More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: “Vargmale nën dhé”, një poetikë me themel

    Ballsor Hoxha: “Vargmale nën dhé”, një poetikë me themel

    Poezia e Nurie Emrullait është një kompleks i poezisë në maturim e sipër. Ajo kalon dhe ndërtohet me kujdes dhe guximshëm mbi stratat e poezisë së kultivuar përmes simbolikave të njohura dhe të trasuara, në njërën anë, dhe në anën tjetër ka shpërthime tejet origjinale të Unit të saj poetik, që janë poezi krejtësisht unike që japin shprehjen më të thellë poetike. (sa i përket kësaj të fundit vlen të ceken si shembull këtu poezitë “Misteri i njeriut” dhe poezia “Kanibalizëm”)

    Në të vërtetë duket, sikur Nurie Emrullai i ka shkruar këto poezi në dy periudha, apo në dy përpjekje, njëra duke përmbajtur rinoren dhe adoleshencën e saj poetike, dhe tjetra duke pasuar si epilog i vetë poezive të saj, meditimit mbi to.

    Në këtë po theksojmë disa veçori të poezisë së Nurie Emrullait në përmbledhjen “Vargmale mbi dhe”.

    Fëmija i brendshëm i Unit poetik të Nuries

    Fëmija i brendshëm, sipas koncepteve Jungiane (Carl Gustav Jung), zbulohet më së miri në poezinë hyrëse të përmbledhjes së saj Vargmale nën dhe, e që është poezia “Nëpër fazat e hënës”, dhe në poezinë “Unë fëmija

    Një hënë drapër

    Ishte mbështjellur nëpër flokët e mia

    E më kishte lidhur për qiellit.

    Dhe poezia “Unë fëmija

    E humbur në vete

    Dal nëpër pyje

    për të tërhequr mbrapsht hijen time,

    e cila u ngatërrua nëpër degë

    kur e vogël mblidhja dredhëza të egra.

    E para karakteristikë që shfaqet është infantilja, dhe në këtë naivja me vetëdijen poetike për të hapur tutje, për t’u ‘kapur’ tutje në poetiken e “qiellit”, “hijen” etj. Kjo në të vërtetë shpreh, sipas koncepteve të Carl Jung për fëmijën e brendshëm, vetë pakufishmërinë dhe ‘magjinë’ e mundshme të kalimit/rrënimit të mureve dhe të situatave dhe të objekteve deri në pakufishmërinë e imagjinatës.

    ‘Fëmija i brendshëm’ të cilin e kultivon në poezinë e saj Nurie Emrullai në poezinë e saj, është në të vërtetë koncept i cili lind dhe mbetet në ne, që prej Stadit Magjik të zhvillimit tonë, dhe ai merr fizionominë psikike dhe shpirtërore në ne duke mos u harruar asnjëherë brenda nesh. Aq më shumë ‘Fëmija i brendshëm” është një Un në vete, i cili qënieson brenda nesh i ‘Pavarur’ dhe i pa-harrueshëm. Për te nuk ka kufij dhe as ndalesa, e tëra është një magji (lexo: pakufishmëri) e imagjinatës e cila mishërohet në poetiken.

    Prej këtu, duke kaluar në karakteristikën e dytë që shfaqet në këtë theks të poezisë së Nuries, që është kalimi i kufijve të koncepteve tona të perceptimit, dhe të reales, në një dyzim të njeriut me qielloren dhe me hijen.

    Në të vërtetë, Hija, pon ashtu koncept Jungian, është vetë prejardhja e njeriut, vetë strukturë e brendshme e njeriut, naivja dhe loja e njeriut në fëmijën e brendshëm dhe në këtë roja dhe gjenetike psikike e njeriut në hijen. Të dyja këto si strukturë e krijojnë lojën e njeriut me botën, dhe aq më shumë ndërthurjen e njeriut, të pa-kufi, të shpirtërores së njeriut, me universin.

    Në shfaqjen e tretë të kësaj poezie të Nuries, duke iu kthyer poetikes së saj, krijohet po e njëjta strukturë e reales me imagjinaren e poetes, nga ku çdo gjë është afër, e prekshme, dhe në këtë

    për të tërhequr mbrapsht hijen time,

    e cila u ngatërrua nëpër degë

    edhe në një mënyrë e pandashme nga njeriu.

    Në të vërtetë kjo asocon në pandashmërinë e perceptimit të poetes të ‘shtëpisë’/reales nga imagjinarja, gjë që është asocim, më tutje, i universit, si perceptim i shtëpisë dhe shtratit në njërën apo në anën tjetër të perceptimit.

    Gjë që krijon edhe zonën e krijimit dhe të lindjes së poezisë së Nuries dhe e motivon atë të jetë e pakufishme, po sikur bërthama e poezisë.

    Theksi i rinores në kontrast me plakjen në poezinë e Emrullait

    Një tjetër poezi e cila kalon tutje në projektimin infantil, të fëmijës së brendshëm është poezia “çast” e përmbledhjes “Vargmale nën dhe”.

    përditë po vjetërohet qielli

    mendimet nisen e harrohen

    shpirti im këmbëkryq rri mbi hënë.

    Është projektimi klasik infantil i vetes në qiellin, projektimi i ndryshimit, shndërrimit dhe kalimit të njeriut, në qiellin si pasqyrë e tij. Sigurisht vargu u fundit “shpirti im këmbëkryq rri mbi hënë” e japin të vetëdijshëm këtë vargëzim dhe me një ide mbi kalueshmërinë e njeriut.

    Në të vërtetë bukuria e kësaj poezie qëndron në përmbledhjen e të tërës në fenomenin e “çastit” si kalueshmëri, si vetëdijesim dhe temporale e njeriut mbi tokë. Pasqyrimi i të brendshmes, infantiles, fëmijës së brendshëm përmes kësaj poezie në qiellin është pikërisht ikja e jetës, e përhershme nën qiellin e përhershëm dhe përpjekja për të shënjuar dhe  për të kapur jetën në ndodhjen e saj.

    dhe po ashtu po e njëjta poezi në kontrast me poezinë “poezi për plakjen time

    “ …rrënjët e mia janë ngulur nëpër kuzhinë

    janë thelluar nëpër krevate dhe ulen në karriget e tryezës

    së bukës

    Pikërisht fantazmagoria e kësaj poezie, e cila sjellë pyllin, universin dhe tokën brenda shtëpisë, përmes metaforës, është në të vërtetë zhvendosje e asaj që u tha më herët për poezitë e para në këtë punim, hapjen e universit deri në hënë e qiell, derisa këtu kemi vendosjen e universit brenda shtëpisë.

    Megjithatë, ka një kontrast paradoksal në këto poezi mbi “çastin” dhe “poezi për plakjen” derisa autorja relativisht e re në moshë është e preokupuar me plakjen dhe me kalueshmërinë e njeriut në temporalen e qëniesimit.

    Identiteti në “Vargmale nën dhe”

    Një preokupim tjetër në poezinë e Nurie Emrullait është edhe identiteti. Në këtë preokupim të saj identiteti është vazhdimisht i ndërtuar me prejardhjen e saj, me qytetit e saj, me njerëzit e saj.

    Poezia “Pa identitet

    … Qyteti im që nuk më njeh.

    Qyteti që s’mi di dhimbjet.

    Qyteti që s’mi pa ndarjet.

    Qyteti im ku kanë mbetur dhëmbët e mi të fëmijërisë….

    Kjo është një shprehje tejet rinore, në kuptimin e lojës së saj poetike, duke qenë se niset nga të qenit e “panjohur” nga qyteti i saj, dhe kontrasti paradoksal i vargut me “dhëmbët e vetë poetes mbetur në mishin e tij”.

    Në të vërtetë identiteti, qoftë sipas teorive të fundit dhe qoftë sipas përvojës njerëzore, është fluid, dhe i ‘ndërtueshëm’ sa edhe i paparashikueshëm, apo thënë më saktë i pavetëdijshëm.

    Mirëpo në poezinë e Emrullait ai është i atashuar në objekt, fenomen dhe shfaqje të qytetit. Gjë që është, i vërtetuar edhe në poezinë e mëposhtme, si atashim me prejardhjen dhe me “të shkelurit” e saj mbi të. Matjes së hapit të saj nga vetë qyteti, e më tutje matjes së qytetit nga vetë ajo.

    Dhe poezia tjetër “Kush jam unë”

    … S’kam për t’ju pyetur në urreni diçka a dikë,

    Dhe në urreni s’ka pse të ketë përse pas asaj.

    Duken marrëzi të gjitha këto,

    … fjalët e një vajze,

    Të një fëmije që si thotë zemra rritu,

    Fjalët e një bije, që mallkojnë sa herë

    Data e lindjes tetorit vërtitet…

    Në të vërtetë perspektiva e poetes mbi objektin i cili i jep asaj identitetin e saj është e veçantë ndaj të përgjithshmes së qytetit/shoqërisë së tij. Gjë që po ashtu shfaq një Un krejtësisht rinor dhe të brengosur me temporalen dhe me vënien shenjë të saj mbi të.

    Perspektiva e saj mbi objektin identitar të saj, prejardhjen e saj, në të vërtetë është një marrëdhënie identike me dashurinë, me objektin e dashuruar, qoftë me të afërmit qoftë me partnerin e saj, në të vërtetë është në njërën anë lamtumirë dhe në anën tjetër është komunikim infantil, i vetëdijshëm, me qytetin e saj, si qortim, si mirëkuptim dhe si njohje të dhunës dhe vuajtjes së vetë qytetit të saj.

    Përfundim

    Për fund poezia “Vargmale nën dhe”, është një nga poezitë kyçe të Unit letrar të Nuries. Ajo në të, si në shumë poezi të tjera, niset nga prindërit e saj të cilët kanë jetuar një jetë krejtësisht ndryshe nga ajo, një jetë krejtësisht të nemitur dhe një jetë krejtësisht të pa “dëshira”. Mirëpo ajo nuk e qorton këtë, në të vërtetë ajo, Nurie Emrullai, krijon një prej metaforave më të bukura të poezisë së saj, duke i shënjuar si “vargmale nën dhe”. “Male dhe zotëra nuk munden të jetojnë vetmi”.

    Të mos dish të bësh shaka

    Duhet të jesh tmerrësisht i vetmuar,

    E shoh tek nëna ime

    Mbetur jetime prej kur s’mban mend,

    E shoh tek babai im

    Jetim  kur i patën thënë ke mbet.

    … “As malet as zoti nuk rrinë dot në vetmi…”

    Për aq sa u tha, poezia e Nurie Emruallit është një poezi e cila mbahet fuqishëm në traditën poetike botërore dhe shqiptare, dhe aq më shumë është e inspiruar nga vetë prejardhja e saj. Prej këtu kishim mundur të bëjmë ndarjen ndërmjet referencave poetike universale, si: hëna dhe njeriu ndër të tjera, dhe në anën tjetër, mali i “saj i Kërçovës”, qyteti dhe prindërit e saj. Kjo poezi me shumë të drejtë e zgjedhur për t’u përkrahur është poezi e cila premton, jo vetëm vazhdimësinë e një poezie rrënjësisht të themeluar në traditën poetike, por po ashtu edhe në një poezi të veçantë e origjinale.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË