More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Marrëzia ballkanike në përmasat e saj reale dhe kozmike

    Ballsor Hoxha: Marrëzia ballkanike në përmasat e saj reale dhe kozmike

    Një hyrje e shkurtër

    Në prozën e parë të kësaj përmbledhjeje, Fajtori, një shkupjan, dhe një ambasador “Shkelqësi” siç i thonë në Paris, të dy, pikërisht në këtë qytet gjenden në një telashe të paimagjinueshme. Nëse jo në emër të tij, së paku në lidhje me të derisa ai ka shikuar punët e tij për të mbijetuar, pra të shkupjanit, gurgdhendës i zakonshëm, vdekatar i zakonshëm pikërisht kështu siç e ka paramenduar jetën e tij, është rrënuar një gjeneratë e tërë e studentëve, të rinjve, shqiptarëve ngado e kahdo, dhe në këtë ka dalë dosja e tij në publik, në një mënyrë. Sa më shumë që thellohet “përfshirja” e tij tanimë në publik, marrëzia e tërë kësaj arrin përmasa kozmike. A ia vlen të merret njeriu me një kozmos marrëzie, a ia vlen të ballafaqohet po kjo. Por, ajme, asgjë nuk përfundon këtu, pikërisht me hapjen e dosjes së tij, si njeri tejet i përfshirë në majat e politikave të UDB-së jugosllave dhe të Maqedonisë atëherë (tash Maqedoni e Veriut), hapet dhe ana tjetër e marrëzisë së kësaj politike jugosllave e maqedonase të veriut, të hakmarrësve, dhe me këtë ai prapë është, tanimë njëlloj heroi, i përfshirë në ndëshkimin e politikës paraprake.

    E si hyn këtu një “Shkelqësi”, përpos përmes mallkimit që mbanë, është shkrimtarë, është shqiptarë dhe respektues edhe ndaj një qytetari të thjeshtë si gurgdhendësi shkupjan. Ai duhet ta bartë këtë marrëzi, t’ia mundësoj shkupjanit të ballafaqojë këtë marrëzi në publik, por vetëm përmes shkrimit. Dhe ky shkrim, me Mustafajn pjesëmarrës, ka dalë në librari, por ka dalë edhe kozmosi i marrëzisë ballkanike bashkë me të, në publik. Të na ruaj zoti, se kozmosi vazhdon e vazhdon.

    Në prozën tjetër të kësaj përmbledhjeje, po ky kozmos marrëzie është saktë ndan vuajtjes njerëzore, duke e bërë edhe këtë të dytën marrëzi saktë për shkak të pashpjegueshmërisë së saj. Pikërisht në pakuptimësinë e saj, të shkaktuar dhe që ka përmbytur njeriun. Pattern (shtegu) i vuajtjes duke qenë i mbetur vetëm dhe vetëm subjektive, për shkak të pakapshmërisë së saj për tjetrin, dhe aq më shumë përmbytjen e njeriut në të. Dhe pikërisht kjo e shndërron tërë vuajtjen e njërit prej idhujve të të rinjve të Shqipërisë komuniste, njërit prej qëndresave më të thella ndaj kësaj tiranie, ndaj njërit prej heronjve më të mallkuar, në saktë marrëzi! Marrëzi duke qenë e pakufishme dhe e pakapshme, aq më shumë vetmi e pakalueshme, dhe e pabartshme. Pikërisht kur ky hero, ky idhull ka kaluar të tërën, i hapet urrejtja ndaj vetë babait të tij me të vetmen arsye të të qenit baba i tij, në mos të ketë arritur të qëndrojë e t’i bëjë ballë tërë katrahurë[s së tij përmes urrejtjes ndaj babit të tij. Aq më shumë shterpësia e një jete të pajetueshme, aq më shumë të papërjetushme, për shkak të të njëjtës marrëzi, për shkak të pakufishmërisë së lirisë pas kësaj vuajtjeje, dhe saktë pamundësia për të humanizuar këtë vuajtje, e çon atë vetë, dhe çdonjërin në afërsi të tij në skajet e kozmosit të kësaj marrëzie.

    Në prozën e tretë të kësaj përmbledhjeje, kemi një kthesë tejet interesante të Mustafajt, ai në guximin më të madh përballë dhe ulet gju më gju me lexuesin duke e publikuar një prej novelave të gjata të tij të hershme në veprën e tij. Proza përmban një situatë e ngjarje monstruoze, të paimagjinueshme. Është vetë marrëzia në stratan (shtresën) e aktuales së saj, gjatë tiranisë së komunizmit të Shqipërisë. Është zanafilla e monstruozitetit, (lexo: marrëzisë së vuajtjes) që në dy novelat e para ka arritur përmasa kozmike.

    Mirëpo, lexuesi duhet pasur në mendje që këto novela, (qoftë edhe e fundit në krahasim me dy të parat) janë mjeshtëri e rrallë e teknikës postmoderne të trajtimit të psikologjisë, e me këtë të njerëzores së narratorit pjesëmarrës, edhe real dhe edhe fiksional, ndan një kozmosi të marrëzisë ballkanike, e shqiptare (si në tregimin e dytë).

    Po, Mustafaj është diplomat (e që në popull njihet si politikan) i rryer, dhe me përvojë edhe revolucionare , apo sido që trajtohet fundi i komunizmit tiranik në Shqipëri, aq më shumë duke pasur parasysh esetë në vijim mbi këtë përmbledhje të tij, gjë që mund të ketë edhe keqkuptimet pa të cilat nuk mundemi, si pjesëmarrës të këtij kozmosi, por ka një gjë që nuk bën të harrohet në këtë, dhe kjo është pikërisht ajo që u cek në vërejtjen për leximin postmodern të këtyre tregimeve e novelave.

    Në trajtimin e dy tregimeve të para nga kjo përmbledhje, si ese, shfaqen dy fenomene të psikanalizës së Freud, e që janë vonimi i kënaqësisë, si marrje, apo, aq më shumë përpjekje e njeriut për të marrë pushtetin mbi kënaqësinë, e me këtë mbi vetë qeniesimin. E kjo në kënaqësinë e të vonuarit të kënaqësisë (paradoksalisht) shkakton impotencën, e kësaj marrëzie me përmasa kozmike -shih politikën ballkanike sot, e kurdo në historinë e saj.

    Dhe fenomeni tjetër i psikanalizës, gjegjësisht në tregimin e dytë kësaj përmbledhjeje, ai i Kompleksit të Edipit, si pattern (shteg) dhe si e përhershme e pandryshueshme, dhe e pakthyeshme e çdonjërit, pikërisht për shkak të pamundësisë së ikjes nga ky pattern, qoftë të vuajturit e qoftë shkaktarët, apo, thënë më mirë, të gjithë ne që jetojmë post-tiranisë kozmike të kësaj marrëzie.

    Dhe, para trajtimit eseistik të dy tregimeve të para të përmbledhjes Fajtori, këto dy fenomene të psikanalizës, impotenca kozmike dhe pattern i pakthyeshëm i saj (jo vetëm për shkak të atësores së këtij shtegu), pra vonimi i kënaqësisë dhe Kompleksi i Edipit, janë në të vërtetë të qenit në pakthim në afërsi reale dhe tronditëse ndaj atësisë sonë, jo vetëm si bijë e bija, por edhe prindër tanimë, të këtij kozmosi që duhet dekonstruktuar disi. Apo, siç u tha më lartë, në këtë impotencë qenisimi ballkanik, e jo vetëm shqiptarë, duhet të rikthejmë potencën, të ri-zbulojmë vetë kënaqësinë e të jetuarit.

    Nji impotencë kozmike – vonimi Freudian

    Një tregim/novelë si Fajtori e Besnik Mustafajt, të bën të pyetesh nëse politika dhe me këtë pushteti nuk janë aq ndyrësisht shprehje e kënaqësisë deri në impotencë të bartësve të saj. Nëse ato nuk janë shprehja ekzakte e njeriut në anal – sadizimin e tij, në pamundësinë për të shkarkuar kënaqësinë e tij/saj për të vonuar përfundimin e kënaqësisë deri në një kënaqësi kozmike. Nëse e tëra, politika pra, nuk është një inspirim për të fshehur deri në përmasa kozmike, kënaqësinë po ashtu kozmike, të qenit në pushtet.

    Tregimi/novela Fajtori i autorit Besnik Mustafaj është një shembull klasik i asaj që Freud e njihte si pushteti i njeriut, apo në të vërtetë ankthi i njeriut për të pasur pushtetin mbi kënaqësinë – defer (shtyrje/vonimi i kënaqësisë!).

    E më tutje, pushteti i njeriut mbi qeniesimin duke pasur pushtetin mbi kënaqësinë.

    Tregimi/novela Fajtori është saktë paradoksi i zmadhimit gjigant të kënaqësisë, apo thënë më saktë të obsesionimit me vonimin e kënaqësisë, derisa ajo përfshinë në përmasën e rritur të saj kozmike (të gjeneratave, shteteve, politikave, historisë dhe të luftërave tmerrësisht të përgjakshme) një gurgdhendës rrënjësisht të padjallëzuar. Me ç’rast ai, në tërë përditshmërinë e tij të vdekatarit të zakonshëm, kalon nga bartësi i ndërtimit dhe veprimit të një sistemi historie, në bartës të një sistemi të një historie të re, të shumë e shumë gjeneratave, politikave, historive dhe shteteve.

    Në paradoksin e vonesës, shtyrjes (delay, deference) sipas psikanalizës të Sigmund Freud, filozofi Jacques Derrida gjen çarjen e tërë bashkëkohësisë sonë, e që është – differance – kompozicion i fjalëve defer dhe difference (shtyrje dhe dallim). Përputhja dhe mospërputhja në të njëjtën kohë e fenomeneve të qeniesimit tonë, pranimi dhe vonimi i pakufishëm i çdo gjëje, deri në një shënjim të radhës që do të shënjojë, një shënjim tjetër, deri në pafundësi, dhe kjo, jo si dinamikë, por si pamundësi e të vërtetës, fizikes sonë të pandryshueshme, e të afeksionit tonë me veten tonë si njerëz në këtë botë dëshmuar vetëm dhe vetëm përmes fizikes.

    Por, le t’i kthehemi fenomenit të defer, shtyrjes, Freud e farkëton këtë si kënaqësia e njeriut mbi vetë kënaqësinë. Kënaqësia e të vonuarit të kënaqësisë, apo thënë thjeshtë të shtyrjes së përfundimit të kënaqësisë.

    Dhe nga kjo hyrje, të pyetemi, çka ndodhë në të vërtetë në tregimin/novelën e Besnik Mustafajt, Fajtori? Sigurisht ngjarja nuk mungon, e tëra tregohet, aksioni/situata janë hollësisht të shtruara, dhe në fund ka edhe një përfundim. Pse dhe të shfaqet apo të flitet fenomeni i vonimit/shtyrjes Freudiane, në tërë kohën e tregimit.

    Në ngjarjen e tregimit/novelës së Mustafajt ka vetëm dy personazhe, ai i narratorit Besnik Mustafajt (vetë personit fizik) dhe të shkupjanit të padjallëzuar të formësuar e mbijetuar në Paris, Hamza Sinanit. Gjë që asgjë nuk ka të bëjë me vonimin/shtyrjen duke qenë se të dy kurthohen në një situatë në të cilën as nuk janë pjesëmarrës direkt, dhe as nuk bartin ndonjë rëndësi të dorës së parë. Kjo më tutje duke e bërë konfuze tërë këtë fenomen të vonimit.

    Por, së pari, këtu nuk kemi të bëjmë me vonesë, le të themi sa zgjatë një kënaqësi çiftëzimi seksual, as edhe të ndonjë kënaqësie të paramendueshme direkt, në të vërtetë kemi të bëjmë me shtyrje dhe vonim të kënaqësisë për jetë dhe gjenerata të tëra, dhe aq më shumë për kolektive e shoqëri e shtete që përfshijnë një histori të tërë. Kemi të bëjmë me UDB-në e famshme të ish Jugosllavisë që ishte shërbimi sekret jugosllav. Kemi të bëjmë me lindjen e një shteti të ri, atë të Maqedonisë e më vonë Maqedonia e Veriut, kemi të bëjmë me kalimin dhe ndryshimin e raporteve ndër-etnike shqiptaro – maqedonase. Kemi të bëjmë me gjenerata të tëra, histori të gjeneratave të politikanëve, “Shkelqësive” të tyre në Paris, dhe me histori të politikave të shteteve e shoqërive. Ndërsa Mustafaj, po ashtu “shkëlqesi” dhe shkupjani i padjallëzuar bëhen pjesëmarrës të po të njëjtës.

    Dhe së dyti, kemi të bëjmë me një gurgdhendës dhe një shkrimtar, i cili në të vërtetë përfshihet në këtë kozmos shndërrimesh e vonesash e shtyrjeve të kënaqësive, në mënyrë indirekte, që janë strumbullari i rrëfimit të këtij qarkimi të këtij kozmosi, gjithnjë duke e shtyrë dhe vonuar kënaqësinë. E paparamendueshme, një gurgdhendës shkupjan dhe një shkrimtar që mbeten bartës të shpartallimit të këtij qarku të vonimit të kënaqësisë të këtij kozmosi. Njëlloj kolaterali i tërë kësaj vonese.

    Së treti, duke iu kthyer fenomenit të vonimit (defer) nga Freud, të kënaqësisë, kjo në të vërtetë shpjegohet, në prapakthim, si kënaqësi anal-sadiste, njëlloj mospajtimi me përfundimin e kënaqësisë. Njëlloj refuzimi për të shkarkuar kënaqësinë. Njëlloj obsesionimi për t’u kënaqur deri në vdekje.

    Së katërti, kur tanimë i kthehemi fillimit të kësaj eseje, – differance – të Jacques Derrida, arrijmë në njëlloj përputhje të kësaj kënaqësie, dhe aq më shumë mospërputhje të kësaj kënaqësie derisa endemi në të gjitha rrjetat dhe bartëset (gjeneratat) e jo vetëm të vonimit/shtyrjes tanimë, por edhe të dallimit. 

    Kozmosi i vonimit të kënaqësisë së pushtetit, apo siç u tha në fillim, të pushtetit mbi kënaqësinë, në stilin ballkanas, në tregimin/novelën Faji të autorit Besnik Mustafaj, në të vërtetë është i ngujuar në një burim të vetëm, atë të humnerës së pafundme të motivit për këtë kënaqësi, e që është vetë pushteti, politik/shtetëror. Por, i cili është i ngujuar thellë në humnerën e të pabesueshmes, të pakontrollueshmes, dhe aq më shumë të po të njëjtës bërë të “kapshme”, që do të thotë të pabesueshme pafundësisht, nga kalimi në impotencë të kësaj shtyrjeje. Sigurisht, kjo gjanë komplekse për t’u kapur, por nëse një histori e tërë, në vazhdim e sipër, reale dhe me së paku mijëra viktima e sakrifica, dhe shtyrja e pafundme ndër të gjitha këto gjenerata të kësaj kënaqësie të dhe për pushtetin, doemos do të kishte, do të ketë edhe pasojat e papërballueshmërisë së organizmit njerëzor, të bartësve të saj. Arritja e një kënaqësie kozmike, si kjo, aq më shumë ballkanase, kaluar në impotencë, është tërë pushteti i arritur i kësaj lufte gjigante për këtë differance.

    Ndërsa, për përfundim, thënë shkurt- differance – e Derrida, shfaqet krejtësisht kthjellët në dy shtresat e situatës ku gjendet autori i kësaj novele: shtresa e parë ajo e dy pushteteve, atij paraprak me këtë aktual, në tentimin e tyre për lustrim, ndërsa tjetri, cilido nga këto të dy sisteme, është pakthyeshëm në përputhje me drejtësinë e vetë në emër të të cilës ndërmerret çdo gjë, por pakthyeshëm në mospërputhje me drejtësinë e vetë në emër të të cilës ndërmerret çdo gjë, po ashtu. Dhe më tutje, në shtresën e dytë: gurgdhendësi shkupjan dhe autori duke qenë pabesueshëm burim i të tërës, dhe në anën tjetër, paarritshëm të besueshëm në të qenit të përjashtuar nga çfarëdo burimësie e të tërës. Gjë që në fund del të jetë një impotencë kozmike, me përmasa kozmike, e me kah për në tërë universin!

    Marrëzia e vuajtjes saktë përballë saj

    Kur lexuesi takohet me një vepër si O tempora!, e autorit Besnik Mustafaj, ka një fatkeqësi, apo një fund të natyrshëm, por të cilën ne e quajmë ashtu, megjithëse kjo është vetëm fund i një kënaqësie të papërsëritshme, fund, edhe i natyrshëm, edhe i duhur, por në të vërtetë, në këtë, që përmban edhe një vdekje, të lehtë, të prekshme dhe të përjetuar, e që është fund i gjallërimit të një rrëfimi. E quajmë fatkeqësi, me ose pa të drejtë, nuk e di, megjithëse po e njëjta është qoftë shkëputja e gjërave, apo qoftë fundi i rrëfimit, e rrëfimi vetë jeta. Në të vërtetë, e përjetojmë fundin, qoftë vdekjen, ashtu të lehtë, të prekshme dhe të përjetuar në rrëfim, në përfundim të tij.

    Nuk është e paqëllimtë teoria e personazhit të Kunderas për Edipianen në marrëzinë e vuajtjes së shkaktuar nga komunistët e shekullit të kaluar në romanin e tij më të njohur. Në të vërtetë ajo është tmerri i hakmarrjes së Edipit birë ndaj pakthyeshmërisë dhe të pandryshueshmërisë së të përhershmes së atësores, fatit dhe – pattern – (shtegut) të njerëzimit. Pattern i sjelljes njerëzore, dhe me këtë pattern i pandryshueshëm i pushtetit, të pushtetshmes dhe të pushtetarit.

    Dhe në këtë, apo pas marrëzisë së tërë kësaj vuajtje, një shkrimtarë, dëshmitarë i saj, si Besnik Mustafaj është një Don Kishot i kronikës së saj, apo thënë më saktë ka kaluar në Don Kishot, përballë dhe në ballafaqim me mospërfundimin e kësaj marrëzie të vuajtjes.

    O tempora, o Servantes, o Mustafaj, ç’është në këtë kozmike të marrëzisë ballkanike, vetë letërsisë ballkanike!, përballë dhe në ballafaqim me vuajtjen që ia shkaktojmë ne vetes! Një kozmos letërsie përballë kozmosit të marrëzisë ballkanike, vetë kotësia, vetë e paimagjinueshmja, vetë e papërjetueshmja, e papërsëritshme.

    Po, është e papërjetueshme, e papërsëritshme. Qysh duke u nisur nga mëria, e pafalshmja e të qenit birë, fëmijë ballkanik. Impunity (mosgjykimi, apo gjykimi me mosjgjykim) e shpallur e të birit shqiptarë ndaj prindit shqiptarë. Nuk e di a është e lehtë të lexohet, apo ndoshta tejet komplekse në këtë tregim/novelë, efekti i kësaj Impunity të të birit Zenel Meça ndaj babait të tij, në narratorin – dëshmitarin real Besnik Mustafaj. Apo, që do ta quaja në këtë ese, vetë Don Kishotit e Servantesit bashkë të këtij tregimi/novele, të vetë Mustafajt.

    Kompleksi i Edipit, i ashtuquajtur në psikanalizë është kthjellimi i njeriut në infantilen e tij/saj se bota është e mbetur dhe e lënë pakthyeshëm në përhershmëri nën pushtetit atësor, qoftë para, pas apo gjatë të qenit fëmijë i një babai. Është pushtet i pandryshueshëm, dhe për këtë në konflikt të patjetërsueshëm, dhe për këtë në – pattern – të Don Kishotit ndaj Servatesit, dhe të Servantesit ndaj atësores mbi të.

    Apo, të Besnik Mustafajt ndaj atësores mbi të, të personazhit të tij Zenel Meça, në prapakthim, ndaj vetë Besnik Mustafajt si autor.

    Letërsia është në të vërtetë skuta, qoftë edhe ajo mbledhësja e ujit të pikave të shiut në Kronikë në gur të Kadaresë, në të cilën ikim nga atësorja e trashëguar mbi ne, aty ku shtrijmë gjerë e gjatë një univers botë ndryshe, një botë tonën, vetëm tonën, për të ikur nga ky konflikt me atësoren mbi ne, nga kjo përhershmëri e atit, mbi atin, e atit të atit, të etërve, etj.

    Dhe Mustafaj në këtë tregim/novelë O tempora!, dorëzohet, në mos është mundur, në mos është përmbytur, në mos është bartur nga vërshimi i letërsisë, qoftë asaj mediokre, e qoftë asaj si epitomë e vuajtjes së atësores, përballë marrëzisë së vuajtjes.

    Është marrëzi, jo vetëm për shkak të pamundësisë së të bashkëndjerit (përdëllimit) ndaj një personazhi si Zenel Meça, është marrëzi vetë jeta, vetë pas-jeta, pas-tirania, pas-…, një vuatje si ajo e këtij personazhi.

    Atësorja si pakthyeshmëri në përhershmëri e pushtetit të dhënë si pattern i njeriut nëpër të cilin do të jetoj përgjithmonë, në këtë tregim/novelë është disfata e njeriut për ta ndryshuar atë. Për të ikur nga ajo. Për të jetuar tej e tutje prej saj. Zenel Meça jeton, në të vërtetë ka jetuar marrëzinë e tërë vuajtjes. Zenel Meça është i pa fëmijë, pa familje, pa grua. Është i kastruar, jo në vuajtjen e tij, por saktësisht jashtë saj, në lirinë dhe demokracinë pas marrëzisë së vuajtjes. Është i pajetë, i pajetueshëm dhe i pa përjetueshëm qoftë për veten (aq më shumë në pamundësinë e përdëllimit të të tjerëve përreth tij). Sepse pikërisht, tutje jashtë marrëzisë së vuajtjes, ai përballet me të pandryshueshmen e atësores, vetë vdekjes së saj, dhe aq më shumë të pandryshueshmërisë së kësaj vdekjeje, këtij përfundimi.

    Ky është konflikti i atësores dhe fëmijës. Pandryshueshmëria e pamundësisë së përmbysjes apo kalimit të atësores, qoftë edhe duke u bërë vetë baba, e kjo e fundit duke e tejçuar të njëjtën tragjedi, pikërisht të të pandryshueshmërisë.

    Pikërisht kjo duke qenë qarku i mbyllur i kozmosit të ballkanases, në një marrëzi vuajtjeje në përhershmëri të pandryshueshme.

    Ka vetëm një personazh tërë tregimi/novela, dhe njëlloj reflektimi të marrëzisë së vuajtjes së shkaktuar ndaj tij në personazhin e Besnik Mustafajt, derisa personazhi tjetër është edhe më periferik. Zenel Meça në këtë tregim/novelë është ngadhënjyesi më i thellë i mundshëm i po kësaj marrëzie të vuajtjes njerëzore – tiranisë shqiptare gjatë komunizmit. Por, ajme, vetëm ashtu siç e imagjinojmë ne. E për këtë kemi dëshmitarë edhe Besnik Mustafajn njeri Don Kishot e Servantes të përpjekjes për të bashkëndjerë me këtë ngadhënjim, dhe edhe Besnik Mustafajn autor për të ikur nga kjo, saktësisht për të ikur nga ky ngadhënjim, jo më për shkak të ndonjë humaneje, por pikërisht për shkak të pamundësisë për të arritur deri tek kjo marrëzi e vuajtjes, e me këtë pamundësisë së të kuptuarit të saj. Sepse jemi pikërisht armatë Don Kishotësh të gjithë ne në përpjekje për të hamendësuar këtë. Jemi të paaftë për të ikur po ashtu. E jemi në një univers të Kompleksit të Edipit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË