nga Ahmet Mehmeti
Astrit Bishqemi është sot shkrimtari dhe studiuesi më i njohur në fushën e letërsisë për fëmijë dhe të rinj në gjuhën shqipe. Emri i tij është lidhur pazgjidhshmërisht me letërsinë si shkencë, si askush tjetër më parë. Çështja e letërsisë si shkencë, dhe veçanërisht si term, në kohën tonë ka të bëjë me diturinë e ofruar nga letërsia. Pra letërsia vlerësohet si antropologji, që do të thotë shprehëse e të dhënave themelore në lidhje me natyrën njerëzore dhe ligjet që rregullojnë raportet mes tyre përgjatë jetës. Ky term e zgjeron kuptimin dhe vlerësimin e letërsisë si tekst letrar me ate që quhet mesazhi i letërsisë. Kjo dituri sendërtohet nga tregimet, novelat, romanet, vargjet poetike e të tjera gjini letrare dhe zbulohet në dy mënyra: gjatë studimit ose gjatë leximit të thjeshtë të teksteve letrare.
Në fushën e studimit, si rezultat i përkushtimit ndaj letërsisë për fëmijë dhe të rinj, autori Astrit Bishqemi ka botuar dymbëdhjetë libra, tre tekste universitare (disa here të ribotuara) si dhe shtatëmbëdhjetë tekste të tjera të arsimit bazë (ku është bashkautor). Në këtë shkrim nuk do merremi me këto, por me veprat e mirëfillta artistike, që shërbejnë për leximin e thjeshtë të teksteve. Duhet të theksojmë se këtij autori i takojnë edhe një numër i konsiderueshëm veprash fantastiko-shkencore, si: vëllime me tregime, novela dhe romane, të cilat janë pjesë e pandarë e letërsisë si shkencë për thesarin e informacioneve, të njohurive shkencore, si edhe funksionet edukuese.
Këto njëzet vitet e fundit, në Amerikë por edhe në Europë, po nxirren kryesisht në pah dijet antropologjike të veprave letrare, ku çmohen qartë të dhënat themelore të letërsisë si antropologji. Theksi vihet në natyrën e lidhjeve e marrëdhënieve njerëzore dhe ligjeve që rregullojnë raportet mes tyre në jetë. Në pikëvështrimin modern, veprat letrare shihen si traktate origjinale të etikës dhe të filozofisë morale . Letërsia në këtë pikëpamje rezulton si degë filozofike e etikës dhe është në gjendje të edukojë sjelljen njerëzore duke e bërë qartë dallimin midis sjelljes së drejtë dhe të gabuar, të mirë ose të keqe. Me këtë filozofi në bazën e vet veprat letrare ndikojnë mbi qytetërimin me figurat si modele për t’u ndjekur ose distancuar, për t’u solidarizuar ose dalluar në rastet e përvojave negative (Nussbaum, 1996; Bloom, 2000; Girard, 2009; Menzio; Lopopolo, 2012 etj).
Në këtë kontekst, vepra letrare e Astrit Bishqemit shquhet dhe është e prirë për arsyetim, mirëkuptim e dhemshuri. Ajo dallohet qartë për diturinë etike që mbart dhe ofron. Për ilustrim, për sa u përmend më sipër, nga moria e veprave artistike, në këtë shkrim do të bëjmë fjalë për vëllimin me tregime «Mali i Vashës».
Në këtë vepër njihemi me përvojat estetike, emocionale dhe konjiktive të bamirësisë (altruizmit) dhe barazisë, ku lexuesi mëson të gjykojë sjelljet e ndryshme dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Në tregimet e tij lexuesi ballafaqohet me qëndrimet totalitariste dhe negative, ashtu si dhe me ato humanitare e demokratike.
Tregimi i parë i librit mban titullin «Misër». Në katër faqe autori kondenson në mënyrë mjeshtërore imazhin e personazheve kombëtare. Me fjalë të kursyera na jepen psikologjia, qëndrimet dhe sjelljet përbërëse të identiteteve të kombeve shqiptar dhe atij serb në një çast emergjence, zije buke. Nuk thotë kot populli «Miku njihet që është mik në të keq e në rrezik». Pikërisht në këtë ballafaqim personazhet kombëtare zbulohen si sendërtime ideologjike. Identiteti kombëtar shfaqet me nacionalizmin dhe racizmin më të neveritshëm të serbit, që ka në dorë fatin e shqiptarëve të cilët trokasin për një thes misër. Se deri ku shkon cinizmi racist, autori me hollësi na ka treguar më parë sa shumë kanë vuajtur malësorët nga mungesa e bukës. Kushti që u vë serbi për t’u dhënë misrin është të hedhin më parë një valle duke shqiptuar fjalë përbuzëse, poshtëruese dhe ofenduese për veten: “Skipetari, albanesi / n’ krah për misër m’ ngeli thesi”. Kaq mjafton dhe përplasja midis shqiptarëve hallexhinj dhe tjetrit, ku autori me fjalët “kyçe” dhe me fjalët “fantazmë”, thekson: “Po mateshin t’ia shkërmoqnin si kokrrizat e misërishtes ata dhëmbë të pacipë, që zbardhnin në errësirë si të ujkut të uritur”. Më tej autori vë në gojë të pesonazhit kryesor, axhë Hazizit, që e përmbajti veten për mrekulli, fjalën si fshikëllimë ajri “Ssserb!”, si të thoshte : Dhelpër! Qen! Gjarpër! dhe autori pohon se në ato çaste “po e vërtetonte më së miri këtë gjë. Serb. Serp…serxhente, serpente a diçka të tillë, gjarpër!” Malësorët largohen duke u shprehur se varfëria nuk është ves e turp dhe është faj i tjetërkujt, kurse autori për thasët bosh shprehet se u rëndonin më tepër se të ishin plot.
Përsa i takon qëndrimit antiracist, autori thekson nga ana e vet: “Ndoshta ky vend nuk i ka njerëzit gjarpinj, si ky”.
Në këtë tregim spikat imazhologjia letrare që lëviz nga imazhet letrare tek imagjinimi shoqëror, e cila konkretizohet nga tri faza : 1. leksiku i përbërë nga “fjalët kyçe” ose “fantazmë”, 2. hierarkia vendore ose kohore dhe 3. shfaqja e marrëdhënieve midis kulturave, që u përmendën.
Përsa i takon sjelljes ndaj tjetrit, në këtë tregim kemi të bëjmë me “fobinë”, konkretisht “albanofobinë”, e cila karakterizon njërën palë për ta poshtëruar tjetrën (dy sjelljet e tjera janë “mania” për superioritetin dhe “filia” për kozmopolitizmin, PAGEAUX, 1994; Dyserinck, 1995).
Një tregim unik për nga lloji i vet dhe shumë ilustrues për mesazhin human që përcjell, është ai pasues në këtë libër, «Urtësia e fundit e dajë Liçit». Mësimet që vinë prej tij nga ana filozofike janë mësime të përgjithshme e të tërthorta. Këto mësime merren me çështjen e diturisë (shkencës) morale të letërsisë. Sipas studiuesve, kjo çështje njeh dy mënyra qasjeje: «etika letrare» dhe «moralizimi përmbajtësor». Sipas tyre, vepra letrare gjithmonë është e prirë për dhembshuri, arsyetim, mirëkuptim dhe prandaj shërben për diturinë etike që ajo mbart.
Personazhi i dajë Liçit, njeriut bamirës gjithë jetën për njerëzit në nevojë, na shpaloset në një finale kur është nisur «për në ahiret». Mullisi i vjetër i vajit u drejtohet të bijve: “A do të më jepni gjë me vete?” dhe kur sigurohet për këtë shprehet: “Po ma dhatë me zemër, pa pishmanllëk, dua defterin e borxheve”. Tregimi mbyllet me fjalët e bamirësit: “Ku do t’i çoj? Ja këtu të ngrohem ca! – tha plaku dhe e hodhi në zjarrin e vatrës defterin e trashë”, duke bërë të lumtur shumë njerëz në nevojë.
Një aspekt shumë interesant në këtë libër është trajtimi i temës shoqërore nga jeta nën diktaturë, në kushtet e ushtrimit të përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit dhe mungesës së fjalës së lirë, që nga grabitja e floririt e deri në interpretimet djallëzore, qoftë edhe të një fjale të vetme me keqdashje nga ana e gardianëve ideologjikë nëpër ndërmarrje, shkolla e deri për epitafet e varreve. Të mbeten në kujtesë tregime si «Të kam lënë Zotin», ku spiuni shtiret si lypës dhe bamirësi futet në burg; «Shenjimi», ku grabitet floriri me metodat më djallëzore e brutale; «Lenini frikacak?!», ku mësuesi pushohet nga puna me intrigat e inspektorëve të komitetit të partisë; «Djaloshi dhe shiu», ku studenti humb fakultetin pse shau çadrën që nuk hapej, me shprehjen: “Hy, të martë dreqi racën!”; “Epitafi”, ku njerëzit e partisë kërcënojnë me jetë mekanikun pse ka përdorur në epitafin e varrit të babait “vargje pesimiste” etj. Në të gjitha rastet me temën e diktaturës kemi ballafaqimin e të mirës me të keqen, të moralshmes me të pamoralshmen, të së drejtës me padrejtësinë, të së bukurës me të shëmtuarën, të totalitarizmit me pafajësinë. Në ato kushte dalja nga ferri kërkonte një çmim të rëndë, që autori e trajton aq bukur në tregimin “Udha drejt parajsës kalon përmes varrit”, ku dramatizmi i tekstit ka prirje drejt tragjizmit. Dramatizmi jepet në mënyrë brilante në një batutë: – Kaso, a e do lirinë? dhe tjetri përgjigjet: – A pyetet i verbëri nëse do sy, more Hekuran?!
Por një nga krijimet më të spikatura dhe më interesante në këtë libër është gojëdhëna «Mali i vashës». Në çdo rast kur tema merret nga gojëdhënat ose mitet, bëhet fjalë për figura që mishërojnë natyrën njerëzore në shumanshmërinë e përmasave të saj si ndjenjat, dëshirat, dobësitë, kontradiktat, rreth të cilave tekstet letrare ofrojnë variante të ndryshme. Në variantin popullor, të mbledhur nga Lef Nosi, për Malin e Vashës kemi: Një djalë bari që dashurohet me një gocë bareshë. Një ditë pikasen dhe ndiqen nga njerëzit e vet. Bariu e merr të dashurën e tij në krahë dhe ngjitet me nxitim bishe. Kur mbrrijnë në majë të malit, plasin të dy. Atje janë edhe sot varret, thotë gojëdhëna.
Tek të dyja gojdhënat mesazhi i teksteve është i njëjtë: dështimi i dashurisë nga koha, por shkenca e letërsisë, dija që na jepet për jetën e asaj kohe të lashtë është e ndryshme. Tek Lefi jepet mentaliteti i mykur që nuk lejon vajzën të martohet me një të varfër, ndërsa tek Astriti – shkaku ekonomik i përballimit të jetës.
Në pendën e Astrit Bishqemit kemi një dramatizim të marrëdhënieve dashurore që përfundojnë në tragjedi, jo se ndiqen e pengohen nga njerëzit e afërt, por nga kushtet ekonomike. Djali goditet si rrufeja, me pamjen e parë. Vajza i përgjigjet dashurisë me shprehjen “Por me se do të më mbash, ore djalë? Ti qenke pa shtëpi e katandi. Jeta është e gjatë dhe nuk kërkon vetëm dashuri”. Dhe, kur djali i premton “Ja, me këta krahë do të siguroj jetën. Ja me këta krahë do të të mbaj”, vajza i përgjigjet: “Me ta ti nuk më ngjit dot as në majë të malit tonë”, duke vulosur kësisoj fatin tragjik të dashurisë së kushtëzuar. Në këtë mënyrë, autori krijon veprën e vet që ia lë ta gjykojë vetë lexuesi.
Filozofia dhe morali i kësaj vepre, dijet e njohuritë e përfituara nga leximi i thjeshtë i veprës letrare, bëhen thelbi i bashkëveprimit të lexuesit si receptues me autorin, me tekstin e tij dhe ky dialog vazhdon pa mbarim midis të dy palëve, qofshin këta shkollarë të rritur, të rinj apo edhe në moshë madhore.
Me veprën e gjithanshme e të larmishme, letrare e shkencore, Astrit Bishqemi i ka ngritur vetes një obelisk të virtytit e diturisë, që nderon e pasuron thesarin e trashëgimisë sonë kulturore.