More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Pikaso postmodern i Roland Gjozës

    Behar Gjoka: Pikaso postmodern i Roland Gjozës

    Romani Pikaso prej ajri i autorit Roland Gjoza, në tërësinë e elementëve thadrues, në narrativë dhe figurimin estetik, në ligjërim dhe plazmimin e personazheve, vjen në shekullin e ri, si befasi shkrimore e prozëshkrimit në gjuhën shqipe. Në frymën e vet është një tekst, që në mënyrë të veçantë, rrok dhe pikturon shpirtin dhe po kaq, hapësirat e pamatshme të tij, kurse si teksturë shkrimësie letrare, gërsheton dhe shpalon ngjyresat klasike dhe postmoderne, në strukturë dhe poetikën e rrëfimit.

    Autori, vënë në gjurmim të shpirtërores, që përfaqëson arti dhe artisti (të cilët në këtë kohë duket se jetojnë në zgripin e vet ekzistencial), tashmë duke thirrur në kujtesë Pikason (veçse të shpërndrruar në mjeshtër të ajrit), piktorin që çuditi shekullin e kaluar, sendërton botën romanore, që ka për univers shpirtin e njeriut dhe të artistit.

    Kjo rrethanë e pazakontë e vlerës së përthyer në hapësirat e tekstit romanor, si shenjëzim i poetikës postmoderne, të sjellë në mend idenë e Umberto Eco-s, ku nënvizon se në letërsi kemi: një estetikë, bosht i së cilës do të ishte ironia intertekstuale, në librin Si të shkruaj. Shpirti i atyre që kapërcyen detin, kohën dhe muret, njerëz të zakonshëm dhe artistë, sërish mbetet pezull dhe i ngurtësuar në dy përmallime, në dy ekstaza shpirtërore siprane, shpirti i qenies që mbetet shtegtimesh, e prejnga burojnë vizëllima disafishe të një proze ndryshe.

    Gjendur, në cakun e fundëm të ekzistencës, ku të ikur nga dheu i parë, ata morën çka mundën, dhe pamëdyshje mallin njerëzor. Shpresandezur, në dherin tjetër, pranuan aq sa u dhanë, në fakt aq sa deshën pritësit, duke zgjuar megjithatë në të gjitha poret, shpresën e një jetë ndryshe. Për të kuptuar thelbin e situatës se kumteve të romanit, të diagramës së protagonistëve, ka vlerë nënvizimi i Borhes, kur shkruan: … ku parandjenja fiton dhe hedh dritën e saj mbi një gjithësi që qëndron midis normës dhe absurdes, midis rregullit dhe rrëmujës, shpëtimi i të cilit, qoftë edhe pjesërisht, nga e pakuptueshmja i besohet vetëm njeriut. , pra shpirtit që udhëton nëpër pakohësi, në librin Aleph.

    Kumti që shqipton teksti, hapur dhe pa asnjë mbulim të realitetit, joshës dhe të përçudënuar, se shpirti gjendet në rrezik, gjithkund kësaj rrokullie, në atdheun që lanë pasë, por edhe në atdheun e ri, na zbulohet qartazi në frazën e rrëfimtarit: Amerika të jep paranë, po të marrka zemrën. (2014: 34), e cila përçon me lakonizëm të thekur thelbin e qenies njerëzore, pa mëtuar të fsheh asgjë. Në këtë zgrip, etik dhe estetik, ekzistencial në thelbin e vet, as pesimist e as optimist, po një realizëm i ashpër, ndonëse zbulohet përmes magjikes, rreket që të lartoj ngrehinën e shpirtit, që duket sikur këtyre kohëve po lëshon grahmat e mbrame të mbijetesës.

    Kërkimi i shpirtit dhe skalitja e shpirtërores, është shumëçka, është klithmë siprane, është akuzë ndaj zotave dhe kryezotave të tokës dhe qiellit, e mbi të gjitha është parafytyra e autorit, e një shpirti të trazuar, që ka mbet pezull dhe sërish zbret në tokë, që mund të jetë i bardhë, i zi apo gri. Përthyerja e shpirtërores, me kaq shumë ngjyra, nëpër rrathët e artit, e pikturës abstrakte të Piksasos, e që tashmë nuk bie në sy, mbase vetëm kur shkarravit figurat në qiellin e kaltër.

    Vetëm qielli ka mbetur i lirë, natyrisht në atë pjesën e paktë, që ka shpëtuar nga ndotja, e cila formulohet në stilemën rrëfimore: Se shpirtit i ka mbaruar vaji… (2014: 59). Magma e tekstit romanor, është shpirti, që shpalohet në disa forma. Shpirti si mungesë e plotë, në bëmat e Grejt dhe mjekëve, që ndërpresin shansin e jetës së Pikasos prej ajri. Po kaq sunduese, vjen shkëlqimi mediokër i blerësve të shpirtrave, i vlerave të artit, si Gilbi. Shpirti, në situatë siprane, zbulohet në katrahurën e kthjelltë të rrëfimtarit të gjithdishëm, që endet rrafsheve të Ferrit dhe Purgatorit jetësor, velur tashmë nga Parajsa që nuk vlen më as në ëndërr…

    Struktura moderne e romanit

    Proza Pikaso prej ajri, shënon prurje estetike, në krijimtarinë e autorit, po kaq në lavrimin e zhanrit të romanit, në cakun modern të letrave shqipe, krahas shenjave të tjera, edhe për shkak të strukturës moderne të veprës. Tipologjia e shkrimit modern të prozëshkrimit, si dhe e shoqëruar me kahje postmoderne të ngjyresave letrare, materializohet në shumë aspekte strukturore të kompozimit të romanit:

    A – Kapitulli i parë, nga autori emërtohet antiroman, me gjasë një vizion tjetër i shkrimit të romanit në letrat shqipe, por e hedhur ashtu, edhe si lojë apo shaka e kriposur, për të nisur udhën e kryerjes se disa ndryshimeve të nevojshme në tipologjinë romanore, që në letërsinë shqipe të shekullit të kaluar dhe në vijim, vijon të mbetet zhanri letrar, më i parapëlqyer nga autorët, e po ashtu edhe lloji letrar më i lexuar nga lexuesit. Mbase, në këtë tekst të prozës së gjatë, si një gjetje rastësore, përcaktimi si antiroman, në krye të veprës, lidhet me tepër me sugjerimin e teorive letrare, se romani vijon të jetë një zhanër, i hapur dhe në formësim të vatrave ligjërimore.

    B – Paraqitja e ndodhive të romanit, konkrete dhe imagjinare, veçmas e asaj pezullie ku gjallon qenia njerëzore, sidomos mbijetesa e qenies shqiptare, e ndarë dhe hapërdarë si zogjtë e korbit, në të gjitha pikat e horizontit të planetit tonë, ndërkaq është realizuar në tridhjetë e tre kapituj. Secili prej këtyre pasazheve, të veprës romanore, shoqërohet me nga një nëntitull, që e zgjeron hapësirën e komunikimit modern të prozës, por njëherit sendërton njësi strukturore dhe rrëfimore, thelbësisht autonome, madje që jetojnë më vete, duke qenë njëherit pjesë integrale e tërësisë së veprës.

    C – Prania e një stileme strukturore dhe narrative, të emërtuar interlud (i huaj) prej shkrimtarit, që shkojnë në dhjetë episode të tilla dhe shoqërohen me numra, ku nënta përsëritet, me nëntë plus, e diku edhe me tituj. Funksioni estetik, i mozaikut rrëfimor të interludit, është pjesa më e beftë e romanit, sepse:

    – Krijon mjaft pauza të pashmangshme të daljes nga tuneli i makabritetit të rrekjes së mbijetesës shpirtërore të qenies, ku autori e përthekson: … për recesionin e shpirtit, që ishte më i tmerrshëm se ai i parasë, nuk shqetësohej njeri, (2014: 176).

    – Shenjëzon gjurmët e ngjyresave postmoderne, jetësore dhe shkrimore, që si stilemë estetike, mishërohet përmes risemantizimit të historisë, artit dhe letërsisë, e sidomos të figurave të shumta të historisë njerëzore, që dëshmuan vlerat e humanitetit, që megjithatë udhton bashkarisht me rrezbitjen e plotë të vlerave shiprtërore.

    Shëmbëllimet e pranishme figurative

    Në kohët moderne, gjithnjë simbas teorive letrare, marrëdhëniet me artin dhe letërsinë, sidomos me arealin modern, bëhen më të hapura dhe më të ndërthurura, ndërmjet fushave dhe lamive të ndryshëm, që shpesh shkojnë gjer në sinkretikë të unifikuar. Letërsia, vetvetiu bëhet më e hapur ndaj arteve të tjera dhe po kaq ndaj lamive të mendimit. Prej hapjes së pashmangshme të lëvrimit letrar, pra përfshirjes në materien artistike të lëndëve të tjera, artistike dhe shoqërore, në zhanrin e romanit, buron dhe formësohet sinkretika, pra bashkëshkrirja e ligjërimeve të ndërsjella, letrare dhe artistike, si dhe më gjerë se kaq.

    Varësisht kësaj optike, të artit dhe letërsisë moderne, romani Pikaso prej ajri i Gjozës, arrin që të ndërthur dhe të shkrijë në njësi të vetme, fjalën artisike, ngjyrën piktorike dhe imazhin e fotografisë. Fjala, pra letërsia me të gjithë hallkat e kumteve letrare, e në këtë tekst të zhanrit të romanit, është rrëfimi si mjet dhe konceptim estetik, që projekton një botë imagjinare. Megjithatë, sidomos në letërsinë e mirë, fjala letrare është tingull, e po kaq është dinamikë dhe ritëm. Në hapësirat e romanit, vihet se fjala si rrëfim, ndërkohë shoqërohet nga dy-tre shëmbëllime figurative:

    – Shëmbëllimi pamor piktorik, jo dosido, po shëmbëllimi i Pikasos, mjeshtrit të pikturës, që dihet që e sundoi shekullin e kaluar për magjinë piktorike, kryesisht me ngjyresa të një abstraktcioni unik. Pikaso, megjithatë këtu është vetëmse shkasi apo shtysa fillestare, sepse Pikaso i autorit, pra Pikaso prej ajri, vjen i përmbysur, kinse i transformuar në gjithë mënyrën e ekzistimit të vet, madje shërben si gjetje ironike për të shenjuar marrëdhënien e ndërlikuar të qenies me shpirtëroren.

    – Përballë shëmbëllimit të parë, shpesh herë në pranëvënie me të është edhe shëmbëllimi i dytë, pamor dhe fotografik, i Gjon Milit, që pavarësisht ndryshimeve tepër të rëndësishme me pikturën, jetësimin dhe përmasën e përjetësisë së shumëçkaje të kësaj bote, megjithatë ia shtampon fotografia.

    – Në mes tyre, si një shëmbëllim imagjinar, që lidhet me fjalën, me magjinë e letërsisë, është gdhendur figura e Ernest Heminugejt, njëri nga autorët më të zëshëm të shekullit të njëzet, që i dha ngjyra të paimagjinueshme hapësirave të realizmit, si dëshmi e brezit të humbur dhe e teknikës së ajsbergut.

    Të strehuar në vatrën e fjalës, në një situatë të kërkuar dhe të shenjuar artistike, dy shëmbëllimet pamore, piktorike dhe fotografike, si dhe të shoqëruar në hapësirat e tekstit romanor nga dy figurat më përfaqësuese të këtyre shmëbëlltyrave, Pikaso dhe Gjon Mili, e në mes tyre Heminguej, të tre këto pamje dhe tre gjeni të artit dhe letërsisë, e zgjerojnë ndjeshëm përmasën e imagjinares në vepër, tashmë si ton i ngjyresave të realizmit magjik, si ritëm i kumteve postmoderne, që restauron dhe rishkruan historinë e qenies, e artit dhe letërsisë, gjithnjë simbas kodeve të autorit.

    Vatrat e larmisë rrëfimore

    Limfa më përbashkuese e veprës, e të gjitha hallkave strukturore të saj, e copëzave të titulluara nga autorit si interlud (i huaj), si dhe e shumë trajtave të ndryshme të shëmbëllimeve letrare dhe pamore, piktorike dhe fotografike, është ngjyresa totale e narrativës autoriale. Narrativa ose poetika e prozës, siç e ka përcaktuar pak kohë më parë, T. Todorov, është gjurma e rrokshme e kumteve letrare në prozëshkrim, po ashtu edhe në lavrimin e zhanrit mbizotërues të saj, në tipologjinë e romanit bashkëkohor. Narrativa e tekstit të romanit Pikaso prej ajri, si për çdo prozë tjetër, përbëhet:

    Së pari: Nga pozicioni i rrëfimtarit, që në këtë roman formësohët në tipologjinë e narratorit të gjithëdijes, një tipar i shkrimit të prozës moderne. Pra, duke qenë rrëfimtari, me natyrë të gjithdishme, si qendër e universit shkrimor, të kohës dhe hapësirë së romanit, narratori bart peshën kryesore të ecurisë dhe pauzave të përshkrimit dhe skicimit të personazheve, duke endur kështu një poetikë dinamike, që luan me ngjyrat, me dritat, me tingujt dhe fjalët, shpesh si magjistar.

    Së dyti: Materializmi gjuhësor i pentagramit rrëfimor, që mundëson thurjen e realitetit letrar imagjinar të prozës. Fjalësia narrative e autorit, në hapësirat e romanit më të ri të Gjozës, shpërfaqet në shumë pamje; është ritmike, është e ngjeshur me figurshmëri dhe nëntekst, është portretizuese dhe karaktrizuese e personazheve të shumtë, që plasohen në të gjitha vetitë përfaqësuese, të botës së brendshme dhe të skicimit të portretit fizik, e mbi gjithçka fjala e rrëfimtarit, që end në këtë formë realitetin letrar, ku konkretja pushitet me imagjnaren, është shenjë estetike e prozës moderne.

    Lidhur me mishërimin letrar dhe gjuhësor, është edhe situata e pranishme e fjalëve të reja, që sugjeron autori, duke materializuar kështu idenë e përkujdesjes së krijuesve për gjuhën në të cilën shkruajnë, në lamin e pasurimit të saj. Sa për të krijuar një ide, po sjellim pranë lexuesit disa nga rastet tipike të neologjizmave që përçon autori në hapësirat e romanit Pikaso prej ajri, si: çudnajë, kukullnajë, katrahurmshëm, zymtnajë, kotni, krrokamëroi, tërëmbushëse, brafulluan, katrahurnajë, bubutishme, brofëritës, gjakndezëse etj. , krijuar me brumin e shqipes, që të përkujtojnë sugjerimin e Tomas Eliotit dhënë për gjuhën.

    Gjoza me tregimet e dikurshme, po kaq a diç më tepër me lëvrimin e romanit, dëshmon se është mjeshtër i rrëfimit, që pavarësisht unit të krijuar në kaq tekste, shpesh të fanit vatrat rrëfimore kuteliane. Nga sa ofron teoria letrare, thelbi estetik i prozëshkrimit, pra edhe i romanit si zhanër i gjatë, mishërohet përmes rrëfimit, që e përthyen botën në një pamje tjetër, në mënyrë të veçantë kërkon shpirtëroren në të gjitha format ekzistenciale të saj, që në rastin e autorit të romanit Pikaso prej ajri, përcjell një mesazh të beftë: Arti është protestë, po s’pati arti protestë, mbetet kukull e bukur. (2014: 132), që të vë në mendime të thella mbi kredonë shkrimore të autorit, që tingëllon edhe si një thirrje ironike ndaj artit për art dhe vetë antiromanit. Pra, për pranuar sugjerimin e shkrimtarit, të derdhur në hapësirat e romanit, vështrojmë pohimin e Roland Barthes, teksa theksonte: shkrimi është rrënim i çdo zëri, i çdo prejardhje, në librin Aventura Semiologjike. Megjithatë, autori duke këmbëngulur dhe shqiptuar se letërsia është zëri i kohës, i njerëzve të një kohe të caktuar, madje kur ajo është gri dhe tepër e mjegulltë, duket se është besnik i letërsisë dhe artit që jeton me fatin e njeriut.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË