More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Prapa murit të dhunës – “bari që rritet mbi varre”

    Ballsor Hoxha: Prapa murit të dhunës – “bari që rritet mbi varre”

    Rreth përmbledhjes së parë me poezi të Agron Tufës “Aty te portat Skée”

    Përmbledhja e parë me poezi e Agron Tufës – “Aty te portat Skée” është një prej testamenteve poetike të kësaj kohe të post- tiranisë komuniste në Shqipëri. Dhe atë pikërisht në hapjen, si të Portave Skée (shih parathënien nga autori), të vetë qëniesimit në tërësinë e tij: prej mitikes, Zotit, tej tek njeriu – i “privuar në mish” dhe në “barin që rritet natyrshëm mbi varr”, gjë që është  cikli i plotë i vetëdijes së njeriut, në lirinë e plotë. Në fjalë të tjera është një ndër veprat e para post – komuniste, kur një vepër hapë horizontin e qëniesimit në të gjitha zonat e vetëdijes së tij. Kështu duke e parë lirinë të plotë, dhe paradokslaisht, me “barin i cili natyrshëm rritet mbi varrin e njeriut”. Pra, në tërë lirinë e qëniesimit të njeriut.

    Pos dritës së Zotit s’ka vdekur

    Gjithë ç’qe e privuar në mish,

    Dhe nata, si provë e pjekur,

    Dergjet pa frymë mbi plis.” (poezia “Provë e pjekur”)

    Le të nisemi pra nga kjo poezi e përmbledhjes “Aty te portat Skée” të Agron Tufës. Tri shtresa, tri lloje të vetëdijes në të vërtetë: Zoti, e privuara në mish, dhe nata provë e pjekur. Tri paravetëdije, tri primodriale, dhe tri ekzistenca të pavetëdijshme, përkundrazi. Poezia e Agron Tufës, në këtë përmbledhje, para leximit të tij të Martin Heidegger, para studimit të këtij filozofi gjë e cila do të ndikojë në këtë poet më vonë, është një “portë” e cila hapë qytetërimin, sipas tij, në të përjetshmen, siç e quajmë, por që në të vërtetë është paranjerëzore, dhe pas njerëzore, në të vërtetë e pandjeshme ndaj njeriut, si në qëniesimin e saj po ashtu edhe në të qënit ndaj njeriut.

    Sigurisht, për poetë të këtij kalibri, qoftë përmbledhja e parë, e qoftë e fundit, është e përqendruar në sistem personal poetik, poetikë unike. Përmbledhja “Aty te portat Skée” është një hapje e qytetërimit, dhe më tutje përballje e njeriut me – zotin të vetmin të vdekur -, me njeriun “ të privuar nga mishi”, dhe deri tek nata/natyra/universi i cili po vdes, po dergjet, dhe po mbetet nën “barin e varrit”. Për më shumë, janë disa nga simbolet e këtij poeti që e krijojnë këtë sistem: zoti, qytetërimi, “bari i varrit”, “filli”, harrimi dhe vdekja, dhe “varri lundrues nëpër natë”.

    I ankoruar te kjo dhomë

    Si një varr lundrues nëpër natë…

    Përnjëherë rrëqethja fëshfërin

    Në kurmin tënd të butë

    Me ngatërrimin e vetave…” (poezia “Kontrapunkt”)

    Sikur ta marrim që vargu “përnjëherë rrëqethja fëshfërinë” është intertekst, i pavetëdijshëm, apo periferik me poezinë e Camajt mbi vdekjen, del një ndërthurje perpetuale, e cila zbulon dhe shfaqë strehën e poetit të “Aty te portat Skée”, në poezinë e Camajt dhe në përpjekje perpetuale për të komunikuar të harruarën e “të të gjithës” nga komunizmi tashmë në ikje e sipër të kohës reale të këtyre poezive.

    Në poezinë e Camajt kemi, si shembull poezinë:

    Disa herë në jetë

    Disa herë në jetë e ndieva në fëtyrë

    erë e trupit të saj në lëvizje

    dhe s’pata frigë. – Mordja! – thashë

    e duert e mija ishin të ngjituna

    ngusht njana me tjetrën

    dhe s’pata frigë

    Në gishtat e mij kisha lidhun dhimbën

    me fije të kuqe

    dhe dashuninë s’e harrove.

    Besoj se asht larg,

    por kur ajo në ndonjë fatkeqsi

    ngreh kambën rrëshanë nëpër pluhnin

    e gërzhatshëm t’ udhave, më përqethet

    shtati, e s’kam frigë.

    Besoj se asht larg,

    por kur era muzgut më kapet për tesha

    mërdhas e parandjenja e saj m’ fryn zemrën

    me plasë: Ajo asht e ftohtë!

    Kur të vdes, më veshni me tesha të leshta

    sikurse ishte dokja ndër të parët e mij

    (Martin Camaj, poezia “Disa herë në jetë”, përmbledhja “lirika mes dy moteve”)

    Është ndër-komunikim dhe aq më shumë kthim prapa në të provuarën dhe në të kaluarën e përjetuar si të plotë me të gjitha mundësitë, prej Zotit të pandaluar e deri tek “mëlçia”  e njeriut.

    Në njërën anë kemi poezinë e Tufës e cila ndërton shprehjen e saj përmes zërimit të “Zvarritjes” së vdekjes në trupin e tij, të të prëafrimit të ankthit ekzistencial ndaj vdekjes, dhe në anën tjetër është poezia e Camajt e cila shtjellon këtë ankth ndaj vdekjes, si fenomen i paevitueshëm njerëzor, në zërin estetik të “zvarritjes” së saj nëpër trupin e poetit.

    Por, në të vërtetë, poezia e Tufës, është shumë më thellë në ndërkomunikim me poezinë e Camajt, duke qenë se ri-mishëron dhe gjen “zvarritjen” e një fenomeni si ankthi njerëzor ndaj vdekjes, kudo dhe në çdo moment e hap të lirisë, tashmë të hapur nga “Portat Skée”.

    Është një poezi, duke prëfshirë të dyja, atë të Camajt dhe të Tufës, shprehet si një çift binjak siamezë e cila lundorn, përpëlitet nën, dhe i del përballë si – Resoluteness – këtij ankthi njerëzor nddaj vdekjes.

    Të dyja këto thekse, të poezisë së Agron Tufës, qysh në përmbledhjen e tij të parë, pra qëniesimi i plotë, deri në ekzistenciale të plotë, dhe në anën tjetër interteksti i tij me poezinë e Martin Camajt, janë motivi, interesi, sistemi i lartcekur, dhe aq më shumë filozofia e tij.

    Në këtë, koha reale e kësaj poezie duke qenë – kalimi – i shoqërisë shqiptare nga komunizmi dhe diktatura, në demokraci dhe liri të kësaj shoqërie, e gjen poetin të kapur pas kërkimit të “fillit”, e filli duke qenë vetë “mëlçia” e njeriut. Njeriu i gjendur në – aporinë – e të vuajturit të dhembjes, dhe në të njëjtën kohë të të qenit i përhumbur në topitjen nga dhembja, pandjesia ndaj saj dhe “harrimi” i saj.

    Dhe po kjo duke e thelluar po të njëjtën – apori – në “fillin” e ditur, të freskët e plagët të pambyllura, dhe në përhumbjen e njeriut në ironinë e “mungesës” së fillit.

    Por “bari i rritur mbi varre” është i shtrirë në tërë poezinë e Agron Tufës. Si ankth, ekzistencial, dhe si dëshmi e reales, si vrojtim i jetës ndanë tij, si paqe, më në fund, jo e “dhunës”, jo e dhembjes, jo e vrasjes, por e të parit matanë murit të vrasjes dhe dhunimit të diktaturës, në vetë vdekjen në të cilën vdes njeriu.

    Sa është e dhembshme, sa është paradokslae, dhe po aq edhe dramatikë e errtë, në të vërtetë, kjo është liria, e plotë dhe e natyrshme: bari që rritet mbi varrin e njeriut.

    Menjëherë, në këtë liri, njeriu kalon në të “Privuar nga mishi”, në të vërtetë, në – aporinë – e të qenit mish, i etur, i pangopshëm dhe i patjetërsueshëm në këtë, dhe me “problemin” e kockave që i mbeten si përkujtim i një kohe “kur njerëzit e hoqën qafe mishin”. Aq më shumë poeti – thërret –

    … shpall botërisht

    Divorcin e madh

    Të kockave me mishin…

    Kam neveri

    Dhe dua të arratisem përgjithmonë

    Nga ky burg banal prej mishi.” (poezia “Apologjia e kockave”)

    Por, së pari, para se të qëmtojmë “problemin e mishit”, të trupit, të pangopshmërisë së tij banale, le të quajmë tri shtresat, zonat ku edhe gjallon poezia e Tufës.

    Ajo hapet në dyzimin e mitologjikes, dhe të të kaluarës së Qytetërimit të njeriut, në poezitë e para (shembull këtu janë poezitë “Elegji”, “Pikturat e Tua”, “Këngë”, “Kuajt e ëndërrt”, etj).

    Më pastaj poeti mjeshtërisht krijon zonën dhe shtresën e radhës së perpetuales së poezisë së tij, brenda vetëdijes/dritës/zotit, gjë që e përballë atë si njeri.

    Zoti majtas dhe zoti djathtas

    Të shtyjnë për në qendër,

    Ku një tjetër, po ashtu zot,

    Ai sipër dhe

    Ai poshtë,

    Gjuajnë fort dhe egër

    Mbi kopenë e trembur në qendër.” (Poezia “Siujdhesat e Odiseut”)

    Dhe në fund shtresa e të qënit të gjallë i vdekur

    … Andej del faresh një shilarës i çartur,

    Mbi faunën e yjeve duke bërë kërdi.

    Lëshohet gjith’kob mbi tokën e plakur

    ku kurrë nuk vdiq, as nuk u ngjallë njeri.

    Ndaj, Zot, mos na lër kokën ta kthejmë

    nga dergjet përthellë kapitje luledielli.

    Mbi teka e pengje pa mort bleroftë

    I njëjti dru i vdekshëm – Harrimi!” (poezia Nga e shkuara vjen stuhia”)

    Këto tri zona të gjallimit të poezisë së Agron Tufës, prej dramatikes dhe dyzimit të mitikes me realen aktuale të poezive të kësaj përmbledhjeje, si hapje, e njerëzimit ndaj qëniesimit në plotësinë e saj, e më tutje në konfliktin dhe përballjen me zotin, dhe më tutje në të qëniesuarit dhe të kaluarit në qëniesim të vetëdijshëm mbi Harrimin, dhe të të vdekurit , të vetë Temporales, poezia e Agron Tufës krijon kockën e saj, të fondamenteve të saj dhe të masave të saj të përballjes dhe të qëniesimit të saj.

    Dhe tani, pasi që kemi kaluar nëpër këto katër zona, duke i kthyer njeriut, si i privuar në mish, si qenie e pangopshme, si qenie harruar kocin e tij, si qenie e tradhtuar veten e saj gjendemi përbrenda dhe përballë ekzistencës sonë, të menduar si thirrje (- summon – nga anglishtja) të të gjitha zonave të qëniesimit dhe të lirisë.

    Poezia e Agron Tufës në këtë përmbledhje është meditim i dramatizuar poetikisht, dhe meditim e filozofi omnishente ndaj temës së saj. Në të vërtetë ajo shfaqet e këtillë në të shumtën e përmbledhjes dhe si intimitet poeti në poezitë e tjera, siç është në poezitë e titulluara Kontrapunkt dhe Kontrapunkt 2, ndër të tjera.

    Mirëpo ajo gjithherë është e kompozuar në konstelacion, në perpetuale me poezinë e Martin Camajt. Në të vërtetë një prej poezive antologjike dhe rrënjësisht tronditëse është edhe poezia e fundit në këtë përmbledhje “Kronikë e një vrasjeje të mallëngjyer

    Në këtë poezi, ka një intertekst të shumëfishtë, gjithnjë duke konotuar tragjedinë shqiptare të gjakmarrjes, dhe të vazhdimësisë së saj. Interteksti është eksplicit në referencën ndaj këngës dhe legjendës për Aga Hasan Agën dhe dashurinë e tij të “privuar” nga gjakmarrja, dhe në anën tjetër është një lojë dhe ndër-komunikim me dramaticitetin dhe ekzistencialen e Camajt.

    Përmbledhja me poezi “Aty te portat Skée” e Agron Tufës është një udhëtim në hapjen e dyerve të qytetërimit, të vetëdijes, të Botës si Publike dhe aq më shumë duke shkuar tutje në thellimin e qëniesimit si ekzistenciale, me paravetëdijen dhe me paranjerëzoren e tokës. Është një nga poetizimet më kuptimplota të lirisë dhe të qëniesimit në liri pas rënies së komunizmit dhe të gjetjes dhe të perceptimit të vërtetë dhe të plotë të lirisë në qëniesimin e plotë të njeriut.

    Është në të vërtetë e shquar dhe mjeshtëri e shquarjes së qëniesimit si ankth, si harrim, si Temporale e cila qoftë në lirinë e harruar kalon në një vdekje të pakuptim. Gjë që bën të dhembshmen e qëniesimit – pakuptimësinë e jetës, qoftë edhe në lirinë e njeriut!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË