More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Jeta dhe pavdekësia, kjo vdekje e pafundme!

    Ballsor Hoxha: Jeta dhe pavdekësia, kjo vdekje e pafundme!

    Romani “800 hapa larg Venerës” të Virion Graçit

    I Hyrje

    Romani “800 hapa larg Venerës” fillon me një vdekje. Vdes personazhi kryesor. Pikërisht 800 hapa larg shtëpisë së tij. Ai vdes, dhe lë përgjithmonë këtë jetë. Por autori Graçi “nuk është aq mizor” ndaj personazhit të tij kryesor, ai ia “dhuron” atij edhe një mundësi, mundësinë e jetës pas. Jetës prapa vdekjes, jetës si shpirt. Por a është kjo “dhuratë” apo vetëm edhe një ndëshkim i tij, vazhdim i të qenit i përjashtuar?

    Kristofori personazhi kryesor, të cilit ia ka lënë emrin babai i tij, sipas Kristofor Kolombos, në të vërtetë kurrë nuk ka udhëtuar askund përpos nëpër përjashtimet, refuzimet dhe shkeljet e nënçmimet që i janë bërë gjatë jetës. Ai ka pasur një jetë zyrtari administratash, dhe kaq.

    Ajo që pason është një fragmentarizim i copërave të të kaluarës së tij, asaj aktuale dhe të harruar nga vështirësitë e jetës, përbrenda linjës së rrëfimit të jetës së tij si shpirt. Varur në një shtyllë telefoni, dhe fshehur prapa një kaçube, diku në periferinë në askund, të qytetit ku ka jetuar.

    Kristofori është një personazh monumental, që përkujton personazhin Herzog të Saul Bellow në tërë nënshtrimin e tij krizës së mes-moshës i cili i ikë çdo detyrimi të tij. Dhe derisa Herzogu kalon jetën duke shkruar letra, personazhi i Graçit – Kristofori, kalon jetën e tij duke kujtuar të kaluarën e tij, por, me një ndryshim, ky i fundit ka tërë përjetësinë përpara dhe tërë shkëputjen nga bota. Gjë që krijon simbolikën ideale të ikjes nga përgjegjësia si njeri i cili ka kaluar në botën tjetër.

    Të kaluarit në shpirt, në jetën e të përhershmes do të mund të ishte mrekulli, por jeta e Kristoforit është e kufizuar rreth një shtylle në rrugë, në ikje dhe fshehje nga qentë, dhe strehim në një kaçube. Ai në të vërtetë me “pavdekësinë” e tij është i dënuar përjetësisht për vazhdimin e nënshtrimit të tij, që e kishte gjatë tërë jetës. Apo thënë më saktë të të qenit i përjashtuar gjatë tërë jetës së tij.

    Dhe ky dënim është në nemitjen e tij në koordinim me të qenit i mbetur përjetësisht në vëzhgim të jetës, gjë që ia kujton çdo moment, çdo mungesë, çdo pendesë, dhe çdo mundësi që ka pasur jeta e tij. Në të vërtetë, kjo është shtresë e dyfishtë e papërgjegjësisë së tij ndaj jetës, ndaj të qenit i dyti në çdo gjë (gjë që e bartë tek fëmijët e tij me çdo kusht, qoftë edhe duke i mësuar të mos marrin pjesë në gaz e në shaka), në jetën e vërtetë, dhe në “pavdekësinë” e tij.

    Kristofori është shënjim i kompleksit të jetës e cila nuk arrin të shprehet asnjëherë, as në këtë jetë as në të përjetshmen. Në të vërtetë e tërë “linja e identitetit të tij” është një drejtvizore e cila nuk arrin të ngritët asnjëherë nga pesha e gravitetit të mospjesëmarrjes.

    Pikërisht kjo drejtvizore është gjurma e shtypjes së njeriut nga Publikja/Bota

    zëri nuk po i dilte, u kruspullos, bëri një gjysmë rrotullimi rreth vetes, në atë lëvizje pa edhe një herë afishen e kinemasë verore, fotot për shfaqjen e filmit të radhës me divën amerikane më të paguar të viteve të fundit, rreth 28 milion dollarë për një ulje brekësh:”.. u kurspullos nga dhimbjet, ra pa frymë…

    Dhe kjo shtypje shfaqet në gjurmët e këtij paragrafi. Më tutje, është po e njëjta shtypje që ka shkaktuar dhe krijon edhe çarjen e njeriut. Kjo çarje duke u metaforizuar në jetën para dhe pas vdekjes. E cila në secilin rast, në secilin moment, dhe në secilin fragment është drejtvizore e pa jetë.

    Njeriu, vdes për çdo ditë, dhe kurrë nuk e arrin vdekjen (Blanchot). Është pikërisht kjo shënjimi më i saktë brenda kësaj metafore. Aq më shumë që teksti luan me këtë ambiguitet me vdekjen, si muri dhe si ajo që Blanchot e quan – the incessant and interminable (shih më poshtë tekstin), si pafundësi vdekjeje.

    II Imagjinarja që përmban marrëdhënien tonë me vdekjen

    Me gjithë nxitimin e tij prej këmbësori, nuk ia doli dot me sukses të mbërrinte gjallë në shtëpi. Hoqi dorë nga përpjekjet për ta sfiduar fatin e zi. Vendi ku mund të kishte njëfarë probabiliteti për të kapërcyer çastin fatal ishte larg, mjaft larg, rreth 800 hapa. U detyrua të dorëzohej me gjakftohtësi, pa u bërë qesharak, pa i hyrë luftës për ta përmbysur rezultatin e paracaktuar të një ndeshjeje. Shenjat, nga toka, deri te qielli, ishin kundër tij, asnjë mundësi reale për të fituar… jo keq, jo keq… u kruspullos nga dhimbjet, ra pa frymë i shtendosur, trupi në pluhur u shtri lirshëm, koka e goditur mbështetur për pllakat e betonit të trotuarit… mesditë e bukur, kaltërsi dhe diell rreth e qark tij, mjegull dhe terr për të, errësirë dhe kaos në sytë dhe përfytyrimin e tij…

    Duke i ndarë tri lloje të gjurmëve nga ky paragraf mbi përshkrimin dhe vëzhgimin e jetës, si shënjim, në rendin e parë shfaqen shënjime të vdekjes si

    fati i zi”, “probabiliteti”, “çasti fatal”, “u detyrua”, “rezultatin e paracaktuar” janë gjurmë brenda paragrafit të përshkrimit të momentit të vdekjes së personazhit kryesor të romanit Kristoforit, të cilat krijojnë kufirin, atë murin a pakthyeshmërisë së vdekjes. Janë gjurmë, po ashtu, të imagjinares sonë mbi vdekjen, janë gjurmë të cilat shpërfaqin vdekjen si e “paracaktuar” dhe e “pa luftueshme”. Gjurmë të cilat krijojnë kufirin e fundmë të jetës.

    Pastaj në rendin e dytë janë gjurmët e radhës:

    të dorëzohej me gjakftohtësi”, “pa u bërë qesharak” “jo keq, jo keq

    Gjurmë të cilat krijojnë marrëdhënien e njeriut me vdekjen, me këtë kufi, me këtë përfundim. “gjakëftohtësia”, “qesharakja” që rri si mundësi e tradhtisë së burrërisë dhe në momentin e vdekjes, dhe në fund përfundimi “jo keq, jo keq” sikur e japin të qartë dhe të kapshëm këtë “fatalitet”, këtë “Fat të zi”. Janë sikur njeriu e kapë në fund edhe vdekjen e tij, edhe këtë muri, në të cilin ai ndeshet.

    Dhe në rendin e tretë gjurmët e fundit nga ky moment i vdekjes:

    Shenjat, nga toka deri te qielli, ishin kundër tij” “mesditë e bukur, kaltërsi dhe diell rreth e qark tij”, “errësirë dhe kaos në përfytyrimin e tij”.

    Këto gjurmë e shfaqin vdekjen si shënjim i kuptimit të vdekjes, dhe e një lidhjeje të vdekjes me çfarëdo përreth, apo me rrethanën, jo si fakt që ndërhynë në vdekjen, por si marrëdhënie të njeriut me vdekjen. Vdekja e shënjuar nga “Kaltërsia” dhe “kaosi”, dhe “shenjat nga toka deri tek qielli” si shënjim i cili bartë – sikur – të diturën dhe – përvojën – e njeriut me vdekjen.

    Si është vdekja? Si është ajo që kurrë nuk kemi një dëshmi prej matanë? Si është të vdesësh? Ky është muri në të cilin njerëzimi u ndesh që prej zanafillës së mendimit të tij, vetëdijes së tij, qeniesimit të tij. Është muri i cili në të vërtetë lind dhe buron tërë kuptimin e jetës, apo thënë ndryshe: nxitë tërë kuptimin (e paqëndrueshëm) mbi jetën.

    Kur flasim për vdekjen, Maurice Blachot, është filozofi i cili krijoi një mendim tërësisht të ri dhe mbizotërues në filozofinë bashkëkohore. Në të vërtetë ai niset dhe vë në diskutim dy mendimet më të njohura filozofike mbi vdekjen: atë të Hegelit, se vdekja është muri përballë të cilit lind i tërë kuptimi. Dhe atë të Heidegger që është i ngjashëm me të Hegelit, si mundësi e pamundësisë së vdekjes, në të vërtetë vdekja si muri përballë të cilit arrihet potenciali njerëzor.

    Mirëpo vetë Blanchot krijon një kategori tjetër, në të cilën, vdekja, është e pa pronsueshme, e pandjeshme dhe e paarritshme, gjë që do të thotë se e lë njeriun në primodridalen, lindjen e tij pa qëllim dhe vdekjen e tij pa qëllim, gjë që më tutje, krijon atë që Blanchot e quan: e pandërprera dhe e pafundmja (the incessant and ineterminable). Vetë pamundësia e mundësisë (duke iu kundërvënë mendimit të Heidegger që qeniesimin e sheh si mundësi e pamundësisë!).

    Në këtë, duke vazhduar parafrazimin e Blanchot, imagjinarja jonë, përmban në vete këtë ambiguitet të njeriut ndaj vdekjes: si mundësi e pamundësisë, dhe si pamundësi e mundësisë.

    Në vëzhgimin e imagjinares mbi vdekjen në tekstin e romanit “800 hapa larg Venerës” dalin disa karakteristika  të saj:

    a. kalimi në shpirt, pa të drejta njerëzore

    b. është në pendesë të përhershme për mungesat në jetë

    c.  është vazhdimësi i përndjekur nga mendimi se vëzhgohet nga shpirtra të tjerë, dhe aq më shumë që është duke u gjykuar nga të tjerë. Etj…

    të gjitha këto, në të vërtetë janë gjurmë të njerëzores, ndërthurur me sarkazëm në periferi me shënjimin religjioz, të jetës të asaj bote. Në të vërtetë japin vdekjen, imagjinaren e tekstit, si njerëzore, e cila nuk arrin të shkëputet nga bota.

    Por në kategorinë shënjimit filozofik, “Vdekja” e këtij teksti të romanit është vetë ajo që njihet si Publikja, pra bota përkundër primordiales dhe të përhershmes së tokës, si Publike.

    Në të vërtetë këtu lind dhe ideja e romanit, si trajtim i njerëzores, duke krijuar imagjinaren e vdekjes, dhe jetës së përtejme, apo edhe “pavdekësisë”, e cila asnjëherë nuk arrin tutje prej asaj që Publikja, bota, jeta e përditshme, e bën të pa-vërejtshme, vetë vdekjen. Pra brenda idesë së tekstit “800 hapa larg Venerës” përmbahet aporia e Publikes e cila mbizotëron si në jetën reale po ashtu edhe në botën e përtejme, atë si shpirt.

    Kjo apori krijohet dhe ndërtohet gjatë tërë romanit në sarkazmin e saj në të dy anët e “kufirit” të vdekjes. Në të vërtetë njeriu, qoftë edhe Kristofori, nuk arrin që në personalen e tij, si shpirt dhe si njeri, të krijoj një raport me vdekjen e tij.

    Në të vërtetë, vetë Kristofori, si shpirt, nuk e njeh vdekjen, dhe në këtë, në idenë e tekstit, personazhi i vdekur jeton. Apo thënë ndryshe, vetëm kjo mosnjohje, ky mospranim i vdekjes, është mundësia e “pavdekësisë” së tij, mundësia e jetës si shpirt, mundësia e jetës prapa murit të vdekjes.

    Dhe, aq më shumë, tërë karakteristikat e raportit të tij me botën matanë, në të vërtetë karakteristikat e botës matanë, janë karakteristikat e botës në këtë anë – Publikja e cila është krijuar, krijohet dhe jetësohet vetëm si mohim dhe aq më shumë pa – vërejtshmëri e vdekjes.

    Kjo pa – vërejtshmëri e vdekjes, në tërë sarkazmin mjeshtëror të tekstit, dhe aq më shumë në tërë paradoksin e saj, është edhe më e theksuar pikërisht në jetën e vdekur të personazhit kryesor Kristofori. Ai do të flasë me shtyllën në afërsi të tij, ai do të mësoj dashurinë e pishave, do të martohet me një pishë, ai ndiqet nga qentë, ai është i kastruar në pandjeshmëri ndaj gjinive, e më tutje është i pazgjidhje.

    Pikërisht këto së bashku duke krijuar shënjimin e Publikes së njerëzores, e cila e shtynë njeriun pikërisht në këtë gjendje qeniesimi.

    Andaj imagjinarja mbi vdekjen në këtë tekst, del si imagjinare ironizuese, sarkastike, dhe paradoksale e marrëdhënies së njeriut me vdekjen, vdekja si fenomen ndaj të cilit krijohet i tërë mendimi dhe kuptimi njerëzor (Hegel). Dhe jeta nga këtu, del si DËSHIRË, dhe DETYRË (theksuar sikur në tekstin në fjalë) e njeriut. Në këtë botë, dhe si shpirt.

    III

    Megjithatë në këtë sarkazëm, ironi dhe paradoks mbi pavdekësinë (lexo: vdekjen) shpërfaqet marrëdhënia e tekstit me vdekjen dhe shënjimi i vdekjes. Ajo në të shumtën e tekstit del si ajo që u tha më lartë si “mundësi e pamundësisë” sipas Heidegger, qeniesimi si potencial. Në këtë gjurma e pendesës është në raport direkt me këtë.

    Mirëpo, në gjurmët e tekstit, në tërësi, jeta e Kristoforit është një vdekje e përhershme, një vdekje e pa pronësuar, një vdekje e – pandërprerë dhe e pafund – e cila asnjëherë nuk arrin të mishërohet, qoftë në përfundim e as në potencial, arritje të potencialit.

    Edhe nën tokë, as zgjuar as i fjetur plotësisht Kristofori. Iu bind plotësisht disiplinës që diktonte kutia e mbyllur e errët në të cilin ndodhej. Tha: Do të jem më mirë këtu. Do jem më mirë këtu… Dhe pati të drejtë. Trupi i Kristoforit, i varrosur buzë rrugës automobilistike, në parcelën e re… gjeti shprehje, u përshtat dhe u nënshtrua pa kushte. Ndërsa shpirti i tij, duke u gërvishtur nëpër gozhdët e mëdha dhe kokrrizat e dheut, doli si avull prej thellësisë. Shpirti i Kristoforit nuk u nënshtrua… zgjodhi rrugën e vështirë e të rrezikshme të arratisë, të ndarjes nga i zoti…

    Këtu Kristofori shfaq pikërisht – objektin – e vdekjes së imagjinares së tekstit, si ambiguitet, si vdekje dhe si pavdekësi/potencial përballë dhe në ndeshje me vdekjen. Ky ambiguitet është problemi i njeriut me vdekjen, kurrë të pa njohur, kurrë të pa përjetuar, kurrë të pa perceptuar. Dhe me këtë i rikthehet shënjimit religjioz të ndarjes trup – shpirt, duke thelluar po të njëjtin shenjim të ambiguitetit të marrëdhënies së njeriut me vdekjen.

    – Objekti – i vdekjes në këtë tekst të imagjinares e fshinë jetën, e kalon atë në vdekje dhe e shuan në nemitjen e përjetësisë. Kështu duke krijuar ambiguitetin e marrëdhënies së njeriut me vdekjen në imagjinaren, duke e shënjuar jetën si një vdekje, të përhershme. Jetën si të vdekur, dhe vdekjen si jetë, jetë të vdekur, apo thënë më saktë jetë të kastruar.

    Në të vërtetë këtu – objekti – i vdekjes kalon në mungesën në prezencë të jetës, derisa ajo është, Kristofori është i vdekur. Shënjimi i jetës duke kaluar në shënjime të radhës të cilat nuk arrijnë të kapen dhe as të kuptimësohen në tërësi, gjithnjë duke ikur në shënjim të mëtutjeshëm.

    Në të vërtetë tërë jeta para vdekjes, që nga puna, bashkëshortja, fëmijët, shokët etj, është një Publike e cila e mohon vdekjen. Dhe pikërisht kjo krijon lojën me vdekjen me ambiguitetin e saj dhe me ankthin ndaj saj.

    Loja me ambiguitetin e vdekjes në të vërtetë është ekzakt ankthi ndaj vdekjes, që është në çdo skutë të kësaj jete dhe në moment dhe përjetim të kësaj jete në këtë tekst.

    Mirëpo, teksti në mjeshtërinë monumentale të letërsisë bashkëkohore shqiptare e rikthen këtë ankth  përballë njeriut, dhe aq më shumë e krijon vërtetësinë e vdekjes në përjetimin e jetës.

    Në fund, 800 hapat larg Venerës, kalojnë në 800 hapat larg ferrit. Por cili është ferri? Kjo është pyetja, dhe përgjigja ndoshta duhet kërkuar në ankthin tonë ndaj vdekjes e cila është murosur nëpër muret e pa-vërejtshmërisë së saj në çdo përjetim tonin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË