More
    KreuLetërsiBibliotekë"Bregdeti mbarset nga pylli", tregim nga Ylli Pango

    “Bregdeti mbarset nga pylli”, tregim nga Ylli Pango

    …Si fillim, e nuhatën turistët besnikë të qytetit. Ata që nuk i ndaheshin çdo vit. Ashtu si çdo i dashuruar, që nuhat edhe ndryshimin më të vogël, në kurmin e së dashurës, ata e ndjenë rishtazi aromën ndryshe. Sikur nuk vinte më erë deti-deti. Ose më saktë era e detit ende ndjehej por e përzierë disi me një aromë tjetër krejt të kithët a-detare.

    Sipas shërbimeve të specializuara të nuhatjes, po të kish, kjo duhej të vinte ngase, në qytetin bregdetas, kishin zbritur me barinjtë në krye, tufa bagëtish nga RrafshKali, pllaja që i bënte hije qytetit. Zbrisnin për bar a tagji në ca kullota në fshatrat përreth e fusnin turitë deri në sinorët e fshatar-qytetarëve në periferi qyteti…

    Më vonë, kjo rezultoi pjesërisht e vërtetë. Siç do shihet më poshtë ca nga ca, shkak nuk ishin veç ata por edhe e sidomos Drurët e pyllit…ata që si fillim erdhën me stiva për dru zjarri. (E kujt i duheshin në atë bregdet të bekuar?)…Ata vinin të lodhur e të djersitur, nga rrugë e gjatë… nuk kishin pasur ku, a as edhe nuk ju ish dashur ndofta as edhe të laheshin…

    …Aroma e re vijoi ca kohë e durueshme. Pastaj aroma u kthye në erë…mmm…ç’erë… përzierë me një fije aromë jodi …Njerëzit po ndjeheshin krejt ndryshe. U shfaq rrufa e përçit. Rishtaz në formë alergjie e më pas epidemie…

     …Nuk duhet shkuar më tej…me parfumet. Ka pa fund shfrime (pffff), ankime, shkrime, e deri edhe filma e libra për to. Njeri syresh (“Perfume: The story of a murderer”) ngjethës…

    …Veç turistët tashmë zhyteshin shpesh e më shpesh në ujë…ndofta edhe për ti shpëtuar ndjekjes së “aromave” të erës së re…

    …Pastaj në qytet filloi të ndrrojë dialekti. U shfaq një “esperanto” e drunjtë miksuar me të folurën vendase, derisa kjo e fundit filloi të fragmentohej në copra gjithnjë e më të vogla. Së fundmi gjuha e vendit u tret e u gëlltit përfundimisht në detin e tallazitur të lutjeve mbrëmësore plot ah-e uh-e, vaj. Ato vinin valë-valë, e dëgjoheshin gjithnjë e më të shumta, nga faltoret e zhurmshme të sjella nga Drurët e pyllit nga shumë larg. Valët e detit u mbytën në to e nuk u dëgjuan më kurrë.

    …Zakonet e gëzimet…u larguan nga ato të kripës së muhabetit, të peshkut e të jodit të detit e u kthyen në turli terbietesh turli e turshi me shëllirë…

    Veshja  e Drurëve mbetej e rëndë e ndonëse ardhacakët djersiteshin nga vapa, a klima e re, ata nuk hiqnin dorë nga tradita e tyre. Pështymat në rrugë u bënë të pashqitshme e plehrat mbi to, simotra. Kjo edhe pasi koshat u kthyen në kosha mini-basketbolli për kalamajtë e të ardhurve të rinj

    …Muzika e natës së vonë, që ish dikur shqetësim për turistët, u ndërrua fund e krye. Nga altoparlantet tashmë buçisnin mjaullima, lehje, pallma, hungërima e deri klithma e britma të thekshme për hakmarrje…Turistët që vazhdonin vinin, fotografonin, ndonjëherë edhe zhyteshin në ujë “sa për krypë”, e iknin brenda dite. E bënin gjumin në brigjet matanë…

    Ky trend i ri muzikor pat zbritur bashkë me Drurët, ardhur prej pylli. Ata patën ardhur për dru zjarri në bregdet, por filluan të përdoren edhe për shumë pune të tjera. Me ta rriheshin kundërshtarët, vendalinjtë. Njeri-tjetri. Por edhe shoferët e paditur, që parkonin vend e pa vend, nga zaptuesit e parkingjeve. Kërcenjtë e vjetër zgjidheshin për ndezjen e zjarreve ekzotike të të parëve në breg. 

    …Deti huazoi pa e ditur, emrin e një lumi të turbullt kinez. U quajt me a pa të drejtë, Deti i Verdhë.

    …Emrat e vrastarëve më trima, ju a vunë rrugëve, hoteleve e shkollave

    …Fasadat u lyen kaki e kafe…Ca edhe me të zezë. Qyteti ndërroi dhe emrin…U ruajt në at’ emër, veçse pak, ngjyra e detit të dikurit. Në atë emër tash ishte bluja që cilësonte të gjelbrën. Qyteti u riquajt Pyllnaja Bojqilli.

    Plazhi e rëra dolën me tepri dhe truajt u xhveshën syresh. U ngjesh dheu e ato u kthyen në treg gjigand të gjësë së gjallë. Turistët tashmë ishin të lirë të hidheshin si të donin në ujë. Në preferonin me këmbë a ndryshe me kokë, nga balta a betoni drejt e në det

    Në bregdet filluan të therrnin e bënin kurban viça e derra. Të përbrendshmet ja hidhnin në formë flije, Poseidonit në detin tashmë quajtur nga ishvendasit edhe LumëeDet…Të ardhurit, që e mësuan atë emër perëndie nga vendasit, nuk e shqiptonin dot kollaj atë emër të panjohur. E ndryshuan pak. Me kohë i mbeti pak më shkurt Posedon…a ndryshe Zotnon a ndaras Zot-non…

    …Edhe struktura demografike natyrshëm ndërroi. U ndanë qartë dy shtresa. Ca i quajtën klasa. Në fakt grupe krejt të kithta: Njerëz dhe Drurë.

    Në qytet nuk kishte më dru me pre. Por kishte Dru me Pare. Ndonëse ende me prona pa letra. Por boll me pare letra…Me ato letrat e tjera , kinse dokumenta a “dekumenta”,qyteti vazhdonte të ishte i vendalinjve. Kjo u pat mjaftuar këtyre që për pak kohë, n’ato fillime, të bëheshin afendikonj. Me prona e me pare. Pasurim erdhi i menjëhershëm prej hoteleve e restoranteve të tyre të para…ngritur la e më la me kate pa leje e bërë më pas me leje të paguara bujarisht . Pastaj vendalinjtë u mërzitën, ndonëse veçse për ca pak kohë, duke punuar e fituar me hotele. Vendosën t’ja bënin vetes më kollaj e të ndërronin profesion. Ata u a dhanë Drurëve të ardhur nga larg,me qira afatgjata, hotelet, restorantet, discot…disa edhe gratë… dhe ikën e fluturuan me të dashurat në brigje fqinje, ende të kaltra. Banorët autoktonë u kthyen kësisoj në turistë të kamur-dashnorë të detrave a brigjeve të botës.

    Ata iknin e mungonin pothuaj gjithë vitin. Mbetur pa mbrojtës, qyteti i pylltë kësisoj, kapi rastin e u rimboll i tëri në bregdet…Ky ishte një transformim i madh i natyrës nga dora e Drurit.

    …”E megjithatë ai lëviz” deklaroi në media, Komandanti nga kryeqyteti.

    …Turizmi vazhdoi të rritej, (për skeptikët paradoksalisht), në mënyrë galopante. Sado paksa ndryshe… Gjithsesi allosoj, nga gjithë bota zbritën e zbriten miliona për të parë çudinë…

    Mrekullinë se si një det mori emër lumi…Habinë si u kthye më pas një det në pyll…e një breg në treg…

    …Qyteti i dikurit nuk ekzistonte më. Nuk kish më as qytetarë e jo më guidë  për turistët. Turistët e shijonin vetë çdo gjë. Vinin, fotografonin, e ja hypnin fllugave për të ikur, ngrënë e pirë në brigjet më të afêrta fqinje…

    Pagesën e tureve, turistët e ndërgjegjshëm e hidhnin në një Kukuma të madhe në qendër. Kukumaja e Shtetit. Shteti vinte dy herë në vit: mblidhte taksat e Drurëve dhe merrte paratë nga Kukumaja.

    …Kjo ndodhi vite më pas. Kur edhe qytetarët e riardhur, Drurët themelues të qytetit pyll në bregdet,e që kish kohë e quanin veten autoktonë… ikën edhe ata…Natyrisht pasi ishin pasuruar e bërë afendikonj edhe ata, me paratë e fituara nga dhënia me qira… e hoteleve të marra me qira. Zunë të largoheshin e të bridhnin, edhe ata si edhe qiradhënësit e parë të tabanit. Shkonin turistë, në brigjet e Botës. Edhe më tej…Nuk rrohej tërë jetën me punë…

    Qyteti turistik i zbrazur pothuaj krejt nga njerezit…ish mbarsur …i rilindur kësisoj së fundmi së bashku me bregdetin, i tëri si një pyll në det. Gjithsesi mbetej turistik…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË