More
    KreuIntervistaBill Klinton: Besoj se “Njëqind vjet vetmi” është romani më i madh...

    Bill Klinton: Besoj se “Njëqind vjet vetmi” është romani më i madh i shkruar që nga vdekja e Uiljam Folknerit

    Libri që jam duke lexuar

    “Fundi i gjithçkaje” i Katie Mack. Fizikania teoriciene shpjegon pesë mënyrat si mund të marrë fund universi ynë në zgjerim, me shpresë se do të jetë një kohë e paimagjinueshme jashtëzakonisht larg nga tani. Është mendjemprehtë, e qartë dhe optimiste. Një shoqërues i mirë i librit të Brian Greene-it “Deri në fund të kohës”. Po lexoj edhe “Mendje të mbyllura fort: si po na ndan fondamentalizmi i ri” i autorëve Gary Saul Morson dhe Morton O Schapiro, studim gjithëpërfshirës i rritjes së dogmatizmit në politikë, ekonomi dhe letërsi, i kërcënimit që krijohet për demokracinë, ndërkohë që nevojiten mendje të hapura dhe kompromis.

    Libri që më ndryshoi jetën

    “Mohimi i vdekjes” i Ernest Becker-it. Më bëri të rimendoja rrënjët e frikës dhe pasigurive tona më të thella dhe pse shpesh e zhgënjejmë veten me mënyrën se si i shfaqim ato.

    Libri që do të doja ta kisha shkruar

    “Njëqind vjet vetmi” i Gabriel García Márquez-it. Vazhdoj të besoj se është romani më i madh i shkruar që nga vdekja e William Faulkner-it.

    Libri që pati ndikimin më të madh në mënyrën si shkruaj

    Gjithmonë kam dashur të bëhem shkrimtar, por dyshoja se kisha aftësinë time për ta bërë këtë. Nga viti i fundit në kolegj deri në vitin e parë në studimet për drejtësi, lexova pesë libra që më bënë të mendoj se ia vlente të provoja: “Në veri drejt shtëpisë” i Willie Morris-it; “Rrëfimet e Net Tërnerit” i William Styron-it; “Nuk mund të kththesh sërish në shtëpi” i Thomas Wolfe; “Zjarri herën tjetër” i James Baldwin-it; dhe “Unë e di pse këndon zogu i mbyllur në kafaz” i Maya Angelou-t.

    Libri që më ndryshoi mendjen

    Pyetje e shkëlqyer. Mendoj se “Kasta: gënjeshtra që na ndan” e Isabel Wilkerson -it dhe “Mendo përsëri” i Adam Grant-it më detyruan të rimendoj se sa thellë janë të ngulitura paragjykimet tona të pashqyrtuara, jo vetëm në lidhje me racën, gjininë, klasën dhe fenë, por me kategori që na bëjnë t’i shohim të tjerët si inferior, më pak të denjë për t’u parë dhe dëgjuar. Më pëlqen më shumë mënyra e pajtimit dhe përfshirjes përmirësuese e Nelson Mandelës.

    Libri i fundit që më bëri të qaj

    “Sooley” i John Grisham-it. Lexojeni, do të doni të qani edhe ju.

    Libri i fundit që më bëri të qesh

    Libri më i fundit i Janet Evanovich-it. Personazhi i Stephanie Plum-it më bën gjithmonë të qesh.

    Libri që më vjen turp që nuk e kam lexuar

    “Uliksi”. Më pëlqen poezia irlandeze, proza dhe librat joletrarë. E dua Joyce-in, por gjithmonë dorëzohem dhe heq dorë para se ta mbaroj leximin. Vazhdoj të përpiqem.

    Librat që i bëj dhurata

    “Meditime” i Mark Aurelit; “Kura në Trojë” nga Seamus Heaney; dhe “pushtimi social i tokës” i EO Wilson-it. Në mënyra të ndryshme, secili është plot mençuri.

    Libri për të cilin do të doja më shumë të mbahesha mend

    Deri tani autobiografia ime “Jeta ime”, për arsyet që Larry McMurtry pohon në recensën e tij: është një histori e jetës dhe e kohëve të mia; një përshkrim se si është të jesh president kur ndodhin kaq shumë gjëra në të njëjtën kohë, me shpjegime më të plota të ngjarjeve të tilla si rrëzimi i helikopterit Black Hawk, të cilat nuk i gjeni askund tjetër; si dhe sepse është një testament i asaj që besoj dhe pse.

    Marrë nga: Librat e jetës sime, The Guardian

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË