More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBallkani i Luan Starovës

    Ballkani i Luan Starovës

    Nga Dr. Silvana Leka

    Seria e romaneve të shkrimtarit të mirënjohur Luan Starova po pasurohet përmes përkthimeve në gjuhë të ndryshme të rajonit ballkanik. Së fundmi, shtëpia botuese e njohur kroate Tim-press në Zagreb ka publikuar në një vëllim të përbashkët dy romane të këtij autori, duke i botuar për herë të parë si një të vetëm ato që lexuesi shqiptar dhe ai europian i ka lexuar prej vitesh ndarazi. Bëhet fjalë për romanet Koha e dhive dhe Kthimi i dhive. Nuk është hera e parë që romani kult i Starovës Koha e dhive botohet në gjuhën kroate. Kjo vepër e publikuar deri më sot në 20 gjuhë të botës është publikuar në Kroaci edhe dy dekada më parë, si pjesë e edicionit të mirënjohur “romanet-hit”. Në të vërtetë, kjo zgjidhje e shkëlqyer editoriale bën të mundur që veprat të funksionojnë si një vijimësi e pandërprerë dhe si vepra në funksion të njëra-tjetrës.
    Mbërritja e këtij shkrimtari është përjetuar si ngjarje e rëndësishme letrare dhe kulturore edhe përmes fjalëve të filozofit dhe sociologut francez, të njohur ndërkombëtarisht, Edgar Morin i cili, teksa e paraqet përballë lexuesit francez Luan Starovën, shkruan: “Franca ka zbuluar me habi dhe me emocion shkrimtarin Luan Starova, romancierin e papërsëritshëm, të veçantë si ai, të paklasifikueshëm dhe megjithatë, të mirëvendosur, të mirankoruar.”
    Pritja e jashtëzakonshme që iu bë që në botimin e parë këtyre veprave vite më parë, zgjoi kureshtje të gjerë edhe për botimet e mëvonshme, përfshi edhe romanin e dytë, titulluar Kthimi i dhive. Dihet tanimë se romani Koha e dhive u prit mjaft mirë jo vetëm nga lexuesi, por u vlerësua lart edhe nga emrat më të shquar të kritikës së kohës. Mes tyre ishte edhe studiuesi dhe shkrimtari Predrag Matvejević, i cili e përcolli kështu botimin e librit: “Kjo vepër që lindi në kohën e çarjeve ideologjike, ia del të shpërfaqë shumëçka prej kuptimit të kufizuar të realitetit që mund të jetë magjik, si tek G. G. Márquez.” Po ashtu, romancieri i njohur Erik Faye thekson në artikujt e tij kushtuar krijimtarisë së gjerë të Luan Starovës: “Letërsitë e Ballkanit na kanë dhuruar përherë perla të vërteta, si romani i Starovës Koha e dhive. Lexuesit e Kadaresë, Pekićit ose Stepanovićit, në romanet e tij do të gjejnë edhe një dritare në kulm, të hapur drejt motiveve.” Po ashtu akademiku Georgi Stardellov, ndërmjet të tjerash, shkruan për këtë roman: “U rrëmbeva që nga leximi i parë i dorëshkrimit, jo vetëm nga origjinaliteti i temës së tij, jo vetëm nga shtresat e shumta kuptimore dhe etike, por edhe nga shkrimi artistik, në të cilin ndërthuren realja me irealen, historia dhe poezia, tragjedia dhe parodia, realistja dhe fiksioni, epikja dhe lirikja, ajo melankolia andriçiane dhe ajo ironia e heshtur dhe e njohur çingoviane, e gjitha e amalguar në një tërësi komplekse artistike dhe estetike.” Në parathënien e botimit grek, Vasilikos, i njohur edhe si skenarist i filmit të famshëm të Kosta Garvrasit “Z”, mes të tjerash, theksoi: “E lexova me shumë kënaqësi romanin Koha e dhive. Në veçanti më befasoi simbolika dhe butësia e romanit. Është romani i parë që kam lexuar prej Luan Starovës. Ai ka cilësitë e një shkrimtari të lindur. Jam i lumtur që lexova një libër të bukur për Ballkanin tonë të dashur.” Shtëpia botuese Tim-press botoi më herët në gjuhën kroate edhe romanin Erveheja – libri për një nënë, libër ky i shpallur si romani më i mirë i vitit 2005. Romani Erveheja… u prezantua përpara publikut lexues të Zagrebit.
    Në përurimin e tij, mes shumë emrave të tjerë, foli edhe shkrimtari i njohur në mbarë rajonin, Milenko Jergović. Romani u prezantua me sukses edhe në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Pula, ku mori pjesë edhe autori. Për këtë vepër, shkrimtari i mirënjohur francez Filip Delavo shkruan: “Në Sagën ballkanike paraqitet figura e bukur dhe diskrete e nënës Ervehe, shoqëruesja e lexuesit të madh, përherë në shërbim të librave, por edhe si një vitore e rrallë e mbijetesës së familjes. Starova, njësoj si Margerit Jursenari, që shkruan dhe dëshmon para se apokalipsi të zhbëjë reliktet, arkivat e mbrame, gjurmët e venitura të rrugëtimeve.” Deri më sot romani Erveheja… është përkthyer në gjuhën gjermane, turke dhe bullgare. I njëjti botues (Tim-press), në vitin 2018 botoi të përkthyer në kroatisht edhe romanin e katërt të Luan Starovës Dashuria e gjeneralit (Generalova ljubav), veprën e frymëzuar nga ngjarjet ballkanike në kohën e Luftës së Parë Botërore. Kjo vepër e shquar u botua fillimisht në periudhën e shënimit të përvjetorit të 100-të të Luftës së Madhe (Lufta e Parë Botërore).
    Për këtë vepër u shpreh sërish Predrag Matvejević, i cili ka shkruar: “Ky është roman falënderimi për përfaqësuesit e ndershëm dhe të urtë të Francës, të cilët në një periudhë të rëndësishme historike, kur hidheshin themelet e shtetit shqiptar, me guxim dhe të vetëdijshëm e ndihmuan Shqipërinë. Për këtë, dimensioni historiografik i romanit nuk është vetëm plotësim faktografik i personalitetit të Babait… Rrëfimi mbi dashurinë e komandantit Eduard Mortie dhe shqiptares Atina Lazarit meriton rreth të gjerë lexuesish.” Ndërkaq, shkrimtari i njohur maqedonas Gane Todorovski, me rastin e botimit të romanit Dashuria e gjeneralit, në parathënien e veprës thekson: “Në romanin Dashuria e gjeneralit ka një çiltërsi të jashtëzakonshme shpirtërore, një guxim kërlezhian, madje dhe një eurocentrizëm tërheqës, por ka edhe pozicione morale që lënë mbresa të fuqishme. Mbi të gjitha, romani shpërfaq të dhënën se Ballkani nuk është vetëm vend përplasjesh etnike e religjioze, por edhe vend kulturash të ushqyera nga Lindja dhe Perëndimi, Veriu dhe Jugu, duke mundësuar kësisoj jetën e fisme dhe të drejtë.”
    Poeti i mirënjohur maqedonas Mateja Matevski thekson gjithashtu, duke vënë në dukje vlerat e mëdha të veprës: “Romani Dashuria e gjeneralit i ngjan versionit shqiptar të romanit të Tolstoit Lufta dhe paqja”.
    Botimi i këtyre katër romaneve të shkrimtarit të mirënjohur Luan Starova shënon depërtimin e mëtejmë të Sagës ballkanike të autorit tonë të njohur në hapësirën kulturore dhe gjuhësore kroate, ashtu siç ndodh me botimin e shumë romaneve të kësaj Sage në Francë, Gjermani, Itali, Turqi, Bullgari dhe në disa vende të tjera. Kjo, gjithsesi, është rezultat i qasjes origjinale dhe të sinqertë ndaj një materieje komplekse jetësore, aq të rëndësishme për të ardhmen e popujve ballkanikë dhe Europën. Jo rastësisht, në Francë, ku gjer më tani janë përkthyer dhe botuar më shumë romane të Sagës ballkanike, kritika letrare parisiene (Livres Hebdo, 8 maj 2009) ato “i vlerëson ndër romanet më të arrira europiane”. Dihet tanimë se veprat e Luan Starovës janë pjesë e një koncepti-sagë. Libri i parë i Sagës ballkanike është romani Librat e babait, botuar më 1992 në gjuhën maqedonase dhe më 1996 edhe në gjuhën shqipe. Deri më sot kjo vepër është botuar disa herë në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si dhe shumë herë të tjera në gjuhën frënge, turke dhe italiane. Romani është “matrica” e projektit të prozës romanore të Luan Starovës, strategjia e vetë Sagës. Afro pesëdhjetë tregime miniaturale e shpërfaqin gjenezën e pranisë së thuajse të gjithë librave të bibliotekës së babait, të përbashkuar tematikisht, në një renditje shumëkuptimëshe dhe të ndryshueshme. Ky libër i parë i Sagës ballkanike shënjon dhe gjurmimin e qartë të një figure simbolike (përkatësisht, të një “metafore globale”) – vetë bibliotekës, me libra për dhitë, për ngjalat, për jeniçerët dhe për periudha të caktuara historike të Ballkanit etj. “Këto janë mite të frikshme, – do të vërejë me rastin e botimit të romanit në frëngjisht Yves Bonnefoy, – por janë mite të pasura me shpresë për Ballkanin që e duam, kurse autori bën që ta duam edhe më shumë përpara horizontit të përjetimeve historike, duke ia dalë me këmbëngulësi dhe parimësi të krijojë një vepër monumentale në këto vite të vështira, që ndoshta do të jenë vendimtare për Ballkanin”.
    Kohët e fundit, krijimtaria e Luan Starovës është bërë e njohur mjediseve të lexuesit përmes revistës “POETEKA”, e cila në numrin e saj të 48-të, në verë të vitit 2018 i kushton rubrikën “Personalitet i ftuar” Luan Starovës, duke paraqitur të gjithë opusin prej 17 romanesh të çmuara. Pjesë e këtyre është edhe romani i mirënjohur Shtegtimi i ngjalave. Në këtë roman ngjalat e zënë vendin e dhive, si mbretëresha të ujërave liqenore, udhëtimi i fshehtë i të cilave në pjesën ujore të planetit tonë ka domethënie thelbësore në zbulimin e harmonisë ndërmjet njeriut dhe natyrës. Udha që bëjnë ngjalat duhet të jetë paradigmë e udhës të cilën duhet ta bëjë njeriu në planetin tonë, udhë pa kufij dhe pengesa, udhë e lirë e lundrimit të tij në këtë botë…
    Autori i këtij romani zbulon se udha e ngjalave është më e vjetër se njeriu, se ajo ekzistonte përpara lindjes së njeriut, prandaj çdo pengim i saj do të jetë tragjik për të. Në këtë udhë të botës ngjalat nisen në të njëjtën mënyrë drejt liqenit, arrijnë nëpërmjet lumenjve në det dhe prej atje shkojnë në Oqeanin Atlantik, arrijnë afër brigjeve të Amerikës, pastaj, nëpërmjet pasardhësve të tyre, kthehen përsëri nëpër udhën e njëjtë në liqen. Kjo zgjat nga fillet e botës gjer në kohën tonë.
    Së këndejmi, përse njeriu nuk i bashkëngjitet udhëtimit të tyre në atë udhëtim kthyes? Nuk duhet harruar se Universi natyror dhe njerëzor është një dhe i vetëm dhe kjo që po ndodh në natyrë mund të krahasohet me frymën e njeriut. Kështu, për të, fenomenet natyrore ndodhin në të njëjtën mënyrë si edhe fenomenet e shpirtit njerëzor. Udhën e ngjalave babai e sheh nga prizmi mitik, përkatësish metafizik, duke kërkuar dalje utopike, duke kërkuar vendin që nuk ekziston (toposin).
    Në këtë betejë ai e sheh një epope të madhërishme… Udha e ngjalave për babanë është inkarnacion i gjallë dhe organik i udhës së madhe ndërmjet vdekjes dhe jetës. Ky roman, i përkthyer në gjuhën frënge nga Kleman d’Isartegi, nxiti gjerësisht vëmendjen e lexuesve dhe kritikëve të njohur të Sagës ballkanike të Luan Starovës.
    Kështu, fituesi i njohur i çmimit Goncourt Moris Droun, për versionin francez të Shtegtimit të ngjalave shkruan: “Shtegtimi i ngjalave ndërlidhet dhe e plotëson me sukses Sagën ballkanike të Starovës. Ajo është vepër alegorike, tejet përfaqësuese në letërsitë ballkanike. Romani shpërfaq një histori tragjike shekullore, që dëshmon për popuj me fate të rënda, i simbolizon familjet e shkulura me shpresa të përhershme kundërthënëse. Ai parashtron njëkohësisht pyetje ekzistenciale dhe metafizike dhe kjo nuk është meritë e vogël.” Në romanin Shtegtimi i ngjalave Edgar Moren nuk sheh “vetëm një vepër të shkëlqyer letrare, por edhe një krijim me dimensione historike, poetike dhe mitike”, ndërkohë që Predrag Matvejević, autori i parathënies së këtij romani, e konsideron veprën si “dëshminë më të rëndësishme për kufijtë e Europës”.
    Brenda pranverës së këtij viti, romani Shtegtimi i ngjalave do të jetë në duart e lexuesit shqiptar nga “Botimet Poeteka”, duke çelur kësisoj serinë e romaneve të Luan Starovës dhe rikthim në atdheun e gjuhës së tij. Më herët “Botimet Poeteka” kanë publikuar edhe vëllimin me poezi të Luan Starovës Kartagjena nuk mposhtet.
    Poeti i shquar Adonis në parathënien e shkruar enkas për botimin në shqip, shprehet: “Në të dukshmen, Luan Starova e vëzhgon të padukshmen. Duke udhëtuar, ai i prek kufijtë e vendqëndrimit… Luan Starova e vështron historinë dhe atë që është përtej saj, udhëtar në vende dhe në kohë. Po ku e shpie, ajo udhë në të cilën niset, ajo, fytyra më bredharake ndërmjet fytyrave që reflektohen në pasqyrën e udhës, udhëtar-banor në çrrënjosje, bredhje dhe dykuptimësi? Kështu poeti flet nëpërmjet Kartagjenës dhe simbolikës së saj të atdheut-nënë të tij, të atyre gjërave që i ka të afërta, ndonëse jeton në çuditshmëri. Ai flet për të tanishmen duke përsiatur mbi të kaluarën.”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË