More
    KreuIn memoriamBesim Fusha: HUEJDA EL SAIED – dëlira e shpirtit pa hiç hile…

    Besim Fusha: HUEJDA EL SAIED – dëlira e shpirtit pa hiç hile…

    Ike!… – Huejda!…

    …Ike atje ku, kurrsesi, nuk e desha.

    Në pamundësi për të qenë i pranishëm atje në Luksenburg, që ta kry shërbesën nën rrjedhën e lotove… – me dorën time… – do të kërkoj sesinë të porosis dikë, që të vendoi mbi rëndesë lule të pathashme… o shpirti engjëllor! Lule, xixë të bardha do të përzgjedh – mëmësia e të gjitha ngjyrave… – të bardha, si dëlira e shpirtit të pangjashëm, me ate që mbylle ditë-netët e jetës mbi rrokullinë Tokë…

    U dashka edhe zotësi për të shtyrë bëmat lotsjellëse të jetës. Seç ndjejë?!… Një rëndesë që sikur të gozhdoka frymën. Me gulçime gjoksi për të shtyrë dhimbje… Me dy lot që topëzohen dhe parësojnë për tu rrokullisur nën qepalla. Ngase, ike atje ku, kurrsesi, nuk e desha. Nën peshën më të rëndë që u sajua për gjallesën njeri.

    Në rrekjen për ta përzënë mëtutjen… mbase, qetësohesh macahere, kur shkulet ajo fjala e paplotë NGUSHËLLIME!… Sesi?! – fjalë mashtruese më duket… – disi rrenacake, që mburrecet se rehaton shpirtra… Unë do rrekem për ndryshe… Në pamundësi për të qenë i pranishëm atje në Luksenburg, që ta kry shërbesën nën rrjedhën e lotove… me dorën time, do të kërkoj sesinë të porosis dikë… (ishalla Nushin tënd dhe Djanushkën time…), që të vendoi mbi rëndesë lule të pathashme… o shpirti engjëllor! Lule xixë të bardha do të përzgjedh – mëmësia e të gjitha ngjyrave… – të bardha si dëlirësia e shpirtit të pangjashëm… o Huejda! Me ate që i mbylle ditë-netët e jetës mbi rrokullinë Tokë…

    * *  *

    Nuk e harroj natën e takimit me Ty. Ndodhi në pjerrinën jugperëndimore të Qytetit Studenti, në tabanin e asaj “shtëpie” tip tironse, në truall dheu të ngjeshur, që i përfshinte të gjitha, përrotull qosheve dhe mureve. Me dy divanë, sajesa të “Misto Mames” – (që ende s’e di, në ka qenë djalosh i punimit të drurit, ai Misto gjynofqari…) Karshi divaneve, nja mbi pesë a gjashtë metra përtej vështrimit, dy sepete kalumode, palosur cule mbi to… Brinjë ture “magjja e bukës”, me dy anësi dyrësh dhe katër xhama në ballinë, veshur në sheshinat nga brenda me qëndisma të bardha – plot mendje arti… Pa harruar edhe në koridorin e vogël para a përtej derës, furnellën e vajgurtë, ku tri femrat: mëma Hajria dhe dy motrat Nushi ene Voci, uleshin në stolin e vockël dhe i kavardisnin Cenit ndonjë të shishme për të përcjellë faqoren e rakisë… Atë natë të së martës u kavardis diçka më shumë për në pjatancat e shtuara. Edhe për dy-tre komshinjtë robmirë, që shtuan ngjitur përbrinjë tavolinën e tyne. Shtuan edhe karriket për vehte, njëra edhe për mua, me nja dy pëllëmbë çilte. Dhe… me ABC-në e të thjeshtës… – asaj nate jam “diplomuar”!… Në tabanin e shtëpisë dhe varfërisë tironse… hovi kulmor i gëzimit, sikur qe paqtuar vlerëshëm në ate pakësi njerëzish të mbledhur nga anësi dhe largësi e botës… – të bardhë… të zinj… mulatë… – ngjyra dukshëm… lumturi që nuk u shua as në ndritimin e mëngjezit të ardhmë. Edhe mbi pjatat e përmbysura. Edhe mbi tavolinën e dërrastë… Me lugë, pëllëmbë e gishtërinj, ngjashëm me shkathtësinë e shkopinjve të Xhekut (Rrem Dauti), i përzgjedhur namshëm për orkestrinën e hotel “Dajtit”, me çimka nën tavolina…

    Gabrieli dhe Huejda

    Dhe, mbi të gjitha pa harruar hiç kujdesjen për Ty, o engjëllorja vogëlushe!…

    Se Ti, atë të martë plot hënë, fillnise të shtysh hapat e para të jetës… Me të “dejurën” lëkundëse të pasigurisë foshnjore. Që shkulte nga gjokset e të pranishmëve, nur lumturie… të qeshurat e zhurmshme… “qyqa-qyqa”… UA të ankthshme… dhe sekonda përplasjeje edhe të dhimbshme… Siç e “pësuan” kokat e Nushit dhe Vocit, ku, aq përshpejtuar, anulluan kujdesjen për rrëzimin tënd o Huejda… Dhe, me dhëmbë të shtërnguara vunë dorën në lule të dhimbjes. Unë, në çast, e lëshova fotoaparatin në varjen e qafës… Të ngrita Ty me gishtrinjtë e pëllëmbëve mbi çdo kaptinë gojëhapur përanash tavolinës, dhe të lëshova mbi pjatancat e përmbysura, në mes të duarve të zgjatura… Burrat shikonin çereqeshun… Gratë thanë: “… hajde ke shpirti i tetës!… O engjëllushi i Zotit!…”

    Ka qenë përvjetori i parë i jetës tënde, o Huejda! 16.03.1976. Nata plot hënë jo vetëm e së martës. Ngase, edhe më përtej ngjashëm vazhdoi, derisa u përqaf gëzueshëm me ndritimin e së mërkurës…

    *  *  *

    Dhjetë vjet më vonë negativët e asaj ceremonie u dogjën… Në sobën që përhinte dru më pak sesa xhaurra, për të ngrohur zyrat dhe shkrythur disi të mardhurit: rob e zot… të “Pionierit”. Aty në kapërcyell të janarit 1987, u dogjën… Në vilën njëkatëshe në fillesë të rrugës “Budi”, që, më në fund, shteti ia pat njohur pronësinë “Speces” (Dejes). Në vilën – vlerë italiane, që dikur (1941), tregtari i miellit, Nexh Reka, e pat ndërtuar me merak për “jevgën perri”… Qe tregtari durrsak, me mall e emën macahere dhe pa hiç mall e para mbas Lufte, nëpërçud – me pësime çudivaki: deri me kocka të thyera kushedi në ç’greminë a ç’garronë… më e shumta sesa në ndonjë biçim varr, aq më përçud të paditur… Kështu. A thua se vetëm Nexh Rekës së “Speces” perri? Edhe mijëra gjinofqarëve iu vra ndershmëria dhe mirësia… Qenë kohë ligësie çudi që nuk dinte t’i pillte as Zoti… Përveçse njeriu i vetësajuar: “i Ri”…

    … u dogjën!… – nisi pasazhi i sipërm. Përse u dogjën?! Qenë kohë që pillnin vaki kurrë të papame. Kaq! Mos pyesni as Ju!… Së paku, jo për këtu. Lyp tjetër hapësirë kjo ndodhi. Ajo kohë shqiptare ku rastisi të gjalloj, polli ngjarje varg, bëma çudi… aqsa dhe ashtusi, edhe përsetë varganë sajojnë histori rrëfimtare asisoj që të largojnë e zhysin në jetësi të tjera superçudi… – gati deri në kushediku…

    Sidosesi, 1987, qe një rënie. Jo për së pari, edhe herë të tjera jam rrëzuar… Por, rënia këtu qe më e bujshmja e viteve të gjallesës. Qe edhe e vetmja vakiçudi namtutje – tejmeje… Sidosesi, përsëri u ngrita. Ngase, besoj fort që fuqia e besimit për tu ngritur, i bën njerëzit më të mirë dhe më të mëdhej…

    …Sigurisht, një përzgjedhje të pozimeve nga ceremonia e macahershme, i stampova në opake kartolinë. Dhe, ia adresova Djanushkës së mirë. Ti Huejda, duhet t’i keshë parë më vonë. Madje, mbase, si piliveskë e përkëdhelur që po rriteshe, edhe mund ta keshë grisur ndonjërën… Sidosesi, për nevoja të fotoarkivit, që përherë e kërkon e nesërmja… thash të eci në rrugëtimin e mundshëm që kishte mbetur. Thash të mund të riprodhoja ç’mund të gjeja. Ngase arkivimi i fototekës time, përherë më është dukur i mangut pa negativët e shkrehjeve të asaj ceremonie. Dhe, e ndava mendjen, këtë detyrë thash të ta porosis Ty, o Huejda! Që t’i fotografoje a skanoje pamjet dhe t’i nisje në adresën time. Takova Vocin dhe ia dhash porosinë, bashkë me e-imelin… Por, pritja mori fund në mëngjesin e gjëmës së madhe, më: 23 nëntor 2021.

    *  *  *

    Kështu, Huejda!…

    …nuk e dija që Ti paske pasur aq shumë siklete. Dashje… për sado pak rehati shpirti!… Po t’i dija sikletet e tua… nuk do të dija të gjej fjalë a mundësi për ta shkulur ngërçin që ta paska grricur rehatinë… Ngase, si shpeshherë, kurthi i trysnisë, më mbërthen me pengun e padijes dhe pamundësisë për të qenë veprues në bëma bamirësie. Ndodh edhe që trishtohesh deri në gulçime. Që të gozhdojnë në habi dhe dallgëzime gjoksi. Siç nuk po e dua trishtimin lotsjellës të këtij mëngjezi të së martës – 23.11.2021. Plot dhimbje për një shpirt engjëlli që po thuhet se iku… Jo!… Këtë gjëmë nuk e desha!

    *  *  *

    …edhe ngase, o Huejda, të kam pasun modelen e parë në ndërtimet fotografike. Veçanërisht kur më duhej të grupoj fëmijët e racave të botës. Për të sajuar imazhe a fotomontazhe që figuronin shtypin në ditën ndërkombëtare të fëmijëve. Ku më duheshin figurantë të bardhë… të zinj… mulatë… të verdhë… a ç’ngjyrime e ç’bukuroshë të gjeja. Për të “aktruar” qeshjen e madhe të përbashkimit paqtor…

    Huejda dhe Thierry Grosjean

    Dhe kjo nuk qe hiç kollaj. Duhej ditur nga ç’familjarë ishin “gatuar” ata vogëlushë. Ku punonin prindërit… Sa dashamirë ishin me ecuninë dhe jetësinë shqiptare?!… Edhepse të huajt që punonin këtu (në ambasada… në RTV – për emisionet në gjuhët përkatëse, a gjetiu…), qenë të përzgjedhur dhe të mirëverifikuar, prapseprap, ishin në vëzhgim të pandërprerë. Ti Huejda i di këto. I mësove avash-avash, ndërsa po rriteshe… me pësimet edhe në jetësinë e prindërve… Me Babin që përndiqej e përzehej… me Mamin që u lodh duke kërkuar dhe ëndërruar lejen e përbashkimimit. Madje, le ta themi sot, ate që shqiptarët dhe botërorët nuk e dinë, edhe se ç’më ke thënë Ti dhe Mami në tempullin e së vërtetës: … ministri a zëvendësministri(?) Feçorr Shehu, e thirrte Mamin enkas në zyra (dhe, mami të merrte edhe Ty…), për t’i bërë pyetjen: “hë, a ndave mendjen?!…” Le ta kërkoi gjindja fjalën shqipe STËRVINË… dhe do ta mësoi llahtarën… se ç’ishte ai ministër… ai njeri… dhe, ajo kohë…

    Ç’ka sapo thamë, ndodhte në kohën kur gjermanka (Ana) e gjermanishtes në RTV, i gjeti morra në kokë, evlatit Nils Guldjen, që kalonte ditën shkatis me fëmijët e çerdhes gjashtë. Gjermanka, e llahtarisur, e çakërdisur… thirrte: “Kafshë të egra në kokë… Nilsi ka kafshë të egra në kokë”… “Alarmi” kapi gjindje e shoqëri, çerdhe e ministri… Shqiptarët mendjetop, qeshnin krejt pa çudi: “… asnjë risi, përtej të zakonshmes, nuk ka bo vaki…

    *  *  *

    Kështu Huejda e mirë – vlerëforini (pa asnjë medalje zyrtare!?) E di që të lodha, por le të them edhe diçka që është ulur dystaban dhe nuk do kurrsesi të ikë nga qoshja e kujtesës… Çasti kur erdhe enkas dhe më solle librin: “Ngjyra e lëkurës sime” – roman, i botuar nga “Onufri” – 2000.

    Kam firmosur ene nja dy fjalë të sinqerta… – më the.

    Roman!? Ua ç’mrekulli! E dija që diçka po shkruan, por…

    Dhe libri më ngriu në mes të duarve, nën kureshtinë e vështrimit. Të vura pëllëmbën mbi kaçurrela dhe të mbështeta si fëmijë në anësinë e brinjëve të djathta.

    Bravo! Bravo Ti Hyejda, bravo “Onufri”! Fillo librin e dytë tani dhe vazhdo, mbushe stivën… Do të më keshë përherë lexuesin e parë, por edhe qortuesin pa mëshirë… Se dashamirësi i letërsisë do shtrydhje… Do shpirt dëliri…

    Të pëlqen?

    Libër i bukur! Ene kopertina – simpatike. Po më vjen nji çik zili që nuk jam unë fotografi!… Sidosesi, mirë. Edhe Fabrice Toledano – mirë!

    E kam menduar vetë ndërtimin e kopertinës. Dhe, u binda për kështu. E zbatova në Francë, ngase nuk desha assesi të le shteg për ndonjë papëlqesë nga botuesit shqiptarë.

    Sidosesi, më bëre të lumtur. – (Dhe e putha romanin, siç bëj përherë për çdo libër që niset për në bibliotekën time.) – Besoj fort në çke “gatuar”… Dua me shpirt të jesh vetvetja…

    *  *  *

    Kokëepoka kur lindim nuk e fal dashjen e njeriut për të zgjedhur. Nuk zgjedhim asesi se në ç’rrjedhë geni duam të “gatuhemi”. As se në ç’fisni… ç’baba a mama na takon për hise… As se në ç’anësi të botës… në ç’shpellë a kështjellë… në ç’kasolle, banesë a qytet, nisim të marrim ajrinë… Mbas hapave të para të jetës, kuptojmë avash-avash, se nga ç’qenësi a gjallesë jemi gatuar… Për fat jo nga ç’ha krimbi ase fisni krimbash… Paskemi lindur njerëz. Njerëz që gjithsesi, na përket të lodhemi për t’i shtypur krimbat…(!?)

    Kështu, Huejda! Disi kështu ma nxite fantazinë, kur nisa të lexoj librin tënd të parë nja mbi njëzet vjet të shkuara. Asohere kështu hamendësova. U vetbinda se rrjedhave të ecurisë do ta zotërosh veten… – do të derdhësh mirësinë e dëlirit të shpirtit, krejt pa hile… Do të dish të ecësh, brinjë akrepit të fatit edhepse tjetër kush e kurdis…

    Sidosesi, mbase edhe me mund, do të sosësh në cakun e mrekullisë që ëndërron… Po Huejda! Kështu paska ndodhur. Paske vëzhguar dhe mësuar mençurisht, paske kapur veçantinë… Qenke plotpushtuar nga dashje për të qëndisur mrekulli njerëzore. Dashuri njerëzore!… Edhe tani së fundi, kur fati të spërkaste veçse me ca grimca mirësie, përballë dite-netëve të mbushura me malmakthe trishtimi… shpirti yt parësoka ëngjëjt… – ngase, i “dehur” lumturueshëm me madhështinë e dashjes së jetës njerëzore… paska përzgjedhur së fundi, ditën më të lumtur të jetës tënde…

    Ja mesazhi:

    Babë e bir…

    Duart më të bukura në botë për mua.

    Miqtë e mi, sot kam zemrën plot dashuri e krenari. Ashtu si dhe secili prej jush edhe unë kam shumë arsye që të mburrem. Ardhja e Gabrielit në jetën time dhe më pas ajo e Thierryt në jetën tonë, ishin ndër gjërat më të bukura që kisha përjetuar deri më 2017. Por 2021-shin pavarësisht gjithë problemeve që ka sjellë pandemia, do të mbetet viti më i bukur për familjen tonë. Tashmë jemi ligjërisht të tre një familje e vërtetë, se të tre kemi mbiemrin Grosjean, unë nga martesa dhe Gabrieli nga birësimi. Më në fund kam familjen që kam ëndërruar. Thierry me shaka thotë që na ka zgjedhur Gabrielin dhe mua në katalog, por Gabrieli dhe unë themi të njëjtën gjë për të, ndaj falënderojmë Zotin që bëri që Thierry të “hapte” faqen ku ishte fotografia jonë e nuk u tremb teksa pa që po lotonim. Përfundimisht jeta ka më shumë imagjinatë se ne dhe është e bukur, shumë e bukur madje”.

    Janar 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË