More
    KreuLetërsiBibliotekë"Bota si karantinë", poemë nga Fatmir Alimani

    “Bota si karantinë”, poemë nga Fatmir Alimani

    Para të panjohurës u gjet gjithë njerëzimi.
    Çdo gjë dukej si një arkitekturë krimi.
    Çdo ditë mund të ishte dita e fundit e jetës.
    Një ideal i ri suprem po lindte në orën e së vërtetës.
    Vdekja mori formën e një enigme fatale.
    Gjithçka ishte e pabesueshme dhe njëkohësisht reale.

    Për të gjithë, në vitin e famshëm 2020,
    u shfaq e vërteta tronditëse: e gjithë bota,
    mori pamjen e një karantine të pakufishme.
    Bota shikonte veten në një pasqyrë të magjishme.
    Ajo bënte sikur shqyente sytë, si Edipi i Tebës.
    Qetësia e netëve i mbante fshehur kthetrat e antijetës.

    Shtatë miliardë njerëz, në distancë, ju lutem!
    Të gjithë në një izolim të çuditshëm.
    Nën duartrokitjet akoma më të çuditshme,
    prisnin ata kinse heroikisht,
    rradhën e një shansi plot britma epike,
    apo rradhën e vdekjes fantazmagorike.

    Si gjysmë të gjallë, si gjysmë të vdekur.
    Ata ishin ndoshta akoma në një luftë të vjetër.
    Ata prisnin gjithmonë një luftë të re.
    Si një përbindësh i padukshëm,
    pandemia sfidonte
    njerëzimin e shastisur.

    Çdo ditë vdisnin mijëra njerëz,
    vetëm, fill vetëm, pa thënë asnjë fjalë.
    Bluzat e bardha silleshin rrotull,
    herë si heronj, herë si profetë.
    Askush s’mund të vizitonte,
    as nënën e tij, pak para vdekjes.

    Luftë? Me kë, vallë, luftonim ne?
    Me hijet tona stoike?
    Me një armik të padukshëm, si të ishim,
    përsëri në Vietnamin e largët?
    Si një përbindësh i hatashëm,
    viti 2020 sulmonte tokën dhe qiejt.

    Nga sytë rridhnin lumenj me lotë të bardhë.
    Nga hundët dilte pa pushim një gjak i zi.
    Dikush qante, dikush qeshte.
    Si të mos ndodhte asgjë,
    çdo ditë shkruheshin letra dashurie,
    që s’dërgoheshin kurrë, askund.

    Jemi në luftë, thoshte një president paqësor.
    Ah! Izolim total! Për t’u mbrojtur,
    rrini në shtëpi, urdhëronin butësisht,
    autoritetet publike demokratike.

    Jemi në luftë, jemi në paqe,
    lajme të rreme vinin nga Azia.
    As doktorët më të famshëm,
    nuk përjashtoheshin nga ironia.

    Bota fliste me këmbë dhe me duar.
    Zemra e botës në tavolinën e një krokodili të uritur.
    Njerëzimi ndjehej i fyer dhe i rrezikuar.
    Në gjunjë, bota e nderit të blerë dhe të shitur.

    Mjaft, mjaft, o njerëz të nderuar,
    e shkelët me këmbë bukurinë e botës!
    Ju luanit çdo ditë gjatë e më gjatë,
    me jetën tuaj shumë të shkurtër.

    Një qiell fatal e kryelartë,
    binte urtësisht në tokën me borë.
    Xhelatët dhe viktimat kinse miqësisht,
    ndërronin vendet, çdo ditë e çdo orë.

    Përse na tradhëtonte gjithmonë jeta,
    duke na lënë në dorë skeletin e saj absurd?
    Askush nuk pranonte të thuhej e vërteta.
    Pse u bë bota, si një burg kinse me porta të hapura?!
    Një vështrim i lig
    si vështrim meduze,
    ose një akcent qesharak
    i një fjale serioze,
    mund të flijonin
    mijëra jetë, pa asnjë faj.

    Indiferenca krejt e zakonshme
    ose një shikim krejt i akullt,
    vrisnin si duke bërë shaka.
    Edhe bukuria vriste.
    Edhe një frazë e vogël,
    mund të bënte një kërdi të madhe.

    Edhe heshtja vriste e vriste.
    Askush nuk besonte më te gjërat e mëdha.
    Askush nuk besonte më tek dashuria.
    S’besonte askush as te ekzistenca e tij.
    Një politesë e ngrirë siberiane.
    Një mijë hije vërtiteshin në hapësirë.

    Kishte vetëm përshkrime të thata,
    pa ndjenja dhe pa suspens.
    S’kishte pasione. S’kishte ideale.
    S’kishte guxime fatale.
    S’kishte finesë.
    S’kishte më besë, as shpresë.

    Bota u mbush plot me buzëqeshje
    të vjetra, standart, që nuk thonin
    asgjë të re. Çdo çast provokoheshin
    intriga moderne,
    përkëdhelje hipokrite,
    dashuri pa dashuri.

    Askush s’dashuronte më askënd.
    Femrat dukeshin si murgesha.
    Ne ishim skllevër
    të një misteri të panjohur.
    Secili luante njëkohësisht
    njëqind rolet më të liga.

    As ministrat, as mbretërit, as presidentët,
    s’kishin më fytyra origjinale. Dukej sikur s’kishte më,
    një njerëzim të civilizuar. Kishte vetëm maska,
    maska, dhe prapë maska. Në rrugë
    lëviznin vetëm hije të zeza.
    Bosh ishte krejt bota e bardhë.
    Në çdo hap një kurth i padukshëm.
    Bufonët dhe xhelatët u shpallën
    sërish heronj. Fytyrat e viktimave
    nuk i njihte më askush. Asnjë përqafim.
    Asnjë fjalë. Asnjë gjest njerëzor.
    Ju lutemi, mos dilni nga shtëpia.

    Majtas korrupsioni. Djathtas prostitucioni.
    Padrejtësia mund të kapërcente,
    edhe pandeminë më të tmerrshme.
    Deri në qiell vareshin retë e drogës.
    Nëpër rrugë erërat i flaknin tutje
    kockat e revolucioneve.

    Katastrofa brenda, katastrofa jashtë.
    Ç’të bënte njeriu modern?
    Përse bënte ai, sikur ishte i verbuar?
    Përse heshtte njerëzimi kryeneç?
    Përse qeshnin perënditë teknologjike?
    Heshtje! Një heshtje pesëmijëvjeçare!

    E gjithë toka krenare,
    u bë thuajse e pabanueshme.
    Një thatësirë fatale.
    Tokën e përpiu deti, pa pushim.
    Dhe kësaj rradhe,
    asnjë Noe nuk dukej askund.

    Të shumëpasurit ishin rrethuar
    me mure të trashë dhe shumë të lartë.
    Ishin izoluar, hermetikisht. S’kishin adresa.
    Ata kishin siguruar ushqime dhe pije,
    për 100 vjet. Nuk flisnin me njëri-tjetrin,
    as në telefon. Merreshin vesh vetëm me shenja.

    S’kishte më vite. S’kishte më, as shekuj.
    Koha doli krejtësisht nga moda.
    S’kishte ëndrra. S’kishte duele
    për mbrojtjen e idealeve.
    S’kishte dritë të vërtetë!
    Vetëm bota e madhe përballë një virusi të vogël.

    Edhe yjet dolën pozitivë.
    S’kishte kohë as për filozofi.
    S’kishte përqafime, as puthje.
    S’kishte ditëlindje. S’kishte të ardhme.
    Gjithë njerëzimi
    kishte frikë nga hija e vet.

    Nëse bën vetëm një hap,
    pa maskë, do të gjobitesh
    gjakftohtësisht.
    Rrugët janë mbushur me dilema
    të kalbura, nga më të çuditshmet,
    që shiten e blihen, si fruta të parajsës.

    New York! Një ishull krejt i vetmuar.
    Parisi, i veshur me një kostum absurd.
    Berlini:“Ne e kemi gjithçka nën kontroll.”
    Londra e mjegullt s’kishte gjumë të qetë.
    Kori kinez këndon me furi:
    “Ne nuk mund të na mposhtë asgjë.”

    Moska s’kishte kohë për vogëlsira.
    India? Japonia? Australia?
    Diku mallkonin virusin e panjohur.
    Diku njerëzit protestonin pa e ditur përse.
    Stambolli? Praga? Afrika e Jugut?
    Bota rrotullohej e rrotullohej në boshnajë.

    Një zë ironik: çonte përshëndetje metaforike.
    Një trajtim special nga gjenia e robotëve!
    Universiteti Numër 1 i Botës Digitale!
    Një qeveri dhe një dashuri robotësh prej ari!
    Çdo fjalë ngrihej lart si një katedrale.
    Njeriu modern përballë sfidës hamletiane.

    Problemi ynë nuk ishte ekzistenca.
    Ne donim të zbulonim
    sekretin e një jete tjetër.
    Me gjeninë poetike,
    si një ideal suprem:
    Ti, o njeri, do të jesh mesia e vetvetes!

    Mbretëria e njeriut s’ishte shpikur akoma.
    Grotesku mashtronte groteskun.
    Vetmia ishte bërë supervagabonde,
    me sy të kaltër dhe flokë bjonde.
    Mbretëria e tregut të lirë ishte martuar
    me mbretërinë e ironisë së divorcuar.
    Ç’ironi gjithëbotërore!
    Ç’mund t’i bëjë karantina, poezisë hyjnore?!
    Ne të gjithë kemi lindur në karantinë,
    ne jemi rritur në karantinë,
    ne të gjithë kemi studjuar në karantinë,
    si në Oksford a si në Harvard.

    Në karantinë ne kemi rënë në dashuri.
    Ne u martuam në karantinë.
    Ne bëmë shumë gjëra të pabëshme.
    Shumë herë jemi ngritur dhe rrëzuar.
    Dhe gjithmonë, ne kemi bërë,
    sikur kemi jetuar.

    Ne bëmë fëmijë që do ta ndryshojnë botën.
    Ne i donim shumë paradokset.
    Ne admironim shpërthimet
    e brendshme eksplozive.
    Ishte një çast i madh,
    për gjithë botën, për gjithë njerëzimin.

    Të njëjtat ulërima, të njëjtat urra të neveritshme,
    kishin nisur epopenë e tyre digitale.
    Shumica, me zor merrnin frymë, artificialisht.
    Ishin të vdekur apo të gjallë?
    Ishin njerëz apo ulërima egërsirash,
    përtejpesëmijëvjeçare?

    Ishin të çmendur
    të ardhur nga të gjitha viset e botës? Ishin
    shumë të fuqishëm
    dhe ngjanin si titanë të vërtetë.
    Ulërima, ulërima dhe prapë ulërima.
    Një revolucion ulërimash të rreme.

    S’merrej vesh ç’thuhej.
    Ulërimat kryqëzoheshin, pa pushim,
    me njëra-tjetrën.
    Çfarë mesazhi donin të përcillnin,
    këto ulërima shumë të çuditshme?
    Emrat e shteteve i mori era duke i kujtuar si gjethe.

    Bota kishte nevojë tepër urgjente,
    të shpikej një ideal gjithmonë i ri.
    Nuk ishte koha për aventura.
    S’ishte dita për të shitur ideale të falsifikuara.
    Çdo rrugë nuk të çonte te e bukura.
    S’guxonte askush të pranonte të vërtetat e dhunuara.

    Bota shfaqet akoma si një karantinë e pakufishme.
    I gjithë njerëzimi ndodhet brenda, në heshtje.
    I mbyllur hermetikisht në një mënyrë të çuditshme,
    i trishtuar shumë dhe akoma më shumë i gëzuar.
    Botë e regjur katërqind milionë herë.
    Botë e mësuar me helm dhe vrer.

    Ti s’do të jesh më një karantinë e përjetshme,
    Një profesion fisnik, për ty, do të shpikim ne.
    Mjaft më, me përralla! Mjaft më, me betime
    qesharake! Botë elastike.
    Ti je një intrigajë madhështore!
    Botë delikate, botë përrallore.

    Si ta shpëtojmë botën nga vetvetja ?
    Si ta çlirojmë bukur njeriun nga njeriu?
    Këtu do ta fillojmë nga e para historinë.
    Ti botë, s’do të jesh një vorbull thithëse fatale.
    Ne do të respektojmë gjithmonë ardhmërinë.
    Ne do të jetojmë vetëm për më të lartat ideale.

    Kush nuk e trajton tokën me dashuri,
    s’mendon për brezat që vijnë si një risi.
    Hej, artist! Çdo njeri është tashmë,
    mjeshtri më i madh i kohës,
    në kapërcimin e vetvetes
    dhe të krejt botës.

    Për historinë e vjetër vazhdon akoma beteja,
    për të shembur tinëzisht gjithë urat e reja.
    Kjo bishë s’do të zhduket lehtë nga moda,
    thotë një filozof i vjetër sa bota.
    Nesër do të zhduket kjo pandemi,
    thotë me një zë kumbues një artist shumë i ri.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË