More
    KreuLetërsiBibliotekëArshi Pipa: Një mungesë kaq e gjatë, si një natë e përjetshme

    Arshi Pipa: Një mungesë kaq e gjatë, si një natë e përjetshme

    Nga Odile Daniel

    Isha në Paris, kur, në maj 1992, mora një thirrje telefonike nga një shqiptar nga Uashingtoni që dëshironte të më takonte. Ishte një profesor në pension i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe italiane që quhej Arshi Pipa. Kishte lexuar disa nga punimet e mia mbi Shqipërinë dhe kishim nisur të bashkëpunonim me korrespondencë, veçanërisht me krijimin e një reviste të titulluar Albanica që ai e kishte botuar në SHBA. I lashë takim në një kafene pranë kishës Saint-Sulpice, sepse po qëndronte në një hotel të Quartier Latin.

    E njihja vlerën e këtij profesori nga emri i tij i madh, sepse ai kishte botuar më 1978 në anglisht në koleksionin Albanisce Forschungen (Kërkime shqiptare) të Universitetit të Mynihut tri vëllime mbi letërsinë shqiptare. Kishte botuar po ashtu, gjithmonë në anglisht, katër vëllime të tjera në SHBA në koleksionin East European monographs në botimet e Universitetit Columbia të Nju Jorkut; vëllimi i parë, i botuar më 1984, i hartuar nga një grup autorësh nën drejtimin e tij, kishte të bënte me Kosovën. I dyti, i botuar më 1989, titullohej The Politics of Language in Socialist Albania. I treti, Albanian stalinism, ideo-political aspects, botuar më 1990, ishte pasuar më 1991 nga Contemporary Albanian Literature. Nuk e njihja rrugëtimin intelektual të këtij shqiptari, por më kishin mahnitur njohuritë dhe finesa e analizave të tij. Ai kishte marrë drejtimin e revistës Dielli të bashkësisë së shqiptarëve të SHBA.

    Që të më njihte, duhet të vendosja mbi tryezë njërin prej librave të tij me kopertinë blu. Pasi prita ca, pashë të vinte një burrë trupvogël që duhet të ishte pak më shumë se 70 vjeç. Flokët e tij të bardhë, të ndarë me një vijë në mes, ishin prerë karé me një gjatësi që i fshihte veshët. Më kujtoi menjëherë Franz Liszt-in ose statujat e famullitarit të Ars-it që kisha parë në kisha. Tiparet i kishte fine, goja me buzë të holla rrethohej nga dy rrudha hidhërimi që i zbrisnin deri poshtë mjekrës. Mbante syze me skelet të zi dhe me xhama të trashë që vinin në pah vështrimin e një miopi. Megjithëse me flokë të bardhë, Arshi Pipa kishte vetulla të zeza mjaft të trasha që ia theksonin vështrimin e gjallë dhe të sinqertë. Shprehja e fytyrës dhe buzëqeshja e tij tregonin një mirësi të madhe. Folëm të dy duke u parë drejt në sy.

    Profesor Arshi Pipa më përshëndeti duke përdorur fjalë shqipe, por biseda u bë në frëngjisht, sepse ai e zotëronte mjaft mirë këtë gjuhë. Madje ai ishte poliglot, fliste, përveç shqipes dhe anglishtes, frëngjishten, italishten dhe gjermanishten. Kishte gjithashtu njohuri të thella të latinishtes. Mora guximin ta pyes nëse kishte lindur në SHBA nga prindër shqiptarë të emigruar prej shumë kohësh, sepse e dija që në Detroit dhe në Boston kishte një diasporë të rëndësishme shqiptare, apo kishte lindur në Shqipëri.

    – Kam lindur në Shqipëri, në Shkodër, më 1920. Mamaja ime ishte shkodrane. Stërgjyshërit e mi nga ana e babait ishin me origjinë nga Libohova, domethënë nga jugu i Shqipërisë ku kishin poste administrative, kryesisht në drejtësi. Babai im, një patriot dhe demokrat i madh, ishte avokat. Ai u burgos shumë herë në kohën e sundimit otoman. Më kujtohet që kishte miqësi me komandantin e trupave aleate të Shkodër, gjeneralin Joseph Marie Bardi de Fourtou.

    – Prej sa kohësh jetoni në SHBA?

    – Më 1957, u arratisa në Jugosllavi ku qëndrova gati një vit, pastaj, pas një qëndrimi të shkurtër në Itali, u vendosa në SHBA më 1958.

    – Si mundët të largoheni nga Shqipëria, sepse vendi ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe çdokush i afrohej kufirit pushkatohej në vend siç ndodhte me gjermanolindorët që donin të kalonin murin e Berlinit? Kaluat nga shtigjet e Malësisë së Madhe, i shoqëruar nga “malësorët”, që i njohin mirë shtigjet që i përdorin për verimin e bagëtive? 

    – Motra ime, Fehime, ka shkruar një kronikë familjare ku tregon epopenë e familjes sonë. Duhet t’ju them se kam qenë i burgosur për dhjetë vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar komuniste. Jam dënuar për herë të parë më 1949 me dy vite burg për “agjitacion dhe propagandë” dhe, gjatë periudhës së terrorit dhe spastrimeve të vitit 1947, dënimi m’u kthye në njëzet vjet; por, më 1949, gjatë një mase të jashtëzakonshme faljeje, dënimi u përgjysmua dhe, më 1956, u lirova. Kur dola nga burgu pas dhjetë vitesh izolimi, shkova të takoj Ramiz Alinë, që asokohe ishte ministër i arsimit dhe kishte qenë nxënësi im kur punoja në gjimnazin e Tiranës më 1943 dhe më 1944. Më priti shumë mirë dhe munda të kem një vend pune si mësues. Dhashë mësim në gjimnazet e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit, por, meqë të gjitha programet ishin të mbushura me ideologji dhe tekstet ishin veçse slogane dhe pjesë të fjalimeve të Enver Hoxhës, dhashë dorëheqjen. Sigurisht që s’kisha pranuar të hiqja nga programet tekstet e shkrimtarëve të ndaluar nga regjimi komunist, si ato të At Gjergj Fishtës, një nga figurat më të mëdha intelektuale. Gjithashtu, s’mund të botoja më asgjë.

    – Po, e kuptoj. Gjithçka duhet të kalonte përmes gjykimit të censurës. Një plejadë e tërë autorësh, mendimi i të cilëve nuk ishte në përputhje me ideologjinë në fuqi, u ndaluan.

    – Duke mos mundur të ushtroja profesionin më tim si arsimtar, m’u desh të vendosja të jetoja në mjerim. Kështu, një ditë, kur një njeri i besuar më propozoi të arratisesha duke përfituar nga ndihma e një shqiptari, shtëpia e të cilit ndodhej jo larg nga kufiri me Jugosllavinë, pranova. Pra, u largova me motrën time që ishte veshur si fshatare. Secili ndoqi nga një itinerar të ndryshëm dhe u bashkuam në një vend ku ky malësori, një trim mbi trimat, na shoqëroi të kalonim kufirin. Të dy ishim të armatosur. Na çuan në një kamp refugjatësh, pastaj na pranuan të rrinim në Sarajevë. Aty qëndrova disa muaj si emigrant politik. Pata fatin të mos më kthenin në Shqipëri, siç ndodhte shpesh me të arratisurit. Kalova disa kohë duke përkthyer në shqip poemat e autorëve më të mëdhenj latinë në dialektin tonë gegë të Shqipërisë së Veriut. Më pas u nisa për në Itali, në Romë, ku lidha miqësi me Martin Camajn, një shqiptar nga veriu që, edhe ai, ishte larguar nga Shqipëria komuniste duke marrë rrugën e mërgimit përmes maleve të Veriut. Ai jepte shqip në Universitetin e Mynihut.

    – Ç’ju shtyu të shkonit për të jetuar në SHBA?

    – Nuk doja të qëndroja në Itali. Megjithëse kisha ndjekur një program studimi në universitetin e Firences, ku kisha botuar punimin tim të diplomës me temë “Morali dhe feja te Bergson”. Por kisha kujtimin e trishtuar të vëllait tim, Myzaferit, që kishte qenë student drejtësie në Padovë dhe që ishte burgosur nga fashistët në Ishullin Ventotene, në detin Tiren, ku dërgoheshin kundërshtarët e fashizmit. Gjithashtu ishte më e lehtë për mua të vendosesha në SHBA, sepse aty kisha nipa që mund të më prisnin.

    Pashë që fytyra e Arshi Pipës u shtendos dhe përvijoi një buzëqeshje. Sytë e tij të zinj filluan të shndrinin. Kishte marrë një pamje rinore, kur më tha:

    – Në fillim, m’u desh të punoja në Nju Jork si roje te një tregtar gomash, por isha kaq i zënë me studimin e librave, sa nuk e vura re që në dyqan kishte hajdutë, kështu më pushuan shpejt.

    – Keni dhënë mësime shqipeje në SHBA?

    – Dy vjet pas mbërritjes në SHBA, dhashë mësime filozofie dhe feje në Philander Smith College në Little Rock, Arkansas. Nga viti 1963 deri në 1966, kam dhënë mësim në Departamentin e italishtes në universitetin Berkeley dhe aty kam drejtuar edhe një seminar mbi gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar. Karrierën si profesor në departamentin e frëngjishtes dhe italishtes e mbylla në Mineapolis, në shtetin e Minesotas, duke vazhduar të drejtoj punime kërkimore mbi Shqipërinë. Më 1968 kam botuar një libër mbi Danten dhe Montalen. Kur dola në pension, më dhanë titullin “Profesor i merituar”.

    I shpreha Arshi Pipës vlerësimin tim të madh për studimet e tij intelektuale dhe, veçanërisht, për erudicionin e tij të madh.

    – Ajo që kam vënë re në librat tuaj, është logjika juaj shumë e fortë, shpirti deduktiv shembullor. Duke lexuar librat tuaj, mund të bëhet një paralelizëm me shkrimtarin shqiptar Faik Konica që ka studiuar në Francë. Ai ka shkruar një tekst të bukur më 1897 të titulluar “Disa këshilla mbi artin e të shkruarit”. Ai u duhet dhënë si model studentëve. Faik Konica ka shkruar se shkrimtari në radhë të parë duhet ta qartësojë mendimin e tij dhe të shpjegojë që në fillim se “ku fle lepuri”, sipas një shprehjeje shqiptare, dhe se rrëfimi duhet të zhvillohet ngadalë nga peri te gjilpëra, nga deduktimi në deduktim, me fjali të lidhura në mënyrë logjike mes tyre për të mbërritur në një përfundim që rimerr në mënyrë të përmbledhur mendimin e autorit. Është për të ardhur keq që ky shkrimtar është ndaluar për gati pesëdhjetë vjet në Shqipërinë komuniste, sepse ka qenë konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Uashington, ministër fuqiplotë nga viti 1926 në 1939.

    – Po, u përgjigj Arshi Pipa, mendoj se Faik Konica ka bërë shumë për përparimin e kulturës shqiptare duke përhapur kulturën franceze në revistën e tij Albania në një kohë kur shqiptarët ishin ende në Perandorinë otomane.

    – Librat tuaj shprehin shqetësimin për vazhdimësinë e zhvillimit të kulturës shqiptare, por, për fat të keq, nuk kanë mundur të përhapen në Shqipëri për shkak të censurës; me rënien e regjimit marksist-leninist, ju mund t’i përktheni në shqip. Kam parasysh vendosmërinë që keni treguar për të thelluar studimet mbi kulturën shqiptare si përmbushje e rekomandimeve që u bënte shqiptarëve Mit’hat Frashëri, babai i të cilit, Abdyl Frashëri, ka drejtuar më 1878 Lidhjen e Prizrenit për t’i hedhur shqiptarët në një aksion të përbashkët me qëllim çlirimin nga tutela otomane. Ky shkrimtar, edhe ai i mohuar gjatë diktaturës, ka shkruar më 1924 në librin e tij Plagët tona një tekst ku u këshillonte shkrimtarëve shqiptarë të merrnin penën e tyre për të punuar për ngritjen e nivelit kulturor në Shqipëri. Pikërisht këtë keni bërë ju në vendin ku ishit mërguar, me një durim të pamasë. Mit’hat Frashëri ishte pranuar plotësisht në rrethet letrare evropiane. Aline Menard Dorian, nga familja e mamasë sime që kishte lindur Menard, mbante një sallon ku vinin shpesh Alphonse Daudet, Emile Zola dhe vëllezërit Goncourt. Ajo ka mbajtur korrespondencë me Mit’hat Frashërin në vitet 1920-1922. Ajo ishte nën-kryetare e Lidhjes së të Drejtave të Njeriut dhe priste artistë, muzikantë, politikanë dhe të mërguar në sallonin e saj. E quanin “Mikpritësja e mirë”. Kur vdiq, Victor Basch, kryetar i Lidhjes së të Drejtave të Njeriut, i thuri elozhe kësaj gruaje që mbështeste popujt e shtypur dhe të mërguarit. Ajo denonconte diktaturat, bënte thirrje për mirëkuptim të përzemërt dhe mbronte lirinë e popujve.

    Përgjigja e Arshi Pipës më habiti:

    – Po shoh te ju, që keni punuar në terren me këmbëngulje në kushte të vështira, të njëjtën vendosmëri që provoj unë për të ngjallur interes për një vend të izoluar dhe të përçmuar për shkak të një ideologjie që e ka shkatërruar. Duhet punuar për ringjalljen e kulturës shqiptare.   

    – Ju propozoj të dëshmoni për rrugëtimin tuaj intelektual dhe për njohuritë tuaja duke mbajtur disa kumtesa para profesorëve të universitetit dhe studiuesve. Do të ishte një shembull i mirë për të treguar se ekzistojnë intelektualë shqiptarë që nuk kanë pranuar të nënshtrohen dhe që kanë njohur persekutimet staliniste. Gjithashtu mund të tregoni për lëvizjen që solli rënien e komunizmit dhe për zhvillimet politike të kohëve të fundit në vendin tuaj.

    Profesor Pipa pranoi dhe vendosëm të takoheshim pas disa ditësh. Si dhuratë më dha disa kopje të librave të tij të parë të shkruar në shqip, tri vëllime me poezi: Lundërtarët botuar më 1944 në Tiranë si dhe Rusha botuar më 1968 në Gjermani. Poemat e tij flisnin për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, për dashuri dhe gjakmarrjen në gjysmën e dytë të shekullit XIV. Më dha gjithashtu librin e tij të titulluar Libri i burgut që e kishte botuar në shqip në Romë më 1959 dhe që u kushtohej viktimave të komunizmit, duke më thënë:

    – Kam mundur t’i botoj këto libra, falë një miku, Zef Shllakut, që më ka mbështetur financiarisht. Ai ka qenë një verior, i arratisur në SHBA. Kishte në San Françisko një restorant me gatime italiane që ishte bërë i famshëm sepse e kishte frekuentuar Luciano Pavarotti. Për botimin e librit tim, më ka ndihmuar gjithashtu dhe diaspora shqiptare e Detroitit, Nju-Jorkut, Uashingtonit dhe e Londrës. Në Librin e burgut do të gjeni tekste që i kam shkruar gjatë viteve të burgut, në fillim në Tiranë më 1945 – 1946, pastaj me radhë deri më 1956 në burgjet e Durrësit, Burrelit, Tiranës, në kampin e Vloçishtit pranë Korçës dhe në kalanë e Gjirokastrës. Duke menduar se nuk do t’u mbijetoja burgut dhe punëve të detyruara, kam dashur të lë një dëshmi. Pra, kam shkruar fshehurazi në burg, me një shkrim të vogël të imët dhe të rregullt, në letrat e cigareve që i palosja si fizarmonikë dhe i fshihja në palat e rrobave që ia jepja për të larë motrës sime kur vinte të më vizitonte.

    I kërkova profesor Pipës të shkruante një dedikim në librin e tij që dëshmonte për vitet e burgut. Ai shkroi: “À Odile-Idole. A.P.” (“Për Odilën-Idhull. A.P.”), duke bërë një lojë fjalësh për të treguar vlerësimin intelektual për mua. Ai më bëri gjithashtu si dhuratë një varëse me dru arre të punuar nga një i burgosur. Ajo paraqiste një trëndafil. Ishte kujtim prekës.

    U ndamë dhe, me t’u kthyer në shtëpi, u zhyta në leximin e librit të tij. Ai u kushtohej dëshmorëve të kombit që kishin rënë me nder, viktima të komunizmit. Në parathënie, Arshi Pipa shpjegonte se nuk kishte shkruar në prozë, sepse, në kushtet ku ndodhej, ose i mbyllur në burg, ose i mbajtur në një kamp pune të detyruar, i mungonte letra për të shkruar fjali të gjata dhe, përveç kësaj, e kishte të ndaluar të mbante ditar. Pra, kishte zgjedhur poezinë, për të cilën kishte një prirje të lindur. Përmes poezisë që i drejtohet zemrës dhe ngjall emocione, sprovat më të dhimbshme të jetuara shpreheshin në mënyrën më të mirë dhe e preknin thellë lexuesin. Përmes vargjeve të tij shprehej dhimbja e çastit. Vendosa të përkthej një pjesë të tekstit të profesorit Pipa. Ajo u botua në revistën Alternativa e re.

    Arshi Pipa nuk kishte kurrë shumë qejf të fliste për të shkuarën e tij të dhimbshme. Ishte hera e parë që takoja dikë që kishte qenë viktimë dhe që kishte vuajtur dhjetë vjet në gulag. Shkrimi për të kishte qenë si një ilaç; në një farë mënyre, ai e kishte lehtësuar dhe rrëfimet e vuajtjeve të tij kalonin ndoshta përmes pendës më mirë se përmes fjalës.

    Në poemën e titulluar “Nata e parë”, Arshi Pipa ndodhet, gjatë arrestimit të tij, në shërbimet e Sigurimit të Durrësit (që mbante atëherë në mënyrë të çuditshme emrin “Seksioni për mbrojtjen e popullit”). Ai përmend hije, hapa, zhurmat e goditjeve, britmat, fyerjet, një ferr i vërtetë ku janë zhytur njerëz të pafajshëm. Ai vetë kishte njohur torturat. Në një poemë tjetër, ai dëshmon për vuajtjet e të burgosurve që duhet të shtynin vagonë të rëndë me dhé për të punuar për ndërtimin e rrugës bregdetare në Durrës.

    Në pjesën e parë të librit të tij, ai i kushton një elegji të bukur vëllait të tij Myzafer Pipa, që kishte qenë avokat. Pasi u burgos një herë në Itali nga fashistët më 1940, ai njohu një burgosje tjetër në kampin nazist të Prishtinës. Kur u kthye në Shqipëri, filloi të botonte një revistë kulturore të titulluar Fryma. E arrestuan në shtator 1946 dhe e torturuan me hekur të nxehtë në shërbimet e Sigurimit të Shkodrës, gjoja se kishte dashur të arratisej, por arsyeja e vërtetë ishte se kishte mbrojtur priftërinjtë katolikë më 1945. Ai ishte angazhuar në mbrojtje të tyre, megjithëse ishte mysliman. Vdiq më 1946 nën tortura në oborrin e shkollës së motrave stigmatine të Shkodrës. Familja nuk e dinte ku e kishte varrin.

    Poemat janë të shoqëruara me shënime të bollshme të shtuara nga autori pas lirimit të tij. Ato japin saktësime mbi qëndrimin e Arshi Pipës më 1948 në kampin e punës të Vloçishtit, pranë kënetës së Maliqit. Kjo ishte një fushë e madhe e rrethuar me tela me gjemba ku 1300 – 1600 vetë, të burgosur ordinerë dhe politikë, jetonin në baraka. Lufta e klasave zbatohej aty me tërbim. Për rojet, të burgosurit politikë ishin përfaqësues të klasës kapitaliste-borgjeze dhe të burgosurit ordinerë kishin të drejtë t’i vidhnin. Për t’u mbrojtur, të burgosurit politikë flinin duke e fshehur bukën poshtë kokës.

    Arshi Pipa i kushton njëzet e katër sonete përshkrimit të punimeve të bonifikimit që duhet të kryenin të burgosurit. Ata duhet të hapnin kanalin e Dunavecit, disa kilometra i gjatë në një thellësi prej 3 metrash dhe një gjerësi prej 10 metrash. Kantieri ndodhej 6 – 7 km larg nga kampi dhe rruga duhej bërë në këmbë. E gjithë puna kryhej me kazma, lopata dhe tokmakë. Nëse të burgosurit nuk e realizonin normën, rriheshin dhe privoheshin nga ushqimi ose torturoheshin. Shumë prej tyre vdisnin në vend. Arshi Pipa tregon disa ngjarje të llahtarshme: një shok i tij u ekzekutua, sepse u ishte afruar kufijve të kampit dhe një djalë i ri ishte varrosur i gjallë, i akuzuar se donte të arratisej. Shumë burra, të rraskapitur dhe të dëshpëruar, kishin vrarë veten duke u varur në hekurat e një dritareje të barakës së tyre. Kampi i Vloçishtit ishte një kamp i vërtetë shfarosjeje. Arshi Pipa tregon një anekdotë: kur kërkoi një ditë leje te një roje për të mos shkuar në punë, sepse i ishin buhavitur këmbët, ky i ishte përgjigjur: “Mendova se të kishin lënë në infermierinë e burgut, pra, e ke marrë veten, madje dhe qenke shëndoshur aty”. Meqë ai po heshtte, roja vazhdoi: “Gomar, nuk e kupton! Po që të vdesësh të kanë mbyllur këtu dhe tani ti më kërkon leje që të mos punosh…” Roja u largua duke e sharë. 

    Poemat nderojnë viktimat e Buchenwald-it, Majdanek-ut dhe të Dachau-t, viktimat e revolucionit hungarez, disa luftëtarë trima të historisë së Shqipërisë, vëllezërit e tij nga Kosova. Midis poezive kushtuar burgut të tij, ajo e titulluar Neli, me emrin e shokut të burgut, është prekëse. Arshi Pipa i kishte bërë ballë tmerrit duke parë qëndrimin e përkushtuar të Nelit, “farë e mirë e një fati të keq. Falë tij, unë pranova jetën dhe munda ta duroj fatin tim”. Ai nderon njëkohësisht të burgosurit që nuk i braktisën kurrë bindjet e tyre edhe në vuajtjet më të këqija dhe përfundon duke thënë se ka mësuar shumë në burg, shumë më tepër se në libra.

    Një këngë u kushtohet dëshmorëve të kombit:

    Prej qelave ndër pranga

    ku presim pushkatimin

    o bij t’atdheut ku t’jeni

    ju lamë na trashigimin

    Prej nesh ju merrni zemër:

    s’na trembet syni ne,

    s’na dhimset t’rit as jeta

    kur vdesim për atdhe

    Luftuem për idealet

    e thjeshta kombëtare.

    Na ramë, por mbasi mbollëm

    virtytin e një fare

    që jep ndër ju filiza

    me gjak e bamë plle.

    Shqiponja e përtërime

    Me vdekjen tonë ka le.

    Profesori më dha edhe një libër poezish të shkruara në gjuhë të ndryshme. Një poemë, e shkruar në fund të jetës së tij, dëshmon për ndjeshmërinë e tij të madhe, trishtimin dhe miqësinë e tij të thellë:

    Femër e përjetshme

    Madonë – Kordeli – Eloizë

    Të ndoqa gjatë gjithë jetës sime

    Të gjeta dy hapa larg

    Hendekut të ditëve të mia.

    Ti, që zëri i kadifenjtë

    Ma grisi mbështjellën e qenies rastësore.

    Ti, tek e cila veç i ligu ka dashur të besojë

    Sibilë, druide,

    Beatriçe e purgatorit tim.

    Më shpëto nga vetvetja,

    Natë e errët e shpirtit

    Ku vetëm shkëlqen

    Fije flake, e zezë,

    Prehja e dhënë dëshpërimit.

     Guxova ta pyesja profesorin për biografinë e tij, por, për t’ia kursyer kujtimet e dhimbshme, nuk e pyeta për vitet e kaluara në burg dhe në kampet e punës. Vështroja fytyrën e profesorit që dëshmonte për vuajtjet që kishte kaluar. Kishte lëkurë të zbehtë, madje të bardhëlleme. Shikimin e kishte të fortë dhe të thellë. Ishte mjaft i ndjeshëm dhe nga sytë i rridhnin shpejt lotët pas emocionit më të vogël. Vura re se ishte njeri shumë i  butë dhe i respektueshëm. Kurrë nuk e ngrinte zërin. Për të, veprimtaritë e shpirtit ishin shpëtimi i tij. Kishte gjallëri të madhe intelektuale. Misioni i tij kushtuar zhvillimit të kulturës shqiptare e kishte shpëtuar nga dëshpërimi.

    Admiroja forcën morale të profesor Pipës, fuqinë e qëndresës, zjarrin intelektual dhe finesën e shpirtit të tij. Më kishte rrëfyer se ndihej thellësisht evropian, edhe pse jetonte në SHBA. E donte shumë Korsikën, me peizazhet e mrekullueshme që ngjanin me ato të vendlindjes së tij dhe, sidomos, veçoritë dhe zakonet e afërta me ato të shqiptarëve. Fliste shpesh për Prosper Mérimée që kishte shprehur në shkrimet e tij interesin për shqiptarët.

    Erudicioni i Arshi Pipës ishte i pamat. Pyesja veten si e kishte fituar. Kishte kryer studimet për latinisht dhe greqishte të vjetër në kolegjin jezuit Shën Françesku të Shkodrës që priste të krishterë dhe myslimanë, pastaj kishte ndjekur gjimnazin shtetëror të Shkodrës. Më 1944, në moshën 24 vjeçare, kishte themeluar një revistë të titulluar Kritika. Kjo ishte para vendosjes së komunizmit që kishte gjymtuar gjithë sektorin e kulturës. Gjatë diskutimeve tona mësova shumë mbi historinë dhe kulturën shqiptare. Duke e dëgjuar të fliste profesor Pipën, po konfirmohej ideja ime se shkencat humane të japin një kulturë mjaft të gjerë, aftësi të mëdha intelektuale dhe një finesë të bukur analize; ndoshta edhe filozofia që kishte studiuar në Itali kishte dhënë edhe ajo ndihmesën e saj. Nëse Shqipëria nuk do të kishte rënë në kurthin e komunizmit, ai do të kishte qenë një figurë e madhe intelektuale e nivelit ndërkombëtar.

    U takuam sërish me rastin e një konference që ai dha në një institut kërkimor dhe, gjatë një darke në fund të mbledhjes, ku ai u zbraz, disi kur e pyeta për familjen, sepse e kisha ndier që për këtë temë fliste me lehtësi. Ndihej shumë i hidhëruar për fatkeqësitë që ajo kishte pësuar për shkak të tij, më tepër se për vuajtjet e veta.

    – Komunistët, më tha, ma përzunë familjen nga kryeqyteti. Ata e detyruan të shpërngulej tri herë brenda gjashtë muajve, atë familje ku jetonin së bashku prindërit dhe tri motrat e mia, Nedret, Fehime dhe Bukurush, si dhe dy jetimet e motrës Bedi që kish vdekur nga tuberkulozi. Kur munda të flas së fundmi me njërën nga motrat e mia, pas gati pesëdhjetë vitesh heshtje, ajo më tregoi se një fqinj, djalë i ri, që banonte në njërën nga banesat e vogla ku kishte jetuar familja ime në Durrës dhe që kishte qenë nxënësi im, ishte dërguar nga Partia të më vizitonte në burg për të parë nëse “isha zbutur”. Iu përgjigja se nuk kisha bërë asnjë gabim, pra, nuk kisha asnjë arsye për t’u penduar. Kur isha i burgosur në Durrës, familjarët nuk më treguan që vëllai im kishte vdekur nën tortura dhe, herët e pakta kur vinin të më vizitonin, nuk i vishnin rrobat e zisë. Megjithatë, e mora vesh lajmin nga një burim tjetër. Humba edhe njërën nga motrat e tjera të mia, pastaj babai im u sëmur. Kishte thyer ijën. Mbeti invalid. Vdiq, i goditur nga një krizë zemre gjatë një shpërnguljeje me qerre. Ime më nuk arriti as të merrte ambulancë për ta transportuar. Në pak kohë humba tre anëtarë të familjes sime.

    – Ç’vuajtje të tmerrshme!

    – Kam parë shumë njerëz të vuanin rreth meje; intelektualë, inxhinierë, klerikë, por dhe fshatarë e punëtorë. Gjyqet ishin vetëm farsa të poshtra, sepse vendimet ishin vendosur shumë kohë më parë nga ministri i brendshëm. Vinçenc Prendushi, françeskan, poet i madh, që ishte kreu i Kishës katolike, u arrestua në moshën 86 vjeç dhe u akuzua se ishte pjesë e “klerit reaksionar”, se ishte armik i popullit, “bashkëpunëtor”, “fashist”, “agjent i Vatikanit” dhe se kishte bërë përpjekje për të përmbysur qeverinë. U dënua me njëzet vjet burg dhe me punë të detyruar. Iu përgjigj gjykatës se nuk kishte vepruar kurrë keq në jetën e tij, se nuk kishte ushtruar asnjë diskriminim. E mbaj mend mirë, sepse me të ndaja të njëjtën qeli të vogël, së bashku me nja tridhjetë burra të tjerë. Rrinim të ngjeshur në më pak se 40 metra katror, por linim hapësirë rreth arkipeshkvit në shenjë respekti ndaj tij. Për më tepër, mes nesh, të burgosurve, s’kishte më dallime: pak rëndësi kishte pozita jonë shoqërore apo edukimi ynë intelektual. Qëllova pranë tij dhe u bëmë miq pa dallim përkatësie fetare, sepse unë jam mysliman. Qëndruam bashkë deri ditën e vdekjes së tij më 1948. Biseda jonë kishte të bënte sidomos me letërsinë dhe, veçanërisht, poezinë.

    Shtova:

    – Imzot Prendushi ka marrë pjesë në mbledhjen e thesareve të poezisë gojore shqiptare. Ai ka shkruar edhe poezi shumë të bukura si Gjethë dhe Lule dhe ka përkthyer në shqip kryevepra të letërsisë evropiane. Arkipeshkvi i Shkodrës ka vepruar gjithashtu dhe si ndërmjetës në kohët shumë të vështira që jetonte Shqipëria në fillimet e periudhës së fitores së pavarësisë më 1912. Si ka mundësi që u trajtua si armik të popullit?

    – Vuaja shumë për të, më tha Arshi Pipa, kur tregonte se e kishin torturuar. Policët e kishin goditur plakun me shkopinj. I kishin lidhur duart dhe këmbët dhe e kishin varur në tavanin e një dhome ku kishte vuajtur deri sa kishte humbur ndjenjat. Imzot Prendushi iu nënshtrua punës së detyruar. I duhej të shkarkonte kërcunj druri nga një karrocë që ndodhej në rrëzë të kodrës mbi të cilën ndodhej burgu dhe t’i sillte deri te ndërtesat. Ishte punë e rëndë për të që vuante nga një hernie. Rojet nuk pushonin së talluri me të duke e fyer me tonin e zërit të tyre kur shqiptonin vetëm fjalën “Prift!”! Talleshin me të duke i thënë: “S’ke punuar kurrë në jetën tënde?” dhe përfitonin nga kjo për ta rrahur dhe për t’i ngarkuar drurë të mëdhenj të shpinë.

    – Vdiq nga torturat? thashë.

    – Vdiq në spitalin e Durrësit ku ndodhesha i shtruar dhe unë, në të njëjtën kohë me të. Vuante nga një sëmundje zemre dhe kriza astme. Mjekët ishin shumë të përkushtuar për t’ia lehtësuar dhimbjet. Mendova se në çastin e prishjes me Jugosllavinë mund të përfitonte nga ndonjë amnisti, por nuk ndodhi kështu. I qëndroja shpesh te koka natën dhe dëgjoja me dhimbje të madhe rënkimet e tij për shkak të astmës. U përpoqa t’i bëja masazh te këmbët, siç bënim shpesh me të burgosurit e sëmurë. Problemi ishte se bënte shumë ftohtë. S’kishim dru mjaftueshëm për ta mbajtur zjarrin të ndezur gjithë natën. Dhe ishim gjithë kohës në errësirë. Peshkopi më kujtonte fjalët e Gëtes: “Dritë, më shumë dritë!” Ai përsëriste fjalët e proverbit shqiptar “T’u bëfshin sytë dritë për botën!” Ishte një thirrje për një mendim të ndriçuar, por edhe për spiritualitet dhe misticizëm. Vinçenc Prendushi pati fatin e zi që njohën shumë shqiptarë të tjerë, duke pranuar të vdesin pa i tradhtuar bindjet e tyre. Vdiq në shkurt 1949. Ia mbylla unë sytë. Gjeti paqen. Vdiq për idealin e tij.

    – Kur mendoni të ktheheni në Shqipëri për t’u takuar me të afërmit, me të cilët jeni ndarë prej kaq shumë kohe dhe s’keni mundur as të mbani korrespondencë?

    – Do të kthehem në Shqipëri pas disa muajsh, kur procesi demokratik të ketë nisur mirë; do të shkoj pas mbi tridhjetë vitesh mungesë. Ç’lumturi të shoh tokën time të lindjes dhe familjen time pas një mungese kaq të gjatë, si një natë e përjetshme heshtjeje!

    Arshi Pipa s’reshti së luftuar me pendë që kultura e vendit të tij të mos zhdukej. Përmes diskutimeve që patëm, dukej se nuk kishte synim të angazhohej politikisht, por si demokrat i sinqertë, donte të mbështeste ecjen e shqiptarëve drejt demokracisë. Kishte shpirt mjaft liberal.

    Profesor Arshi Pipa e vlerësonte shumë që zëri i tij të mund të dëgjohej në konferenca në Evropë në një periudhë kur mediat interesoheshin për përmbysjet në ish-vendet e Lindjes. Në ndërhyrjet e tij publike, ai nuk e paraqiste veten si viktimë, duke qëndruar i rezervuar lidhur me rrugëtim e tij personal. Fliste më shumë si njeri i letrave dhe filozof dhe i analizonte zhvillimet politike në një kontekst të zgjeruar. Në bisedat private, kishte humor si gjithë banorët e Shkodrës. Më fliste shumë për letërsinë, sidomos për letërsinë italiane, me të cilën ishte shumë i lidhur. I pëlqente të tregonte anekdota të nxjerra nga tregimet e Dekameronit të Bokaçios që ia kishin ushqyer imagjinatën në burg. Një ditë, më foli duke qeshur për periudhën që kishte jetuar në Shqipëri pas daljes nga burgu:

    – Pas dorëheqjes sime, familja ime u ndodh në mjerim. Unë dhe motra, jetuam duke shitur kopsa që i prodhonim vetë me argjilë që e nxehnim dhe e thanim. Pastaj prisnim rrotullame ku bënim vrima për të kaluar fillin dhe i lyenim këto kopsa me ngjyra të ndryshme. Ime motër, që ishte e detyruar të punonte në një fabrikë tullash, ishte shumë e zonja për këtë. Çfarë s’na është dashur të bëjmë për një garuzhde me supë!

    – Çfarë pune e bukur për një intelektual! thashë, ndër-kohë që mund t’i kishit përdorur dijet tuaja për të arsimuar rininë. Shqipëria u privua nga intelektualët më të mirë duke i shfarosur, duke i burgosur ose duke i degdisur nëpër fshatra për të punuar tokën. Çfarë shpërdorimi! Përveç disa njerëzve me integritet, pseudo-shkencëtarët dhe pseudo-studiuesit që përbënin elitën e re intelektuale nuk reshtën së kënduari refrenin e këngëve të Partisë dhe së mburruri mendimtarët Marks, Engels, Lenin dhe Hoxha. Më kujtohet një profesor letërsie, ithtar i realizmit socialist, shkrimet e të cilit kritikonin letërsinë klasike, që më shihte me sy të egërsuar kur kryqëzohesha me të në korridoret e Bibliotekës kombëtare.

    – Duhet të ketë qenë Koço Bihiku. E kam vuajtur edhe unë armiqësinë e tij. Ka qenë nxënësi im në Durrës. Mori pjesë në dënimin tim.

    – Po, pikërisht për të e kam fjalën.

    Arshi Pipa kishte qëndruar gjithmonë i rezervuar për sa i përket persekutuesve të tij.

    Kur e takova profesorin një herë tjetër, isha kureshtare të mësoja opinionin e tij në lidhje me atë që shqiptarët e quanin “gjuha e unifikuar”, gjuha zyrtare e Shqipërisë e përpunuar me kujdes në fillimet e sistemit komunist; ndaj e pyeta për këtë çështje:

    – Në kohën e qeverisjes së Enver Hoxhës, kam vënë re shpesh një varfërim të gjuhës shqipe, duke lexuar shtypin dhe dokumentet e propagandës si dhe botimet universitare. Në to shpaloset një gjuhë e ngurtë, uniforme, e varfëruar nga pasuria e fjalorit të saj. Ishte si e filtruar, e mbrujtur me vetëpërmbajtje, e zbutur, puritane, e mbajtur në kontrollin e Sigurimit. Përmes shprehjes gjuhësore, mund të dalloje lehtë studiuesit cilësorë që dëshmonin një penë novatore dhe që shpalosnin një gjuhë jashtë kornizave.

    – Po, e kam vënë re, por dua të kujtoj një prej betejave të mia, atë kundër vendosjes së asaj që quhet gjuha e unifikuar, m’u përgjigj Arshi Pipa. Duhet folur për turpin e reformës që nisi që prej vitit 1972 për të krijuar një gjuhë të re letrare.

    E ndërpreva profesorin:

    – E di që shqipja është një gjuhë me dy dialekte, e përbërë nga toskërishtja në Jug, që flitet në fushën e Myzeqesë dhe midis Beratit dhe Korçës me disa variante krahinore, dhe gegërishtja, e folur në Veri deri në Elbasan edhe ajo me variantet e saj krahinore, si dhe në Kosovë e Maqedoni. Përveç dallimeve të tjera, toskërishtja përdor ë-në e pazëshme dhe pengesën në përdorimin e r-së, gegërishtja dallohet nga përdorimi i hundoreve. Ju keni shkruar mjaft vepra në anglisht, por librat e parë dhe kujtimet tuaja janë shkruar në dialektin gegë. Tani, shqipja që mësohet dhe të gjitha shkrimet që kam lexuar, që mbulojnë periudhën pas viteve pesëdhjetë, janë hartuar në dialektin toskë.

    – Format gjuhësore që gjeni janë ato që i përkasin asaj që e quaj ULLA, shkurtim i termave anglisht Unified Literary Language of Albania. Politika gjuhësore e qeverisë komuniste ishte të sheshonte dallimet dhe të krijonte një mënyrë të shprehuri të përbashkët.

    Pata dëshirë të qeshja duke dëgjuar termin ULLA, sepse, ato vite, shiheshin shpesh në mure reklama erotike mbi të cilat shkruhej me shkronja të mëdha emri ULLA përkrah një fytyre gruaje të tipit nordik, e shoqëruar me një numër telefoni të Minitelit rozë. Por ruajta seriozitetin dhe vazhdova të dëgjoj profesorin.

    – Para luftës, në vitin 1917, në Shkodër u krijua një komision letrar. Ai mendoi për konvergjencën e dy dialekteve duke zgjedhur dialektin gegë të Shqipërisë së Mesme, atë të krahinës së Elbasanit me qëllimin që të mbërrihej në një gjuhë letrare të përbashkët. Kjo zgjedhje ishte propozuar nga gjuhëtari i madh Gustav Weigand që kishte botuar në Lajpcig, më 1913, një gramatikë të shqipes në dialektin e jugut të Gegërisë. Ai merrte parasysh të folurat e krahinave të Durrësit, të Tiranës dhe të Elbasanit. Pas vitit 1950, mbizotëroi vija ideologjike e partisë komuniste shqiptare. Ajo u frymëzua nga një shkrim i Stalinit Marksizmi dhe gjuhësia, botuar më 1950, që thotë se, kur dy gjuhë janë në konflikt, njëra prej tyre fiton dhe tjetra vdes. Ai i referohej teorisë së N. Marr, një gjuhëtar gjeorgjian, që mbështeste idenë se fjalori i një gjuhe duhet ta dominojë tjetrin. Në fakt, midis dy dialekteve të shqipes nuk kishte konflikt. Ime më ishte një gege dhe im atë ishte toskë. Kur nuk kemi pasur mosmarrëveshje në të shprehur, as në të shkruar. Me vendosjen e komunizmit, me të shpejtë u ndalua që të flitej gegërisht në shkolla, zyra dhe në radio. Një dhjetë vjet, iu dha fund një bashkëjetese shekullore të të dy dialekteve. Gegërishtja u zhduk nga librat shkollorë. Qeveria kërkonte një reformë të shpejtë. Megjithatë, një gjuhëtar i madh shqiptar, Eqrem Çabej, thoshte se studimet nuk kishin përparuar mjaftueshëm dhe se duhej një përafrim i vazhdueshëm në kohë. Edhe ky gjuhëtar ka vuajtur; ai u izolua për “pikëpamje të huaja”. Më 1954, fjalori i shqipes, drejtuar nga Androkli Kostallari, drejtori i Institutit të Gjuhësisë në Tiranë, vulosi hegjemoninë e toskërishtes. Nuk duhet harruar se shumica e drejtuesve komunistë ishin toskë. U krijuar një gegofobi e vërtetë, ndërkohë që gegërishtja dëshmonte për një pasuri shumë të madhe fonetike të ilustruar nga autorët tanë më të vjetër. Për qeverinë komuniste, kjo çështje e përqafimit të një gjuhe letrare të përbashkët duhej zgjidhur detyrimisht sa më shpejt. Meqë autorët e parë shqiptarë dhe shkrimtarët më të mëdhenj të shekujve XVI dhe XVII ishin produkt i gegërishtes dhe, njëkohësisht, i priftërinjve katolikë, Partia rekomandoi hedhjen poshtë të dialektit gegë.

    – Ju përmendni Androkli Kostallarin. Më kujtohet ajo që nxori nga goja kur erdhi të mbante një kumtesë në Institutin e Gjuhëve orientale në kuadrin e shkëmbimeve kulturore me Francën. Ai e paraqiti shkencën gjuhësore shqiptare sikur të ishte krijuar e gjitha që prej vitit 1945, nga hiçi. Ai deklaroi se para Çlirimit s’ishte bërë asgjë: as fjalorë, as gramatika. Pohimet e tij ishin madje qesharake. Me gojën e tij u shpreh mendimi i partisë komuniste shqiptare që kishte shtënë në dorë të gjithë prodhimin shkencor shqiptar dhe që zbatonte një nacionalizëm të dhunshëm. Mund të shfajësohej, duke menduar se në sallë duhet të ishin disa bashkëpunëtorë të vendit të tij, të ngarkuar të mbikëqyrnin fjalën e tij? Megjithatë, shkrimet e tij përforconin ato që thoshte. Si mundej ky gjuhëtar t’u vinte fshesën autorëve të gramatikave dhe fjalorëve si Frang Bardhi që kishte botuar një fjalor latinisht-epirot më 1635, Gaspër Jakova, autor i një gramatike, Pjetër Mazreku nga Prizreni, autor i një fjalorthi, pa harruar fjalorin shqip-greqisht të Kostandin Kristoforidhit në shekullin XIX dhe fjalorët e Nikollë Gazullit, të vrarë më 1946?

    – Për mendimin tim, u përgjigj Arshi Pipa, autoritetet donin të hidhnin poshtë ndikimin e botës latine, atë të Perëndimit. Ata donin gjithashtu, dhe sidomos, të zhduknin elitën intelektuale të Veriut që nuk kishte qenë vazhdimisht aktive gjatë shekujve dhe që kërcënonte të krijonte një lëvizje opozite në mendjet e njerëzve. Për këtë qëllim, të gjitha dokumentet e Partisë, që në fillim, u hartuan në toskërisht. Shtyp, radio, teatër, kinema, të gjithë sektorët e jetës kulturore u desh të binden. Në dhjetë vjet, iu dha fund bashkëjetesës shekullore të dialekteve. Gegërishtja u ndalua, por gjuhëtarët, të ngarkuar të sajonin ULLA-n, u detyruan të merrnin fjalë specifike të gegërishtes që nuk gjendeshin në toskërisht dhe t’i toskëzonin.

    Thellë-thellë mendova: “është tamam ULLA, një lloj prostitucioni i gegërishtes”, por e lashë Arshi Pipën të flasë:

    – Gjuha shqipe është damkosur nga ai shtet totalitar që ishte Shqipëria në periudhën e pushtetit stalinist. Qeveria donte të formësonte një shtet homogjen nën flamurin e komunizmit. Ajo zbatoi sloganin “një komb, një gjuhë”, duke imponuar në të gjithë territorin “gjuhën e unifikuar” që nuk ishte rezultat i një përafrimi gradual, konvergjenca e natyrshme e dy dialekteve të shqipes; me vendime të shpejta dhe të befta, ajo sanksiononte zgjedhjen e toskërishtes, dialektit jugor në dëm të veçantive të gegërishtes, dialektit verior. Kështu mund të realizohej hegjemonia e Jugut mbi Veriun. Rasti shqiptar ilustron qartë se si një pushtet politik arbitrar mundet të manipulojë armën gjuhësore për t’u imponuar në të gjithë territorin. Tash e tutje, gjuha e unifikuar mund të propagandonte ideologjinë.

    – Mendoj se këto ndryshime të befta duhet të jenë pritur keq në Veri.

    – Po, por gegërishtja u ruajt në familje. Dijeni se gramatikat e botuara jashtë shtetit, ajo e Namik Resulit, botuar më 1985 në Padova, ajo e Oda Buchholz dhe ajo e Wilfried Fiedler në Lajpcig më 1987, si dhe ajo e Martin Camajt botuar në Wiesbaden më 1984, respektojnë elementet përbërës dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ajo që do të ndodhë në lëvizjen aktuale, është një rilindje e gegërishtes, veçanërisht në bisedat midis njerëzve të Gegërisë; do të ketë debate, por gjuha letrare e unifikuar do të mbijetojë. Është tepër vonë për një ndryshim.

    Duke menduar për ligjërimin që profesor Pipa kishte mbështetur në disa botime, i bëra pyetjen: 

    – Çfarë mendonin për ju në Shqipëri, sepse të gjitha demonstrimet tuaja, të gjitha të vërtetat që mbronit në shkrimet tuaja, edhe pse nuk mund të lexoheshin në vend, duhet të kenë shkuar në veshët e drejtuesve shqiptarë dhe të elitave komuniste?

    M’u përgjigj:

    – Isha në dijeni të gjithçkaje shkruhej për mua, të të gjitha fjalëve poshtëruese që thuheshin për mua. Kjo nuk më frikësoi dhe nuk më bëri të ndryshoj mendim.

    – Por u prek nderi juaj.

    – Po, por s’kam urrejtje. Ky ishte një qëndrim tipik komunist. Nuk e di nëse kritikët e mi e mendonin vërtet atë që thoshin apo shkruanin. Më kritikonin që të shiheshin me sy të mirë nga regjimi. Nxiteshin ta bënin këtë në klimën e frikës që mbretëronte, për të treguar se nuk ishin kundërshtarë dhe se nuk i miratonin idetë e intelektualëve shqiptarë të mërguar. I trembeshin burgut.

    Përmenda opinionet që ishin lëshuar kundër profesorit:

    – Kam gjetur shumë herë formulat e zakonshme të fjalimeve për të luftuar kundërshtarët jo vetëm në shkrimet e Enver Hoxhës, që kishte shkruar dhjetëra vepra, por edhe në ato të shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë si në Shqipëri dhe në Francë. Opozitarët shqiptarë trajtoheshin si agjentë të CIA-s, agjentë si UDB-së (shërbimet sekrete jugosllave), si revizionistë dhe social-imperialistë etj.

    Arshi Pipa, pa iu dridhur qerpiku dhe pa mëri, m’u përgjigj qetësisht:

    – Po, më quanin agjent të CIA-s. Kritikat kundër meje shkonin deri në paranojë.

    – Në fakt, në veprën e tij Titistët, Enver Hoxha e bëri këtë akuzë kundër jush, një akuzë krejt klasike.

    – Madje shkroi se isha arratisur nga vendi im me shpresën se do të fitoja lavdi në Perëndim dhe se isha shkrimtar mediokër, pa lavdi dhe xheloz për shkrimtarët shqiptarë të realizmit socialist. U akuzova si denoncues. Madje më kritikonte se isha plak dhe i sëmurë.

    – Ndërkohë që dhjetë vitet e burgut që keni kaluar duhet të ngjallin respekt. Në të njëjtën kohë me kritikat që synonin që ju të konsideroheshit si spiun, si një nga armiqtë më të frikshëm të regjimit, kundër jush qarkullonin lajme të rreme, si ato që thoshin se ishit arratisur në BRSS dhe kishit shkruar një biografi të Enver Hoxhës. Kjo s’kishte kuptim.

    Mendova se kishte ardhur koha të mbrohej nderi i profesor Pipës, një nga viktimat e shumta të komunizmit shqiptar dhe e vërteta të dilte në shesh.

    Profesor Arshi Pipa nuk ishte hakmarrës dhe nuk donte të hynte në polemikë. Shqetësimi i tij kishte qenë lufta kundër një ideologjie shkatërrimtare. Ai s’kishte urrejtje personale kundër kritikëve të tij.

    Arshi Pipa vdiq më 20 korrik 1997 në SHBA. Guximi dhe vlerat intelektuale të këtij humanisti u shpërblyen. Ai u shpall qytetar nderi i Shkodrës. Aktualisht, kujtimi i tij përjetësohet dhe nderohet nga shtëpia botuese Camaj-Pipa që mban emrin e tij krahas atij të një shqiptari tjetër, shkrimtar i emigracionit: Martin Camaj. Ka gjithashtu dhe një çmim letrar Arshi Pipa.

    Si patriot besnik, profesor Pipa ruajti dhe mbrojti kujtesën kulturore të vendit të tij. Shqipëria i dha më në fund vendin që meritonte këtij dijetari të madh, mbi të cilin ishte hedhur baltë dhe i ngriti një bust ashtu si vëllait të tij, edhe ai patriot i madh i martirizuar.

    Përktheu: Tomi Nakuçi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË