More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Tregimet fantastike të Mira Meksit

    Ballsor Hoxha: Tregimet fantastike të Mira Meksit

    Neo – fantazia si mungesë

    Neo- fantazia e tekstit të Mira Meksit është në të vërtetë masë rrëfimi, e cila thuret si dije, si solipsizëm, si trajtim qoftë edhe filozofik dhe edhe si antropologji e dijes njerëzore. Mirëpo në secilën prej tyre, lind gjurma e origjinares dhe ndërthurja e saj me aktualen e rrëfimit, gjë e cila gjithherë na kthen në krahasim të origjinares me prezenten, në apori të mbizotërimit të fantazisë mbi realitetin, e para duke qenë e vërteta dhe e dyta në zvenitje, e kastruar nën dijen e njerëzimit si “vullnet për të pushtuar”, etj.

    Në tregimin “Vrasje në Venecia” një varkëtari gondole në qytetin e Vencies i shfaqet një vrasës me një kokë të stër-bukur femre në duart e tij përpara. Dhe e tërë kjo merret si shkak për të nisur fantazinë në këtë tregim. Aq më shumë, kjo ndodhi në tregim është shënjim, pikërisht dhe paikshëm i ndërlidhur me shqiptarët në Itali. Dhe me fajësinë/pafajësinë e shqiptarëve në këtë tregim.

    Janë dy masa fantazie në të vërtetë në këtë narrativ, e para bashkëkohorja e cila nisë dhe është motori i tij: fanitja që sheh varkëtari i gondolës, me një mashkull tejet të bukur që mbanë një kokë të prerë po ashtu tejet të bukur. Dhe masa tjetër e fantazisë që shfaqet në labirintin e dijes dhe thurjes së dijes në këtë qytet të Venecias, historia e dy otomanëve, të dashuruar në të cilën ka ndodhur vrasja identike me fanitjen e lundruesit të gondolës.

    Por, në të vërtetë, në psikanalizë, atë Jungiane, fantazia/magjia shpjegohet si – stadi magjik – fëmijëror ku gjërat reale, kufiri fizik i realiteti thyhet dhe arrihet magjikja e përmbushjes së mungesës. Fantazia është gjithmonë e kushtëzuar nga mungesa.

    Në këtë le t’i kthehemi varkëtarit të gondolës: i shënjuar nga Venecia, dhe thurja e vetëdijes popullore, historisë, dhe aq më shumë – appearance – të vetë qytetit, ai, si bartës i vetëdijes së qytetit, sheh atë që qyteti përmban, ndrynë dhe shënjon në tërë vetëdijen Veneciane. Pse kjo fanitje e lundruesit të gondolës të jetë fantazi? Apo ku e ka burimin kjo fantazi? Sipas sipërfaqësores së narrativit, ajo shënjon “psikozën e vendasve ndaj refugjatëve” shqiptarë. Mirëpo, në atë që u quajt – mungesa – si burim dhe lindje e fantazisë, varkëtari i gondolës, është edhe gjurma e kësaj fantazie, të reflektuar në po të njëjtin, e në të vërtetë shënjim i tekstit të tregimit. Mungesa e varkëtarit të gondolës është vetë mungesa e vetëdijes së Qytetit, tërë shpirti dhe vetëdija e ndërtuar në këto histori. Gjurma e mungesës në të vërtetë është në – tjetrin- në atë që është – ndryshe – dhe me këtë shenjë e rikthimit të fantazisë. Pra këtu pyetemi, a është fantazia e narrativit po mungesa e qytetit? Gjurma e saj duke qenë – tjetri – i ardhur në këtë vend.

    Andaj dy masat e fantazisë së tregimit, në të vërtetë na kthejnë në  – gjurmën – e mungesës, e cila e lind atë. Gjurma e kalimit të njerëzimit, ndodhjes së pranisë së – tjetrit – është pikërisht fantazia e cila përmbushë dy masat e vetëdijes së njeriut. Stadi magjik, i cili u cek më lartë, është në të vërtetë stadiumi ku përmbushet mungesa, ku koka e prerë si fanitje, është gjurma e vetëdijes së qytetit.

    Kjo gjurmë në të vërtetë është kumti i cili shkëndijon dhe ndezë zjarrin e fantazisë së njërit ndaj tjetrit.

    Duke vazhduar neo-fantazinë e tekstit të Mira Meksit, në të njëjtën përmbledhje me tregime ka edhe një tregim për Venecien, si qytet, i cili në mënyrë ekzakte e përmbushë këtë – fantazi, këtë – mungesë- të njeriut, pikërisht në historinë e tij të vetëdijshme. Tregimi “Dashnorët e Venetikut” është tregim i cili në bërthamë ka diçka tjetër, përpos asaj të mungesës, që është lidhja e dashurisë ndërmjet dy figurave të shquara të romantizmit francez, Georges Sand dhe të Alfred de Musset. NË këtë tregim flitet për “Portat e Pafundësisë” të mirënjohura të qytetit të Venecies, si porta magjike për të shkuar në vise të tjera – të pafundme. Dashuria e “çmendur” ndërmjet dy figurave të mëdha të historisë së artit francez, e bartë Georges Sand nëpër njërën prej po këtyre portave. Por në tërë përvojën dhe përjetimin e saj, kjo është gjuha e orgazmit. Gjuha e ekstatikes, gjuha e kalimit të temporales në esktatiken e primordiales (Heidegger) nën përmbushjen e Potencialit njerëzor. Në të vërtetë i tërë tregimi është qeniesim në kufi të vdekjes, me sëmundjen e të dy dashnorëve, me mjekun që rri pranë (dhe që është dashnori i Georges Sand etj). dhe në këtë kufi lind përndritja e ballafaqimit të vdekjes. Ballafaqimit të po të njëjtës “pamundësi” që u mundëson Venecianëve të kalojnë nëpër portat e “Pafundësisë”.

    Këtu ndërlidhja e – mungesës – duke qenë e mishëruar në tri shtresa të gjurmëve të saj: në historinë e vërtetë të dy artistëve të mëdhenj  francez, në vetë vetëdijen e qytetit (të Venecies) dhe në fund brenda vetë tekstit. Gjurma e – mungesës- duke qenë kufiri i vdekjes, ballafaqimi me vdekje, dhe në këtë sublimimi i saj – vdekjes në orgazmën/ekstatiken e ballafaqimit me Temporalen.

    Mirëpo është tregimi “Pa zemër në kraharor” i cili e krijon neo – fantazinë e tekstit të Mira Meksit në atë që në të vërtetë është – kalim – përtej, dhe pakthyeshmëri e realitetit, si – çarje – e botës së realitetit dhe derdhje, ekstatike e pakthim dhe e pa etikë, aq më shumë pa kufizim, në eternitetin e erosit.

    Në të vërtetë ky është një prej tregimeve më të bukura në tërë letërsinë shqipe, duke nisur nga një minimalizëm romantik dhe dashurie të pampërmbushur, në një tradhti të rëndë dashurie, më tutje në një derdhje esktravagante narrative të festës së të Vdekurve në Meksiko, në vetëvrasjen e motrës së tradhtuar nga personazhi kryesor, në puthjen e të vdekurit (intertesktual) Carlos Fuentes (në sinonim me “Aurën” veprën e Fuentes), dhe deri tek kalimi në përjetësi, në pakthim, në shpërthim të fantazisë si anë tjetër e vdekjes, apo si vdekje në tron.

    Në të vërtetë tregimi në sipërfaqësoren e tij ndërtohet si faj dhe mëkat i nxitur nga erosi, deri në pakthyeshmërinë e tyre, deri në atë që Shpëtim Doda e quan vetëvrasje të personazhit. Mirëpo, kjo është fantazi e përkryer e cila e kalon tradhtinë, sipërfaqësoren e këtij teksti si mëkat, në një lum, apo thënë saktë vërshim të orgazmës/ekstatikes së femrës së kapur nga ekstaza e erosit (qoftë edhe sipas psikanalizës, psikanaliza duke qenë e mishëruar në vetë mitologjinë dhe përditshmërinë e kuptimit njerëzor në po të njëjtin) deri në kthimin, dhe atë që quhet – zgjidhje – e narrativit/tregimit, si përkushtim antropologjisë azteke, si botë tjetër, dhe botë e pa eksploruar, e panjohur dhe e pa kapur asnjëherë në letërsinë shqiptare.

    Në këtë tregim – gjurma – e kalimit në përjetësi, të një mëkatareje, është vetë falja që i bën antropologjia, azteke, është në të vërtetë -pakthyeshmëria – e mungesës, si qeniesim. Qeniesimi duke qenë kurrë i përmbushur, as i kapshëm dhe me këtë as i vetëdijesueshëm. Në të vërtetë personazhi i cili kapet në vërshimin e erosit, deri në kalimin në eternitetin e harruar aztek, si strehë dhe pranim e falje të saj, është vetë esktatikja e “Aurës” së Carlos Fuentes, (në një rast personazhi puthet me Fuentesin e ri si fanitje) e cila mu sipas tektstit të Meksit, është e përhershmja e rikrijimit njerëzor në kohë, dhe e përmbushjes në fantazi, si alternativja e realitetit.

    Andaj, si përfundim, neo – fantastikja në këto tregime të tekstit “Flutura mes gjinjve” është përmbushje në mungesë, shpërthim tutje kastrimit nga dija, dhe impotencës së njerëzimit të mbetur nën pandjeshmërinë e dijes. Është plotësim i vdekjes, së njeriut.

    Borgesiania në përmbledhjen “Flutura mes gjinjve”

    Masa tjetër e rrëfimit në tregimet e Mira Meksit është tributi, meditimi mbi dhe interteksti dhe trajtimi i veprës së Jorge Luis Borges. Dhe aq më shumë shpërfaqja e lojës borgesiane si “kumt” ndaj kalimit të njerëzimit në impotencë të imagjinares.

    Për Borges dija është apori e të pakapshmes, të pamundshmes, dhe në të kundërtën e saj, vetë thurja e njerëzimit, vetëdijes së tij, dhe të tërë universit. Në të vërtetë reflektim i universit Në të lexuarit e Borges jemi sikur personazhet e Mira Meksit në qytetet/metropolet globale, duke zbuluar tërë historitë, antropologjitë dhe kumtet e këtyre qyteteve.

    Tregimi borgesian i Meksit është tregim i cili bartë tutje thurjen e dijes si pasqyrim i universit borgesian, dhe aq më shumë lojë serioze me dijen dhe pamundësinë e saj. Ajo krijon momente si personazhi Borges, si i ri i cili dashurohet në Besën shqiptare, si vajzë e cila gjendet në Argjentinë për të përkthyer Marquezin. Ajo e gjen kuptimin e Borgesit në “pikturën kurrë të pikturuar  të shokut të tij si prezencë në mungesë”, pikërisht në sytë e dashurisë së parë të një personazhe tjetër në një tregim tjetër. Në të vërtetë këtu teksti ka të bëj me premtimin, si shenjë e njerëzimit dhe pamundësinë e përmbushjes së tij. Që derisa për Borges është i mundshëm si transformim i atashimit dhe dëshirës, derisa për Meksin është i parealizueshëm.

    Tregimi borgesian, i vërteti, është vazhdimisht ironizim me dijen, në tërë eruditen e tij, ai gjithnjë dorëzohet para dijes. Në të vërtetë thurë legjenda e mite dhe histori të ndërthurura me personalen dhe dijen e përbotshme duke e mbajtur tregimin e tij në kufijtë e fiksionit, si dorëzim dhe ironi ndaj dijes.

    Tregimi borgesian i Mira Meksit është si ripunim i origjinares dhe thurje e universeve të tyre, dhe solipsizëm i krijimit të një bote personale.

    Sigurisht, në tregimin e Meksit dominon hetimi dhe thurja e universeve e Borges, aq më shumë që ai shfaqet edhe si personazh e edhe veprat e tij të njohura trajtohen në këtë zhanër eklektik të historisë, krijimtarisë dhe trendit të ri të letërsisë. Në interpretimin e këtij tregimi do të ishin dy thekse të cilat do të mund të shfaqnin “alefin” prej ku ndërtohet tregimi i Mira Meksit: tregimi apo ideja prapa tregimit të Borges “Libraria e Babelit”, dhe në vetë tregimin e Meksit “Pierre Menard-i i dytë, autori i Kishotit”.

    Në Librarinë e Babelit, të Borges, së pari dija është e pamundshme, dhe e dyta libraria është dëshira për të ditur. Apo thënë ndryshe libraria është vetë universi, e universi dija/ dhe në të kundërtën, në këtë si apori, dija është burgu vetë i krijimit njerëzor. Mirëpo teksti i Meksit e mishëron intertesktin, dhe e trajton atë në mënyrën personale, si ese apo si letërsi në perspektivë të re. Në të vërtetë në tregimin borgesian të tekstit të Meksit, në bashkëkohësinë tonë, meditohet përmes letërsisë dhe fiksionit, duke dalë jashtë historisë, jashtë realitetit, dhe jashtë krijimtarisë në ndërmjetësinë e imagjinares, dhe atë pa asnjë kthim apo rikthim të kësaj – çarjeje – të realitetit. Kështu dija duke mbetur në sipërfaqësoren e kërkimit derisa imagjinarja krijon vetë realitetin, gjë që edhe sipas Borges është i njëjti fenomen.

    Në tregimin “Pierre Menardi i dytë, autori i Kishotit” Meksi në rrëfimin e saj shfaq idenë e saj të ndërthurjes tekstuale, ndërtekstores, intertekstit, si ironi dhe si mundësi. Në këtë tregim Meksi, krijon pikërisht ankthin e pandalshmërisë së imagjinares dhe në këtë ankthin e shumëfishimit të dijes, – çarjes – së saj si në “Kopshtin e  shtigjeve…” të Borges. Tregimi është një ironi tejet e hollë dhe tejet e bukur ku personazhi Pierre Menard-i i dytë gjen historinë e fshehtë të Don Kishotit dhe me këtë të vetë Servantesit, përmes gjumit, aq më shumë përmes ri-përjetimit të përvojës së Servantesit. Në të vërtetë tërë ky zbulim, ironikisht mbetet dhe ndalohet në një shenjë, të të dashurës së Servantes në historinë e panjohur mirë të tij me piratët e Ulqinit të cilët e kishin  zënë rob atë.

    Këto meditime, këto hetime, këto ese dhe përkushtime, dhe aq më shumë tribut Borgesit janë tejet bukur të mishëruara ndërmjet Borges dhe tregimit të Meksit në tregimet: “Buzëqeshja e fundit e Beatriqes”, në “Dashnorët e Venetikut”, në “Flokëkuqja e Parisit”, dhe në “Prifti i mallkuar dhe gjuha e shenjtë”.

    Të gjitha këto tregime në të vërtetë janë po ajo që thuhet dhe po ajo që Meksi e bën me vetëdije, janë tregime të lexuesit, jo vetëm i letërsisë, legjendave e miteve, të shkruara e të pashkruara, por të tërë kulturës së njerëzimit.

    Aq më shumë krijojnë “alephin” e zinxhirit të leximit në përgjithësi. Në të vërtetë janë shënjimi i leximit, i cili, përkundër origjinares së tyre, këtyre miteve e botëve, fiktive dhe të vërteta, të fshira apo të harruara, rikrijon dhe rilind botën në përgjithësi dhe e komplekson atë, e pasuron atë me meditimin dhe pranimin e prezentes, si botë e pamundur, e ndërthurur deri në pamundësi, si botë ku dija është pushteti ndaj nesh, e, e cila – fshihet – (efface) në çdo prezente tonën, si hirearkizim i të njohurës, dhe tendencës për të harruar – vdekjen- .

    Solipsizmi i Meksit

    Në tregimin e parë të përmbledhjes me po të njëjtin titull si të librit, “Flutura mes gjinjve” , ndoshta më të kapshëm për lexuesin e zakonshëm, është pikërisht ndikimi, i vetëdijshëm dhe si tribut, ndaj shkrimtarëve të mëdhenj të kohës sonë. Ky tregim është një sprovë për të rikrijuar magjinë marqueziane në shënjimin e magjikes përbrenda reales. Megjithëse përmban të paikshmen borgesiane të Meksit, në ndërthurjen e dijes mbi simbolikat japoneze, me një tatuazh në njërin prej personazheve të tregimit. Një flutur tatuazh herë flatron dhe herë mbetet aty ku është, tatuazh në mes gjinjve të dashurisë së personazhes kryesore. Kjo në të vërtetë ndërthurë edhe magjiken e Marquez në tregimet dhe realizmin magjik të tij, por edhe realizmin e Florentino Arizas së “Dashuria në kohërat e Kolerës”, në ethet e dashurisë.

    Aq më shumë në një tregim tjetër teksti i Meksit ndërthur, dhe aq më shumë përballë Florentino Arizan personazhin monumental të Marquez me vetë Jorge Luis (sinonim për Borgesin e ri), me të cilin personazhi, Besa, vret Borgesin e ri.

    Dhe në tregimin “La gringa” personazhi kryesor një femër shtatzënë  e cila i nënshtrohet të gjitha ritualeve të Kulkulkanit (perëndia më e rëndësishme e Mayave, sipas tekstit të Meksit), kështu duke gjetur në fund pjesën e fundit të Njëqind Vjet Vetmi të Gabriel Garcia Marquez.

    Solipsizmi lind si mohim dhe mospranim i reales dhe botës së realitetit. Në këtë teksti i Meksit krijon “Portat e pafundësisë” për të hyrë në rininë e Jorge Luis, të dashurohet në Florentino Arizan, dhe të shoh duke flatruar tatuazhin e të dashurës së personazhes.

    Mohimi të cilin ia bën teksti i “Flutura mes gjinjve” realitetit, në të vërtetë është kalimi në të ndërdijshmen e dijes, si gjakim për origjinaren: Borges Fuentes, Marquez etj, dhe gjakim për të lënë – gjurmën – e dijes në impotencën/kastrimin e botës në dije, në dijen impersonale, dhe në dijen e pandjeshme të njerëzimit sot.

    Në solipsizmin e tekstit të Meksit, në të vërtetë origjinarja nga ku buron shënjimi i leximit, si hapje, si zbulesë, si shpërfaqje e asaj që është nxënë përfund prezentes, është zanafilla e kumtit të bashkëkohores. Dhe kjo bashkëkohore është e kastruar/impotencë e cila shfaqet në tregime si “Flokëkuqja e Parisit” dhe në tregimin tjetër “Pasqyrat e Bledës”, në të vërtetë shpërfaqet nga – çarja – e vdekjes në realitet.

    Për fund, ndanë solipsizmit të saj, në tekstin e Meksit vdekja është e pranishme, ndodh, dhe është pjesë e jetës, tregimet “Buzëqeshja e fundit e Beatriqes”, “Dashnorët e Venetikut”, “Kukullat binjake” (ky tregim dhe të tjerë si ndërtekstuale me tregimin e Cortasar), “Pasqyrat e Bledës” “Drakula në labirintin e tij” etj. Në të gjitha këto tregime vdekja është shumë më afër fuqisë së mbinatyrshme të solipsistit në botën e vet, se sa në neo-fantazinë e letërsisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË