More
    KreuLetërsiBibliotekëBallsor Hoxha: Tregimet e një personazhi të ri

    Ballsor Hoxha: Tregimet e një personazhi të ri

    Vëllimi me tregime “Tregime të një personazhi” të Esmeralda Shpatës

    Përmbledhja me tregime e Esmeralda Shpata “Tregimet e një personazhi” është qysh në fillim një ‘teoretizim’ dhe teknikë udhërrëfyese për leximin e kësaj përmbledhjeje, ajo/titulli bën me dije se ka dy shtresa, së paku, të të lexuarit e kësaj përmbledhjeje:

    1. si mishërim i narratorit në tërësinë e këtyre tregimeve, dhe aq më shumë, dhe më tutje (në piskanalizë), si psikë e cila është e pandashme dhe e padallueshme nga njëri tjetri, por në të vërtetë është një membranë gjithëpërfshirëse;

    2. dhe më tutje si projektim (Heidegger dhe Freud këtu) i Të Kuptuarit dhe prezencës së ankthit ekzistencial, si zhvendosje dhe kondensim (Freud) i të thënshmes së ankthit.

    Kjo në të vërtetë është kërkim i një shprehjeje dhe shfaqjeje origjinare, të lindur, apo ashtu siç është lindur, siç është krijuar dhe në përpjekje për të shmangur skematizimet e shpirtërores.

    Duke u nisur që nga poezia e Emily Dickinson e tutje, hasim në letërsi tejet interesante – introverte. Kjo letërsi gjithherë ka shenjat e saj të dallueshme:

    1. Përthyerjen me kah përbrenda të interpretimit/narracionit

    2. Ngërthimin e narracionit

    3. Përpjekjen apo, (lexo: ankthin), për fshehje të udhës drejt unit krijues

    4. Të poetikës unike.

    5. Dhe aq më shumë, ndër të tjera, kondensimin dhe projektimin (sipas psikanalizës) të ankthit!

    Dhe duke u nisur, dhe ndërlidhur dy antagonistë, Heidegger dhe Freud, projektimi në të vërtetë është, për Heidegger – coping – (përballje) e Të Kuptuarit primordial, të para- vetëdijshëm, derisa për Freud është mekanizëm mbrojtës i të shprehurit të ankthit! Por në fund të dyja janë e njëjta gjë, shtrirja e ankthit të të qënit.

    Më tutje, Heidegger, në një prej veprave kryesore të tij për artin (The Origin of the Work of Art) thotë se çdo projektim (artistik/gjuhësor) në vete përmban të thënën e tij por dhe të pathënën e tij. Gjë që në  tregimet/prozat e Esmeralda Shpata na dërgon gjithnjë në kompleksin e projektimit, qoftë edhe të kondensimit dhe të zhvendosjes së të thënës, ku e pathëna gjithnjë shfaqet si përpjekje për të ruajtur pastërtinë dhe lirikën e  shprehjes së saj, si dhe të qenies dhe qëniesimit përballë ankthit të ekzistencës.

    Ankthi i ekzistencës është i dy shtresave në tregimin e Esmeraldës, është i perspektivës individuale dhe të kolektivizuar, dhe aq më shumë të një përpjekjeje të autores për të vënë brenda një komuniteti, imagjinar, tërë penetrimet e saj artistike.

    Në kolektiven, ajo shquan një komunitet të dezintegruar në presionin e sociales si mërgimi e pesha e rëndë e krizës shoqërore, dhe në anën tjetër me kokë ulur, të dorëzuar, ‘dërmuar’ nga të gjendurit në prag të mbijetesës.

    Ndërsa në perspektivën individuale, gjë të cilën e krijon në masën më të madhe të tregimeve të saj, ajo krijon episode të intimes, të psikës dhe të Animes individuale.

    Ligjëratat ishin futur në kuti shkrepësesh të vogla. Njerëzit ishin fijet që rrinin stivë brenda. Të shtrirë dhe të trembur. Shkrepësja (kutia) ta merrte frymën, në skajin më të largët të saj ishe ti me këmbët e tua. E gjithë bota u përkufizua rreptësishtë. Ajo iu zbatua kundërshtarit.” (Tregimi “Litota”)

    Dhe

    Marina ime.

    Një të diel maji ishim shtrirë të dy nën blirin e madh afër shtëpisë së lyer me gëlqere… nga qiejt fryu erë. E ndjeva të pashmangshmen në trup. E ndjeva dhe gjaku më shkoi në fund të këmbëve… vajza më përmendi. Marina. Përfytyrimi im i mori dorën, ia puthi dhe ia vuri mbi buzë.” (tregimi “Dy Marinë”)

    Para se të kalojmë në këta dy shembuj të cituar, në përmbledhjen me tregime “Tregimet e një personazhi”,  është mjaftë e shpeshtë qoftë – çarja – sipas Anime (Carl Jung) dhe qoftë sipas skizoides psikologjike, në kryesisht dy qenie, dy përfytyrime të të njëjtës psikë. Gjë që është në lidhje direkte me kastrimin dhe me ndalesën e njeriut në qëniesimin e tij/saj, në pamundësinë e mishërimit të qëniesimit të tij/saj të brendshëm si pasojë.

    Duke iu kthyer dy shembujve të cituar nga përmbledhja e Esmeralda Shpata, në të parin është kondensimi i projektuar në “Kuti të shkrepëseve” dhe në të dytin është e cekura – çarje – Anima, e njeriut, individit dhe qenies.

    “Fija e shkrepëses” së projektuar në njeri, në introverten paradoksale, apo thënë ndryshe, njeriu i Interpretuar përmes këtij tregimi si fije e shkrepëses, është në “kërkim të të vërtetës”! Është në kërkim të kundërshtarit, vetë të vërtetës. Por, sipas Carl Jung dhe asaj që thuhet rreth introvertes në këtë fushë, ajo qoftë edhe po të zbulohet, kompleskohet/kondensohet në një projektim të fshehur dhe të shmangur nga Publikja.

    Gjë që, na sjellë tek ajo që është tejet e theksuar në tregimin e autores, – çarja – në Anime ndërmjet dy përjetimeve të vetes të një individi. Kjo është aq më shumë, e theksuar në personazhin e Era, Bora, Gjumi etj.

    Në shembullin e dytë të cituar, në të vërtetë, ka një zhvendosje të perspektivës, nga narratori i cili rrëfen në veten e parë, duke kaluar po i njëjti në përfytyrim të personazhes për të cilën rrëfehet, vetë Marinën. Kjo është pikërisht projektimi i introvertes e cila thyen, dhe shmangë çfarëdo kontakti me Publiken dhe të udhës së këtij projektimi, për të zbuluar të “pathënën” se në të vërtetë është individi i cili kastrohet, apo është i kastruar në pamundësi të qëniesimit dhe të mishërimit të qëniesimit të tij, gjë që e ndanë në të depersonalizuar dhe të pa-qëniesueshëm.

    Ty dy këto shembuj të cituar në të vërtetë e japin eksplicit, të “pa thënën” e pamundësisë së qëniesimit. Të një bote të “Projektuar” si – coping – dhe të kastruar nga ankthi i banorëve të qytetit, që si një personazh i Esmeraldës vazhdimisht na bën me dije se jemi një bashkë-qëniesim i pamundur.

    Më tutje, duke u ndalur pikërisht në tregimin hyrës “Grafikë”, i cili është përfaqësuesi më ekzakt dhe më i drejtpërdrejtë i introvertes në tregimet e Esmeraldës, mund të lexojmë këtë gjarpërim të udhës së rrëfimit të saj.

    … dikur ishte shpirti njëplanësh dhe i sakatuar i lepurit…

    nisi pastrimin, se vendi duhej pastruar nga dëshmitë e gjurmët e tij prej lepuri… ai gjallonte. Kuptimi i lepurit Tim jeshil u kthye në mit. Nuk ka më mister ku fle lepuri.

    Nuk ka më minj gjirizesh për të ngrënë sytë, ka lepur jeshilë mishngrënës. Është ai që shpëtoi nga frika e tij instinktive dhe sot të bren shpirtin.

    Në brendësi mund të gjeni ndonjë impuls frike, por peizazhi i lamtumirës së lirisë është më i fortë.

    Tani ka hipur mbi kullën e Sahatit dhe po bren akrepat.

    Në këtë tregim së pari kemi të shkuarën e një “lepuri” (“frike njëplanshe”), i cili pastaj gjendet në gjyqin e “heqjes së simbolit të tij si frikë”; më tutje kemi aludimin ironik të ‘fshirjes së misterit” të vendit ku fle lepuri. Dhe pastaj kemi kthesën ku lepuri, simboli i frikës në këtë tregim, personalizohet, dhe kalon saktësisht në “lepurin tim jeshil”. Dhe në kulminacionin e tregimit, ku “frika” dhe “liria” kalojnë në paradoks, të frikës që më nuk mund të gjendet, e që është “lamtumira e lirisë”. Dhe fundi ku “lepuri” një herë i kaluar në mit, i hequr simbolikën e frikës, “po bren akrepat”.

    Sigurisht, tregimi hyrës në këtë përmbledhje, është edhe ironi e ankthit të ekzistencës, e edhe lojë me pamundësinë e lirisë në personalen e narratorit, por është edhe mirë i informuar dhe aq më shumë bartë teorinë e ekzistencializmit përbrenda.

    Janë dy shfaqje që dalin nga ky Projektim (sipas Heidegger) i – shpërthimit tutje prej pamundësisë së mundësisë së jetës! Dhe në anën tjetër, sipas Freud, është projektim i ankthit të ekzistencës në  kah introvert, duke zgjedhur pikërisht ankthin dhe me këtë frikën dhe simbolin popullor të shtresuar si “lepur” për të penetruar në vetë paradoksin e ankthit të ekzistencës ndaj lirisë.

    Dhe shfaqja e një udhe të natyrshme, origjinare (sipas lindjes së këtij ankthi), dhe e cila gjithnjë tenton të – fshijë – po këtë udhë, gjë që përkundrazi e lë gjurmën në po të njëjtën.

    Kjo është introvertja e rrëfimit të Esmeraldës, e cila, luan dhe nxjerrë në pah, nga e përgjithësuara në personalen, pastaj tutje në universalen e ankthit të ekzistencës.

    Në përgjithësi tregimi i Esmeralda Shpatës është një risi dhe përpjekje për të shmangur skemat dhe për të krijuar në ‘lindje’, në ‘origjinare, në esencën e ‘pastërtisë’ së psikës. Gjë që më tutje na sjellë para një poetike krejtësisht personale, më shumë se origjinale, jo për ta kritikuar, por për të zbuluar se në rrëfimin e saj kemi të bëjmë me një Un krijues i cili, siç shprehet në një nga tregimet, “megjithëse kurrë nuk e ka takuar njeriun me emrin Kren” në të vërtetë, në realitet, është tërë kohën e përballur me po të njëjtin. Është tërë kohën në përballjen e saj me shtypjen. Është tërë kohën në përballje me Të Kuptuarit, dhe në këtë Interpreton po të njëjtën, si ironi e hollë ndaj pamundësisë së këtij qëniesimi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË