More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Gegnishtja - mallkimi dhe lavdi i Martin Camajt

    Behar Gjoka: Gegnishtja – mallkimi dhe lavdi i Martin Camajt

    “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, – thotë Martin Camaj,- një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”.

    Tekstet letrare/joletrare, gjuhësore/studimore, pa asnjë përjashtim, M. Camaj, i realizoi në gegnishte, pra në variantin letrar më të hershëm të historisë së gjuhës shqipe. Përveçse këtij varianti në krijimtarinë e gjerë dhe të larmishme letrare dhe studimore, kemi të pranishme një mori fjalësh të arbërishtes, një variant tjetër i hershëm dhe bashkëkohor i ligjërimit të shqipes. Madje, mund të themi se ky ligjërim, pra në gegnishten e përpunuar, shoqëruara me leksik të arbërishtes, kaq i shtrirë dhe funksional në veprën e tij, përveçse shenjë e vetëdijes autoriale, është dëshmi e ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe në harkun kohor të bashkëkohësisë. Prania e gegnishtes dhe arbërishtes, me ngjyresa shprehëse dhe sendërtuese, pasuruese dhe përplotësuese të shkrimit në gjuhën shqipe, figuruese dhe plasuese të teksteve letrare, ka ndikuar në shpalimin e një realiteti letrar të mëvetësishëm dhe unik, vetjak dhe origjinal. Në këto dy koine, padyshim më të hershmet letrare, ku gegnishtja promovohet me Mesharin e Buzukut, e shoqëruar edhe me praninë e stilemave ligjërimore të arbërishtes, e cila e ka nisur shtegtimin me E Mbasme e Kërshtenë të Matrëngës, zë fill shkrimi i gjuhës shqipe, pamëdyshje edhe shkrimi letrar, andaj vijimi i lëvrimit të tyre në kushtet e ndalimit me ligj të pashpallur, por edhe në mungesë të atdheut dhe të shqiptimit të gjuhës amë, ndikon për ta parë kryekëput vetëm si një dukuri të vetvetishme dhe unike të letrave shqipe.

    Unike si gjuhëshkrim dhe shqiptim letrar, e ngjizur me vetëdije dhe dëshirë kreative, veçmas si më e spikatun për harkun kohor të lavrimit dhe shpalimit modern të shqipes, të ngjeshur më shumë, me sprova të dështuara, të shkrimit si shërbesë dhe antishërbesë joletrare, por edhe me eksperimentin e pandërprerë të sendërtimit të artit të fjalës. Aq më tepër, që me veprën letrare të Martin Camajt, kemi të bëjmë jo vetëm me një zgjedhje autoriale, por edhe me një vetëdije shkrimore, shkencore dhe artistike, gjuhësore dhe letrare, të dëshmuar në morinë e kaq shumë teksteve letrare, ku gjejmë të lavruar të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, mbase me faktin e një përgjegjëshmërie të lartësynuar shkrimore/letrare të mbajtjes gjallë dhe në lartësinë e merituar të këtyre dy varianteve të hershme të shkrimit letrar, pra të gegnishtes dhe arbërishtes, si një gjurmë ligjërimi e pashkëputshme, po kaq e evoluimit të thellë të gjuhës shqipe. Martin Camaj e lëvroi gegnishten dhe arbërishten, porse si pak të tjerë shkrimtarë të letrave shqipe, e pa letraren si një proces të shumëfishtë dhe si një proces eksperimental:

    – Që përfshin brenda vetes njohjen e përvojës së mëhershme, të letërsisë së përbotshme dhe asaj të shkruar në gjuhën shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, çka dëshmohet me tepri në përthithjen e shumicës së teksteve të shkruara prej tij.

    – Që përmbledh në vetvete praninë e eksperimentit letrar dhe gjuhësor, të gjerë dhe të përfunduar në shumicën e teksteve, si një akt që shkatërron rregullat fikse dhe njëherit shpik të tjera, ku do të majftonte sjellja në vëmendje e teksteve poetike Nema, Buelli dhe Palimpsest, si dhe teksti më natyrë sinkretike letrare, ku janë bashkëlidhur në një situatë të pashqitshme, poezia me prozën, pra Dranja ose kryevepra e shkrimtarit, siç e përcaktojnë lexuesit dhe studiuesit.

    – Që mbetet tekembramja vetëmse një akt shkrimor autorial, që i mbishtresohet arritjeve të letrares në të gjithë pentagramin e vet ekzistencial, gjë që preket sidomos nga lëvrimi i gegnishtes dhe prania e arbërishtes, gjithnjë në rrethanat e ndalimit të tyre, tashmë vetëm si akt letrar i pastër.

    Prania dhe roli i tij si autor specifik dhe i papërsëdytshëm në letrat shqipe, si letrare dhe gjuhësore, sidomos i formatit të bashkëkohësisë, madje si një nga rastet e vetëdijshme kur dëshiron dhe aspiron, që ta zbulojë universin letrar të sendërtuar jo rastësisht me variantet e gegnishtes dhe arbërishtes, porse edhe si një fakt dhe dëshmi e kërkimit të vazhdueshëm të sprovës dhe eksperimentit letrar, që pa asnjë përjashtim përfundon me kualitet. Pohimi i bërë nga vetë shkrimtari, pamëdyshje në një çast dëshpërimi dhe vetëdije të plotë, më tepër ngjan me një thirrje dhe klithmë të mbrame të Martin Camajt, si një lajm dhe kumt i rrezikut të kanosur, sjell në fokus gjithë situatën e sipërmarrjes së ligjërimit, letrar dhe gjuhësor, studimor dhe të kritikës letrare, pikërisht në këto dy variante, por edhe të qasjes për t’i përkushtuar gegnishtes, por jo më pak edhe arbërishtes, në të gjithë jetën, si dhe në të gjitha aspektet e shpërfaqjes së tyre.

    Martin Camaj

    Këtë rrethanë e sqaron J. Lankshi, ish-student dhe përkthyes i disa teksteve të shkrimtarit, kur shkruan: Puna s’âsht që nuk e njihte gjuhën e unjisueme. Ai i njihte fort mirë të gjitha varietetet e gjuhës shqipe. Nuk do kishte pasë telashe me shkrue tosknisht apo unjisuemisht. As nuk shkruente gegnisht për shkak të njifarë komoditeti ose të të kenët i mësuem me gegnishten. Camaj e përdori gegnishten në bazë të nji vendimi dhe vullneti të kjartë e të vetëdijshëm – me luftue për gegnishten. Pra, arbërishtja dhe gegnishtja, sidomos kjo e fundit, gjithnjë simbas Joakim Lankshit, është përjetuar dhe projektuar nga shkrimtari si një aspiratë dhe betejë në mbrojtje të gjuhës dhe kulturës shqiptare, në mbrojtje të hershmërisë dhe mbijetesës së vlerave të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Këtu më tepër se gjithkund tjetër, në qasjet jo dhe aq të shumta ndaj autorit dhe veprës së tij, portretizohet figura madhore, letrare dhe gjuhësore e Martin Camajt, si dhe vetëdija e shpallur për të shkruar në këto variante letrare, e jo në gjuhën e njësuar. Po kaq rëndësi, në këtë kontekst dhe më gjerë se sa kaq, merr edhe pohimi i bërë prej tij, gati në mënyrë të drejtëpërdrejtë, që në fakt rreket të zbulojë tiparet më thelbësore të shkrimit të gegnishtes, si ligjërim shkencor dhe letrar të autorit, teksa shkruan: Duhet theksue se lufta e Camajt për gegnishten nuk ishte nji luftë qorre, për gegnishten e kohës së Fishtës. Camaj angazhohej për parimin jo të divergjencës, por të konvergjencës së gegnishtes me “gjuhën e njësuar », si një arsye më e fortë, që e zbulon realitetin dhe rrethanat e ndalimit, por i tipareve të ndryshme shkrimore, letrare dhe gjuhësore, krahasuar me shkrimin e Fishtës, patriarkut të poezisë epike shqipe, e mallkimit dhe sqarimit të mos përfshirjes së veprës së gjerë dhe përplot laryshi të Camajt, në meritën që bart letrarja e sendërgjuar prej tij, në vetmi dhe angështinë e mungimit të atdheut dhe njerëzve të dashur, ende sot e gjithë ditën, në panteonin e letrave shqipe. Në mbështetje të kësaj teze, që nuk ka gjasa të lihet përanash debatit përmbi gjuhën dhe letërsinë për shumë kohë, në njëfarë mënyre është edhe A. Klosit, ku spikatet thënia e tij: Vepra e një jete me produktivitet të pazakontë mund të ndahet në veprim letrar, veprim filologjik, veprim kulturor. Ndërsa të parit i rri kurorë mbi krye poezia, veprimi filologjik përshkohet fund e krye nga rezistenca gjuhësore, shprehur në ruatjen e gegnishtes letrare për brezat më të rinj, që në fakt e zbulon kontributin e tij në prekjen e shenjave të gjithanshme dhe përfaqësuese të veprës dhe të figurës së shkrimtarit, si dhe hedh piketa të qarta të trajtimit dhe verifikimit të kreatives, letrare dhe gjuhësore të sendërtuar prej autorit. Lankshi, në një pohim tjetër, në pamje të parë krejt si një rast i zakonshëm, në fakt zbulon dhe shenjon pengimin kryesor të teksteve të tij në marrëdhënie me lexuesin e sotëm, kur nënvizon: Gjuha e Martin Camajt mund të jetë nji si pengesë tjetër në përceptimin e veprës së tij e cila nga shumëkush apostrofohet si ikonë e lashtë dhe e vyer, por njihet bukur pak. Gjuha e kësaj vepre, ndonëse âsht nji gegnishte mjaft e moderueme, prapëseprapi e ballafaqon lexuesin jo vetëm me pasuninë e pazakontë të frazeologjisë së gegnishtes, por në radhë të parë edhe me jo pak lekseme pak të njohuna a të panjohuna – kjoftë nga leksiku i letërsisë së vjetër shqiptare, sidomos i asaj të arbëreshëve të Italisë, apo kjoftë edhe neologjizma të krijuem nga vetë Camaj.

    Përcaktime të këtilla, sugjeruese dhe shpjeguese, tipizuese dhe karaketrizuese, sa i përket natyrës së letrares së lëvruar nga Camaj, pra duke vijuar me vetëdije dhe magji shkrimi lavrimin e gegnishtes, si ligjërimi letrar dhe studimor, porse duke marrë dhe futur në tekstet e tij edhe shenja të përfillshme të arbërishtes, që në fakt jo vetëm në distancë kohore, por edhe në vijimësinë e qëndrimit të mbajtur ndaj tij, janë mallkimi dhe lavdia e shkrimtarit. Ligjërimi i gegnishtes, padyshim dhe përngjitazi me të, i shenjave të arbërishtes, përbën një rast specifik dhe unik në harkun kohor të letërsisë bashkëkohore shqipe, madje të vetmin akt të konsekuencës dhe koherencës për të ligjëruar me anë të tyre, edhe në mërgim, madje në kushtet e ndalimit të kthimit në dheun amë, por edhe të braktisjes absurde dhe pa një shpjegim logjik, të ligjërimit të gegnishtes edhe në Kosovë. Këtu, ndoshta me ndonjë përjashtim të vogël, siç ka ngjarë fillimisht me tekstet në prozë të Anton Pashkut, të cilat u shkruan dhe lavruan në gegnishte, porse dikur-dikur, mbase trusuar nga rrethanat e pazakonta të standartizimit të ligjërimit letrar dhe gjuhësor, mjerisht si mënyrë funksionimi më tepër në nivelin e një rregulloreje të njësuar, pjesërisht ato tekste u përpunuan në situatën e ligjërimit të njësuar të gjuhës shqipe. Shkrimi letrar, në variantin e gegnishtes, me shenja të arbërishtes, përbën një akt dhe dëshmi të cilën lexuesë dhe studiuesë të ndryshëm e përjetojnë dhe trajtojnë në linja, shpesh krejt të përkundërta, midis tyre:

    A – Linja zyrtare e të dy anëve të kufirit, pra qofshin profesorat dhe akademikët e Shqipërisë (të lëmit të studimeve letrare dhe gjuhësore), po ashtu ato të Kosovës, faktin e shkrimit të gegnishtes dhe arbërishtes e përjetojnë si një akt i ndryshëm, madje krejt i përkundërt me zhvillimin normal, që ka marrë gjuha dhe letërsia shqipe, fill mbas kodifikimit të saj, me norma dhe rregulla të një standardi detyrues (sa gjithnjë e më shpesh të përkujton një rregullore të mirëfilltë ushtarake, e cila në rrethanat e lirisë së shprehjes përfaqëson një pengojcë për shpërfaqejn e diversitetit gjuhësor dhe letrar) për gjuhën e komunikimit të gjerë, tipik në shkolla dhe administratë, në media dhe në mjediset shoqërore, por mjerisht me funskione unifikues për gjuhën e letërsisë. Pasojë e këtij gjykimi dhe qëndrimi, thelbësisht përjashtues dhe ngushtimi të hapësirave të ligjërimit letrar, madje me mangësi shkencore në marrëdhënie me realitetin ekzistencial të gjuhës shqipe, pra që nuk e vë në lëvizje idenë e diversitetit (ndryshueshmërisë) gjuhësor dhe letrar, patjetër si shenjë e përfaqësimit të qenies, ndonëse e pa shprehur hapur, jo prej padijes së tyre, por më shumë prej hipokrizisë së heshtjes bizare (nënkuptohet të botëkuptimit ideologjik dhe sociologjik), janë faktet e një formulimi të habitshëm të natyrës së krijimtarisë së shkrimtarit Martin Camaj, pra kryesisht si autor i së kaluarës, e më liksht ende si poet vetëm i gegnishtes, e jo i shqipes (sikur gegnishtja nuk i përket gjuhës shqipe), si poet cilësor dhe jo si prozator dhe dramaturg i letërsisë shqipe, pra gjithnjë duke ia mohuar ose harruar qëllimisht një pjesë të përfillshme të vlerave letrare të krijuara praj tij. Linja e mallkimit dhe ndalimit të Camajt, si emër dhe vepër gjuhësore dhe letrare, për faktin e lëvrimit të gegnishtes, si dhe më jo pak shenja leksikore të arbërishtes, përpos tjerash ka të bëjë, më tepër:

    – Me përjashtimin nga hierarkia letrare, e variantit më të hershëm të letrave shqipe, pra të krijimtarisë së Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit etj. , si dhe e kundrimit të këtij formati të ligjërimit parak dhe zanafillor të shqipes, nga një masë e përfillshme e studiuesve të zyrtarshëm, e tyre si vetëm me vlera gjuhësore dhe historike, pra duke ia mohuar praninë e vlerave letrare. Për shqyrtuesit zyrtar të letërsisë shqipe, letërsia e mirëfilltë zë fill me De Radën dhe N. Frashërin, që i përkasin shekullit të XIX, ku vetëkuptohet se kemi një shpikje të radhës, me termin letërsi e mirëfilltë. Prej këtu merret vesh se pjesa e mëhershme, duke mos qenë e mirëfilltë, gjithnjë simbas studiuesve të zyrtarshëm, nuk i përket letrares që do të duhet të lexohet dhe konsiderohet si e tillë.

    – Me shpërfilljen e ligjërimit të gegnishtes (po kaq të variantit të arbërishtes, porse me një fakt të shpërdorimit të saj diç më tepër, sepse ajo tashmë është përkthyer në shumicën e vetë, e pothuajse është zhdukur gjuha e autorit) edhe më përtej sinoreve zyrtare, para dhe mbas lirimit të vendit nga pushtuesit e radhës, që të shpien krejt natyrshëm tek moti jo fortë i largët 1972, që kodifikoi njësimin e gjuhës shqipe, por bashkë më të realizojë, në mënyrë të fshehtë dhe të pashpallur me ligj, edhe ndalimin e ligjërimit të letërsisë me variantet e mëparshme, pra në gegnisht dhe arbërisht, që në fakt ligjërimin letrar të shqipes, nga me shumë ngjyresa, e unifikoi deri në shterpësi shprehëse, saqë shkrimtarët e periudhës unifikuese ngjajnë si të ishin vëllezër siamez dhe pa asnjë nuancë dallimi të ndërmjetshëm.

    – Me pikësynimin e realizuar, tashmë në fshehtësi dhe pa asnjë rezultat me vlerë kodifikimi të shkrimit letrar, për përkthimin në gjuhën e njësuar të shumicës së teksteve të shkruara në variantin e arbërishtes (të De Radës, Serembes, Darës, pra jo transliterim i teksteve të tyre, por ndryshim vargjesh dhe konceptesh), ndërsa ka shpëtuar Z. Skiroi, thjesht dhe vetëm nga fakti sepse ka qenë anëtar i partisë fashiste (çka bëri që të përzihej për shumë kohë nga panteoni i letrave shqipe), por edhe të ndonjë teksti në gegnishte, rrekje të cilat mbetën në zgrip për shumicën e shkrimtarëve.

    – Me ngritjen e nivelit gjuhësor, letrar dhe shkencor, veçmas të tjerëve, nga shkrimtaria e Camajt, një ligjërim letrar modern dhe një eksperiment i pandërprerë në të gjithë gjinitë dhe llojet letrarë, madje duke dëshmuar kështu qartësisht, me tekstet të shumta dhe të larmishme, se koineja letrare e gegnishtes, natyrisht pa harruar atë të arbërishtes, jo vetëm nuk ka vdekur, por ka të gjitha shanset e mbijetesës dhe të ligjërimit letrar në vijimësi, madje si një gjasë e përtrimjes së tij, në rrethanat e lirimit prej detyrimit zyrtar, pengues dhe përjashtues.

    Kuptohet se kjo linjë, e pranishme si nëntekst i mos shqyrtimit, pra duke e lënë më tepër si të nënkuptuar faktin e ligjërimit letrar dhe shkencor në variantin e gegnishtes (me jo pak fjalë nga arbërishtja), e sheh këtë fakturë artistike nga më origjinalet e ligjëratës letrare në gjuhën shqipe, sidomos të harkut kohor të letërsisë bashkëkohore, si një mallkim dhe pengesë për t’u përfshirë realisht në rrjedhat e letrave shqipe, e veçmas për t’u përfshirë në to si risim dhe eksperiment, që e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit letrar edhe në variantin e gegnishtes, po kaq edhe të arbërishtes. Në mënyrë fare absurde, gjithnjë sipas gjasash më shumë të shpaluara me nëntekst dhe heshtje paradoksale, Camaj duke shkruar me këtë dialekt (variant letrar të hershëm dhe bashkëkohor), kinse ka shkuar kundër prirjes së unifikimit të gjuhës letrare shqipe, çka në fakt është e vërtetë vetëm në kuptimin rapsodik dhe jashtëgjuhësor të vështrimit të fatit të gjuhës shqipe. Porse, në mënyrë djallëzore dhe aspak shkencore, harrohet dhe nuk përfillet enkas, në këtë rast specifik të shkrimit letrar në gjuhën shqipe, posaçërisht në koinenë e gegnishtes dhe me praninë e leksikut dhe të trajtave ligjërimore të arbërishtes, fakti i shkrimit të letrares si gjuhë e autorit, e cila përgjithësisht i vë në dyshim dhe i rrëzon rregullat e shpikura të njësimit, dhe njëherit shpik dhe formaton disa mënyra të reja të shkrimit artistik, tashmë vetëm si gjuhë e letërsisë. Pra, duke mos i përfillur këto shenja, sidomos në nivelin e shkrimit letrar (poezi, prozë dhe dramatikë) rregullat e shkrimit të njësuar të letrares, ka gjasa që Camaj ta ketë vetëpërjashtuar veten nga panteoni i letrave shqipe, pra ai ka hyrë dhe me gjasë do të mbetet si shkrimtari jashtë kohe, jashtë rrjedhave të ligjërimit letrar, madje edhe jashtë hapësirës së trojeve shqiptare, gjithnjë simbas optikës së pa artikuluar qartësisht dhe publikisht, së paku deri më tani, por të mirëmenduar nëpër vite nga studimtaria zyrtare. Kjo mençuri dritëshkurtër dhe pa perspektivë, mjerueshëm edhe e titujmbajtësve të shkencave letrare, akdemik dhe profesora, (të cilët rrëmojnë më kot nëpër letërkëmbime dhe thkellinat e biografizmit vulgar, me shpresën se do të zbulojnë atë që në fakt e bartin tekstet letrare, pra magjinë letrare), përgjithësisht dhe veçmas nuk ka lidhje me shkrimin e letrares, gjithnjë simbas teorive letrare, klasike dhe moderne, si gjuhë e letërsisë dhe gjuhë e autorit, dy tregues të vlertë të shenjimit të letrares, pavarësisht gjinisë apo llojit letrar.

    B – Linja jozyrtare dhe diçka më tepër ajo antizyrtare, që zë fill dhe kulmohet me mendimet e Arshi Pipës mbi natyrën e krijimtarisë së Martin Camajt, përmbi përmasat dhe modelin letrar të këtij autori, e sidomos fakti i ligjërimit në variantin e gegnishtes, pamëdyshje edhe prania e disa formave të arbërishtes (siç ngjet me faqe të tëra në tekstin e romanit Karpa, por edhe diku tjetër, posaçërisht në prozat Shkundullima, Fshati me gjuhë të fshehtë etj.), po kaq si një tipar unik dhe adekuat i letrares së autorit, si një proces sprove dhe eksperimenti letrar, padyshim në shumësinë e vetë të përfunduar dhe me kualitet letërsishkrimor, shënon lavdi dhe mjeshtëri nga shkrimtari, gjurmë dhe dëshmi të shumta gjuhësore dhe letrare.

    Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare, gjithëgjinore dhe gjithzhanrore, po kaq e teksteve letrare dhe studimore, bart edhe shenja të tjera të dukshme dhe me vlerë jetike për shqiptimin letrar në gjuhën shqipe:

    – Me shpresën se gegnishtja, varianti i parëlemë i gjuhës shqipe, nuk ka « vdekur » njëherë e përgjithmonë, siç edhe e menduan dhe projektuan ekspertët e prishjes së normalitetit organik të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, gjithsesi nuk është tretur dhe shuar, ashtu siç e kanë dëshiruar dhe ëndërruar idhëtarët e zyrtarizimit të artit dhe gjuhës shqipe, pra në njëfarë mënyre të shkatërrimit të ekuilibreve të ligjërimit letrar si gjuhë e letërsisë dhe gjuhë e autorit, që në fakt standartizimi e sterilizoi si shprehësi letrare.

    – Me aspiratën e shpallur me libra letrar dhe gjuhësor, që gegnishtja dhe arbërishtja dhe çdo ngjyresë tjetër letrare, nuk ka asnjë shans që ta ndërpresë rrugëtimin e vetë, jo vetëm sepse flitet në një hapësirë të konsiderueshme, si shtrirje dhe gjuhë e folur, ku jetojnë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijëve, por mbi të gjitha sepse ky variant është shkruar kaq bukur në pendën e Camajt dhe të disa autorëve të tjerë, pamëdyshje të të gjithë periudhave letërsishkrimore, saqë e vë në zgrip çështjen e njësimit të gjuhës së letërsisë, si unifikim i ligjërimit letrar.

    – Me lartsynimin se gjuha e letërsisë, pra e thënë disi më ndryshe, gjuha e autorit, si shenjë e literaritetit në poezi a prozë, në dramatikë ose në verifikimin e studimtarisë, letrare dhe gjuhësore, nuk ka gjasa që të njësohet deri në shkatërrimin përfundimtar të artikulimeve autoriale, siç e sugjerojë dhe bëri ç’është e mundur që ta realizonte modeli zyrtar, gjuhësor dhe letrar i realizmit socialist, që dihet dhe është shqyrtuar pjesërisht se çfarë humnere krijoi në ligjërimin letrar të gjuhës shqipe.

    Lavdia e Camajt, si shkrimtari i eksperimentit letrar, si dhe i autorit më modern të letrave shqipe bashkëkohore lidhet, sidomos me faktin e shkrimit letrar në koinenë e gegnishtes, si dhe në koinenë e arbërishtes, në kohën dhe kushtet e ndalimit të tyre, por mbi të gjitha emri dhe fama e tij, si lëvrues dhe shkrimtar modern, lidhet me sendërtimin e disa teksteve të befasishëm letrar, në poezi me librat Nema, Buelli, Palimpsest, në prozë me novelat e thukta të shkrimtarit, por edhe me romanet Rrathë dhe Karpa, doemos edhe me sinkretikën letrare, të pagjasshme në letrat shqipe, veçmas me tekstin Dranja, një rast që e tejkalon nivelin e shkrimit të letërsisë në gjuhën shqipe, e cila pamëdyshje rrok edhe qiej të tjerë letrarë, pa harruar këtu edhe dramatikën me tekstet Lojë mbasdreke dhe Kandilja e argjandit.

    Përjetimi i realitetit letrar, specifik dhe unik, etik dhe estetik, gjuhësor dhe filozofik, dëshmues dhe shenjues, pikërisht ashtu siç e sendërton dhe ideon autori, pra në variantin e gegnishtes, si dhe me prekla të dukshme të arbërishtes, përbën një shkas për ta shijuar dhe kuptuar letraren e sendërgjuar prej tij, me aq veçanësi dhe finesë shkrimi. Termat, kinse shpjegues, përdorur me një shkujdesje të pa admirueshme, që nuk ka se si të të ngjallë shije pozitive, se i përket shkrimtarit të ekzilit, pra të mërgimtarit (kuptohet të përjetshëm), është një tjetër rrekje mejrane për ta shmangur, njëherë e përgjithmonë, Camajn dhe çdo shkrimtar tjetër, që nuk përfilli zyrtaritetin gjuhësor dhe letrar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, nga panteoni letrar dhe shtjellat e ligjërimit modern të gjuhës shqipe. Toeria letrare, sidomos ajo moderne, më se njëherë sugjeron dhe sqaron se nuk ka peshë dhe rol parësor vendi se ku ka shkruar një autor, por gjuha dhe prania e shenjave letrare në një tekst, pra shqyrtimi i vlerës apo i mungesës së saj mbetet, gjithnjë dhe vetëm në marrëdhënie me letraren.

    Shkrimtarët e ekzilit, pra mërgimtarët e përjetshëm, siç janë emërtuar nga studimet letrare zyrtare të shqipes, por edhe nga alabanologë të huaj, De Rada, Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, në të kaluarën e largët, Martin Camaj, Bilal Xhaferri dhe Arshi Pipa, autorë të rrafsheve bashkëkohore të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, nuk ka gjasa që të mbeten përjetësisht në udhëkryqin ekzistencial, të shpërfilljes përfundimtare, sepse na u përmendkërkanë ndonjëherë nga burokracia dhe studimtaria letrare, në ndonjë përvjetor, që pafundësisht dhe metodikisht, me ç’duket rreket vetëmse që t’i lërë jashtë rrjedhave të ligjërimit letrar në gjuhën shqipe si larmi dhe jo si unifikim mediokër dhe me vlera të dyshimta letrare. Zyrtariteti gjuhësor ka të bëjë më tepër me imponimin e shkrimit të letërsisë, vetëm sipas kodeve të rregullores drejtshkrimore, të miratuar në Kongresin e vitit 1972, nëse mund ta quajmë kështu ligjërimin e njësuar, i cili ka vënë në zgripin e mbijetesës gjuhën e autorit dhe të letërsisë, pra duke i larguar ato bukurshumë nga gjasat e shprehësisë letrare, ngjyresat e ligjërimit në këto variante (kuptohet në gegnishte dhe arbërishte), po ashtu zyrtarja letrare, lidhet vetëmse me modelin e realizmit socialist, të cilin shkrimtari i ligjërimit në thyerje të gjuhës së standardit dhe i eksperimentuesit të formave të larmishme artistike, e përbuzi dhe as nuk e përmendi asnjëherë. Rrethimi i Camajt, por dhe i ndonjë shkrimtari tjetër të kësaj periudhe shkrimi, pamëdyshje e sidomos i krijimtarisë së larmishme letrare, në poezi dhe prozë, në dramatikë dhe studimtarinë gjuhësore dhe letrare, në qarkun përjashtues të kësaj përvoje shkrimore, madje nga më origjinalet në letrat shqipe bashkëkohore, pra si një mallkim krejt i pashembulltë, në historinë e letërsisë shqipe dhe më gjerë se sa kaq, kryesisht për faktin e ligjërimit të variantit të gegnishtes (me shenja të arbërishtes), njëherit nga ana tjetër, të lavdisë për këtë fakt shkrimi, mbase do të duhet parë si një shans i mbijetesës së këtij varianti, e sidomos i diversitetit (ndryshueshmërisë) letrar, gjuhësor dhe kulturor, do të duhet të ndërpritet si një shenjë e keqkuptimit paradoksal të veprës së gjerë dhe plot laryshi të krijimtarisë së tij, e cila në pjesën dërrmuese i përkon modernitetit dhe shpalimit të një eksperimenti letrar të përfunduar me kualitet shprehës. Tekstet e Camajt dhe të ndonjë autori tjetër, që i shkuan, me vetëdijë dhe funksion të shpallur, letrar dhe gjuhësor, përkundër zyrtaritetit të gjuhës dhe të letërsisë së kohës së mediokritetit zyrtar, e shpëtuan gjuhën dhe letërsinë shqipe nga përtharja e plotë si ngjyrim dhe shprehësi letrare. Por, në kushtet kur gjendemi, të hapjes dhe mbylljes ndaj shenjave gjuhësore dhe letrare, pra vetëm të pengimit absurd dhe të pamundshëm që të vijohet kështu përgjithmonshëm, për disa variante dhe të folme të shqipes, dy-tre akte, sa më shpejt që të jetë e mundur, duhet të marrin fund:

    – Redaktimi gjuhësor, nëpër shtëpitë botuese (madje me ligje absurde mbi pengimin e ngjyresave të të folemeve përtej njësuarishtes, pra në mënyrë të posaçme i teksteve të shkruara në gegnisht dhe arbërisht), i librave me poezi, në prozë dhe dramatikë, përmes një standardi që ka të bëjë më tepër me komunikimin publik (pra kryesisht me atributin e gjuhës zyrtare) dhe jo aq shumë me gjuhën e letërsisë, pavarësisht mëtimit të tejzgjatun të gjuhëtarëve të zyrtarshëm.

    – “Përkthimi”, absurd dhe i pagjasshëm, që të ngjasë përjetësisht, i veprave të autorëve arbëreshë dhe të gegnishtes, sipas normës gjuhësore të standardit, sepse veçmas letrarja buron, gjithnjë sipas ligjësive të artit të fjalës, prej diversitetit kulturor dhe gjuhësor, pra ca më tepër prej çunifikimit të rregullave të ditura, si dhe në shpikjen e rregullave të reja, gjithnjë në funksion të letrares dhe maturimit të saj me shenja estetike, pra si një ikje dhe kthim i pashmnagshëm në letërsi.

    – Kthimi në gjuhën e njësuar të standardit, që në fakt i përjashtoi si gegnishten dhe arbërishten, të poezisë së Mjedës, De Radës, Serembes, Fishtës, Migjenit, Camajt, por edhe i prozës së Pashkut etj. , si detyrë e nxënësve dhe studentëve të shkollave shqiptare, pavarësisht se janë publike ose private, të larta apo të mesme, diç më e theksuar në Shqipëri, kryesisht pa i lexuar dhe kuptuar, pothuajse fare tekstet e këtyre shkrimtarëve.

    Zgjerimi i gamës së problemeve, që mbështjellë shkrimtari dhe vepra e tij letrare, vetëm sa zbulohet i plotë teksa sjell në fokus qëndrimin e vet Camajt, si një rruginë e munguar në shtjellimet letrare dhe gjuhësore të akademizmit shqiptar, zyrtar dhe jo zyrtar, kur shprehet: Besoj se tue ecë krahas gegnishtja e tosknishtja e shkrueme letrare, si dy motra të mira, pa ia pré rrugën njana-tjetrës, kanë vijue mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkëta, ku me të drejtë sugjerohet hapur se si do të duhet ligjëruar dhe lavruar gjuha e letërsisë. Madje, kjo vetëdije e qartë, gjuhësore dhe letrare, na zbulohet me akte të shkrimit letrar dhe joletrar, të variantit të gegnishtes prej dhjetëra shkrimtarësh, por edhe prej Martin Camajt, madje në rastin e tij, në një kualitet të ngritur letrar, që vetiu të shpie tek vetëdija letrare dhe shkrimore e sendërtimit të aq shumë tekstesh letrare dhe shkencore në variantin e gegnishtes dhe dromca fjalësh të arbërishtes.

    Gjasat janë që rishtas dhe pashkëputshëm, në mjediset zyrtare dhe jo zyrtare të akademizmit shqiptar, brenda dhe jashtë kufinjëve shtetëror, do të prekim vetëmse vijimin e dhunimit të gegnishtes dhe arbërishtes, si dhe të përjashtimit të zakonshëm nga panteoni i letrave shqipe të shkrimtarëve të saj, qysh me Buzukun, Budin, Bardhin, Bogdanin, Fishtën, Koliqin, Camajn, Reshpen, Pashkun etj. , ose më liksht ende të përkthimit të habitshëm (përshtatjes së mjerë), në gjuhën e standardit të De Radës, Darës, Serembes etj. , si dhe të vënies dorë në njësimin edhe të gjuhës së Konicës, Poradecit dhe të Paskos, çka do të thotë, as më pak e as më shumë, veçse ruajtje e piketave të vlerave gjuhësore dhe letrare të shpallura nga sundimi monist. Në mungesë të atdheut, në gjallje Camaj e kreu detyrën dhe misonin, e mbajti të ndezun kandilen e ligjërimit të gegnishtes, e tani në amshim u takon lexuesve dhe studiuesve që ose ta lënë jashtë rrjedhave të letrares ose ta përfshijnë në panteonin e letrave shqipe. Kthimi i Camajt, ligjëruesi dalëzot i gegnishtes, por nga ana tjetër kthimi i gegnishtesh do të thotë lartim dhe vlerësim i krijimtarisë së Camajt, mbetet një nyje gordiane, që kërkon mund dhe sakrifica, e mbi të gjitha lëshime shkencore të nevojshme, lejimin e lëvrimit letrar në këto variante të ndaluar. Nëse vonohemi, koha do ta bëjë me siguri, por bashkë me të koha do të hedh matanë jo pak shqyrtime, të kryera gjatë kësaj ndërkohje, në shumicën e vetë, pa i lexuar tekstet e Camajt. Prania si autor i bashkëkohësisë, që dëshiron ta zbulojë universin, me gegnishten, një fakt i sprovës dhe eksperimentit letrar, unike si gjuhëshkrim dhe shqiptim letrar, e ngjizur me vetëdije kreative, diçka shpëton nga nderi i humbur i letrares së shekullit të kaluar. Në thelbin e vet gjuha e standardit, si gjurmë dhe dëshmi formale, nuk presupozon ndalimin e gjuhës së autorit, e larmisë që bart dhe përçon gjuha e letërsisë, përkundrazi janë gjuhëtarët dhe një masë doktorë-profesorash të letërsisë, që duan t’i japin asaj një atribut, gati të pamundshëm për ta patur, për gjithnjë dhe për të gjitha hapësirat, si metodikë shkrimore, që në fakt do të thotë vyshkje dhe shkatërrim përfundimtar i letrares së ligjëruar në gjuhën shqipe, si larmi dhe diversitet gjuhësor dhe letrar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË