More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Midis territ dhe dashurisë

    Behar Gjoka: Midis territ dhe dashurisë

    Shënime për romanin “Terror e dashuri” të autorit Shkëlzen Maraveci,
    botuar nga “Buzuku”, Prishtinë

    Teksti i romanit “Terror e dashuri”, i prozatorit Shkëlzen Maraveci, qysh në titull e prezanton dhe zbulon fatin e mbrapshtë të qenies, në këtë kohë të ngarkuar me përplasje, ekstremizma, vrasje të njerëzve të pafajshëm. Jemi në gjendjen e jashtëzakonshme, të rrezikut të shtuar dhe të përhershëm, që tanimë i kanoset qenies njerëzore. Terrori, ose hallka e pare e tekstit, që e ka në fokus autori në këtë libër, jo rastësisht, është vetëmse murtaja e radhës, e cila e ka vënë në zgrip, individin dhe shoqërinë, me gjasë ekzistencën e qenies. Njeriu prej terrorizmit të shfrenuar, për çudinë e çudive, është kthyer në armë të sofistikuar që vret, madje që asgjeson në masë, sidomos qenie të pafajshme njerëzore. Terrorizmi, me egërsi të paimagjinueshme, qëllon në turmë, godet me qetësi të frikshme, aty ku ka sa më shumë njerëz, duke u kthyer në një makth për jetët njerëzore. Romani “Terror e dashuri”, projekton rrethanat e zgripin ekzistencial, ku secili prej nesh, mundet të jetë vrasës apo viktimë. Teksa lexon romanin, vetiu të vjen në mend sugjerimi i Harold Bloom, kur shkruante: “Për të kuptuar më mirë obsesionin tonë me armët dhe dhunën, nevojën tonë fanatike për tu dashur nga Zoti, rrënjët tona gnostike (që i mohojmë haptazi, që na mësojnë shpëtimin nëpërmjet mëkateve…”[1], si një rrethanë me hy në natyrën komplekse të këtij libri. Përballë katrahurë së shterimit të mendjeve njerëzore, pushtuar më në fund nga marrëzia e shkatërrimit, streha e parë dhe e mbrame, që e ruan jetën, është dashuria.

    Në kontekstin e leximit, të atmosferës së plotë të tekstit, vlen të sillet për lexuesin, pohimi: “Dhe për deri sa mungesa e humanizmit është pasojë e të mbajturit anë kështu që njerëzit u duken njerëzve të tjerë jo krijesa njerëzore, po pengesa për t’u kaluar dhe forca për t’u mposhtur, dhe nuk shihet tragjedia e përbashkët po është vetëm lufta e tanishme e disave kundër disa të tjerëve…”[2]. Kjo ndjenjë e bukur, pra dashuria, që na sjellë në jetë, na ruan nga e keqja, nga kriminelët e gjithë ngjyrave, është ilaçi shpëtimtar, njëherit është ekulibër për të ruajtur jetën, vijimësinë ekezistenciale të qenies. Dashuria e shumëfishtë, e nënës për birin, e gruas për burrin, e njeriut që e mbron njeriun, është limani që do ta ndal terrorizmin, e mbi të gjitha, dashuria pa kufi mbron jetën, është mesazhi thelbësor që shqipton teksti i këtij romani.

    Terrorizmi si rrezik

    Akti i vrasjes makabër,  i të pafajshmëve, burra, gra dhe fëmijë, në mes të ditës, ka si aleat kryesor verbërinë, e individëve të ndryshëm, që kanë zgjedhur të vrasin në mes turmës, e pastaj të hedhin në erë veten, pra duke qenë kështu, dy herë vrasës të jetës. Situata e ndërlikuar, paraqitur në hapësirën tekstologjike të romanit “Terror e dashuri”, përmes përthyerjeve reale dhe imagjinare, tregon hapur, se njerëzimi në këtë kohë, ka përballë terrorizmin, pra një doktrinë vrasëse të qenies njerëzore. Terrorizmi i sotëm, mjerisht ka dalë në skenë, me gjasë si terrorizëm fetar islam, kur dihet që terrorizmi nuk ka ngjyrë as krahinë, është një çiban që herë pas herë e kaplon qenien njerëzore, qënie e kredhur në verbëri.  Në fakt terrori i të çmendurëve, më shumë i atyre që kanë shkarë nga mendja, vetëmsa fshihet prapa fesë, me siguri është një lojë hipokrite me njeriun, me të ardhmen e tij. Besimi islam, ashtu si besimet e tjera, e ndalon vrasjen e të pafajshmëve, sidomos të grave dhe fëmijëve. Prandaj, terrori që e prekim përditëzaj, në rrugë, në supermakete, më së shumti yshtet, nga doktrina e terrorizmit, e vrasjes së tjetrit, duke u maskuar prapa besimit, prapa fesë. Pamëdyshje, që jemi në një pikë të liksht të ekzistencës së njerëzimit, ky politika e mbrapshtë, me pafytyrësinë e vetë, ka vënë përballë, qytetërimet e ndryshme të botës. Shkrimtarët, simbas Hippolyte Taine: “… janë psikologë, dhe arrijnë të tregojnë jo vetëm të gjitha variacionet, por edhe të gjitha pasojat…”[3]Qytetërimi, pavarësisht se nga cila anë e horizontit shfaqet, është dritë bashkimi, është ura e komunikimit dhe lartësimit të vlerave humane. Pa qenë të lirë, nuk jemi të barabartë dhe anasjelltas, pa qenë të barabartë, nuk ka mundësi të jemi të lirë. Ajo që është e shenjtë për mua, nuk ka pse të jetë e tillë edhe për ty, porse e shenjta e secilit, do të duhet trajtuar me shenjtëri, me humanizëm, nga secili prej nesh.

    Dialog i hapuar me lexuesin

    Teksti i romanit hapet me episodin befasues, “Përjetim i parrëfyer”, ku autori luan me rrëfimin, si akt ekzistencial i prozës, por nga ana tjetër, shënon një çast kulmor, ku ka ndodhur batërdia, tmerri dhe vdekja, ka pushtuar qendrën e madhe tregtare. Vdekja e zezë, ka pushtuar hapësirën, e nuk ka gjasa që të rrëfehet, sepse nuk ka kush ta tregojë. Pamja fatale, me të vdekur të pafajshëm, të plagosur gjer në copëtim, që ndërkohë shërben si paratekst i episodeve të tjera, ku shtjellohen dy linjat kryesore, e terrorit dhe dashurisë, më solli ndërmend një sugjerim: “Romani nuk ekzaminon realitetin, por qenien. Dhe qenia nuk është ajo që ka ndodhur, ajo është hapësira e mundësisë njerëzore…”[4] Ngjarje që flet dhe uluret, në të gjithë përmasat e veta, për tmerrin e shkaktuar, madje që nuk ka kurrëfarë nevoje që të rrëfehet dhe, përsëri në fund të episodit, sugjeron dialogim me lexuesin, si shenjë e qartë e zhanrit të hapur, pra e romanit që vijon mbijetesën dhe formësim të pandërprerë të tipologjisë së prozës së gjatë.

    Procedeu i dialogut të hapur, me lexuesin, një gjetje autoriale, rimerret edhe në fund të romanit, te episodi përmbyllës, që madje në këtë rast përkon me zgjidhjen, pra me zbulimin e enigmës, se Abeli ishte pjesë e terroristëve, që mbi të gjitha me aktin tij, kishte gjymtuar të birin dhe gruan e tij. Në fund të tekstit të këtij romani, ka disa lutje të pazakonta, që i adresohen lexuesit, njeriut: “Zot i Madhërishëm, bëje që rasti i Abelit të jetë rasti i fundit terrorist në botë! I dashur lexues, thuaj edhe ti: AMIN a AMEN! S’ka rëndësi se si. Lutu për një botë më të mirë!”[5], që pa doreza lëshon thirrje për njeriun, për vetëdijen e qenies, për ta zgjuar atë nga përgjumja e terrorizmit. Dialogu i hapur me lexuesin, i vendosur qysh në hapje të librit, si dhe e rimarrë në fund të romanit, në formën e lutjes, e klithmës, për të dalë nga ferri i shkatërrimit të vlerave humane. Dialogimi, krejt i hapur me lexuesin, shenjë se romani modern dhe postmodern, vetëmsa e ridimensionon romanin si zhanër i hapur, tregon se ky tekst, në tiparet formësuese, ecën në binarët e sendërgjimit postmodern. Po kaq, dialogjet hapës dhe përmbyllës, që vë pranë e pranë, ku të tre faktorët e gjallimit të letërsisë, autori-teksti-lexuesi, një trinitet ekzistencial i letërsisë, veçse tanimë lexuesi do të duhet gjurmuar, se gati po ikën në “drejtim të paditur”, bëjnë lidhjen organike të letërsisë.

    Roman i grimcuar

    Është fjala këtu për ndarjet strukturore, që përcillen në hapësirën e tekstit të romanit që ka vënë ballë përballë, dashurinë dhe terrorizmin. Romani “Terror e dashuri”, nis me pjesën parake, “Përjetim i parrëfyer”, në kuptimin që makabritetit i ngjarjes, mbytur në zymtësi, e kredh në heshtje, fjalën dhe rrëfimtarin. Formalisht episodit paraprirës, mundet të kundrohet, me gjasë si një paratekst hipotetik, që ma tepër si nëntekst, lajmëron ngjarjet, që do të shtjellohen në faqet e romanit. Ndarja e madhe në pjesë, duket se bart esencën e thënies dhe të shenjës estetike, ku secila ka peshën e vetë:

    Pjesa e parë, përbëhet nga pesë kapituj, të cilat janë shënuar me numra, dhe përbëjnë boshtin e parashtrimit romanor. Në këtë pjesë ngjet kthimi mbrapa në kohë, gjer te njohja me Abelin dhe konvertimi në myslimane e Zhaklinës, vajzës franceze, dy protagonistët e librit. Në tre kapituj, vihen përballë pasojat e aktit terrorist, me qindra të vrarë dhe të plagosur, me Amin e vogël, që qan me lot gjaku, e Zhaklina me trupin dhe shpirtin e copëtuar, që shpalon se si terrozrizim e vret dashurinë. Kapitulli tjetër, rikthen kohën tjetër, kur jetonin dashurinë e madhe me Abelin.

    Pjesa e dytë, ku janë përfshirë dhjetë kapituj, po ashtu të emërtuar me numra, një ngjarje tjetër, e cila dëshmon vatrat e frymëzimit të terrorizmit, e ndërfutur për të zgjeruar format e pranisë së vrasësve të jetës, që mbetet ngjarje më vete, me pikësynimin autorial, për të hetuar shpëtimin edhe në vatrat e krimit, e të dy ngjarjet lidhen nga ngjyresat e terrorizmit. Në këtë pjesë autori e fton lexuesin që të futet pilërisht në bastionet e terrorizmit, ku protagonist është Ahmadi, që ndërkaq ka një kurbë të habitshme, po edhe dinamike, si personazh, nga kriminel, në njeri normal, që në një kuptim duket si kapërcim ylberi, pra linja e ndryshimit, në syrin dhe shijen time, vjen paksa i sforcuar. Në kapitullin katër, kemi një ndryshim, sepse në këto episode ka edhe emërtime (Gjashtë muaj me vonë), te pesa (Një vit e gjysmë me vonë), te shtata (Dy vjet e gjysmë më vonë), që realisht dinamizon rrafshet kohore dhe ligjërimore.

    Pjesa e tretë e librit, në të cilën janë vendosur dhjetë kapituj, ku tanimë ngjet rikthimin te ngjarja kryesore, pasojat e shkaktuara nga akti terrorist, si dhe përpjekjet e Zhaklinës-Hatixhes, për ta gjetur me çdo kusht Abelin, për të zbuluar enigmën e paimagjinueshme, se ai ishte njëri nga tre terroristët, që bënë gjëmën e tmerrshme në supermarket. Në kapitullin dhjetë, përveç numrit, ka edhe përcaktimin (Dy muaj më vonë).

    Pra, nga ana strukturore, ky roman është i ndarë në tri pjesë, njëzet e pesë kapituj, plus teksti parapritës, duke parashtruar gjendjen e pazakontë. Ndarjet e mëdha, e sidomos ndarjet më të vogla, në kapituj, të japin dorë, që në pikëpamje strukturore, ky roman është koncpetuar si i grimcuar, pavarësisht densitetit të pranishëm. Ndërkaq, në këtë roman kapitujt janë relativisht të shkurtër, madje lexohen dhe receptohen më tepër si tregimthe, në kuptimin që episodet, kanë edhe një jetë më vete. Ndërlidhjen e tyre, pra episode koncize, janë pjesë unike e romanit, e mundësojnë ngjarjet, si dhe rruga evolutive e personazheve.

    Narrativa e personazheve

    Episodi paraprirës “Përjetim i parrëfyer”, ka si narrator Abelin, që në gjendje sonambuli, tregon tmerrin që ndjeu, kur niset për te qendra tregtare, duke portretizuar vetveten si natyrë komplekse, deri pak çaste se sa hodhi veten në erë. Përcjellja e kësaj atmosfere, tepër të ngjeshur: “Ishin çastet e fundit të jetës sime, trupi më dridhej e më kërcente, rrahjet e shpejta e të fuqishme të zemrës po ma shqyenin gjoksin.”[6], si një shpalosje e pazakontë e gjendjes ku ka rënë personazhi, një analizë e hollë psikologjike, e një terroristi, para aktit të hedhjes në erë, të supermarketit, të mbushur me njerëz dhe vetën.

    Në pesë kapitujt e Pjesës së parë, si narrator është Zhaklina, që tregon e llahtarisur për tmerrin e përjetuar, nga shpërthimi i frikshëm, që solli pasoja te djali dhe vetë ajo. Shqetësimi i parë, padyshim që është Amin, vogëlushi disamujor, si dhe fati i mikes Fatimas. Me ankth dhe sqimë të papame, rrëfehen prej saj, çastet kur është shtruar në spital. Dëshmimi i saj tronditës:  “Unë besimtare e konvertuar nga e krishterë në myslimane, Abeli, mysliman me prejardhje nga Maroku, por lindur e rritur në Francë.”[7], që zbulon epokën, ku hapja e shoqërisë, është shoqëruar me ngritjen e mureve për tjetrin, të ndryshimit, edhe mundet që të banojë te dera përballë. Është tregues i situatës së e jetës, ku tanimë janë ndërthurur kombet, besimet, racat, gjë që është e prekshme në Francë dhe në kontinentin europian.

    Pjesa e dytë, e cila përbëhet nga dhjetë kapituj, kemi të plasuar një ngjarje tjetër, me gjasë një kthim prapa, si retrospektivë e rrokshme, të futur në hapësirën tekstologjike, ka tanimë si narrator Ahmadin. Vetërrëfimi i bëmave, kur sillej si kriminel, kur vidhte dhe dhunonte njerëzit, kur vriste pa iu dridhur qerpiku, ndërrimi i vendbanimit, nga Marseja në rrethinat e Parisit, të bën përshtypje kurba evoluese si karakter, që për më tepër e prezanton si një personazh i ndërlikuar. Kompleksiteti i kalimit nga pjesa e botës së krimit, në një njeri krejt normal dhe, madje me vlera humane të dëshmuara, pavarësisht gjurmëve të ndryshme që barten te kjo figurë, diçka mbetet në zgrip, që lëviz nga njëri skaj në tjetrin, varësisht qëllimeve të autorit, ndërkohë që është thelluar në botën e brendshme, në fatin e hidhur të familjes. Sugjerimi domethënës: “…na mbyll në kufijtë e një bote dhe na udhëheq, në një farë mënyre, kah imponim që këtë ta marrim seriozisht…[8], një sugjerim për të hyrë në marrëdhënie me realitetin e trilluar, që bart letërsia, sidomos në aspektin strukturor dhe komponues. Spektri i figurimit të personazhit, që rrëfen vetë, nga një kriminel i rrezikshëm, në njeri të rregulltë, e shtrirë në dhjetë kapituj, ku dashuria e nënës, dhimbja e madhe për fatin e të jatit, gjithsesi kanë ndikuar, sadopak për ta zbutur bishën, një mundësi reale, që edhe ligësia mund të frenohet, nga rrethanat dhe forca e karakterit. Shprehja e personazhit: “Kurrë nuk më kishte pëlqyer mjekroshi që ndikonte në radikalizimin e të rinjëve.”[9], ku autori rreket që të depërtojë në botën e brendshme të personazhit.

    Pjesa e tretë e roman, në të dhjetë kapitujtë, ka si narratore Zhaklinën, e cila me fjalët e veta, realizon portretizimin, veçmas thellon dhe përplotëson analizën psikologjike, si dhe është pushtuar nga makthi për të gjetur Abelin. Peripecitë e kaluara, duke e kërkuar në Marok, vegimet e përjetuara rrugëve të Parisit, në kërkim të tij, marrin përgjigje të papritur, kur policia i tregoi pjesët e copëtuara të trupit të Abelit, dhe sidomos letra e tij, e cila paraqitet në faqen e fundit të romanit. Narrativa e personazhit, me fillimin prej Abelit, me peshën kryesore të zbulimit të botës romanore, nga ana e Zhaklinës, me praninë e përfillshme të Ahmadit, si narrator, autori ka krijuar distance e nevojshme, sikur ka hyrë në hije, kur në fakt vetja e tij, shenja autoriale, është e mishëruar, nga pak në secilin prej narratorëve, ndonëse formalisht, pothuajse është i munguar.

    Rileximi i tekstit

    Prej një rrethane rastësore, romanin “Terror dhe dashuri”, të Shkëlzen Maravecit, përveç leximit të parë, i “detyruar”, kaloi edhe në procesin e rileximit. Nëse leximi i parë, një lexim gati matematikor, për të realizuar përveçimin, ka mbetur pas. Rileximi, tashmë në distancë kohore, është një akt i leximit real të një teksti, një shans tjetër, gjithnjë me hetu vlerat dhe mungesat, e pashmangshme gati në secilin libër. Rileximi, tekefundit, është prova e “Zjarrit”, nëpër të cilën kalon letërsia, krijimtaria e një autori, si dhe secili tekst letrar. Në spektrin e dy leximeve, sidomos të rileximit të thelluar, romani “Terror dhe dashuri”, e leximit të parë, gati rrufe, dhe rileximit më të distancuar, gjurmues të shenjave estetike, në jo pak tregues shkrimor, në syrin tim, e ka “kaluar Rubikonin”. Trajtimi i temës së terrorizmit, majft aktuale dhe tepër e rëndësishme, e përballëvënë me dashurinë, shqipton shestimet autoriale, si shqetësimet i kohës së ngarkuar me luftë, përplasje dhe terrorizëm. Larmia e narrativës, me disa narratorë, pamëdyshje narrativa përmban tharmin e prozës, ka ngjyrosur tekstin me kolor tronditës,e po kaq konkret. Po ashtu, struktura e romanit, marrëdhënie ma fjalën, që kërkon mendjen dhe zemrën, pra të njeriut dhe lexuesit, janë tregues të profilit të një prozatori, që anësohet nga vetëdija e shkrimit, e cila lëshohet në kërkim të vetëdijës së leximit, si një akt që dëshmon praninë e shenjave letrare.


    [1]  Harold Bloom: Si dhe përse lexojmë, Tiranë, Botimet Dudaj, 2008, f. 273.

    [2]  Benedetto Croce: Poezia antike dhe moderne, Tiranë, sh. b. elite, 1998, f. 35.

    [3]  Hippolyte Taine: Filozofia e artit, Tiranë, Ideart, 2004, f. 155.

    [4]  Milan Kundera, Arti i romanit, Tiranë, Toena, 2001, f. 52.

    [5]  Shkëlzen Maraveci, Terror dhe dashuri, Prishtinë, Buzuku, 2021, f. 161.

    [6]  Shkëlzen Maraveci: Terror dhe dashuri, Prishtinë, Buzuku, 2021, f. 161.

    [7]  Po aty, f. 13.

    [8]  Umberto Eco, Gjashtë udhëtime narrative, Shkup, Asdreni, 1997, f. 149.

    [9]  Shkëlzen Maraveci: Terror dhe dashuri, Prishtinë, Buzuku, 2021, f. 87.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË