More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBlerina Suta: Manzoni dhe poetika e Fishtës

    Blerina Suta: Manzoni dhe poetika e Fishtës

    Një nga problemet më të rëndësishme të inkuadrimit të Fishtës në sistemin letrar të vlerave është përcaktimi i përmasës romantike, karakterizuar, siç është dëshmuar nga kritika, edhe nga prania e fortë e kulturës klasike.

    Në lidhje me këtë raport “problematik” të Fishtës me vetë termin “romantik”, arsyeton studiuesi i romantizmit, prof. A. Xhiku, megjithëse Fishta i vlerësonte shumë disa përfaqësues të shquar të romantizmit italian, si Leopardi dhe Manzoni, ai nuk i cilëson ata si romantikë.

    Nuk është hera e parë që shkrimtari nuk ia njeh vetes përmasat e një poetike të caktuar me të cilën e identifikon më pas kritika: kështu Manzoni vetë, siç mund të lexohet në përvijimin e shkurtër që De Sanctis-i jep në leksionin e dhjetë për romantizmin, nuk e quan veten romantik; në dallim nga shkolla romantike franceze (e Hygoit), e vrullshme, me pasoja radikale dhe ekstreme, ajo italiane (e Manzoni-t) është për një letërsi të re, por pa qenë në konflikt tërësor me klasikët; pa përdorur shumë fjalë të reja; letërsia e Manzoni-t do të bëhet pasuri e shkollës së re realiste që do të niste.

    Profili romantik i Fishtës do të specifikohej më mirë nëse do të evidentohej qartë raporti me traditën pararendëse, për krijimin e asaj që Zamputti quan gjuhë “letrare-epike”, duke e vendosur kështu veprën e Fishtës në kuadër të traditës nisur me Bogdanin drejt krijimit të një gjuhe të përbashkët letrare të arealit verior.

    Modeli letrar i Manzoni-t qarkulloi në letërsitë ballkanike të kapërcyellit mes shekullit XIX dhe shekullit XX, në të njëjtën masë me frymën kulturore të ideve të Herder-it, Cantù-së, Tomaseu-t për kulturën popullore.

    Manzoni është autor që me siguri Fishta e ka njohur qysh nga studimet e tij në Bosnjë, siç dëshmohet nga sasia e përkthimeve në arealin sllavojugor. Sigurisht që ligjësitë e receptimit të frymës së kohës ndjekin rrugë krejt individuale dhe ne flasim për receptim që me rastin e Fishtës pasuron në nivel mbinacional letërsinë shqipe.

    Çështja e rëndësishme që mund t’i shërbejë përcaktimit të qartë të Zamputti-t është pikëprerja e poetikës së Fishtës (nënkuptuar si ide dhe teknikë njëkohësisht) me doktrinën manzoniane të “sistemit historik”, koncept që Manzoni e përpunoi në esenë e famshme Për romanin historik dhe në përgjithësi për krijimet e përziera të historisë dhe të trillimit, duke marrë në analizë romanin historik përballë epopesë dhe tragjedisë historike.

    Ajo që mbisundon në doktrinën e Manzoni-t dhe na intereson për përcaktimin e funksionit të veprës së Fishtës, është ideja se autorët e modernitetit karakterizohen nga “kritika historike”: “në zotërojmë një kritike historike që, në faktet e së shkuarës, kërkon të vërtetën reale dhe çka është më e rëndësishme, në kemi një besim, që si i vërtetë, nuk mund të përshtatet me ndryshime arbitrare dhe shtesa fantastike”.

    Problemi specifik që shtrohet në këtë drejtim është raporti trillim-histori në botën e vërtedukshme të artit.

    Kur ndalet në ligjësitë e së vërtedukshmes letrare dhe specifikisht në raportin histori-trillim, Manzoni, megjithëse mundohet të ndajë terrenin mes historianëve dhe poetëve: “Pse të përdoren pasqyra, nëse realitetin e kemi para syve”, përfundon me idenë se historia dhe karakteri historik është themeli i vërtetë i poezisë dhe garancia e fundit për poeticitet. Kështu në Lettre à M. Chauvet  shprehet: “Poezia nuk është çështje e poetëve, por e historisë vetë. Poetëve nuk u ngelet tjetër veçse ta nxjerrin atë në pah.”

    Fishta e bën objekt historinë; kur në shënimet e tij estetike flet për “rodin historijak”, thekson se “të gjith bukurija e ligjirimit historjak do të vîjë tuj u endë prej randsijet e interesjet të fakteve, e jo prej ndîesive qi mund të ngallisin në shpírt të shkruesit prej njoftimit të fakteve”.

    Në mënyrë më specifike, për veprën poetike Fishta shprehet se “Bukurija nuk âsht vetun subjektive, por edhè objektive”, “pse objekti i veprës artistike s’mund të jét i bukur por s’kjè edhe i vërtetë”.

    Nyjëtuar në këndvështrim të parimeve krijuese, ky parim i kritikës historike përfshin në radhë të parë konceptin e së vërtetës në art: Manzoni e nënkupton veprën artistike të sendërtuar nga e “vërteta”: “E vetmja gjë që duhet kërkuar te faktet është e vërteta; kush ka frikë t’i analizojë, jep një shenjë të madhe të pasigurisë në principet e tij.” (Osservazioni sulla morale cattolica)

    Kur flet për formë, Fishta flet nga njëra anë për rëndësinë e “rruzullimit ideal” (ku mendja krijon sende fort mâ të madhnueshme se në rruzullimin real), por e lidh pazgjidhshmërisht me “vërtetësinë reale” të objektit: “e i vërtetë s’mundet me kenë për në kjoftë se elementat përbâsë së formës së tij mos të jenë nji gjasimi me atá të formavet të sendevet të dukshme”.

    Në këndvështrim të poetikës së zbatuar, le të shohim sesi mund t’i qëndrojë parimi i kritikës historike veprës fishtjane duke u nisur nga lirika.

    “Unë tham se Fishta lirik asht gjithnj epiku qi del në shesh”, – vazhdon Zamputti në arsyetimin e tij. Tipari “epik” apo “epicizimi” i lirikës ka të bëjë me një epikë të përditshmërisë një “epikë në veprim”, do të sqarojë ai.

    Të njëjtën ide të lirikës “plot me veprim” ka dhënë kritika edhe për lirikën e Manzoni-t, e cila ndërton një “botë epike”, siç do të shprehet De Sanctis-i, duke iu referuar poezive të Inni sacri, të përkthyera nga Fishta në rini të tij si Vjershat e përshpirtshme: epikë është “ajo mënyrë e të parit të gjërave njerëzore nga sipër, me syrin e botës tjetër”, do të vazhdojë leksioni i De Sanctes-it për Manzoni-n në La letteratura italiana nel secolo XIX.

    Duke analizuar gjuhën e përkthimeve të Inni sacri, mund të themi se lënda e Manzoni-t do t’i përcillet edhe asaj pjese të poezisë lirike të Fishtës që i jep vlerë religjionit si moral dhe si poezi: Këshndellat; Të psuemit; Të ngjallunt; Rrëshajët kanë lënë gjurmët e tyre në krijimtarinë lirike të Fishtës me frymëzimin e ri, të krishterë, që rrezatojnë.

    Veçantia e frymës së krishterë të Manzoni-t që gjen pohim edhe në veprën e autorit tonë është mungesa e fluturimeve në viset e metafizikës dhe fryma demokratike e barazisë mes njerëzve, të gjithë vëllezër të Krishtit, në emër të triadës: liri, barazi vllazëri: Mì dhe agoi drita e lirìs; […], Sod t’atanë popujt janë nji rodit/ gjaku i t’lumit i vllaznoi; (janë vargje të poezisë Ngadhnjija e kryqit që mbart atë botë morale që gjendet edhe në botën ideale të teksteve manzoniane).

    Po kështu një kompozim epik në forma lirike është edhe Cinque maggio, poezi me të cilën Fishta ka rënë në kontakt në mjedisin kroat ku studioi: ndër përkthimet e shumta të kësaj poezie ndër serbë e kroatë, ajo e Mazhuraniqit, poetit të parapëlqyer të Fishtës, konsiderohet ende sot si përkthim më i mirë në atë areal kulturor. Teksti i poezisë 5 maji ka lënë gjurmë konkrete në leksikun në italisht të poezisë së Fishtës kushtuar mikut të tij poet Kranjçevic më 1892, poezi që veç vargut të adelphi-i ka të përbashkët me Manzoni-n idenë e madhështisë epike të heroit gjeni, në gjurmë të krijuesit.

    Pjesa iluministe e poetikës manzoniane, ajo që evokon historinë e njerëzimit dhe të kombeve si histori hegjemonie dhe skllavërie, sakrifice dhe fitoreje, padrejtësie dhe drejtësie, gjen të njëjtin terren në shkrimtarët ballkanikë të kalibrit të Fishtës, Mazuranicit apo Kranjcevicit: E lae ti ket shkretí, ku shuen e Drejta/ E paudhnija kû sundon mizore; […], janë vargjet e Nji lule vjeshte, poezisë që përjetëson në mënyrë të re dhe origjinale idenë e monumentit të gjuhës kombëtare nëpërmjet aktit konkret të poetit-profet.

    Së dyti, për sa i përket veprës dramatike, shënojmë se ka vend për përqasje mes dy shkrimtarëve edhe në lidhje me çështjen e objektit të “artit dramatik”: sipas Manzoni-t “drama duhet të marrë argumentet nga historia kombëtare dhe në dhimbjen e të drejtëve, duhet të dijë të tregojë forcën dhe dinjitetin njerëzor dhe gjurmën e një rendi të naltëm të gjërave”.

    Një funksioni të tillë i referohet figura e valles apo kori i zanave në veprat melodramike të Fishtës. P.sh., koret dhe vallja i melodramës Shqyptarja e qytetnueme ndihmojnë në ngritjen e subjektit të veçantë në rend më të lartë, atë të himnit kombëtar: “pse meldodrami kje shkrue për me kremtue kunorimet eventuale të Mbretneshave të rregjinis shqyptare”.

              “Moraliteti i veprës tragjike” të Manzoni-t mishëron një koncept të moralit larg didaktikës dhe katekizmit: dëshmi është fakti se në traktatin Della moralità delle opere tragiche ai shprehet se moralitetin e gjen të sendërtuar në mënyrë të përsosur në veprën e Shekspirit, duke iu referuar përcaktimit të Russeau-t për moralin: “është puna me mendjen që ndihmon njeriun të gjejë fenë”.

    Feja e arsyes në themel të poetikës manzoniane nuk duket larg këtij koncepti iluminist të moralit fishtian kur shkruan: Ndritjau menden Shqyptarve,/ Qi t’lidhin besë e Fe/ E si motit p’r Atdhe/ […]/ Qi t’ majën p’rherë ka’ e verteta/ […]; E ban qi Feja t’niallet/ Me Shpnesë n’ zërner t’ Shqyptarit.

    Vepra dramatike Odisea e botuar në Pika voëset më 1909 ka në incipit vargje nga vepra e Manzoni-t Conte di Caramanjola (“Un nemico che offeso non hai/ A tue mense insutando s’asside”) që bashkojnë nën toposin e së drejtës natyrore historinë shqiptare me atë universale.

    Vargjet në fjalë janë marrë nga kori, element i rëndësishëm në veprën e Manzoni-t, aq sa ai në parathënien e saj, duke u frymëzuar prej funksionit të korit grek, propozuar prej Schlegel-it, e konsideron atë si “mishërues të idealeve dhe zbutëse të tensionit dramatik”; si “personifikim të mendimeve morale që frymëzohen nga veprimi”; si “organ i ndjenjave të poetit që flet në emër të njerëzimit mbarë”.

    Së treti, dhe më e rëndësishmja, është ideja se koncepti i Manzoni-t për romanin historik do të mund të na ndihmonte për të specifikuar pozicionin e poemës Lahuta e Malcìs si epos në modernitet, përkundrejt burimeve përkatësisht klasike dhe popullore, duke i tejkaluar ato dhe duke ia nënshtruar veprën një funksioni që i përgjigjet bashkëkohësisë historike.

    Manzoni sheh tek epika prototipin e narracionit me sfond historik. Epopeja qysh në lashtësi dëshmon për njësim mes historianit dhe poetit.

    Kur trajton raportin e veprës së artit me “normën”, Fishta flet për formë ideale dhe legjitimon efektin kompleksiv të bukurisë së sendeve të rruzullimit të dukshëm. “Në ket veprim mundet ndonji herë me marrë elementa edhe prej rruzullimit të dukshem, sodomos prej sendeve në shumicë qi apin efekt bukurije kompleksive: si nji poet klasik, po zâmë, qi merr elementa prej poezijet popullore, per të trajtuem nji kangë letrare e artistike.” (Hijeve të parnasit)

    Ndërgjegjësimi i Fishtës për veçantinë e poemës së tij epike, larg eposit klasik, qartëson dhe specifikon më shumë tipologjinë romantike të veprës dhe funksionin thellësisht social të saj në lidhje me krijimin e gjuhës letrare.

    Gjuha e folklorit është themelore: “‘folklores’ do t’i siellesh, po desthe me shtue pasunín e gjûhës me fjalë të permvehtsueme, me frazeologí shprehsore, me shembulltyra të gjalla, dramatike; në ‘folklorë’ prap kè me ndeshë më type mâ të nalta, më karaktere mâ të forta, e më motive mâ t’ardhuna e të perkueshme per zhvillimin e leteratyrës komtare. (“Parathâne”, Kanuni i Lekë Dukagjinit)

    Fishta është larg çdo paragjykimi për gjuhën, duke mbështetur idenë se forma e fjalës legjitimohet në përshtatshmërinë e saj semantike. Me një përmasë të natyrshme prej filozofi të gjuhës, Fishta, duke arsyetuar për “zejën e fjalës”, thekson qartë lidhjen e pandashme të idesë me shprehjen e mendimit: “Arsyeja âsht, pse, tue kênë fjala hija e pasqyra e idés, sá mâ mirë e mâ plotsisht t’a shprehë idén, aq mâ i bukur e fuqishme ajo âsht në vedvedi.”

    Edhe Manzoni kur flet për rregullat gramatikore flet për “mënyrë që t’i korrespondojë një rendi të nevojshëm të mendimit” dhe për të qëllim i gjuhës është gjuha e folur, ajo e gjallë.

    Gjuha e Fishtës, ashtu si gjuha e Manzoni-t, ishte e kuptueshme nga njerëzit e thjeshtë: “ajo që është e vërtetë sipas të drejtës natyrore, është e vërtetë edhe sipas Ungjillit”, citon Manzoni-n De Sanctes-i.

    Në stil të poemës epike, Fishta zhvillon formën e tij letrare si përgjigje ndaj fqinjëve dhe fuqive të mëdha duke i dhënë zë kështu të drejtës natyrore në themel të poetikës së tij ideologjike.

    Fishta është i bindur për funksionin social të gjuhës poetike dhe nuk është i rastësishëm (me shumë gjasa burim manzonian dhe pse jo, cesarotian) citimi i De Radës në incipit të Mrizit të Zanave (Shkodër, Shtyp “Zoja e Paperl”, 1924): “Di molte lingue la cultura pare che sia cominciata dalla Poesia, al modo che le creazioni stesse del linguaggio devono quasi essere di poetica aspirazione.” (G. De Rada, Antologia albanese)

    Si përfundim, prerje të kësaj natyre na ndihmojnë jo vetëm të ndërlidhim në sistem dhe funksion autorët më të rëndësishëm të romantizmit shqiptar, De Radën dhe Fishtën, por edhe t’i vendosim ata në rrafsh mbinacional duke i çliruar nga hipertrofizimi i përmasës kombëtare.

    Receptime të këtij lloji janë të natyrshme në gjeni të përmasës së Fishtës duke mos e pranuar termin “ndikim” i cili nxit debat shterp ndër ata që mundohen ta parrokializojnë autorin mbarëshqiptar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË