More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArta Marku Qëndro: Pyetjet ekzistenciale që shtron letërsia

    Arta Marku Qëndro: Pyetjet ekzistenciale që shtron letërsia

    (Mbi librin “Bijat e gjeneralit” të Mimoza Hysës)

    Dy motra binjake apo dy unë brenda të njëjtit njeri? Përplasja e dy karaktereve të ndryshme të dy vajzave apo përplasja e brendshme e individit? Të shohësh tjetrin përkundruall apo të shohësh veten në pasqyrë? Për luftën, përpjekjet, përplasjet. Për zbulimin e vetes, emocioneve, ndjenjave…

    Ka shumë të ngjarë që lexuesi, Mimoza Hysën ta njohë si përkthyese dhe në fakt ajo ka sjellë autorë të rëndësishëm nga italishtja në shqip sikurse Unghereti, Quasimodo, Montale, Mazzantini, Buzzati, Tabucchi, Manfredi, Bevilacqua…  Madje, më i fundit përkthim, ka mbërritur njëkohësisht me romanin e saj (“Me shaka”, i Domeniko Starnones, i dyti prej autorit italian, pas librit “Lidhëset” – Botimet Albas)… E megjithatë, Hysa nuk është shkrimtare e kohëve të fundit. Është shkrimtare e vjetër tashmë. Unë e njoh, këtu e 15 vjet të shkuara, njëkohësisht si përkthyese dhe shkrimtare. Kurse BIJAT E GJENERALIT është libri i katërt i saj pas KOHA E ERËS, VENDIMI, HISTORI PA EMRA, sadoqë me një hapësirë tejet të gjatë kohore nga botimi i fundit.

    Por le të ndalim te BIJAT E GJENERALIT (botimet Onufri). Nuk e teproj po të them se është një nga librat më interesantë dhe të papritur që kam lexuar këto kohë.

    Në këndvështrimin tim Bijat., përmbush 2 parime të rëndësishme që duhet t’i përmbushë letërsia:

    I pari, parimi hedonistik, ndryshe e thënë kënaqësia që merret gjatë leximit.

    Ka një histori ky libër për të cilën lexuesi është kureshtar të mësojë vazhdimin. Dhe leximi, teksa është i rrjedhshëm, mbështillet edhe nga pamundësia për ta parashikuar çfarë sjell faqja pasardhëse.

    Nga ana tjetër, pika e dytë e rëndësishme është: të menduarit. Pra libri nxit shtrimin e pyetjeve. Pyetje, për më tepër, mbi thelbin e njeriut që ka brenda: TË MIRËN vs TË KEQEN; EGOIZMIN vs ALTRUIZMIN; KAOSIN vs RREGULLIN…

    ***

    Në qendër të librit janë dy karaktere: Martina dhe Marsina që mund të jenë dy karakteret e dy vajzave të ndryshme, madje të kundërta ashtu sikurse mund të jenë dy të kundërtat që njeriu i ka brenda vetes.

    Martina dhe Marsina janë dy binjake të një veze. Përkundër asaj që mund të imagjinohet, nuk është SIMBIOZA, shkrirja, çfarë i karakterizon. Përkundrazi është KONFLIKTI. Pikërisht, këto binjake janë në një konflikt të vazhdueshëm, të pambarimtë. Jetojnë në një familje. Kanë të njëtin baba: gjeneralin. Kanë të njëjtat kushte jetese: një shtëpi mu në mes të bllokut. Por kanë mendime pa pika përkimi, shijojnë e gjykojnë nga kënde të ndryshme, të kundërta mandje. Endrrat nuk u ngjajnë… Dashuritë aspak, ashtu sikurse fustanet, fjongot a lulkat. Rrëfejnë të dyja jetët e tyre dhe zbulojnë njëra-tjetrën, secila nisur nga këndet e veta të shikimit. Duhen dhe urrehen. Miqtë i kanë të ndryshëm. Fatet po ashtu.

    Historia është intriguese, por vështirë e rrëfyeshme me dy fjalë. Ama është një rrëfim thellësisht psikologjik.

    Libri më solli në mendje një shkrimtare holandeze, Renate Doreshtejn, mbërritur ne shqip disa vite më parë me librin “Albumi i familjes” (botimet Dituria). Ishte një detaj konkret, i përbashkët me shkrimtaren shqiptare që ma nxiti përkimin. Holandezja ka interpretime psikologjike të jashtëzakonshme në rrëfimin e saj ndaj dhe një gazetar e pat pyetur nëse kishte studiuar psikologji. Mesa duket ia kishte ngacmuar vëmendjen, veçmas, aftësia interpretuese psikologjike e shkrimtares. Por përgjigjja ishte e papritur: Jo, – thotë shkrimtarja – nuk kam studiuar psikologji. Ajo zbulon, me fjalë të tjera, se në jetën e përditshme i mungon tërësisht një aftësi e tillë shpjeguese dhe interpretuese. Ama ndryshon puna në momentet kur është shkrimtare. Kur është në proces, është psikologe gjithashtu. Me gjasë, kjo aftësi në aspektin psikologjik, ka të bëjë me shkrimtaren brenda njeriut. Me gjasë, shkrimtarët e vërtetë janë të tillë, gjithnjë, në tryezën e punës. Me gjasë, Mimoza Hysën e karakterizon gjithashtu një tipar i tillë brenda laboratorit të vet.

    Por krahas psikologjisë është filozofia. Filozofi jete, konkluzione përvoje:

    MBRETI LUAN VETËM NJË KUTI. ËSHTË SHUMË I NGATHËT. U DUHET TË TJERËVE TË TREGOHEN MË TË SHKATHËT SE AI. – shkruan Mimoza Hysa duke i vënë konkluzionet e saj në gojën e personazhit. Mesa duket jo më kot skakiera është e pajisur me kuaj e oficerë, me torra dhe ushtarë, me mbretëreshën padyshim, sikurse në skakierën jetësore nuk mjafton të jesh një mbret i vetëm. Prania e të gjithë “gurëve” është domosdoshmëri.

    PARIMET I VENDOSIN CAQET, – thotë diku tjetër, sërish personazhi, apo: FATET NGATËRROHEN EDHE NËSE TI QËNDRON SPEKTATORE”…

    Por, le të ndalim pak te FATI.

    Personazhet e M.Hysës paraqesin dy pamje edhe në këtë aspekt, por nuk është e lehtë të thuhet se cila syresh është pamja ideale. Apo ndoshta pamja ideale nuk ekziston?

    Për njërën prej personazheve: E NESËRMJA ËSHTË NJË DITË E RE, për tjetrën: E NESËRMJA ËSHTË AJO QË KA PLANIFIKUAR TË JETË. Për njërën, si më sipër, FATI NGATËRROHET EDHE NËSE TI QËNDRON SPEKTATORE. Për tjetrën EDHE RASTËSIA MERR FORMËN QË AJO VETË I JEP.

    Në fakt, a e ka njeriu FATIN E VET NË DORË? Apo RASTËSIA ËSHTË MBRET I FATIT? E nëse për një moment mendojmë se fatin e ka në dorë njeriu, deri në ç’pikë e ka?

    BIJAT E GJENERALIT rreken të japin alternativat e tyre… personazhet pra.

    ***

    Në një artikull mbi një libër duhet, doemos, njëfarë zbulimi i subjektit. Por, siç thashë më lart, “Bijat e gjeneralit” është vështirë i rrëfyeshëm. Është libri tipik që mund të zbulohet, faqe pas faqeje, vetëm duke e lexuar.

    Gjithsesi, libri na vendos në Tiranën e viteve të diktaturës. Babai i vajzave është një personalitet i diktaturës, burri tipik që ka ngjitur shkallët e karrierës dhe ia di vështirësinë, jo vetëm ngjitjes por sidomos kujdesit që lipset për të mos rënë. Se gremina është aty, ngjitas rrugës që bën ai përditë dhe një mosvëmendje e vogël mund të jetë fatale. Madje, për këtë, nuk mjafton të kujdeset veç ai, por i duhet edhe familjes. Gruas po se po. Por fundja ajo është si plastelinë dhe merr lehtësisht formën që ia jep koha e vendi, domosdoshmëria. Jeta e saj është e kufizuar te jeta e të shoqit. E sheh si lokomotivën që tërheq pas vagonët mbi të cilët, më shumë sesa ajo vetë, qëndrojnë të bijat. Por u duhet edhe vetë vajzave të bëjnë kujdes. Se rreziku i një treni të tërë mund të vijë edhe nga një vagon i vetëm përsa kohë është i lidhur me hallka me të tjerët. Ndryshe e thënë, vajzave u duhet të mos e jetojnë jetën siç do ta kishin dashur. Për njërën është e lehtë. Për tjetrën e pamundur. Prandaj dhe tragjedia është e pashmangshme.

    Zbulohen në libër historitë e vajzave, dashuritë e tyre, miqësitë që herë janë e herë s’janë të duhurat.

    Ka dashuri tragjike, ka lidhje pragmatiste. Ka jetë të prangosura, kufij të rrezikshëm për t’u kapërcyer. Ka guxim për t’i kapërcyer e po aq pamundësi dëshpëruese që t’i fikin drita përfundimisht.

    Janë të skalitura në libër personazhe qendrorë e periferikë që sidoqoftë, për nga fuqia, janë tronditës.

    Ka rrëfime situatash ku njerëzit humbin personalitetin e dinjitetin, por kurrë të gjykuara nga shkrimtarja që kërkon të thotë, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejë, se të gjykosh apo të paragjykosh është rrugë e shkurtër e pa krye.

    Rrjedha e ngjarjeve dhe fatet e personazheve janë kaq të papritura. Jo vetëm e Martinës dhe Marsinës, (njëra fllad pranvere, si marsi, muaji i lindjes – tjetra erë e ngarkuar me shi, si e marta, dita e lindjes), por edhe fati i të dashurit të Martinës, Jetonit, me kleçkë në biografi dhe me historinë e nënës së tij që ka shkelur mbi veten për të shpëtuar bijtë; edhe e Silvit, shoqes së pazakontë të Martinës, të cilën, realiteti që i ka takuar të jetojë e ka nxjerrë në margjina, deri edhe e Zanit, burrit të Marsinës, krejtësisht të qartë dhe pa dilema për rrugën që i duhet të ndjekë në mënyrë që të mos mbetet përjetësisht banori i një fshati të humbur.

    Por si duhet të kenë ardhur këta personazhe me fatet e tyre? Nëpër ç’rrugë duhet të kenë ecur? A i ka pasur shkrimtarja në dorë fatet e tyre? Po jeta që gjallon në libër, në momente udhëkryqi, pse merr një kthesë të caktuar e jo në një tjetër? Po emrat e personazheve çfarë duan të thonë (se duket qartë që fshehin kuptime)? Po babain pse bijat e thërrasin gjeneral në një kohë kur gradat nuk ekzistojnë? Po fatet e dy binjakeve të një veze pse ecin në kahe të kundërta? Po jeta luksoze brenda një vile blloku pse nuk mjafton? Po personifikimi i dashurisë pse quhet Jeton dhe akoma më shumë pse fundi i tij është tragjik? A ka një shpjegim pse ai e lë pas veten te një pasardhës? Po një nënë, çfarë është në gjendje të bëjë për ta mbrojtur fëmijën e vet? Po bota që na rrethon është Ferri apo Parajsa?

    Për botën dhe njerëzit që e popullojnë; për jetën dhe konfliktet që prodhon; për familjen dhe individin brenda saj; për dallimet e mëdha që mund të gjenden mes gruas dhe burrit; për dashurinë dhe dilemën e madhe lidhur me të; për kthesat e papritura të fatit; për diktaturën dhe çmendurinë; për frikën dhe guximin e marrë… për pyetjet që nuk mundemi të mos i bëjmë dhe përgjigjet që me gjasë s’i marrim dot… për këtë ekziston letërsia, ajo e mira.

    ***

    “Unë edhe sot u frikem njerëzve që dinë se ç’bëjnë dhe kanë sigurinë e tepruar në bindjet e tyre, u frikem njerëzve që ndërtojnë sisteme të sigurta, nga të cilat nuk lëvizin presjet, u druhem njerëzve me një gramatikë të pastër dhe sintaksë të ndërlikuar ku të gjitha fjalitë lidhen mrekullisht me lidhëza bashkërenditëse dhe nënrenditëse. Fjali që e kanë psenë shkakore dhe prandaj përmbyllëse. U frikem njerëzve që dinë t’u japin përgjigje të gjitha pyetjeve. Unë kam ditur vetëm të ngre pyetje në jetë Martinë dhe nëse jeta më ka dhënë ndonjëherë përgjigje, qoftë edhe të vonuar jam ndjerë e pjekur dhe e rritur. Për mua është e rëndësishme TË DISH TË BËSH PYETJE e jo të dish të japësh përgjigje…”, shkruan në libër, Mimoza Hysa… dhe “Bijat e gjeneralit” është libri i pyetjeve të mëdha që njeriu e ka të nevojshme t’i bëjë, anipse përgjigjet më së shumti nuk janë apo janë të turbullta…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË