More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Ferri dhe parajsa janë në këtë jetë

    Behar Gjoka: Ferri dhe parajsa janë në këtë jetë

    Shqyrtime studimore për romanin “Lindur së prapthi” të autores Rita Petro, botim i shtëpisë botuese “Onufri”

    Ndjesia që mbetet në mendje kur mbaron së lexuari romanin “Lindur së prapthi”, të parin tekst në prozën e gjatë të autores Rita Petro, poetes kontraverse, botueses së njohur dhe kualitative, është se qenia njerëzore, nuk merr asgjë në amshim. Kalimi në lëvrimin e romanit, shënon një cak tjetër të lidhjes së ngushtë me letërsinë, e prandaj kërkon një vëmendje të shtuar për të rrokur qasjen romanore. Kuptohet që kalimi në lëvrimin e romanit, pasi ka gjezdisur në poezi me disa libra, me jo pak shkëlqim në shkrimin e lirikës erotike, e cila ndërkaq ka zgjuar debate letrare dhe jashtëletrare, gjë që ka thelluar “betejën” autoriale me letërsinë. Romani, në letërsinë e sotme shqipe, pamëdyshje që është njëri nga llojet letrar me të parapëlqyer, njëherit mbetet një zhanër i hapur. Varësisht botimeve, pas viteve ’90, romani, formësohet në larmi formash dhe shprehësie, ndërkaq romani e mbizotëron ligjërimin letrar të shqipes. Nivelet e formësimit të zhanrit, edhe pse janë shfaqur antiromani apo postromani, ende vijojnë të jenë të pashterrura, pra gjithsesi vijon të mbetet një zhanër i hapur. Teoritë mbi romanin, si zhanër i hapur, theksojnë: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…“[1], si një ndër aspektet thelbësore, të lavrimit të prozës së gjatë. Teksti i romanit “Lindur së prapthi”, shpërfaqet disi ndryshe nga romanet e botuara, në kuptimin që kërkon rrugën e lëvrimit autorial. Shestimet e shpërfaqura kanë të bëjnë me qenien, me universin ekzistencial, i cili rreket në mes heshtjes dhe ligjërimit, për të ndarë me të tjerët, sidomos me lexuesin, me gjasë për të zbuluar dritëhijet e qenies. Romani, është thirrje për jetën, për dashurinë, sepse pikërisht në këtë jetë, është ferri dhe parajsa, e në amshim nuk marrim me vete asgjë. Letërsia dhe shpirti, shtegtojnë pandalshëm për te qenie njerëzore, gjer në pambarim.

    Dykohësia e realitetit letrar

    Parashtrimi subjektiv, pra shikimi i botës me sytë e vetë, nuk ka penguar, madje derdhur në qerthullin e personalizimit të skajmë, vijnë e konturohen në hijedritat e veta, të dy kohët:

    Së pari: E djeshmja, jo fort e largët, por që ende na ngatërrohet nëpër këmbë e nër tru, shpesh herë gjer në makth shkatërrimtar, e cila vjen me detaje të imtësuara, por edhe me ngjyrime nëntekstuale. Në frazën: “Nuk mund të kishim në shtëpi vezë sa të duam. As djathë. As mish.”(2022: 13), ku mungesat sjellin imazhin e së djeshmes, kredhur në mjerim. Sfondi tjetërsues, i kohës moniste shpërfaqet edhe në dialogun e personazheve: “I paskan internuar… ai që ka gruan bullgare?”(2022: 23), si një gjurmë e privimit të lirive të njeriut. Ka edhe situata të tjera, që e sjellin të djeshmen, si nënkuptim: “… çimkat brenda nëpër tuba…”(2022: 61). Për të ardhur deri të eufemizmi e pazakontë: “… shoh Udhëheqësin e Madh.”(2022: 77), në vend të emërtimit të përdorur gjerësisht, diktatori Hoxha, ku përcaktimi “Udhëheqësi i Madh”, përdoret nga G. Oruell, në romanin 1984.

    Së dyti: E tanishmja, e cila konturohet në marrëdhënie të ndërsjellë, me të kaluarën e djeshme, duke e vendosur qenien në një zgrip ekzistencial. Koha e tanishme, aktualiteti ku jetojmë, përçohet përmes detajesh, që e bëjnë të prekshme si gjendje letrare. Tanishmëria, si kohë konkrete, përgjithësisht shpërfaqet me shenja dhe elementë realë. E folmja e brendshme, e autores-narratore: “Të kaloj kontrollin e sigurisë dhe atë të pasaportës dhe do të jemi rehat pastaj”, – po i thosha vetes.”(2022: 20), të fusin në klimën e kohës aktuale. Situata e kohës së tanishme, shpallet edhe në komunikimin përmes mesazheve: “Faleminderit, zemër, për mesazhin. Prindërit më paskan marrë në Shtëpinë e Fëmijës. (2022: 33), e cila paraqet një formë të re komunikimi. Po ashtu pohimi: “Të gjitha shtëpitë e rrugicës janë shembur e janë ndërtuar pallate!”(2022: 40), që sjellë për lexuesin pasazhin e transformuar të qyteteve, sidomos të Tiranës, së kthyer në kantier ndërtimi, ku lartësohen kulla pafundësisht. Në faqet e romanit kemi edhe përcjelljen e kronikës së zezë: “…për një vajzë të mitur…që e goditi skafi i një polici të luante në breg të detit!”(2022: 53), duke ofruar një fakt tronditës të viteve të fundit. Ndryshimet që kanë ndodhur me qenien, në këtë periudhë, vijnë edhe në frazën: “Shkruhemi herë pas herë, i bëjmë like dhe zemra njëra-tjetrës. “(2022: 67), si tregues zhvillimi, por edhe si një dëshmi e automatizimit të qenies. Pa harruar marrëdhënien komplekse me rrafshet e leximit: “Entuziazmi ideologjik nuk prodhon as shkrimtarë e as lexues të mirë-përkundrazi, shkakton keqformimin e tyre…”[2], si një sinjal e bjerrjes së letrares, jo fort rrallë në ndërkohë.

    Dykohësia, e djeshmja dhe e sotmja, vendosur enkas në marrëdhënie të ndërsjellë, është sfondi dinamik ku luhen ngjarjet, përzihen hapësirat dhe ku shpërfaqen personazhet, veçmas të tjerëve, protagonistja e romanit, që është narrator dhe epiqendër e realitetit letrar.

     Roman realist dhe postmodern

    Nga fryma tërësore e ngjarjeve, episodeve të pranishëm në hapësirën tekstologjike të romanit “Lindur së prapthi”, në thelbin sendërtues, është realist. Madje, duhet theksuar, nuk ka lidhje me realizmat, që kanë shëtitur në letrat shqipe, më tepër jemi në kahjet e një neorealizmi, që domosdoshmërisht lidhet me rrethanat e reja, të ekzistencës së qenies sonë, si individ apo komunitet. Tiparet e realizmit, të kapërthimit të botës romanore, shpërfaqen si shenjë artistike, në figurimin e të dyja kohëve, të cilat janë fokusuar në hapësirën e këtij teksti. Në projektimin e së djeshmes, që shpallet edhe në një shprehje tjetër, në dukje rastësore: “Me atë mund ta kishe mirë, vetëm po ta pyesje për koleksionin e pullave. “(2022: 71), një rrymim konkret, e cila shkonte dikur, gjer në mani, e të dikurshmes, ku koleksionimi i pullave, ishte një garë për t’u identifikuar, si prani ekzistenciale. Fryma realiste, mbizotëron edhe në kohën e tanishme, siç ngjet në pasazhin: “Në gazeta lexova se në këtë gjendje, ku kishin mbetur të vdekur dy persona, ishte dhe djali i një ministreje. Ai ishte plagosur. Nuk ishte hera e parë që djali i ministres përmendej në media si kriminel.”(2022: 165), që sjellë atmosferën e të tanishmes, e kohës aktuale, në të cilën jetojmë. Në të dyja kohët, e djeshmja, që ende na sillet nëpër këmbë, edhe në këto ditë, me të tanishmen, jo më pak të rrëmujshme, shpalosen përmes kamerës realiste, të vërtetave konkrete. Ndërkaq, krahas frymës realiste, sidomos në plasimin e të djeshmes, në faqet e librit kemi të shqiptuar edhe një nuancë tjetër, sjelljen e të djeshmes, ndonëse me doza tallje dhe ironie. Kjo prani e shtrirë në të gjithë hapësirën, ku figurohet e djeshmja, vetvetiu shpërndërrohet në një tipar esencial. Vështrimi i të kaluarës, me sy tallës dhe përqeshës, vetiu të sjellë ndërmend idenë e U. Eco-s, mbi “ironinë interetsktuale”, që këtë tekst, e shpërndërron në një roman me gjurmë postmoderne. Distanca kohore, me të djeshmen, e sidomos përjetimi i asaj kohe, në kontekste të reja, së paku të një lirie të shpallur, ka mundësuar thurjen e një proze edhe me tone postmoderne, në thelbin dhe ngjyresat kumtuese. Gjurmë të shenjave postmoderne, ndeshen jo pak në libër, si në rastin: “Dhe, në atë hapësirë aq të vogël, babi ngjante si gjigand…”(2022:10), kemi të pohuar, si nëntekst mbijetesën shqiptare, me shtëpitë si kutiçka, një botë absurde që shihet në sytë e narratores fëmijë. Ka edhe momente, kur e vërteta jetësore, thuhet pa doreza, si në shprehjen: “Ata, kishin dhe televizor, ndryshe nga familjet e tjera që kishin vetëm radio. “(2022: 27). Në një rrezatim tjetër, vjen mbyllja e një episodi: “Të nesërmen ishte e diel dhe gjithë ditën përkundëm kukullat binjake që lindën ngaqë fjetëm bashkë natën e kaluar. “(2022: 38), ku rimerret tema tabu, e heshtur gjer në marrëzi, për mënyrën se si lindin fëmijët, në kohën e moskurrit. Nënteksti, si prani e ngjyresave postmoderne, e përtalljes së kohës tjetër, zbulohet në frazën: “… drejt daljes së rrugicës duke vështruar majën e kishës që ishte bërë kino. “(2022: 58), si tregues i marrëzisë allashqiptarçe, zhytur në makabritetin e shkatërrimit të kishave e xhamive. Propaganda e kohës, kishte shkuar deri në sajime të mbrapshta, që sillet si klimë e plotë në pohimin: “- Po, na kanë thënë. Po pse priftërinjtë mbanin në libër një revolver?”(2022: 79), që skicon pafytyrësinë dhe hipokrizinë e së kaluarës. Po kaq, në pohimin: “Mësova shumë parulla përmendësh, ndonëse nuk ua dija kuptimin.”, si një fakt i trushplarjes ideologjike. Emërtimi i diktatorit, me një formë që edhe e kujton edhe e largon, me përcaktimin “Udhëheqësi i Madh”, diku përfundon në tallje”UDHËHEQËSI I SHQYER”, vetëm sa e përforcon ngjyrën e ligjërimit postmodern, në faqet e këtij romani.

     Narrativa e dyfishtë

    Ekzistenca e prozës, edhe zhanrit të romanit, varet nga narrativa, pentagrami rrëfimor, si dhe nga tipologjia e narratorit. Bashkëlidhja e materies së rrëfyer, me pozicionin e narratorit, mishëron atë që T. Todorov, më herët e pati përcaktuar si poetika e prozës. Në rastin e romanit “Lindur së prapthi”, jemi në ngjizje autoriale, të tipologjisë së dyfishtë. Narrativa e dyfishtë në pikëpamje të shkrimit, pra të mishërimit estetik, sendërtohet si materie:

    E para: Shtjellimi i ndodhive, episodeve, i mjedisve të ndryshme, figurimi i personazheve kryesorë dhe rastësorë, pashmangshëm ndërvaret nga dykohësia, e djeshme dhe e sotme, që shpesh ndërthuren dhe kacavaren në njëra – tjetrën, sa për një çast faniten gati të njëjta. Vetëdija e atmosferës narrative, vetiu e bën diferencën, me gjasë ndryshimin ndërmjet tyre konteksteve. Rruga me tre shetitore (Rruga e Kavajës), dy anash dhe një në mes, pavarësisht llojit të luleve apo pemëve, është po ajo sepse është ngurtësuar në kujtesë si e tillë, ku madje kisha dikur ishte kthyer në kinema, e në këtë kohë, sërish në kishë, për të ardhur të pohimi befasues: “Jemi të bekuar se e kemi shtëpinë mes Kishës Ortodokse, Kishës Katolike dhe Xhamisë…”(2022: 75), ku qartësisht skicohet larmia e vlerave shpirtërore të besimit, si harmoni e besimit, si dhe një tregues i bashkëjetesës fetare, të epiqendrës së romanit.

    E dyta: Pozicioni i narratorit/narratores si shenjë e formësimit estetik të prozës. Teksti i këtij romani, ka si tip ligjërimi, narratoren-autore, që e bën të rrokshme klimën autoriale, subjektive, me një çlirësi befasuese, aq sa rrëfimi mbetet pezull, si të jetë vjerrë në qiellin e harrimit dhe mbijetesës. Autorja-rrëfimtare, që përveç ngjyrsën personale, formëson zërin e kohës, me gjasë të dy kohëve, ku dëshmimi dhe përjetimet, janë projektuar në ekulibër të pazakontë. Rrëfimtarja-autore, megjithatë shpërfaqet si narratore e dyfishtë:

    A – Rrëfimtare e të djeshmes, ku realiteti përthyhet në ëndrrat dhe zhgjendërrat e narratores fëmijë, si dhe bart, bëmat dhe çmenduritë e adoleshencës, kohë e artë e ëndrrave të çmendura, të asaj që francezët e shpallin c’est la vie, c’est l’amour. Narrativa autoriale, e një distance kohore, shpaloset gati e ngrirë në kujtesë, për ta nginjur materien e tekstit me jetë, me sharmin e botës fëminore dhe të moshës së adoleshencës. Narratorja e librit “Lindur së prapthi”, sjellë pranë lexuesit një realitet të shumëngjyrtë. Vështrimi me sytë e fëmijës së dikurshëm, shpaloset qysh në epilog: “Kështu unë fillova të ecja me duar dhe kokëposhtë… Sa i bukur, i madh dhe i paanë ishte qielli për mua.”(2022: 7), që lajmëton pafajsinë dhe këndshikimin mbi botën përqark. Në këtë vazhdë vijon situata edhe në frazën e narratores, kur thotë: “Çfarë më lejohej të bëja dhe çfarë e kisha të ndaluar të bëja. “(2022: 11), si një sfond i kohës së frenimit të lirive të njeriut. Mjafton fraza: “Unë do të mbaja çelësin në qafë…”, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fëmijë që tregon ngjarjet, situatat absurde të jetës së ndryme në kafaz. Rrëfimi i narratores – fëmijë, sjellë klimën e ndëshkimeve, dënimeve, sikur ngjet në situatën: “pra, Milin unë nuk do ta shihja më kurrë prapa atyre harqeve prej hekuri të lakuara…”(2022: 24). Megjithatë, ka raste që autorja-narratore, del nga zhgualli i fëmijës, sikur ngjet në këtë shprehje: “Në shkollë na kishin mësuar se është shumë turp të lypësh. “(2022: 30), e kjo nuk zbeh praninë e botës fëminore, me ëndrra e trazime të pafund, gjë që përforcohet nga pohimi: “Unë dhe Ariana e kishin zakon të luanim shpiash!”, një lodrim i përjetshëm i fëmijëve. Koha e vrazhdë i zgjon ëndrrash dhe fëmiëjt, ku mjafton të sjellësh në mend ligjërimin e narratores: “Fjala përgjim erdhi në veshin tim pikërisht kur ende po vuaja ikjen e shokut tim të dashur… ”(2022: 60), ku skicohet absurdi i monizmit, sepse përgjimi ishte rregull dhe normë morale. Në dialogun mes narratores dhe së jëmës: “- Të kanë ardhur ato, njëlloj si mua dhe si motrës.”(2022: 87), pra narratorja, po rritet dhe fiton vetëdije. Në frazën tjetër: “Unë i thosha se gocat kanë qejf që çunat të jenë pak vagabondë.”(2022: 91), si një zbulesë dëshirash, të cilat nuk shpjegohen. Atmosfera e kohës, përcillet me naivitetin e narratores:”Si ka mundësi që rreth Udhëheqësit të Madh të mblidhen kaq shumë gjarpërinj, siç i quan ai…”(2022: 107). Në pentagramin rrëfimor ndeshim edhe ëndrrën për letërsinë, të trembur atëbotë, kur shprehet:”Edhe sikur t’i shkruaja, do të mbylleshin me çelës në sirtar.”(2022: 155), si tregues i mungesës së lirisë.

    B – Rrëfimtarja – autore, e kohës së tanishme, që vetvetiu ka ndërruar tonin e logjërimit, ka fituar seriozitet. Narratorja e kohës së tanishme, shfaqet kur shkruan: “Të kaloj kontrollin e sigurisë dhe atë të pasaportës dhe do të jem rehat pastaj, -po i thoshte vetes.”(2022: 20), ku vëmë re narrativën e përmbysur, sepse rrëfehet për një kohë tjetër. Narrativa e së tanishmes, ndërkaq bart edhe misterin e të djeshmes: “Çfarë të bëja tani? T’i thosha që e kam ditur me kohë këtë…”(2022: 34). Nga dialogu i rrëfimtares: “Të gjitha shtëpitë e rrugicës janë shembur e janë ndërtuar pallate.”, si një transforim rrokopujë i kryeqytetit. Po ashtu, kohën e tanishme sjellë fraza: “Më poshtë lexova lajmërimin për protestë nga Shoqata e Gruas…”(2022: 63). Sërish kemi një shkas që përkon me kohën e tanishme, kur shprehet: ”Të nesërmen, si përherë, ata do të shkonin në meshën e Kishës Katolike, ku vajza ime është pagëzuar. “(2022: 74-75). Futja në atmosferën e tanishme, bëhet edhe më tronditëse, kur shkruan: “Dhe ja ku na vjen lajmësi i parë me presionin e parë, që të tërhiqeshim nga tenderi.”, që zbulon fytyrën e kohës që po jetojmë. Pohimi: “Është i njëjti, veçse i është shtuar shumë bukuria nga pemët e kumbullës të mbjella anash trotuarit dhe korsia e kalimit për biçikleta…”(2022: 157). Pra, në faqet e romanit “Lindur së prapthi”, prozëshkrimi, sendërtohet nëpërmjet narratores-autore, e cila ndërkaq përfaqëson dhe mishëron botën romanore. Me vlerë është përfundimi i dijetarit, kur theksonte: “….na mbyll në kufijtë e një bote dhe na udhëheq, në një farë mënyre, kah imponim që këtë ta marrim seriozisht…”[3], një sugjerim për të hyrë në marrëdhënie me realitetin e trilluar, sidomos në aspektin e narrativës, së dyfishtë dhe të dyzuar, ku narratorja e kohës aktuale, pra e kohës së rrëfimit, skicon realitetin e tanishëm. Megjthatë, shenja përbashkuese e narratores –autore, e dy kohëve, me gjasë e dy gjendjeve, i përbashkëson rrëfimi në vetën e parë, që e rrit gradacionin e ndjeshëmrisë dhe të shprehësisë letrare, që përçon ritmikën poetike, tanimë në ligjërimin e prozës romanore.

    Shkapërderdhje e strukturës kompozicionale

    Një element formësues i romanit është edhe mënyra e organizmit strukturor të këtij teksti. Romani “Lindur së prapthi”, përbëhet nga këto hallka stukturore:

    Në radhë të parë: Prologu i shkurtër, ku hidhet për diskutim rrethana e pazakontë e të qenit “i lindur së prapthi”, një situatë e beftë, jetësore dhe letrare.

    Në radhë të dytë: Vatra kryesore e tekstit, ku shpërfaqet e djeshmja, koha jo fort e largët, e kundruar në distancë, si dhe e sotmja, që megjithë ndryshimet e pranishme, ngjajnë si dy pika ujë, në mes tyre. Kjo pjesë nis në faqen nëntë dhe përfundon në faqen njëqind e pesëdhjetë e gjashtë, duke përfaqësuar kështu hapësirën kryesore të romanit. Ndarja e madhe, në hapësirën e tekstit, ndërkaq vjen me disa nëndarje më të vogla, e cila shpërfaqet në dy forma:

    – Episode pa titull, që shkojnë në nëntëmbëdhjetë copëza të tilla, të cilat përgjithësisht janë konceptuar të shkurtër.

    – Nëndarje, të cilat shoqërohen me tituj, emra personazhesh, vendesh apo situatash të ndryshme, që shkojnë në tridhjetë e një pjesë. Krahasuar me episodet pa titull, këto nëndarje, janë më të gjata, madje edhe më të pasura, në elementët portretizues të protagonistëve, si dhe të përshkrimit të mjediseve, ku luhen ngjarjet, e të dy kohëve.

    Në radhë të tretë: Ndarja e dytë e titulluar “INTERMEXO”, që zë fill në faqen njëqind e pesëdhjetë e shtatë dhe arrin deri në faqen dyqind e njëzet e pesë. Është një thyerje ndërmjet dy kohëve, por duke veçuar rrugën me tre shetitore, si një lartësim i rolit të saj, në jetën e protagonistes-autores-narratores. Edhe kjo ndarje, ndërkaq përbëhet nga dy elementë:

    – Pjesë pa titull, e cila përfshin gjashtë episode.

    – Pjesët që janë emërtuar me tituj të caktuar, që ngërthen dymbëdhjetë eposide.

    Në radhë të katërtë: Epilogu ku takohën dy kohët, mbase edhe protagonistët e tyre, që shpaloset më tepër si një simfoni, se jeta duhet jetuar.

    Pra, struktura romanore, zë fill me prologun, me Ndarjen e Parë, e cila përbëhet nga dyzet episode, nga Intermexo, me tetëmbëdhjetë pjesë dhe mandej ulet sipari me epilogun. Vihet re, që kompozimi strukturor, vjen i përndarë në gjashtëdhjetë episode, duke endur një shkapërderdhje emocionale, që vë në zgrip shpalimin stukturor, gati të mungesës komponuese, me gjasë të një fragmentarizimi, sikur në sekuencat filmike, por varësisht tipologjisë romanore, ndërkaq shndërrohet në skenë aktive, konkrete dhe letrare, që shmang veprimin, logjikën e rrjedhës organike, por edhe duke formësuar një paralele ndërkohore, e djeshme – e sotme, që grimcon veprimin dhe kompozimin e romanit.

    Numri shtatë dhe poezia

    Shfaqja e numrit shtatë dhe poezia, numrat magjik të logjërimit gojor dhe libror, në faqet e romanit, shënon befasi. Shtata, në librin “Lindur së prapthi”, shpërfaqet me dy forma:

    – Parodizimi i numrit shtatë, për të nxjerrë në pah kushtet e vështira të jetesës, gjë që theksohet në situatën: “Ua kisha ngulur sytë shtatë pjatave që kishte renditur nana Merjem për shtatë fëmijët e saj…”(2022: 140). Për të ardhur te parodizim real kur shkruan: Shtatë pjatat m’u dukën si shtatë e pjatat e xhuxhëve dhe vetja si Borëbardha…”(2022: 15).

    – Shtata mitike, e pranishme në poetikën gojore, që në tekst lidhet me përrallat e hallës, teksa shkruan: “I tregonte aq ëmbël, sa edhe skenat më të tmerrshme të kuçudrës që kishte shtatë kokë, shtatë gojë që nxjerrin shtatë flakë dhe që në të njëjtën kohë hanin shtatë njerëz, nuk më frikësonin fare.”(2022: 92), ku prania e kuçedrës, qenies mitologjike, e kthjellon situatën e kësaj marrëdhënie. Bartja e poezisë në hapësirën e romanit, është tregues domethënës se autorja, pavarësisht se është hedhur në lëvirmin e prozës, me gjasë të romanit, gjithnjë ka për zemër poezinë. Atmosfera e poezisë së sirtarit, pëson ngjitje të pazakontë, në shqiptimin e një lirizmi të beftë: “Nëse natën vij,/të futem në shtrat,/Ti mos u frikso,/vij e iki prapë.”(2022: 118), si dëshmi e lëvrimitë lirikës erotike. Në faqet e romanit, përgjithësisht mbizotërojnë vargjet e lira, si në rastin e poezisë “Çlirim nga ankthi”, apo në vargjet: “Dola lakuriq në rrugë,/Dhe njerëzit e vegjël/Të kërrusur nga thesi i thashethemeve/Ngritën gishtin e thanë: Ajo është/Ajo është fajtorja!”(2022: 205), e poezisë “Guximi i moshës së rinisë”. Thelbi i shkrimit letrar, në lëvrimin e peozisë, por që ruhet edhe në faqet e këtij romani, të ndërmend idenë e Jan Mukařovský: “… kundërvënia e qëllimshmërisë dhe e paqëllimshme është antinomia bazë e artit”. Pra, në hapësirën e romanit “Lindur së prapthi”, janë përfshirë pesëdhjetë e pesë vargje gjithsej, porse paritetin e ka narrativa, figurimi i kohës dhe personazhve, duke sendërtuar një tekst që të grish për ta lexuar, sepse përveç kohës, gjen një pjesë të vetes, qenia njerëzore, e gjendur në rrethakun e dykohësisë.


    [1] Gjergj Llukash: Teoria e romanit, Prishtinë, shb Rilindja, 1983, f. 127.

    [2] Harold Bloom: Si dhe përse shkruajmë, Tiranë, Botime Dudaj, 2000, f. 170.

    [3] Umberto Eco, Gjashtë udhëtime narrative, Shkup, Asdreni, 1997, f. 149.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË