More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallsor Hoxha: Absurdi i qeniesimit - Back to the roots

    Ballsor Hoxha: Absurdi i qeniesimit – Back to the roots

    Autori i romanit “Marrja e gjakut” është krejtësisht i vetëdijshëm për pragmatizimin e leximit sot, për pragmatizimin e rrëfimit, e qoftë edhe të pragmatizimit të – ëndrrës mashtruese – letërsi! Në paragrafin hyrës të këtij romani lexuesi ngacmohet dhe vëmendësohet se nuk do të ketë mëshirë ndaj po këtyre pragmatizmave.

    Është roman absurdi, roman që me qëllim dhunon excess-in (teprinë) e thurjeve gjuhësore, dhe që me qëllim shuan çfarëdo syzheu, duke krijuar dhe duke dezintegruar skemën e pragmatizmit, përmes revoltës, dhe si besim në letërsinë, origjinalen e saj, dhe në mundësinë e arritjes së saj pavarësisht excess-it gjuhësor!

    “Marrja e gjakut” siç edhe thuhet eksplicit brenda tij, nuk është menduar për masa të gjera. Por në shenjë revolte, ky roman, duke kërcënuar vetë besueshmërinë e tij, logjikën e tij, dhe edhe atashimin e lexuesit të tij, qoftë si teknikë e si qëndrim, është guximi për të rikthyer, për të kapur fillin e humbur dhe për të krijuar letërsi, jo nga epshi i megalomanisë, por vetëm dhe vetëm nga ankthi shpirtëror për të rrëfyer, për të – arritur – tjetrin.

    Në letërsinë botërore, e tutje në tërë sociologjinë tonë, sot, ka, si në çdo gjë tjetër një konflikt dhe luftë për origjinaren, e aq më shumë për origjinalen. Në të vërtetë është vënë në dyshim nëse ka fare një origjinale, derisa origjinarja, e trajtuar shumë gjerësisht dhe rrënjësisht nga Jacques Derrida, aq sa ky trajtim i tij ka kaluar në krye-rrjedhë (mainstream) të mendimit bashkëkohor, duke bërë që origjinarja të mendohet të jetë vetëm paraardhëse e prezentes e prezencës sonë. Derisa origjinalja të jetë diçka e mbetur prapa primordiales!

    Romani “Marrja e gjakut” i Andreas Dushit, autor i ri në moshë, vetëm 19 vjeç kur e ka shkruar romanin në fjalë, është pikërisht rrëfim në vorbullën e këtij konflikti global, mbi letërsinë. dhe tërë sociologjinë tonë bashkëkohore. Pavarësisht, sa i informuar është, apo sa ka qenë i informuar ai për këtë, e që është bukur e dukshme në romanin e tij, rrëfimi të cilin e thurë është krejtësisht – origjinal – apo thënë ndryshe, sipas skemës së krye-rrjedhës së mendimit bashkëkohor, romani i Dushit është krejtësisht burues (burimor). Në temë, në përmbajte e sidomos në teknikën e rrëfimit të Dushit në këtë roman.

    Sigurisht, kjo nuk është përpjekja e vetme në letërsinë tonë, sa i përket origjinares/origjinales, romani “Marrja e gjakut” qysh në faqet e para të kujton romanet e Mehmet Krajës, siç është një inicim krejtësisht unik dhe i një-linjeje. Apo thënë ndryshe, ky rrëfim mblidhet e përmblidhet sikur pikat e shpërhapura të shiut, në një liqe të tërë ndërthurjeje. Sigurisht, po i njëjti rrëfim dhe teknika e tij përmban edhe – gof – in Pashkian, e që aq më shumë përmban edhe gjurmët e Pashkut me emrat si Lulashi, pastaj derivimet e personave në devijimin e të njëjtit emër si tek Pashku, siç janë personazhet Lulashi, Laloshi etj; dhe po ashtu edhe hetimin linear, megjithëse imagjinar, të Dushit në këtë rrëfim, përkundër hetimit tek Breznitë e Hankonatëve të Kadaresë.

    Në një mënyrë rrëfimi i romanit “Marrja e gjakut” fillon nga asgjë, nga asnjë rrjedhë dhe asnjë ngjarje, dhe krejtësisht në një mono-ritëm, duke krijuar vadën dhe rrjedhën e tij, e cila, sikur rrjedhë e pikave të shiut krijojnë një liqe të tërë. Nga një Voc, personazh në roman, dalin fëmijët e tij, gratë, absurdi shqiptarë i gjakmarrjes e deri tek shpërndërrimi i narrativeve, qoftë globale, e qoftë atyre të mishëruara në kolektivin tonë, p.sh. përmes religjioneve. Por aq më shumë duke pasur për bosht qendror motivin, origjinaren dhe origjinalen, imagjinare gjithnjë, të gjakmarrjes. Derisa arrijmë në një absurd krejtësisht unik të Dushit, ku gjakmarrja, apo obligimi i gjakmarrjes lind për shkak të vetëvrasjes së personazhit të Vocit, gjak, të cilin, duhet nxjerrë vetë djemtë e tij ndaj po ashtu pjesës tjetër të djemve të tij, për shkak se konsiderohet se po kjo vetëvrasje e Vocit është edhe gjak i rënë në shtëpinë e tyre, në tërë absurdin e kësaj.

    Në të vërtetë, Dushi, në parodi e absurd, imiton burimin, gjenezën dhe shkakoren e kësaj rrjedhe të këtyre masave të rrëfimit të tij, pra të një kolektivi të tërë, apo thënë më saktë të tërë shqiptares. Sigurisht, ky nuk është ankth, apo tension ankthi brenda këtij rrëfimi, përkundrazi ai është një shurdhërimë dhe hapërim nëpër absurdin e saj.

    Nëse thellohemi më tuje në këtë mono-ritëm të këtij rrëfimi, të thurur me vetëdije të plotë të këtij autori, lehtë mund të hasim në atë lirinë krejtësisht primordiale të njeriut e kolektivit të njeriut para Publikes, para konstruksioneve shoqërore, prej gjuhës e deri tek vetëdija, d.m.th të vetë paradigmës së njerëzores, apo të vetë shoqërisë sonë, kolektivit tonë lidhur me mitin tonë identifikuaes, një prej tyre në të vërtetë, e që është ai i sakrificës, Rozafatit.

    Në të vërtetë, kjo paradigmë ka edhe fragmentin e tij të gjuhës (Blanchot) – cica jashtë – që me gjithë vulgaren dhe brutalen e tij, ky fragment i zhveshur shënjon para-gjuhën, para Publiken e para-kompleksin e vetëdijes dhe normës.

    Në të vërtetë ky fragment përmban tërë revoltën e letërsisë ndaj vetë dhunimit të saj, qoftë duke e kaluar po të njëjtën në commodity (mall), e qoftë duke e kaluar po të njëjtën në ‘gjendje lehtësimi’. Siç janë shpikjet bashkëkohore për trullosje!!

    Por, mbi të gjitha, Andreas Dushi është përfaqësues i letërsisë bashkëkohore, të gjeneratës në maturim e sipër, të letërsisë më të re shqiptare, andaj është tejet me rëndësi të lexohet e të vëzhgohet, si autor serioz e si bartës i po të njëjtave konflikte të lartpërmendura, si për sa i përket konfliktit mbi origjinalen dhe bashkëkohoren, e po ashtu edhe sa i përket revoltës autoriale, të letërsisë serioze ndaj shpërdorimit të vetë saj.


    Fillimi i romanit “Marrja e gjakut”

    Ndoshta çfarë do të tregoj mund të duket e çuditshme, prandaj të lutem, nëse nuk mund të pranosh diçka të çuditshme, mos lexo më tej. Nëse e di dhe e ndjen se mundesh, je i ftuar që bashkë me mua të mësosh historinë jo shumë të zakontë të familjes së Vocit, të zotit të saj, emrin e të cilit mban. Ai është babai i Lekës, Lecit, Laloshit dhe Lulashit, vëllai i Vilzanit dhe bashkëshortit i bukuroshes venedikase Leticia.

    Voci, si i zoti i shtëpisë, duhej të kujdesej për të shoqen dhe kalamajtë që kishte me të. Kishte disa vjet, qysh kur prindërit i kishin vdekur, që ishte ndarë nga i vëllai i cili ishte martuar pak kohë më vonë me një grua nga Roma për të cilën thoshin se e kishte motër.

    Vendi ku Voci dhe familja e tij jetonin quhej Mali me Tym. Aty nuk ndodhte asgjë. Dhe, për hir të së vërtetës, nuk kishte nga kush të ndodhte diçka, pasi, përveç familjes së Vocit, aty jetonin veç edhe tri familje. Askush nuk vinte as për vizitë e as për dasma (ndonëse rrallëkush e mban mend dasmën e fundit). Veç për morte.

    Mali me Tym ruan këtë emër që kur Osmanët pushtuan gjithkah. Gjatë pushtimit, ata mblodhën çdo simbol fetar të krishterë. Të gjithë kryqat e mbledhur i çuan në një mal, vendi i fundit ku depërtuan. Natën kur po festonin, Barbar Pasha u vuri zjarrin dhe sipas gojëdhënës, tymi nga djegia e tyre zgjati për më tepër se tre vjet deri kur Barbar Pasha qe larguar.

    Besoj e ke dëgjuar gojëdhënën:

    Kur turku vendin mori,

    Tan’ krygjat n’krah i bori,

    E te tanë në t’mbramin mal

    I hodhi e i vuni zjarr.

    Barbar Pasha, ai çfarë djali,

    Me mjekërr sa nji anë mali,

    Si kryqave u kalli zjermin,

    Qeshi kur ndiu tuj i thirr emnin.

    Edhe krygjat si kjenë djegë,

    Tan’ turqelitë bashk’ janë rrekë,

    Me ujë zjermin fik e kanë,

    Por tymi mbeti në çdo anë.

    Kalun dit’ e kalun muj’,

    E ma n’mend s’i ra kërkuj,

    Tymi i zi s’prau nji dekik,

    E mbloi t’ndritshmin metelik.

    Veç kur Pasha u largue,

    N’Stamboll shkoi me jetue,

    Dikush nji kovë ujë e hodhi,

    Tymi iku, dilli doli.

    Nuk e ke dëgjuar gojëdhënën? Si ka mundësi? Unë kam menduar se kjo gojëdhënë është shumë popullore. Gabimi im. E pranoj, edhe unë gaboj. Madje më shumë se ti, sado gabimtar të jesh! Ndonëse, fakti që ti nuk e njeh, nuk do të thotë se nuk është popullore. Apo jo?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË