More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBajram Karabolli: Për veprën e Rulfos

    Bajram Karabolli: Për veprën e Rulfos

    Aty nga viti 2000, rastësisht, në një revistë letrare në Buenos Aires, lexova tregimin Thuaju të mos më vrasin të shkrimtarit meksikan Huan Rulfo. Ky lexim më la një mbresë të fuqishme. U mahnita me artin magjik të shkrimtarit, por edhe u dëshpërova për mjerimin tim, që nuk njihja një shkrimtar të tillë. Menjëherë, gjeta dhe lexova gjithë veprën e tij. Ishte një zbulim i madh për mua. Një shkrimtar vetëm me dy vepra letrare: Rrafshina në flakë (Vëllim me tregime, 1954) dhe Pedro Paramo apo Murmurimat (Roman, 1956), një nga më përfaqësuesit e Realizmit Magjik dhe i Boom-it në oqeanin e letërsisë latinoamerikane, pothuaj i panjohur në Shqipëri. Thashë me vete: Nuk do të vdes pa e përkthyer në shqip këtë autor të magjishëm. Vite më pas, iu futa veprës letrare të Rulfos. Pasi mbarova Pedro Paramon, pata fatin të takoj shkrimtarin spanjoll Havier Serkas (Javier Cercas), autorin e romanit interesant Ushtarët e Salaminës, përkthyer në shqip prej Bashkim Shehut. Nga Serkas mora vesh se Rulfo nuk qenkësh njohur sa duhej si shkrimtar i madh, vetëm sepse përkthimi i tij në anglisht kishte qenë i dobët. Duke pasur parasysh këtë gjëmë (po e quaj kështu përkthimin e keq) që i ishte bërë këtij shkrimtari dhe gjuhës së tij sa rurale aq edhe universale, u bëra edhe më i vetëdijshëm për vështirësinë dhe rëndësinë e përkthimit të tij në shqip. Kësisoj, iu ktheva disa herë përkthimit të veprës së tij, duke punuar me gjongulin më të madh dhe dëshirën më të zjarrtë, për ta bërë këtë autor të fliste sa më shqip. Në këtë kuptim, sado që jam munduar t’i qëndroj besnik autorit dhe gjuhës së tij, mendoj se kam anuar nga lexuesi shqiptar. 

       Vepra e Rulfos nuk është më shumë se 300 faqe, po për të janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen mijëra faqe. Me emrin e tij ka dy çmime letrare në letërsinë amerikano-hispanike. Pse nuk shkroi më, për tridhjetë vjet, derisa vdiq më 1986? Është një enigmë. Kur miqtë e tij e pyesnin pse nuk shkruante më, ai u përgjigjej me shaka: sepse xhaxhai im që më rrëfente historira ka vdekur. 

       Huan Rulfo (Juan Rulfo), emri i vërtetë i të cilit ishte Huan Nepomuseno Péres Viskaino (Juan Nepomuceno Pérez Vizcaíno), i përket brezit të viteve ’50 të shekullit që shkoi. Rulfo lindi në qytetin Sajula (Sayula) të shtetit meksikan Halisko (Jalisco), më 16 maj 1917. U rrit në fshatin San Gabriel, në rrethinat e Sajulës, një fshat i vogël rural, i sunduar nga supersticionet dhe kulti për të vdekurit. Familja e tij vuajti pasojat e luftërave kristiane (1926 – 1928), një kryengritje e besimtarëve katolikë kundër qeverisë meksikane, ku iu vra edhe i ati. Janë pikërisht këto vite në jetën e 10-12-vjeçarit Rulfo që do të lënë gjurmë të pashlyeshme në universin e tij të pikëlluar dhe do ta frymëzojnë e do ta ushqejnë fantazinë e tij për të krijuar atë vepër letrare, sa të shkurtër aq edhe brilante. Ai shpërthim mujshie, ato gjurmë të thella dhimbjeje prej dhunës revolucionare, do të ndikojnë fuqishëm në vizionin e tij ndaj botës, gjë që reflektohet qartë në veprën e tij, sidomos tek tregimi Rrafshina në flakë.

    Huan Rulfo, edhe pse pak prodhimtar, është një nga shkrimtarët më me emër të shekullit XX. Sipas një ankete të realizuar nga editoriali më prestigjioz, Alfaguara, Huan Rulfo, edhe pse ka shkruar aq pak, konsiderohet një nga shkrimtarët e shquar të gjuhës spanjolle, i ngjashëm me Borhesin për nga mënyra e të rrëfyerit. Rulfo është shkrimtari meksikan më i përkthyer në gjuhët e huaja. Rrafshina në flakë, si rrallë vepër tjetër letrare, është përkthyer në njëqind e dyzet gjuhë.  

    Rulfo, ashtu si dhe Borhes, Fuentes, Markes, Asturias, Karpentier, Isabela Alende, Mario Vargas Josa etj., i përket lëvizjes letrare të shekullit XX, të quajtur Realizmi magjik. Në veprat letrare të shkrimtarëve të kësaj gjenerate, në mënyrën më të përsosur të mundshme, kombinohet realiteti me fantazinë. Për romanin “Pedro Páramo” Horhe Luis Borhes thotë se është një ndër romanet më të mirë të letërsisë hispanike, me të cilin autori u fut në radhën e shkrimtarëve të mëdhenj të kësaj letërsie. Ndërsa nobelisti Garsia Markes për këtë roman ka thënë: “Në qoftë se unë do të kisha shkruar një roman si ky, nuk do të shkruaja më kurrë në jetën time.” Dhe vërtet e çuditërisht Huan Rulfo nuk shkroi më. Pas botimit të këtij romani ai pothuaj e braktisi letërsinë, duke punuar në një kanal televiziv dhe duke u kthyer kështu në një mit letrar, me heshtjen e tij.

    Kanë kaluar plot 60 vjet nga dalja në dritë e romanit Pedro Paramo dhe përgjatë kësaj periudhe më se gjysmëshekullore kjo vepër letrare nuk ka pushuar së qeni një ikonë e vërtetë për shkrimtarët, për prirjet, për epokat dhe stilet e ndryshme letrare. Pedro Paramo vazhdon të jetë një libër i pashtershëm për studime dhe analiza të posmodernitetit. Ja ç’shkruan Markesi i madh për mrekullinë që ndjeu, kur lexoi veprën e Rulfos:

    «Shkrimtari dhe miku im Alvaro Mutis, me hapa të gjatë, ngjiti të shtatë katet e pallatit tim, me një pako librash në dorë, prej nga nxori librin më të vogël dhe, duke u shkrirë në gaz, më tha: “Dreqi ta marrë, lexoje këtë mashtrues, nëse do të mësosh!”. Ishte “Pedro Paramo”.

    Atë natë nuk vura gjumë në sy, derisa e mbarova së lexuari për të dytën herë; qysh nga nata e tmerrshme kur, nja dhjetë vjet të shkuara, kisha lexuar “Metamorfozën” e Kafkës, në një bujtinë të kobshme studentësh të Bogotasë, kurrë nuk kisha përjetuar një tronditje të ngjashme. Të nesërmen lexova vëllimin me tregime “Rrafshina në flakë” dhe u çmerita njëlloj. Shumë më vonë, në paradhomën e një konsultoreje, në një revistë mjekësore, gjeta tregimin kryevepër të Rulfos “Trashëgimia e Matilda  Arkanhelit”. Pjesën tjetër të atij viti nuk munda të lexoj asnjë autor tjetër, sepse të gjithë më dukeshin kot.

    Ende nuk më qe fashitur trandja, kur dikush i tha Karlos Velos[1] se unë qenkësha i aftë t’i recitoja përmendsh paragrafë të tërë nga “Pedro Paramo”. E vërteta ishte edhe më: mund të recitoja komplet librin nga fillimi në fund dhe anasjelltas, pa ndonjë gabim të ndjeshëm, madje, mund të thosha se në cilën faqe të botimit që kisha unë gjendej çdo episod dhe nuk kishte tipar të karakterit të secilit personazh që të mos e njihje në thellësi.»

    Siç u tha më lart, e gjithë vepra letrare e Rulfos nuk i kapërcen 300 faqe, ndërsa komentet, analizat dhe mbresat për të janë mijëra faqe.

    Serhio Lopes Mena (Sergio López Mena) vë re te tregimet e Rulfos një teknikë të re rrëfimi dhe një sërë procedimesh të reja si “pakësimi apo eliminimi i tregimtarit të gjithëdijshëm, mungesa e veprimit udhëzues dhe e retorikës libreske, prodhimi apo përpunimi i diskurseve nga perspektiva e personazhit, rrjedha e vetëdijes së protagonistit, ndryshimi i sekuencave në rendin logjik, mbivendosja e planeve narrativë, dialogu, monologu i brendshëm” dhe pohon se “me përdorimin e kësaj teknike, e shfaqur tashmë në veprën e shkrimtarëve amerikanoveriorë dhe atyre europianë, Rulfo tërhoqi vëmendjen rreth nevojës për të aktualizuar narracionin meksikan”.

       Huan Rulfo arriti një dimension të ri në narracionin meksikan me këto teknika të reja rrëfimi. Ai rinovoi teknikat narrative të traditës meksikane, duke përdorur mjete të reja si strukturat jo të vijueshme dhe duke thyer apo zëvendësuar kohën dhe hapësirën; përdori një rrëfyes në vetën e parë, duke e vendosur atë në këndvështrime të ndryshme narrative dhe duke përdorur me mjeshtëri monologët e brendshëm. Dhe mu për shkak të braktisjes apo kapërcimit të kësaj norme tradicionale, vepra e tij shqetësoi kritikët, të cilët, në vitet e para, do të kërkonin te proza rulfiane një realitet ëndrre apo magjie, mrekullie apo fantazie. Por, mbi të gjitha, ata i shqetësoi struktura e romanit të tij, sepse qenë mësuar me një zhvillim të paracaktuar, me një stil të njohur, ku gjithçka shkonte vaj, në një sekuencë logjike, me kohët e foljes në të shkuarën, në të tashmen apo në të ardhmen, me hapësira të përcaktuara qartë.

    Por, më vonë, pas këtij “kompozimi të çrregullt” u zbulua një strukturë e ekuilibruar, një kompozim i hollë dhe një rregull i vërtetë brenda atij çrregulli në dukje, që e bëjnë Pedro Paramon një nga romanet më tërheqës. Endja midis realizmit dhe magjisë së mitikes bëri të ketë komente interesante për stilin e veçantë dhe për atë mënyrë të shkruari që e dallojnë romanin e Rulfos në historinë e letërsisë. Vlen të theksohet se stili i Rulfos mbështetet te gjuha popullore, më saktë tek e folmja e fshatarëve të Haliskos, një nga shtetet më rurale të Meksikës, e folme që, sipas studiuesve të veprës së Rulfos, është shumë e kursyer dhe tejet e përpiktë, me fraza të shkurtra dhe plot epitete. Pra, një gjuhë shumë shprehëse. Këtë gjuhë të dialogut të përditshëm popullor Rulfo e përpunoi me kujdes, duke e pasuruar estetikisht e duke ia përshtatur stilit të tij. 

       Ja, ç’thotë lidhur me këtë Alfonso Rejes (Alfonso Reyes):

    «Mund të konsiderohet realist romani i Rulfos për përshkrimin e një epoke historike, por sigurisht vlera e tij qëndron te mënyra e veçantë me të cilën autori diti ta përdorë këtë histori, ku narracioni i vendosur mbi plane të ndryshme kohore merr një vlerë të veçantë që intensifikon vetë natyrën e fakteve. Do të ishte nevoja që, për një vlerësim të saktë të veprës së Rulfos, duhet të studiohej stili që ka arritur të përdorë ky shkrimtar, në një mënyrë aq të shkathët, te romani i tij i mrekullueshëm “Pedro Paramo”»

       Pedro Paramo hynë në kategorinë e së çuditshmes, është puro magji, e shprehur me një gjuhë poetike dhe simbolike. Dy realitetet, ai i të gjallëve dhe ai i të vdekurve janë përzier aq mjeshtërisht sa është vështirë ta gjesh kufirin midis tyre. Por, me sa duket, kështu ndodh në mendësinë e një popullsie rurale dhe religjioze, ku autori ka vendosur ngjarjet:

     “Është e vërtetë Dorotea – do të rrëfehet ai -, më vranë murmurimat”.

       «Të kuptuarit e kësaj të vërtete të përtej varrit është sikur mbi ne të binte papritur një kërcënim: njësoj si Huan Preciadoja edhe ne, papritur, do të fillojmë të dëgjojmë zëra, rënkime, fragmente këngësh apo vajesh

    Shamia që më dha e dashura

    me lot ishte lagur”,

    jehe betejash dhe dashurish të fshehta, mesazhe dhe paralajmërime që vijnë nga asgjëja, duke na trullosur veshët e duke na treguar se edhe shuarja jonë po afron. Ashtu si edhe udhërrëfyesja jonë, edhe ne fillojmë të besojmë se shpirtrat e të vdekurve janë aty, pranë nesh, duke folur me ne.», thotëHorhe Volpi, në prologun e një botimi të Pedro Paramos.

    Autori e vendos personazhin rrëfyes, Huan Preciadon, në kufijtë e vdekjes dhe, nëpërmjet tij, vetvetiu edhe lexuesi vendoset në ata kufij. Kjo është një mjeshtëri e shkrimtarit për të kuptuar personazhet e tij dhe historitë e tyre. Ndryshe, ne nuk do ta kuptonim dot Pedro Páramon dhe karakterin e çuditshëm të tij, torturën e tij të brendshme dhe përçmimin e tij për të tjerët. Në mënyrën më të magjishme, autori na merr për dore e na shpie në ato realitete, ku ne mund t’i kuptojmë personazhet e të përjetojmë ndeshtrashat e tyre. Kësisoj, edhe pse Pedro Paramo ishte një mujshar i vërtetë, lexuesi arrin ta përjetojë dhimbjen e tij për vdekjen e Suzana San Huanit, së vetmes grua që kishte dashur në jetë. Po ashtu, lexuesi, falë mjeshtërisë së autorit, do të futet lehtë në botën e brendshme të kësaj gruaje vizionare, gati të çmendur, dhe do ta kuptojë se ajo është një bartëse e pafajshme fatkeqësie, thua se vjen nga soji i Helenës së Trojës, duke përshkuar tërë historinë e letërsisë, derisa mbërrin te personazhet e shquar e të dalë mendsh të Folknerit.

    Pra, Rulfo dallohet nga shkrimtarët e tjerë për mënyrën e tij të veçantë të të rrëfyerit, sepse personazhet e tij jo vetëm rrëfejnë, por flasin nga brenda dhe lexuesi, realisht, dëgjon zërat e tyre.

    Ja çthotë Hosé Manuel Kavajero (José Manuel Cavallero):

    «Te romani i Rulfos planet narrative mbivendosen e ndërthuren, derisa formojnë një lëmsh të ngjeshur me tregues tematikë. Kufiri midis së mbinatyrshmes dhe së natyrshmes, midis së trilluarës dhe së besueshmes, bëhet gati i pakapshëm.»

     Duke mos dashur kurrsesi të analizoj e të komentoj veprën letrare të Huan Rulfos, sepse, sinqerisht, as që do të mundja ta bëj dot, po e lë lexuesin ta shijojë artin e tij magjik.

     Dhe, së fundi, nuk mund të rri pa falënderuar redaktorët Arlind Novi e Ataol Kaso, të cilët, me kulturën dhe shijet e tyre të holla letrare, duke e krahasuar përkthimin tim me përkthime në gjuhë të tjera, bënë vërejtje e sugjerime që më ndihmuan për ta pasuruar edhe më mirë përkthimin tim prej origjinalit spanjisht.


    [1]  Karlos Velo (Carlos Velo 1909 – 1988) – kineast spanjoll i mërguar në Meksikë pas Luftës Civile në Spanjë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË