More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Humaniteti në romanet e Petro Markos

    Behar Gjoka: Humaniteti në romanet e Petro Markos

    Petro Markoja, mjeshtër i poezisë, gazetar rebel, njeri i burgosur dhe gjithmonë i lirë, në radhë të parë është prozator i madh, me një kontribut të vyer në lëvrimin e romanit. Portretizimi i figurës unike të Markos vjen qartazi edhe në pohimin e Ali Aliut, kur shprehet: “…janë të rrallë ata shkrimtarë që kanë mundur të ruajnë aq me konsekuencë dhe fanatizëm dinjitetin e krijuesit dhe të njeriut, të arrijnë sintezën harmonike të njeriut dhe të artistit, ashtu siç ka mundur të shquhet Petro Markoja në këtë plan.” (Kërkime, 1990, f. 158). Paraqitja e shkrimtarit me dy romanet e para Hasta la vista dhe Qyteti i fundit në vitet ‹60 shënoi një kthesë të jashtëzakonshme në historikun e romanit shqiptar, madje në distancë kohore mundet të thuhet, me bindje dhe argument, se librat e tij hodhën themelet këtij zhanri, sidomos në rrugën e shkrimit bashkëkohor të letrave shqipe. Në shkrimin e romaneve, megjithatë, spikatet si pakkush tjetër në trajtimin e temës së luftës, pothuajse në të gjitha përmasat, duke përfshirë një hapësirë të pazakontë që shpesh rrok vetë kontinentin europian. Duke qenë kështu një dëshmi letrare e lindur në vlagën e luftës, me gjasë të tmerrit dhe pasojave, fokusi i ligjëratës mbi humanitetin dhe poetikën e ajsbergut do të jenë romanet Hasta la vista, Qyteti i fundit, Një emër në katër rrugë, Nata e Ustikës, që ka në fokus ligjërimin e motivit të luftës, të shtrirë në të gjithë kohështrirjen e vetë. Përbashkësia e këtyre teksteve, të tipologjisë së romanit, lidhet me këto momente:

    A. Me pasqyrën kronologjike të Luftës së Dytë Botërore.

    B. Me praninë e ndjenjave më të brishta njerëzore, si linjë e dashurisë, që në veprën romanore të autorit përcillet edhe si streha e qenies njerëzore.

    C. Me sendërtimin e poetikës së ajsbergut si një tipologji shkrimore e njohur e Brezit të Humbur.

    Kronologjia e luftës vjen e plotë:

    – Sinjali i parë zë fill me Hasta la vista, që vetëm sa ngre siparin e kronikës letrare me temë qendrore luftën. Pikërisht në këtë faqe të artit tregimtar Petro Markoja do ta bëjë shmangien e parë nga shablloni i doktrinës zyrtare të realizmit socialist, duke shqiptuar në tekstet e tij një poetikë thelbësisht të ndryshme prej saj, veçanërisht në lëvrimin e romanit. Është romani i parë i autorit dhe pa mëdyshje, edhe më i rëndësishmi për kohën, si në rrafshin tematik ashtu edhe në atë artistik. Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se lajmëroi kthesën në rrjedhat historike të romanit shqiptar. Ky tekst, në kuptimin e dëshmisë, sjell rrëfimin e luftës në Spanjë, ku ngjarjet rrjedhin në dy binarë: rrëfimi për luftën dhe rrëfimi për dashurinë, ku na zbulohet linja e dashurisë ndërmjet luftëtarit shqiptar Gori dhe infermieres spanjolle Anita.

    – Kulmi i fatalitetit, i shqiptimit të ankthit të luftës, zbulohet në romanin Nata e Ustikës, që na vjen me pamje të pazakonta dhe tejet tronditëse, ku qenia njerëzore zvarritet, por, megjithatë, edhe në rrethanat e ferrit dantesk, nuk e ka humbur fillin e vetë ekzistencial. Rrëfimi edhe në këtë tekst ndjek dy linja narrative: atë të terrorit ndaj të burgosurve dhe linja intime, e dashurisë, ndërmjet Andreas dhe sllaves së bukur me emrin Sonja.

    – Mbarimi i luftës, si një jehonë dëshpërimi e jashtëzakonshme, në tekstin Qyteti i fundit, ku linja e dashurisë na shpalohet me lidhjen e Ana Maria Montit me Lekë Gurrën, pra e prostitutës me oficerin shqiptar, ku madje zhvillohet ideja se dashuria nuk ka kombësi. Pamja e vërtetë që na ofrohet në këtë tekst, pjesërisht i shkruar në formën e ditarit, ka në qendër ushtrinë humbëse që tashmë është pushtuar nga ankthi i pamundësisë së gjetjes së shpresës të mbytur në kalvarin e mungesës së perspektivës.

    – Pasojat që solli lufta me tekstin e romanit Një emër në katër rrugë që, në fakt, mbyll kapitullin thelbësor të krijimtarisë së autorit. Romani shkruhet në vitin 1972, por për një kohë të gjatë mbeti dorëshkrim, sepse e pa dritën e botimit vetëm në vitin 2001, duke ndier dhe duke prekur kështu edhe në historinë e ndalimeve të romaneve të shkrimtarit. Në të rrëfen botën shqiptare të viteve ‘30 dhe pjesën e parë të viteve ‘40 të shekullit të kaluar, të shpaluar përmes katër perspektivave, katër realiteteve dhe alternativave që barten përmes katër Gjikëve, të cilët kanë lindur në Dhrimadh, buzë detit Jon. Katër Gjikët që, në fakt, mëtojnë ta përthithin realitetin shqiptar dhe arrijnë ta projektojnë me sukses të nesërmen.

    Trajtimi i temës së luftës në këto katër tekste e bën jo vetëm mbizotëruese atë, por në aspektin e shenjëzimit estetik edhe skalit tiparet e një kronike letrare që përmbi të gjitha sendërton epopenë e luftës. Vetëdija e tmerrit, e barbarisë së luftës, ndërkaq shoqërohet mjeshtërisht edhe nga vetëdija e largimit me çdo mjet, ku vendin e parë e zë ndjenja erotike, prej ankthit të tmerrshëm. Në këto romane me motiv mbizotërues luftën, krahas epizmit tipik, kemi të ndërfutur edhe lirizmin e brishtë të toneve të shumëngjyrta, të cilat shpallen artistikisht me anë të ndjenjës së dashurisë. Faqet e prozës së Petro Markos, posaçërisht të romaneve të tij, në të gjitha kuptimet dhe penelimet estetike, në fakt më tepër, reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas ferrit të luftës, gati të paimagjinueshëm, nëpër të cilin kalon njeriu, në rrëfimin e Petro Markos, megjithatë, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Erotikja, e rrokshme në të gjitha tekstet e romaneve të P. Markos, që ka ndihmuar realisht në ikjen shpirtërore nga ethet e luftës për në qiellin e dashurisë, shpaloset në kaq shumë forma:

    – Si një ëndërr e bukur dhe e jashtëzakonshme për të shpëtuar nga lufta shkatërrimtare dhe tmerri i saj.

    – Si një rreze drite, ku prekim rropatjet njerëzore për të mbetur gjallë, edhe në rrathët danteskë të burgut fashist.

    – Si një çast që përshkohet nga mjerimi dhe zvetënimi i qenies njerëzore, që sjell natyrshëm mbarimi i luftës.

    – Si një ilaç shërues për të zbutur brengat e saj, mbase edhe për të shpëtuar nga ankthi i parrëfyeshëm i kësaj kohe pa kohë.

    Me këto romane, por edhe me të tjera, pa asnjë mëdyshje që Petro Markoja hyri në një ndër personalitetet e shquara të kulturës, të cilët sollën risi të pazakonta në traditën letrare shqiptare në shkrimin e romanit. Te vepra e gjerë artistike, realizuar në të gjitha llojet letrare, e diçka më e rrokshme si faktologji letrare, në prozën e larmishme, mbi të gjitha rrezaton besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor. Romanet Hasta la vista, Një emër në katër rrugë dhe Nata e Ustikës, pa asnjë dyshim, janë nga romanet më autobiografike në letërsinë tonë që japin plotësisht dëshminë e dyfishtë, si jetë tragjike autoriale dhe si shenjëzim estetik, unik dhe vetjak. Ndërkaq me personazhin femër, shenja më e qartë e pranisë së humanitetit dhe rrezëllitjes së pranisë së qenies njerëzore, P. Markoja theu disa tabu të kohës, jo vetëm se femra ishte e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universale sa mund të lidhë edhe dy njerëz të kombësive të ndryshme, por edhe për faktin e thjeshtë se femra në tekstet romanore të tij zuri një vend të merituar, qoftë edhe kur ajo ishte prostitutë. Shkrimtari është në anën e saj dhe e mbron, e adhuron guximin e saj, por është po kaq fuqishëm edhe me feminitetin dhe bukurinë që bart.

    Prania e luftës dhe e dashurisë, e rrokshme përgjithësisht në romanet e autorit, diçka më e thellë si përjetim etik dhe estetik, na shqiptohet në këto katër romane, shoqëruar ndërkaq edhe me një tis dëshpërimi dhe trishtimi rrezëllitës, të krijon bindjen e thellë se këto romane ia kanë mbërritur të skicojnë në letrat shqipe tiparet letrare të Brezit të Humbur. Fakti që Brezi i Humbur, në mënyrë të posaçme poetika e tij, është lidhur pazgjishmërisht me dy mjeshtër të shkrimit letrar, me Heminguejin dhe Remarkun, me të cilët P. Markoja ka pasur marrëdhënie dhe letërkëmbim, të shpie natyrshëm te hipoteza e gjasës, e lidhjes së këtyre romaneve pikërisht me këtë poetikë, sidomos si një fakt promovues në letrat shqipe që, megjithatë, do të kërkonte hulumtime dhe shqyrtime më të thelluara dhe të posaçme, tashmë vetëm mbi pranëvënien e teksteve të secilit shkrimtar. Ngjyresat e romaneve të Markos, si dhe dëshmimi i faktuar i marrëdhënieve me dy autorët, pra me themeluesit e poetikës së ajsbergut, si dhe të dy përfaqësuesve me të shquar të shkrimtarëve të Brezit të Humbur, na nxit mendimin që të hedhim një vështrim në aspektin e përqasjes së ndërmjetshme, për të hetuar gjithsesi ndërlidhjen me atë poetikë. Prandaj, së pari, po sjellim idenë e Heminguejit, themelhedhësi i këtij modeli letrar, ku përmblidhet edhe vetë teoria e ajsbergut: “Në qoftë se një shkrimtar proze e di mirë se çfarë po shkruan, në qoftë se shkrimtari po shkruan në mënyrë të vërtetë (reale), atëherë do të ketë një ndjenjë po aq të fortë sa t’i kishte përjetuar edhe vetë ato ndjesi në libër. Dinjiteti i vërtetë i lëvizjes së një ajsbergu qëndron te fakti që ai nxjerr në pah vetëm 1/ 8 e tij mbi ujë.” Nga ana tjetër, pikërisht kjo rrethanë specifike e kësaj poetike, të magjisë shkrimore të pranisë dhe papranisë së pamjeve, reale dhe estetike, të endur mjeshtërisht nga Hemingueji, ndërkohë është pohuar edhe nga kritiku Jackson Benson, kur shprehej: “Teoria e tij e ajsbergut, në kombinim me qartësinë e të shkruarit, e bënte Heminguejin të distanconte veten nga karakteret që ai krijonte. Atëherë, në këto rrethana, gati bëhet e pashmangshme krahasimi i romaneve të Markos, veçmas me poetikën e ajsbergut, e cila prushitet dhe rroket në hapësirat e teksteve romanore. Në fakt, lidhja me këtë poetikë, të ekzistencës së Brezit të Humbur, në fillim shfaqet si hije adhurimi për Heminguejin, çka vjen e plotë në faqet e romanit Hasta la vista, ku pikëpërkimet me romanin Lamtumirë armë janë të rrokshme:

    – Formale, sepse kemi të bëjmë me një situatë të njëjtë që përcillet me përmbysje kuptimore, Lamtumirë armë e Heminguejit dhe romanit Hasta la vista të Markos.

    – Paraqitja e atmosferës së luftës, zymtësisë dhe dëshpërimit që, në fakt, e përtheksojnë edhe më shumë ngjashmërinë e tyre, madje deri në cakun e dy pikave ujë.

    – Me praninë e humanitetit tronditës, që në mënyrë të posaçme me skenat e dashurisë ndikon sadopak për të zbehur dhe për të mërguar tmerrin e luftës.

    – Dy protagonistët e romaneve të Heminguejit dhe Markos, sipas hapësirës së teksteve, bien në dashuri me infermieret, heroinat që nuk mungonin kurrë në frontin e luftës.

    Ndërkaq, edhe në tekstet e tjera të Markos me temë luftën, gjithnjë duke vënë përballë tmerrit të luftës dashurinë e madhe, siç edhe ka ngjarë në tekstin Qyteti i fundit, ku madje lidhja erotike me prostitutën të ndërmend krejt natyrshëm situatën e romanit Harku i triumfit shkruar nga Remarku. Romani Një emër në katër rrugë, që diç më tepër sendërton një qasje të shkrimit të epopesë për kohën e luftës, gjithsesi pa e humbur marrëdhënien me poetikën e ajsbergut, ka mundësuar shqiptimin estetik në letërsinë shqipe, të fatit të qenies në atmosferën e luftës, që sjell shkatërrim dhe mjerim. Kurse romani Nata e Ustikës, për ritmikën e rrëfimit, frazën që bartin shenjat e poezisë, prozës dhe dramatikës, nga njëra anë shënon kryeveprën e shkrimtarit, si dhe një nga pasuritë unike romanore të letrave shqipe, e veçmas në anën tjetër paraqet një tekst letrar të njëmendtë, ku sërish poetika e ajsbergut shpalohet në të gjitha kuptimet dhe përmasat, formësimin dhe strukturimin e vetë.

    Romanet e Markos, pjesa më e madhe e tyre, veçmas katër tekstet që morëm në shqyrtim në këtë ligjëratë, shënojnë një dëshmi të pranisë dhe pasurisë së humanitetit në mes të tmerrit të luftës, një shenjë e qartë e ndërlidhjes me poetikën e ajsbergut, madje na sjellin në vëmendje edhe një nga krijuesit më të shquar të këtij modeli, së paku të letërsisë shqipe, si dhe po kaq edhe një fakt të ligjërimit modern të letërsisë, që lexohet dhe shijohet, siç thotë Harold Bloomi në librin Si dhe përse të lexojmë: “…për kënaqësi estetike dhe tjetërsimi shpirtëror.” (2008, f. 153), çka ngjet në leximin dhe rileximin e trashëgimisë letrare të shkrimtarit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË