More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBashkim Kuçuku: "Alipashaida", monument kulturor për botën shqiptare

    Bashkim Kuçuku: “Alipashaida”, monument kulturor për botën shqiptare

    Shqipja e sotme e poezisë përballë greqishtes arkaike

    Poema Alipashaida, tanimë, ka dy autorë: poetin Haxhi Shehreti, që e ka shkruar, në vitet 1790-1822, në greqisht, dhe gjurmuesin, studiuesin dhe përkthyesin në shqip, Irakli Koçollari, të cilët i ndan një kohë dyshekullore. Për kulturën shqiptare dhe për shqiptarët, madje edhe për shqiptarët e Jugut, poema ishte e paqenë, ndonëse, në të këndohen historia dhe bëmat e tyre. Disa pak intelektualë të brezave të viteve 1960-1980, të interesuar për letërsinë, kanë pasë dëgjuar prej të moshuarve emrin e Haxhi Shehretit. Të moshuarit, nëse dëgjonin në radio, ose, lexonin në gazetë emrin e ndonjë poeti bashkëkohës, kundërviheshin me shprehjen «poet ka qenë Haxhi Shehreti!» Vetëm kaq. Më shumë se emri, dhe, se ishte poet, që i kishte kënduar Ali Pashait të Janinës, as ata nuk dinin.

    Kam pasur rast, në vitet 1980, të mësoj diçka dhe të dëgjoj vargje të përkthyera nga greqishtja prej mikut, poetit dhe përkthyesit Llambro Ruci.  Ishim fqinj, në të njëjtën ndërtesë te rruga «Aleksandër Moisiu», Nr. 32, afër Kinostudios. Herë-herë vinte me libra në greqisht, që shkruanin për heronj shqiptarë në Greqi, sidomos për Sulin, suljotët dhe Marko Boçarin. Libri me vargje të Shehretit ngjan të ketë qenë i ndonjë historiani grek, sepse kishte dhe shënime sqaruese. Kur doli Alipashaida në shqip, i kërkova Llambros, dhe ai shkroi për revistën Universi Shqiptar i Librit një recension vlerësues.

     Në padijen e shurdhët e memece, dalja e Alipashaidës, më 1997, ishte një befasi e ndjeshme letrare, kulturore e shkencore. Irakli Koçollari nga një emër Haxhi Shehreti, me punë jo të zakonshme, dhunti të shquara studiuesi, talentin e përkthyesit, të ushqyer nga një pasion e përkushtim i rrallë atdhetar, na solli, në shqip, një monument kulturor të botës shqiptare dhe historisë së saj, në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX.

    Para rindërtimit të sotëm Alipashaida, në dorëshkrim, ishte e copëzuar dhe e shpërndarë në disa biblioteka, në disa botime të pjesshme, edhe ato të copëzuara e të shpërndara në studime  historike, në greqisht dhe anglisht. Irakli Koçollari i kërkoi ato, për vite të tëra, i gjeti  në arkiva dhe biblioteka, nga Greqia në Britani, dhe e rindërtoi në sistemin e vet poetik origjinar, të vijueshëm e qartësisht të rrjedhshëm.

    Edhe thjesht përkthimi, prej greqishtes në shqip, e bën Irakli Koçollarin, autor të dytë të saj. Çdo përkthyes është bashkautor, më saktë, autori i dytë. Për më tepër, duke  e nxjerrë  nga errësira e dorëshkrimeve dhe e botimeve të shekullit XIX, ai e përkaloi nga funksioni potencial  në funksion të njëmendët, real, i dha mundësinë e receptimit, madje, i dha funksionin në gjuhën shqipe, në një horizont pritjeje tjetër, që poeti nuk ia pati  dhënë, dhe as nuk e kishte në projektin e vet. Kuptohet, vështirësi më vehte ka qenë greqishtja arkaike, e kohëve të shkuara, që kërkonte njohje të atij motërzimi, që ka pasë përdorur Shehreti. Për ta përkthyer nuk mjaftonte shqipja standarde. Janë qindra fjalë, që përdoreshin në kohën e Ali Pashait, ndërsa, sot janë në leksikun pasiv të saj: historizma nga leksiku fetar, administrativ, perandorak dhe i pashallëkut, i hierarkive shtetërore, i ushtrisë, i llojeve të armëve e të veshjeve, i mirësjelljes e i nderimit të prijësve dhe të sundimtarëve, i titujve, shpërblimeve, dhe, nëpër to, mjaft barbarizma nga gjuhë të ndryshme, shoqëruar vazhdimisht me gjegjësen e tyre në shqip, ose, me shpjegimin përkatës. Është shqipja e një kohe tjetër, e domosdoshme për të sjellë të gjallë historinë dhe bëmat njerëzore. Përkthimi i ka riaktivizuar. Lexuesi i merr ato në trajta aktive, nëpërmjet tyre përjeton të shkuarën e të parëve të vet.

     Më e vështirë se gjetja e trajtave dhe shprehjeve të shqipes, gjegjëse të trajtave dhe shprehjeve të greqishtes, është përkthimi në vargje, i cili është një rikrijim poetik, ose, një lloj krijimi më vete. Përkthimi i mijëra vargjeve, me metrikë të rregullt dhe të rimuar, sikurse është Alipashaida në shqip, në kohët moderne dhe në bashkëkohësi, praktikisht, është, gati, e papërballueshme. Prandaj, edhe teoria e përkthimit, në një nga mundësitë, pranon shmangjen e rigorozitetit metrik, zbatuar edhe në praktikën e gjuhëve të tjera. Irakli Koçollari ka ndjekur rrugën e stërmundimshme të përkthimit klasik, të cilit ia ka dalë mbanë me një shqipe popullore mirëligjëruese e bukurtingëlluese. Frazeologjizmat e shqipes, bie fjala, të përdorura mjeshtërisht, veç zhdërvjelltësisë dhe shprehësisë së theksuar, përftojnë edhe dendësi emocionale. Me mendësitë dhe përfytyrimet figurativë shqiptare, e intimizojnë lexuesin me ato që recepton përmes vargjeve.

    Një problem i historiografisë së letërsisë

     Alipashaida është shkruar në greqisht. Shqiptarët po e receptojnë përmes përkthimit. Shqipja është gjuha e përdorur nga përkthyesi. A mund të jetë një vepër e tillë, e shkruar në origjinal greqisht, monument kulture për botën shqiptare, sikurse kemi guxuar ta themi, në fillim të kësaj kumtese? Të shkruarit e letërsive në një gjuhë tjetër, jo në gjuhën amtare, është dukuri e njohur, sidomos në letërsitë, që, për shkak të rrethanave historike dhe kulturore, janë zhvilluar më vonë, se simotrat në gjuhë të tjera, të lëvruara më parë. Naim Frashëri ka shkruar poezi në persisht dhe në greqisht. Sami Frashëri ka shkruar në osmanisht romanin Dashuria e Talatit me Fitneten (botuar në Stamboll, 1872). Pashko Vasa ka shkruar dhe botuar në frëngjisht romanin Bardha e Temalit (Paris, 1890). Këto vepra prej vitesh janë përkthyer e botuar në shqip, dhe prej atëherë janë pjesë përbërëse e letërsisë shqipe. Kjo dukuri ka qenë e shfaqur në Rilindjen shqiptare, 70-80 vjet pas Aliapashaidës.

    Për Shehretin nuk ka qenë vetëm mungesa e alfabetit të shqipes, që poema është shkruar në greqisht. Edhe nëse do të kishte shqipja e shkruar një alfabet të njohur e pak a shumë të qëndrueshëm, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, të shkruhej në shqip. Përmasat e saj mijëra vargjesh, që nënkuptojnë një fjalor mjaft të pasur shkrimi, nuk i ushqente dot shqipja e atëhershme. Mes gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar, në këtë rast të shqipes, ka një ndryshim të madh. Alfabeti nuk është zgjidhja e parë dhe e fundit, sepse, ai është vetëm mjeti. Kalimi te gjuha e shkruar është kalim e ndryshim i madh mendësie, botëkuptimi, mënyre kuptimi e përdorimi të saj, marrdhënie e re e shkrimtarit me atë gjuhë, njëherësh, marrdhënie e re me gjuhën amtare edhe e lexuesit, të cilit i drejtohet. Bota shqiptare, shkrimtari dhe lexuesi i mundshëm nuk kishin arritur në këtë fazë. Pastaj vjen gjetja e mjetit, – alfabetit me të cilën do të shkruhet. Një lloj alfabeti, disa vjet me vonë, sajoi Muhamet Kuçuku, Çami, për t’i shkruar në shqip poemat e tij.

    Të shkruarit në një gjuhë tjetër, të kultivuar, përfohet edhe nga formimi i poetit. Gjithashtu, nga mundësia e receptuesve më të shumtë, sikurse do t’i gjente dhe i gjeti në atë kohë, edhe Alipashida në greqisht. Shkrimtarët priren edhe nga egoja, dëshira e tyre për lavdi, d. m. th. , dëshirë për t’u lexuar sa më gjerësisht.

    Mirëpo, përveç mungesës së gjuhës amtare, që nga autori me psikologji, botëkuptim e mendësi, përgjithësisht, heronjtë veprues, mjediset e jetesës dhe të natyrës janë  shqiptare e të botës shqiptare, në përmasa, si në asnjë poemë tjetër epike në shqip, dhe, në një periudhë tepër domethënse, mes sundimit dhe errësirës mesjetare osmane dhe pragut të zgjimit të vetëdijes kombëtare. Në këtë këndvështrim, Alipashaida është lajmëruese e poemave epike të njohura Istori e Skënderbeut (1898), Qerbelaja (1898) të Naim Frashërit, dhe Lahuta e Malësisë (1937) e Gjergj Fishtës, ndonëse, ato janë shkruar tetëdhjetë dhe njëqind e njëzet vjet më vonë.

     Tipare antropologjike të njëmendta/reale

    Alipashaida është vlerësuar prej studiuesve dhe historianëve të huaj, sidomos për vërtetësinë e këngëtimit të ngjarjeve, fakteve dhe bëmave njerëzore, e cila mbetet cilësi e shquar e saj.  Ndoshta, më të rëndësishme, janë përvijimet e tipareve antropologjike, etnografike a etnologjike të shqiptarit. Rrëfimi i ngjarjeve, për betejat dhe lëvizjet këmbehet shpesh me përshkrimin e gjendjeve psikologjike të shëmbëlltyrave njerëzore, duke e shndërruar atë në poemë psikologjike, veçanërisht të figurës së Ali Pashait. Të dhënat dhe tiparet antropologjike, ndryshe nga përshkrimi i ngrirë i etnologut, apo, etnografit, në vargjet e saj, janë të gjalla, shprehëse të drejtpërdrejta të botës së brendshme të shqiptarit në rrethana të caktuara historike dhe gjendje mendimore e emocionale, zakonisht, dramatike. Prej tyre përvijohen botëkuptimet, bindjet fetare, mendësitë shoqërore e morale, normat e sjelljes e të nderimit, të urrejtjes e të përbuzjes, qëllimet dhe interesat e ndërlikuara jetësore, të dhëna të karakterit e të temperamentit, larmia njerëzore shqiptare, në një kohë pak të njohur prej nesh.  Ndërthuren dy perceptime e qëndrime morale. Morali i përgjithshëm shqiptar i shëmbëlltyrave të figurav historike popullore, kryesisht, pozitive, të dinjitetshëm e të drejtë në mbrojtjen e vetes dhe të lirisë së tyre, që është dytësor. Dhe perceptimi e qëndrimi i Shehretit. Në perceptimin e poetit, e mira dhe drejtësia, e drejta dhe morali i epërm është forca luftarake, ngadhnjimi i qëllimit të pashait, pavarësisht barbarive e gjëmave njerëzore, një mendësi mesjetare osmane, që është zotëruese. Me një mendësi dhe masë të tillë, edhe pabesitë e Ali Pashait janë të drejta dhe të mira, sepse ngadhnjen pushteti absolut i dhunës së tij. Të dhëna të tilla të njëmendta, përbëjnë vlerë dokumentimi, ndërsa, në gjykimin e përgjithshëm njerëzor, nga këndvështrimi i sotëm, janë antihumane dhe negative. Vlera antropologjike e poemës, si dhe merita e Shehretit, qëndron, pikërisht, se të dy moralet janë mishëruar me vërtetësi arti.

    Qendra e poemës, qendra e veprimeve historike

    Alipashaida ka një shtrirje hapësinore gjeografike tepër të madhe, prej Janinës e Tepelenës, Çamërisë e Beratit, Ohrit, Labërisë e Zagorisë, Gjirokastrës, Vlorës, Delvinës, në atë që quhej Rumeli, dhe në tërë Ballkanin, deri në Stamboll, Beograd e Danub. Qendra hapësinore e poemës nuk është Tepelena, vendlindja e Aliut, as Janina, kryeqendra e Pashallëkut, ku ishin dhe sarajet e tij, por Çamëria me Sulin, Artën e Prevezën, Pargën e Filatin. Arsyeja e kësaj qendërvendosjeje ka qenë rëndësia e Çamërisë dhe roli i çamëve në zvogëlimin, ose, zgjerimin e Pashallëkut dhe daljen në det, e jo qëllimi i tij poetik. Në dhjetra e dhjetra faqe dhe në mijëra vargje ngjarjet e betejat zhvillohen në Çamëri, me rolin e figurave të historisë së saj. Nuk ka libër tjetër letrar e historik, që na sjell parasysh Çamërinë dhe çamët të gjallë e në veprim, me tiparet dhe bëmat karakteristike dalluese. Ka figura historike popullore më shumë se prej çdo krahine tjetër: Plaku Pronjo, Hasan Çapari, Mahmut Dajlani, Islam Pronjo, Abdyl Çami, Foto Xhavella, Kiço Boçari,  prifti Jani/Papajani, prijës fisesh, familjesh e zonash.  Përshkruhet harta gjeografike e jetësore e Çamërisë, me fshatara e qytete, herë-herë me relievin natyror, veprimet dhe betejat e zhvilluara, emërvende ngjarjesh: Suli/Kakosuli, emrat e fshatrave në rrëpirat e Sulit, kështjella në to, kisha, ku i luten Shën Mërisë, Preveza, Parga, Filati, Konispoli, Vagalati.    

    Poemë epike, histori e vargëzuar, roman historik në vargje?

    Poema i është kushtuar portretit të prijësit sundimtar Ali Pasha Tepelenës dhe bëmave të tij luftarake, lindja, rritja, vitet e betejave me fitore dhe disa humbje. Ngjarjet, betejat, veprimet e bëmat janë të njëmendëta, krahasuar edhe me faktet historike. Shëmbëlltyrat letrare vepruese, që janë disa dhjetra, janë figura historike. Rrëfimi i ngjarjeve, përshkrimi i lëvizjeve të shëmbëlltyrave njerëzore, i rrethanave dhe i mjedisit shoqëror e natyror, shoqërohet shpesh me portretizimin psiko-mendor e moral të shëmbëlltyrave njerëzore nëpërmjet të folurës, shprehjeve dalluese. Edhe Shehreti, që ishte mik e këshilltar i afërt i Aliut, që e ka ndjekur në beteja e kuvendime, nuk mund të riprodhonte besnikërisht gjithçka nga ato, që shqiptonte pashai i tij. Edhe psikologu po të ishte i pranishëm, nuk mund të zbulonte mëdyshjet e tij, zhbirimet psikologjike, që u bënte miqve dhe kundërshtarëve, sikurse i këndon Shehreti. Portretet dhe analizat psikologjike e morale të figurës së Aliut, si dhe të shëmbëlltyrave të tjera letrare janë krijime të Shehretit. Psikologjia, mendësitë, botëkuptimet, qëllimet, mënyrat e të folurit, që janë të botës së brendshme njerëzore, janë krijim poetik, prandaj, Aliapashaida, ka doza të mjaftueshme poezie të mirëfilltë për të qenë poemë, pavarësisht përbërësve të vargëzimit të historisë, apo, të karakterit rapsodik.

     Objekti i këndimit, konkretisht, bëmat e një figure qëndrore, dhe të një vargu figurash të tjera, në bashkëvajtje mes tyre, gjithashtu, dhe përmasat e gjera e të shtrira në shumë vite, ngjarje e mjedise, i japin edhe cilësitë e poemës epike. Për të njëjtat cilësi, vizatimin e figurave historike përmes ngjarjeve e bëmave të njëmendta, në kohë dhe hapësirështrirje të madhe, ka edhe tipare të romanit historik të betejave, të atij lloji, që, në letërsinë shqipe jo rastësisht do të shfaqej si lloji i parë i romanit shqiptar, një shekull më vonë, në fillimet e shekullit XX, me romanet e Ndoc Nikajt.

    Tiranë, mars 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË