More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Romani Vdekja e Omerit – lugati i një qarku të...

    Ballsor Hoxha: Romani Vdekja e Omerit – lugati i një qarku të mbyllur

    Në këtë roman, në këtë shtresëzim të një shoqërie nën ankthin e pafuqisë ndaj urisë së saj, nën ankthin e pafuqisë ndaj vegjëlisë së saj, ka një kurthim, është lehtësia e gjuhës dhe prapavijës së shkëmbimit të pjesëve të romanit. Kjo lehtësi e të trajtuarit të kësaj narrative, e cila edhe i përgjigjet standardit të shoqërisë të cilën e trajton, dhe edhe regresit që ka pësuar shoqëria shtjellohet si kritikë e shoqërisë së mbyllur në atë që autori e quan “Mujshmëri”, e që është zhveshja e shoqërisë në forcën fizike dhe brutalitetin e klanores.

    Autori i romanit në fjalë e fillon narracionin me një krisje të tërë shoqërisë. Me vdekjen e një njeriu pikës më të dhembshme, më të brishtë dhe më të thellë. Vdes Omeri, djali i Mujës. Në të vërtetë vritet Omeri. Këtu megjithë paradoksin autori i kthehet vetë legjendës së Mujës dhe Omerit për të ri-reflektuar dhembjen dhe dashurinë e zhveshur në mbijetesë e uri fizike të një kolektivi. Derisa kjo shoqëri vuan patriarkalen e një babai për tërë shoqërinë, Mujën, edhe zgjidhja, tërë ajo që pason në kulminacionin e romanit e sipër i rikthehet dashurisë së babait ndaj djalit të tij, si paradoks i pazgjidhshëm i një shoqërie patriarkale. Në të vërtetë thënë thjeshtë, patriarkalizmi si një lugat i një ankthi të një shoqërie vdes, vritet (qoftë edhe pafajshëm) dhe ngritët përsëri në fundin e tij, në lamentin e shoqërisë ndaj djalit të “vetëm” të babait të vetëm të tërë shoqërisë. Kjo në të vërtetë është vetë Daed End, vetë qorrsokaku, e rruga e padalje e një shoqërie të mbyllur në jo vetëm vuajtjen e saj, por edhe shpërbërë humanizmin dhe dinamikën e të përballurit, të ballafaquarit. Gjë që sjellë në mendje teknikën e autorit Olluri në këtë roman ku nuk ka asnjë ballafaqim dhe asnjë dialog.

    Më tutje, kjo krisje siç është paramenduar e zbërthen dhe e shpërfaqë të palarë tërë shoqërinë. Shoqëria është e ndarë në ekstremin e vetëm dy anëve, në ata që kishin lidhje dhe vetëm për këtë e vuajnë vrasjen e një njeriu të pafajshëm, dhe ata që urrejnë çdo gjë që është në lidhje me këtë. Ekstremi i të jetuarit me një baba për të gjithë, me një njeri mbi të gjithë, me dhe pa dëshirën e shoqërisë, krisë zinxhirin e ekstremeve të cilat e zbulojnë terrenin për të shprehur tërë nënshtrimin  shoqërisë. Edhe në anën nënshtruese por edhe anën e nënshtruar të anëtarëve të shoqërisë. Në të vërtetë kjo është shoqëri ku është zhdukur dinamika e humanes, dhe në këtë tërë kolektivi jeton si i dytë (From), si dhurues i lirisë  personale për një baba mbizotërues.

    Këtu në të vërtetë, haset edhe prapavija e kësaj shoqërie, vetë shkëmbimi dhe zhvillimi i saj deri aty ku është. Në të vërtetë ka shumë pak krahasim dhe dinamikë në roman, mirëpo, është e qartë se liria e dhuruar, liria e të qenit të dytë, liria e të qenit turmë, është ankthi i një shoqërie e cila është viktimë e shtjellës së stagnimit në historinë e saj patriarkale, pamundësinë të dalë jashtë saj dhe të zhvilloj shoqërinë si është. Gjë që sjellë pyetjen nëse kjo është pamundësi e daljes prej kësaj strukture patriarkale me një Baba mbizotërues të të tërës, apo është vetë reaksioni i shoqërisë nën shtjellat e konstelacionet të cilat e kanë – hedhur – në atë që është e atë që është bërë. 

    Më tutje zbulohet meskiniteti, shpirtvogëlsia, dhe njëanshmëria e të parit të jetës në këtë shoqëri. Por kjo sado që është e gjykueshme nga jashtë, në të vërtetë është vetëmbrojtje dhe mënyrë e jetës në një shoqëri e cila e dhuron lirinë, ndaj një tjetri. Është mekanizëm mbrojtës po aq sa edhe rrënjësim në të kaluarën e cila ka qenë e vetmja mënyrë mbijetese, apo nëse e shohim më me guxim, si mënyra klanore e kalimit nëpër kohë.

    Sigurisht me këtë të gjithë tërhiqen në zhguallet e tyre dhe askush nuk di asgjë. Apo dikush edhe i di të gjitha. Megjithëse në gjuhë sociale (ta quajmë ashtu), të kapshme për të gjithë, të lexueshme për të gjithë, gjërat janë të ndara thjeshtë dhe të gjithë kanë pozicionin e tyre dhe në këtë strukturojnë shoqërinë me një Baba, ata megjithatë në tërë këtë kanë lirinë të jenë kundër dhe të akuzojnë njëri tjetrin. Por, kjo është politika e të dytit i cili gjithnjë hedh tutje dhe para përfaqësuesin dhe të parin e shoqërisë, dhe në anën tjetër krijon territorin e vet.

    Gjë që në fund na sjellë edhe tek bërthama e kësaj shoqërie. Një njeri mbi të gjithë, dhe të gjithë me dhe pa dëshirë nën një njeri. Kjo pikërisht shpërfaqë regresin e shoqërisë në shtyllat në të cilat është ndërtuar historia e kësaj shoqërie. Vetë karizmatikun Mujë të përrallave e legjendave të historisë së kësaj shoqërie. Përpjekja e autorit për të bërë të vetëdijshme regresin e shoqërisë në vetë shtyllat e historisë së saj të legjendave është këtu përpjekje për të reflektuar kritikën ndaj një shoqërie e cila vuan, në paradoks, jetën si i/e dytë, dhe është i mbrojtur në po të njëjtën shoqëri me antagonizmin dhe po ashtu me qëniesimin e tij/saj.

    Shpërfaqja e regresit në këtë roman është në njërën anë e pabesueshme, e pamundshme, e pakapshme, e që është dobësia e romanit duke qenë se nuk ndalet në krahasimin e fragmenteve të shoqërisë që e përmbajnë këtë fenomen. Ajo është e dhënë qysh në titullin e romanit e tutje, por në këtë ne përballemi me një reflektim i cili e sheh si të paikshme, vazhdimësi të paikshme këtë vendosje shoqërore në këto shtylla, derisa është e përballur me të pambizotërueshmen dhe aq më shumë të pambizotërueshmen e asaj që e ka krijuar.

    Dhe në shtresën e fundit kemi rikthimin e shoqërisë, apo rrënimin e shoqërisë në atë që kishte ndërtuar për të parë se paprekshmëria dhe i dyti (Erich FRom) është po aq fajtor sa edhe ai që qëndron mbi majën e shoqërisë.

    Duke iu kthyer edhe një herë fillimit të këtij teksti, gjuhës së ashtuquajtur sociale të cilën e përdor autori, është e pashmangshme kritika ndaj këtij romani për thjeshtësinë, qoftë si përafrim me legjendën e qoftë si kritikë ndaj shoqërisë, më e prekshme dhe më e kapshme për secilin. Përpjekja për të krijuar një rrënim të një shoqërie të ndërtuar në legjendën e saj, e që është asgjë tjetër përpos konstelacion i forcës fizike dhe klanore, dhe me këtë rikthimit të autorit në gjuhën e vetë gjuhës së shoqërisë, është një guxim tejet interesant dhe i ri në letërsinë tonë mirëpo ballafaqimi i të gjitha ideve dhe shtresave të këtij narracioni mbetet i padukshëm dhe aq më shumë i padiskutuar.

    Lugati i këtij qarku të mbyllur të shoqërisë së Vdekja e Omerit në të vërtetë nuk është një njeri, një që mundet, është vetë problemi i lirisë. Lirisë për të ballafaquar. Lirisë për të dalë jashtë mallkimit. Lirisë për të dalë ballë njëri tjetrit në dinamikat e humanizmit. E kjo e vdes shoqërinë në një njeri, në një që mundet, derisa çdo i dytë në këtë mes krijon territorin e tij për të imituar, për të jetuar dhe për të arritur nën këtë dhurim të lirisë. Shtrohet pyetja nëse vetë  liria kthehet si mallkim, liria e qëniesimit të pastër ndaj këtij dhurimit të lirisë. E mallkimi i lirisë në lugat i cili s’vdes.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË