
M.: Aktualisht, jeni duke punuar në disa studime në lidhje me strukturat gjuhësore të greqishtes së re, kur dhe si mund të shohim rezultatet e punës tuaj?
B.D.J.: Gjatë karrierës sime jam përpjekur të prezantoj punën time në sa më shumë konferenca dhe në sa më shumë pika botimesh, si në SH.B.A dhe në të gjithë Evropën, dhe në atë mënyrë unë kam “përhapur fjalën” time në shqip dhe greqisht gjerësisht në bazën ndërkombëtare. Në vitin 2021, pritet një libër masiv mbi gjuhët ballkanike, përfshirë greqishten dhe shqipen, për të cilin kam punuar me një kolegun tim, Victor Friedman, për gati 20 vite më në fund do të botohet, nga University Press, dhe ne mendojmë se kjo do të paraqesë qartë, për here të parë në anglisht (të gjithë manualët ekzistues për gjuhësinë ballkanike janë në gjuhë të tjera përveç anglishtes) mënyrat më të mira në të cilat shqipja ka bashkëvepruar dhe konvergjuar me gjuhët ballkanike për shumë vite që do të vijnë.
M.: Bazuar në studimet tuaja për gjuhët ballkanike, si e shihni ju gjuhën shqipe në relacionin me gjuhët ballkanike?
B.D.J.: Përgjigjet e mia në pyetjet tjera duhet të sqarojnë lidhjen midis shqipes dhe gjuhëve të tjera, por çështja kryesore është se ekziston një konvergjencë masive strukturore dhe leksikore midis të gjitha këtyre gjuhëve. Në shumë mënyra, nëse dikush e njeh gramatikën e njërës prej gjuhëve ballkanike, gramatika e të tjerëve duket mjaft e natyrshme dhe e njohur, kështu që në një kuptim të caktuar dikush mund të mësojë për gjuhët ballkanike në përgjithësi duke mësuar për shqipen në veçanti. Është një gjuhë magjepsëse dhe hap derën për studimin e Ballkanit si një vatër magjepsëse e kontaktit gjuhësor dhe konvergjencës gjuhësore.