More
    KreuIntervistaArtur Spanjolli: Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e...

    Artur Spanjolli: Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia: “Ftesë në studio” dhe “Njëqind vjet vetmi”

    1. Libri që po lexoj ndërkohë.

    E kam zakon të filloj disa libra përnjëherësh. I filloj dhe i vazhdoj paralelisht. Zakonisht lexoj kapitujt e parë dhe të dytë pastaj filloj t’i jap prioritet ngjarjes dhe mënyrës së shkrimit që më tërheq më shumë. Sapo mbarova “Tunelin” e Sabato-s, me përkthim të Mira Meksit dhe nuk më zhgënjeu. Gjithashtu po lexoj ndërkohë paralelisht, “Dëmtuar gjatë rrugës.” të Mustafajit dhe “Një shaka e vogël me vdekjen” të B. Hoxhës. Por kam edhe libra të tjerë me të cilët “ngrohem” çdo mëngjes dhe të cilët janë “dhiata stili” si “Të fejuarit” e Manzonit, “Njëqind vjet vetmi!” në përkthimin e mrekullueshëm shqip të Meksit.

    2. Libri që më ka ndryshuar jetën.

    Mund të thosha librat që më kanë ndryshuar jetën, sepse nuk e di të tjerët, por mua, shumë libra bashkë, ma kanë ndryshuar jetën. Doja të thoja Libri, si fenomen, si akt intelektual ma ka ndryshuar jetën. Kam filluar që i vogël ta kërkoja atë. Më pas iu futa skulpturës, por 19 vjeç, ashtu natyrshëm, ndërrova drejtim. Lashë artin e skulpturës dhe iu futa poezisë. Librat e atëhershëm ishin të shumtë. Kadare, Markezi, Flober, Balzak, Gogol. Por sidomos vellimet poetike të: Nerudës, Hikmet-it, Witmani-t, Lorkës, Poezi spanjolle përkthyer nga Aurel Plasari, dhe sidomos poezia franceze e simbolistëve dhe të ashtëquajturit poetët e mallkuar. Me në krye Rrembonë, Malarme, Verlen dhe Alfred dë Myse. Kanë qenë këto autorë që ma ndryshuan jetën me tërë mënd sepse 19 vjeçar iu futa serjozisht poezisë dhe shkrova mbi 200 poezi, ndarë me tre vëllime akoma të pabotuar.  

    3. Libri që do të doja të kisha lexuar.

    Po të llogarisim si mesatare një libër në javë, atëherë i bie që njeriu nuk mund të lexojë gjatë jetës së tij më shumë se 3000 libra. Një ritëm i mirë për të pasur një kulturë të gjërë.  Shkrimi i mirë nuk bëhet pa kulturë universale. Ndaj, ç janë 3000 libra, në krahasim me mijra libra të cilët nuk do të kemi kurrë mundësi t’i lexojmë. Ndaj librat që do të doja të kisha lexuar janë pjesa më dërrmuese e pengut. Psh, do të doja të lexoja Vedat në origjinalin sanskrisht. etj  

    4. Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia.

    Dy libra kanë patur ndikim të madh në formimin tim si shkrimtar. Në pjesën e parë të krijimtarisë, në vitet 90 ka qenë “Ftesë në studjo” të Kadaresë. Dhe më vonë, pas pjekurisë letrare ka qenë libri: “Njëqind vjet vetmi” i Markezit.

    5. Libri që më ndryshoi mendjen

    Një seri librash ja ndryshojnë mendjen shkrimtarit. Psh, absorbimi i teksteve hyjnore monoteiste, ma ka kthjelluar mendjen dhe ma ka theksuar bindjen spirituale dhe idealiste që nuk jemi produkt i rastësisë, por jemi pjesë e një projekti të madh kozmik. Romanet nuk ma kanë ndryshuar jetën por ma kanë qartësuar atë. Të lexosh libra don të thotë ta shohësh botën nga një këndvështrim i ri. Nga një pikpamje tjetër dhe filtruar nga një sensibilitet i ri. Kjo është pasuria më e madhe e njeriut.

    6. Libri i fundit që më bëri të qaj.

     Librin e fundit nuk e kujtoj por shpesh faqet plot pathos më bëjnë të më dalin lotët. Bibla, Kurani, Dhiata e Vjetër, kur i lexoj më bëjnë të lotohem. Faqet plot pathos, poezitë e Poradecit, poeti Heinrih Haine, ose serjoziteti dramatik i prozave të shkurtëra të Rembosë. Librat e mirë ndryjnë brënda energjinë njerëzore, shpërndarë nëpër fjalë, vargje o përshkrime. 

    7. Libri i fundit që më bëri të qesh.

    Mos ma merrni për mendjemadhësi, por më bën për të qeshur mediokriteti dhe mungesa e seriozitetit. Për të shkruar një libër të mirë, një poezi të mirë duhen vite dhe vite djersë, lexime, reflektime dhe eksperiencë jete. Nuk mund ta quash veten poet apo shkrimtar, nëse boton një libër. Pa bërë xhiron 360 gradëshe të njohjes, nuk mund të shkosh seriozisht askund.

    8. Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende.

    Ka shumë libra që akoma nuk i kam lexuar. “Lufta dhe Paqja”. “Uliksi-n e Xhojsit, nuk e kam lexuar kurrë të plotë. Libra që me siguri do t’i lexoj në të ardhmen.

    9. Libri që kam dhuruar.

    Zakonisht dhuroj librat e mi edhe pse numri i kopjeve që shkrimtari ka nuk mjafton kurrë. Kujtoj se disa muaj më parë dhurova “Komedinë Hyjnore” adaptuar në prozë në gjuhën italiane. Leximi i Dantes në prozën e sotme i lejon lexuesit të kuptojë më mirë udhëtimin e Dantes. Udhëtim i cili në gjuhën origjinale të 300-tës është aq i vështirë dhe shpesh fare i  pakapshëm. Ndaj Dante në origjinal, studiohet dhe nuk lexohet.

    10. Libri me të cilin dua të mbahem mend.

    Shpresoj që librin më të mirë akoma të mos e kemë shkruar. Me këtë filozofi njeriu nuk plaket kurrë dhe është gjithnjë optimist. Por libri të cilin e kam më për zemër deri tani është një roman i vogël me titull: “Teqja”. Është një degëzim i sagës familjare me tre pjesë: “Konika e një jete në heshtje”. Libër të cilin e kam botuar në Itali. Aty, janë bazat e një kërkimi shpirtëror. Ç’duhet të bëjë pra njeriu që të rritet shpirtërisht dhe moralisht. Libri doli si trysni, si përthithje dhe absorbim i shkrimeve hyjnore dhe aty unë shkrova një koncentrat mendimesh mbi të ecurit mirë shpirtërisht në jetë. Duke aspiruar kështu përsosjen morale. 

    11. Libri që më bën të ndihem mirë.

    Janë disa por po përmbahem. “Odiseja.” “Don Kishoti”. “Tonio Krëger” etj. Pa dyshim, një nga librat të cilit i rikthehem me ëndje është “Odiseja”. Aty ka gjithçka. Ajo është kryevepra e njerëzimit. Jo vetëm sepse kthimi në shtëpi është ëndërra më e madhe njerëzore, por aty gjej gjithçka. Sakrifica e Penelopës, qeni i cili sapo njeh padronin mbas 20 vjetësh, ngordh. Brumi turbullues i proçëve. Petkat prej lypësi të Odisesë, hakmarrja e shenjtë. Gjithçka është kryevepër dhe gjithçka është përshkruar me një regjistër fjalësh hyjnore. Aty njeriu nuk është ai i sotmi. I vogël, i humbur, Kafkjan dhe plot probleme ekzistencjale. Aty njeriu është madhështor, gati një me hyjnitë, i lartësuar deri në Olimp. Një kryevepër e letërsisë botërore.

    12. Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar.

    Mendoj se librat e mirë historikisht janë nënvlerësuar. Vetëm koha i jep atyre vendin që meritojnë. Shesin aq shumë kopje shkrimtarët mediokër dhe thirren kudo sepse bëjnë parà, por vlerat e vërteta në letërsi kanë nevojë për faktorin kohë. Ka shumë libra të mirë në panoramën ndërkombëtare të cilët veç për faktin se nuk janë popullor, nuk botohen prej vitesh. Psh, në Itali ku jetoj, Stefan Cvajg apo Remarku, njihen fare pak. Vite më parë, kur nuk gjeja librat e Cvajgut habitesha krejt këtu ku jetoj.

    Të flasësh për librat është sikur të flasësh për kokrrizat e rërës në plazh aq e madhe është bota e tyre, por njeriu të paktën dy tre autorë klasikë për çdo komb duhet t’i njohë patjetër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË