More
    KreuOpinionArratia nga Parajsa e Lev Tolstoit: Faji i kujt pra?

    Arratia nga Parajsa e Lev Tolstoit: Faji i kujt pra?

    Nga Pavel Valereviç Basinski

    Përktheu nga origjinali Agron Tufa

    Por nuk do të bëhemi hipokritë dhe do të shtrojmë një pyetje: a nuk kishin vallë lidhje konfliktet familjare me ftohjen e një burri tashmë të plakur ndaj shoqes së vet pakrahasimisht më të re (diferenca mes tyre ishte gjashtëmbëdhjetë vjet), por dhe ajo, tanimë, larg të qenit e re? Ndalemi pak e shestojmë, përshembull, në këtë fletë të kujtimeve të saj: “Jetën e tij familjare Lev Nikollajeviçi e ka konsumuar plotësisht. Ende diku në thellësinë e zemrës së tij është e ngrohtë dashuria për mua, për vajzat, të cilat ai i kishte dhe të domosdoshme, dhe të dashura, por ai u largua, u largua shpejt, dhe unë gjithë e më tepër ndjeja vetminë time dhe gjithë përgjegjësinë për vete dhe për familjen”.

    Kjo zbulesë depërtuese femërore duket se flet vetë. Por një fjalë na pështjellon në të: “shpejt”. Ky kujtim daton në 1894. Shpejt? Largimi i parë i Tolstoit nga shtëpia ndodhi në vitin 1884, dhjetë vjet më parë. Pas vitit 1894, ata jetuan së bashku për mbi pesëmbëdhjetë vjet. Pra, nëse Tolstoi u largua, nuk ishte “shpejt”.

    Në pyetjen e shtruar përgjigjet mbushamendshëm dhëndri i Tolstoit M.S. Suhotin në ditarët e tij. Por kur? Në vitin 1910. “Sado e çuditshme, por ftohjen e plotë të L.N. ndaj gruas mund ta vëresh, dhe kjo i bie në sy njeriut që jeton në shtëpi vetëm përgjatë viteve të fundit, veçanërisht gjatë vitit të fundit. A nuk ndodh vallë në masën që kurmi gjithë e më shumë po vdes?

    As në letrat, as në ditaret e Tolstoit të viteve 1890 nuk i gjejmë simptomat e kësaj ftohjeje. Përgjigjja më bindëse për pyetjen tonë është letra e Tolstoit për gruan, e shkruar në nëntorin e vitit 1896 nga Jasna. “Ti më pyet: a vazhdoj të të dua. Tani ndjenjat e mia për ty janë të tilla që, siç kam bindjen, kurrsesi nuk mund të ndryshohen, sepse ato janë plot me të gjitha ato gjëra që vetëmse i lidhin njerëzit. Jo, jo të gjitha. Nuk mjafton dakordësia e jashtme në besimet tona, – e them e jashtme, sepse mendoj që mosmarrëveshja është vetëm e jashtme, dhe gjithmonë jam i bindur se ajo do të shkatërrohet. Po ne na lidh dhe e shkuara, dhe fëmijët, dhe ndërgjegjja e fajeve tona, dhe keqardhja, dhe tërheqja e parezistueshme (kursivi im. – P.B.)”.

    Çfarë “tërheqjeje e parezistueshme” kihet parasysh? Sigurisht, do të kishte qenë e vrazhdë të llogarisësh se bëhet fjalë përjashtimisht për pasionin seksual. Por do të ishte qesharake gjithashtu të flasësh dhe për marrëdhënie ngushtësisht platonike me gruan madje në fund të viteve 1880, kur ai po kapërcen kufirin e të shtatëdhjetave të moshës së tij.

    Pikërisht në këtë kohë Tolstoi është xheloz ndaj saj në lidhje me muzikantin dhe kompozitorin S.I. Tanjejev, i cili nis të shfaqet shpesh në shtëpinë e tyre në Hamovinik dhe t’i kalojë verat në Jasnoe Poljana, si në daça. Dashuria e Sofia Andrejevnës ndaj muzikës (e ndërsjelltë me burrin) dhe përjetimet e papërmbushura përsa u përket aftësive të saj interpretuese i ngjallën një pasion morbid për muzikantin brilant, student i Çajkovskit, një pasion që edhe fëmijët e saj më të mëdhenj e shikonin me mosmiratim. Sa i përket Lev Nikollajeviçit, ai, duke ruajtur me Tanjejevin së jashtmi marrëdhënie miqësore (dëgjonte muzikën e tij, kuvendonte me të, luante me të shah), ia shtroi të shoqes çështjen e pashmangshme të zgjedhjes: o me mua, o me atë!

    Kur në shkurt të vitit 1897 Sofia Andrejevna u bë gati të udhëtonte në Petërburg, që të ishte e pranishme në repeticionin e Tanjejevit, Tolstoi i shkruajti asaj nga Nikolsko-Oboljaninovo:

    “Është jashtëzakonisht e dhimbshme dhe poshtërimisht e turpshme që një person krejtësisht i huaj e i panevojshëm, përpos dhe aspak interesant, na udhëheq jetën, na helmon vitet tona të fundit apo makar një vit të jetës sonë; Zot, sa poshtëruese, sa e dhimbshme e torturuese që na u dashka të përballojmë tani dhe se kur e se ku do të shkojë ai, se çfarë provash po bën e kur do të luajë”.

    Në maj të po atij viti xhelozia e Tolstoit mbërrin apogjeun e vet. Vetë ai gjendet në Jasnoje-Poljana, ndërsa e shoqja – në Moskë, po ajo është e shtrënguar t’i vijë pranë për të qetësuar tërbimin e tij.

    Menjëherë pas kthimit të saj në Moskë ai i dërgon një letër, të cilën do ta kishim siklet ta citonim, duke pasë parasysh që është shkruar prej një plaku pothuaj shtatëdhjet vjeç, nëse në letër nuk do të kishte pasur aq shumë forcë poetike rinore.

    Ai e nis me paralajmërimin “Lexoje e vetme”.

    “Zgjimi im dhe shfaqja jote qenë një nga ndjesitë e mia më të forta e më të gëzueshm që kam provuar; dhe kjo për një 69-vjeçar ndaj një gruaje 53-vjeçare… Vera nxiton të jetojë – jargavani tashmë po vyshket, bliri po e gatuan ngjyrën e vet, në thellësi të kopshtit, në gjethnajën e dendur, turtujt dhe trishtilët, ndërsa bilbilët poshtë parvazeve të dritareve janë çmendurisht muzikalë. Tani është natë, të shkëlqyer, si të larë, janë yjet, dhe pas shiut kundërmojnë jargavanët dhe gjethet e mështeknës. Serjozha (djali ynë) erdhi po atë natë që ti u largove; ai trokiti poshtë dritares sime dhe unë gjithë gëzim klitha: “Sonja!”. Jo, Serjozha”.

    Por nuk kalon as një javë, kur Tolstoi i shkruan një letër të re, të tërbuar e xheloze, me të cilën e kërcënon haptazi me divorc.

    Në këtë letër as që bëhet fjalë për mospajtimet shpirtërore dhe për “moskuptimet”. Gjithçka këtu është shumë e qartë.

    Tolstoi kërkon që ajo të ndërpresë komunikimin me atë njeri, tek i cili sheh rivalin.

    “Afrimi yt me Tanjejevin nuk është vetëm i pakëndshëm për mua, por tmerrësisht i torturues. Duke vazhduar të jetoj në këto kushte, unë helmoj dhe shkurtoj jetën time. Ja, kaloi viti, që unë nuk mundem më të punoj dhe nuk po jetoj, porse cfilitem vazhdimisht. Ti e di këtë. Këtë ta thashë edhe me irritim edhe me përgjërime dhe kohët e fundit nuk ta kam zënë më në gojë. I provova të gjitha, po asgjë nuk më bëri derman: afrimi yt vazhdon dhe madje shtohet sa s’ka ku të shkojë më tutje dhe shoh që kështu do të shkojë deri në fund”.

    Tolstoi i shtron asaj të zgjedhë midis pesë varianteve:

    1) të ndërpresë komunikimin me Tanjejevin. “As takime, as letra, as pretekstin e shoqërimit të djemve të tyre, as portrete… por shkëputje, çlirim të plotë”;

    2) ai largohet jashtë shtetit, duke u ndarë prej të shoqes përfundimisht;

    3) të dy largohen jashtë shtetit, deri kur Tanjejevi të jetë përzënë krejt nga koka e saj;

    4) ata vazhdojnë të jetojnë si më parë, duke u hequr që asgjë nuk po ndodh. Porse ky për të është varianti më i tmerrshëm;

    5) ai do të përpiqet të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj ndaj fiksimit pasional të së shoqes dhe do të presë divorcin e natyrshëm. Por zor do të ketë fuqi ta përballojë këtë.

    Tolstoi nuk e dërgoi letrën në postë dhe të nesërmen shkoi te i vëllai, Sergej Nikollajeviçi në Pirogovo për të zbrazur gjithë barrën që i rëndonte në shpirt. Në qershor vjen mysafir në Jasnoje Poljana Tanjejevi, pa ditur gjë mbi situatën. Dhe ja, gjatë kohës së qëndrimit të tij në Jasnoje, Tolstoi shkruan atë letrën e famshme mbi largimin nga shtëpia, të cilën e citojnë zakonisht si bazën e përligjjes më të mundshme filozofike të këtij akti.

    “…ashtu siç largohen hindusët rreth të gjashtëdhjetave në pyje, sikundër çdo plak fetar ia kushton vitet e fundit të jetës Zotit dhe jo shakave, kalambureve, thashethemeve, tenisit, ashtu dhe unë, duke hyrë në vitin tim të shtatëdhjetë, e dëshiroj këtë qetësi me gjithë forcën e shpirtit, vetminë, në shmang me ndërgjegjen time, që megjithëse nuk ka qenë krejt në harmoni, të paktën nuk ka pasur mospajtime bërtitëse me besimin në jetën time”.

    Fjalë madhështore! Me çfarë mahnie i citon ato Ivan Bunini në librin “Çlirimi i Tolstoit”. Ai jo vetëm thjesht i citon, por i shfrytëzon si kyç për misterin e largimit të plakut jasnapoljan. Ashtu siç hindusët largohen ndër pyje. Ashtu siç dëshirojnë pleqtë t’ia kushtojnë Zotit vitet e tyre të fundit. Dhe kjo ka qenë, sigurisht, e vërteta. Dhe kjo vazhdon të mbetet e vërteta dhe pas trembëdhjetë vitesh, kur më në fund largimi ndodh konkretisht.

    Problemi botëkuptimor i largimit të Tolstoit është, nga njëra anë, aq i koklavitur (për këtë janë shkruar dhjetëra studime të filozofëve dhe teologëve më të mëdhenj), dhe nga ana tjetër – aq i tejdukshëm dhe madhështor, si ujërat e thella të një liqeni, saqë mbetet vetëm të tronditesh me mënyrën se si Tosltoi ia doli ta shprehë me pak fjalë në letrën e korrikut të vitit 1897. Këtu qëndron ndryshimi principial i gjeniut nga talenti. Gjeniu është i aftë që veprimin më ekcentrik, në lidhje me konfliktet familjare, ta shndërrojë në Kuptim, mbi të cilin të vrasin mendjen brezat. Ata do ta deshifrojnë këtë si një “shifër”, duke ofruar “koncepte” nga më të ndryshmet. Ata do ta provojnë këtë akt në lidhje me fatet e tyre, do ta rrahin e shestojnë, nganjëherë do ta përsërisin, por gjithmonë pa sukses.

    Tolstoi e ushqeu idenë e largimit të tij në kokë për njëzet e pesë vjet mu si një vepër madhështore. Ai mëse njëherë e pati redaktuar, madje, siç e shohim, edhe në këtë letër. Por në fund të fundit ai e realizoi spontanisht dhe në pamje të parë jo në kohë. Epo nuk largohesh në pyje de, kur përtej dritares shtrihet vjeshta e mërdhirë, që po kalon në dimër.

    Por në letër kishte dhe fjalë të tjera.

    “Nëse këtë do ta kisha ndërmarrë faqe të gjithëve, do të kisha pasur lutje, qortime, diskutime, ankesa, dhe unë do të isha treguar i dobët, me gjasë, nuk do ta kisha zbatuar vendimin tim, e ai duhej përmbushur. Dhe prandaj, ju lutem, më ndjeni, nëse akti im ju shkakton dhimbje, dhe në shpirtin tuaj, kryesisht ti, Sonja, lërmë të jem i lirë dhe mos më kërko, dhe mos më bjer pas, mos më gjyko”.

    Papajtueshmëria me gruan e tij ishte një nga arsyet kryesore të këtij largimi. Dhe nuk është rastësi që gjatë gjithë viteve ‘90 jeta e familjes dukej se tingëllonte me motive ogurzeza të “Sonatës së Krojcerit”. Tolstoi para së gjithash braktisi “projektin” e tij familjar, të cilin e konceptoi në vitet ‘50 dhe e përshkroi në një letër drejtuar Ergolskajës. Dhe ky “projekt” u zhvillua, por vetë Tolstoi tani nuk e pëlqen më. Roli i një burri dhe babai të respektuar, që grumbullon thesare materiale për fëmijët dhe nipërit e mbesat në “sëndukun” e të parëve, nuk është më interesant. Është i neveritshëm, si një arkivol.

    Horizonti i vizionit të tij në këtë kohë është i pabesueshëm. Ai vë në dyshim kishën, shtetin, idealet shoqërore. Në një botë që është gati të shembet (dhe do të shembet!) në kataklizma lufërash dhe revolucionesh monstruoze, ai kërkon të vetmen bazë shpëtimtare dhe e gjen në komunitetin fshatar, i cili përmbush drejtpërdrejt urdhërimin e Zotit për të punuar me djersën e ballit dhe të mos kërkojë një mundësi për t’u ndjerë mëkatar në një botë të rehatshme, mashtruese, të panatyrshme, ku shumica punon dhe vdes nga uria, ndërsa pakica s’prek punë dhe ha, vishet, kurvëron, kryen veprimet më të paligjshme nga pikëpamja e krishterë, por që konsiderohet “e krishterë”.

    Ai përpiqet të kombinojë fetë botërore dhe praktikat morale në një model përgjithësisht të arritshëm të sjelljes morale dhe, natyrisht humbet, hallakatet përgjatë kësaj rruge, por shkon me kokëfortësi, çdo ditë, duke iu bindur urtësisë së madhe kineze: filloni të jetoni rishtas çdo ditë. Ai e kërkon këndvështrimin e tij mbi marrëdhëniet mes “Zotit dhe njeriut” dhe e gjen në faktin se personaliteti njerëzor është pjesë e Hyjnores dhe vetëm nëpërmjet dashurisë së këtyre pjesëve të vuajtura për njëra-tjetrën bëhet zgjerimi dhe bashkimi i tyre shpirtëror me të Tërën. Në këtë këndvështrim, tema e riprodhimit pushon së interesuari për të, siç nuk është i interesuar për temën e mbarështimit të lepujve. Por familja është krijuar për riprodhim. Dhe atij nuk i intereson familja. Ai ka shkruar tashmë “Lufta dhe Paqja” dhe “Anna Karenina”. Ai ka thënë tashmë gjithçka për të. Më mirë se kushdo tjetër.

    Dhe ja, pikërisht në këtë kohë shfaqet Tanjejevi. “Sonata e Krojcerit” përfton njëfarë mishërimi karikaturesk. Sigurisht, në “Sonata e Krojcerit” violinisti që ka shërbyer si prototip i xhelozisë së Pozdnishevit, nuk është i ngjashëm me Tanjejevin. Aty kemi një “njeri të vogël të pavlerë”, një muzikant “gjysmë-profesionist”, një “person gjysmë social”. Tanjejevi ishte studenti më i mirë i Çajkovskit dhe profesionisti më i lartë në fushën e muzikës, dhe vetë ai ishte një kompozitor i shquar. Por mu sikur djalli t’i pëshpëriste në vesh, Tolstoi i dha heroit në “Sonatën” e tij karakteristika jo mjaft “mashkullore”. “Sy të lagësht në trajtë bajameje, buzë të kuqe të buzëqeshura, mustaqe të fiksuara, modeli më i fundit i flokëve në modë, fytyrë vulgare, të bukur, ajo që femrat e quajnë jo të keqe, konstrukt të dobët, megjithëse jo të shëmtuar, me të pasmet veçanërisht të zhvilluara… “

    Tanjejevi e kaloi atë verë në një çardak të ndërtuar mbi sarajet e Tolstojve, luajti muzikë, luajtën shah me Tolstoin, kuvenduan përzemërsisht, por në të njëjtën kohë, pa e dashur as vetë këtë, Tanjejevi ia çmendi gruan. Sofia Andrejevna tregon në ditarin e saj se si doli në kopsht dhe bisedoi me të vdekurin (!) Vanjeçka, e pyeti: “A është e mbrapshtë ndjenja ime për Sergei Ivanoviçin. Sot Vanjeçka më largoi prej tij; me sa duket, atij thjesht i vjen keq për të atin; por unë e di se ai nuk më dënon; ai vetë ma dërgoi Sergei Ivanoviçin dhe nuk dëshiron ta largojë atë nga unë”. Kjo ishte një çmenduri e përkohshme, e lidhur, me sa duket, me vdekjen, tash së fundmi, të djalit të saj dhe me faktin se ngjarjet që ndodhën përkonin me fillimin e periudhës kritike të menopauzës (e pranuar në ditar).

    Të gjitha këto shënime në ditar datojnë nga 5 dhe 6 korriku. Dhe më 8 korrik, Tolstoi gatitet të largohet fshehurazi nga shtëpia dhe shkruan atë letrën e famshme për hindusët. Por bashkë me të ai shkruan dhe një letër të dytë. Si të parën, ashtu edhe të dytën, Sofia Andrejevna e lexoi vetëm pas vdekjes së burrit të saj. Tolstoi kishte mendjen dhe sensin e duhur moral për të mos e lënë gruan e tij në një kohë kur ajo ishte thellësisht e pakënaqur dhe e sëmurë shpirtërisht. Largimi i mbeti në kokë si një tjetër “draft”. Sidoqoftë, L.N. i mbajti të dyja letrat dhe i fshehu nën lëkurën me ngjitëse të kolltukut në kabinet. Ky ishte një veprim shumë i çuditshëm. Ky akt do të thotë që Tolstoi thjesht e shtyu përkohësisht largimin e tij, duke e mbajtur përligjjen e tij me shkrim kur t’i vinte koha.

    Në vitin 1907, Tolstoi i nxori të dyja letrat dhe ia dha N.L. Obolenskijt, burrit të së bijës,  Mashës. Obolenskij pas vdekjes së Mashës ia dorëzoi këto letra M.S. Suhotinit. Hamendësohej se të dyja letrat do t’i dorëzoheshin Sofia Andrejevnës pas vdekjes së Lev Nikollajeviçit, gjë që u bë.

    Pasi lexoi njërën letër, ajo e grisi menjëherë. E dyta, për hindusët, është ruajtur.

    Është logjike të supozohet se letra e parë kishte të bënte me marrëdhëniet e saj me Tanjejevin. Në vitin 1910, kjo nuk kishte më kuptim. Letra e dytë përkon pothuajse plotësisht në kuptim me atë që kishte lënë Lev Nikollajeviçi para se të largohej në vitin 1910 dhe që nuk hidhte as më të voglën hije mbi gruan e vet. Të dy letrat e paraqisnin largimin si një akt thjesht botëkuptimor.

    Konflikti i korrikut 1897 nuk ishte e vetmja “prerje” në marrëdhëniet e bashkëshortëve në vitet ‘90, ndoshta dhjetëvjeçari më i vështirë në historinë familjare të bashkëshortëve. Në fillim të vitit 1895, pak para vdekjes së Vanjeçkës, i cili bashkoi babain dhe nënën e moshuar në pikëllimin e përbashkët, vetë Sofia Andrejvna ishte çmendurisht xheloze për Lev Nokollajeviçin ndaj botueses së re të revistës “Severny Vjestnik – Lajmëtari Verior” L.J. Gurjeviç.

    “Severnij Vjestnik” ishte një nga revistat më të mira dhe më radikale të artit të viteve ‘90, ku bashkë me Çehovin, Leskovin dhe Gorkin, botonin dhe Sologubi, Balmonti, Gippius dhe Merezhkovski. Lindja e simbolizmit rus u zhvillua në këtë revistë. Tolstoi ra dakord me këmbënguljen e Gurjeviçit për t’ia dhënë novelën e tij “Padroni dhe punëtori i tij”. Kjo e zemëroi tepër Sofia Andrejevnën!

    Ajo nuk u pajtua deri në fund me faktin se nuk i ka më të drejtat për krijimtarinë e burrit të saj. Por nëse e kishte të vështirë t’u kundërvihej librave popullorë të “Posrednik” që dilnin nga shtypshkronja e Sytinit, atëherë vendimi i Tolstoit për t’i dhënë një gjë të re, të bukur dhe thjesht artistike një reviste mode, i dha asaj të drejtën morale ta dënonte për mospërputhje dhe vanitet.

    Me sa duket, në negociatat me Tolstoin, Gurjeviçi nuk hezitoi ta tërheqë atë me sharmin e saj femëror. Dhe kjo më në fund e bëri Sofia Andrejevnën të dilte jashtë vetes. Tjetër gjë ishin Çertkovi dhe Birjukovi me librat që kushtonin qindarka të entit “Posrjednik”, mbi të cilët nuk mund të fitosh para. Por “intrigantja Gureviç, gjysmë çifute, vazhdimisht lypte diçka për revistën e saj në një mënyrë të zgjuar lajkatare”. Ditari i Sofia Andrejevnës në fillim të 1895 vlon nga zemërimi. Në të njëjtën kohë, ajo kupton se burri i saj ka shkruar një “rrëfim të mrekullueshëm”. Gruaja e Tolstoit kishte shije të mira letrare. Vlerësimet e saj për krijimtarinë e L.N., të shpërndara nëpër letra dhe ditarë, janë pothuajse gjithmonë të sakta. Dhe ky “tregim i mrekullueshëm” i del duarsh dhe Sofia Andrejevna është bash në proces ribotimi të Vëllimit XIII, ku do të donte të përfshinte aty “Padroni dhe punëtori i tij”. “Lev Nikolajeviçi para tani nuk merr më për veprat e tij. Atëherë, ta kishte botuar libër të thjeshtë e të lirë te “Posrjednik-u”, në mënyrë që i gjithë auditori të kishte mundësinë të lexonte – këtë unë do ta kuptoja. Ai nuk ma dha ta përfshija në vëllimin XIII, thjesht që unë të mos mund të merrja para shtesë; po pse ia jep vallë Gurjeviçit? Më kaplon tërbimi dhe po kërkoj rrugë që të veproj me drejtësi në raport me publikun, jo për të kënaqur Gurjeviçin, por për inat të saj. Dhe një rrugë do ta gjej”.

    Xhelozisë editoriale i shtohej xhelozia dhe pakënaqësia e zakonshme femërore, që burri i saj nuk donte t’i nënshtrohej për asgjë.

    Por Tolstoi e kishte marrë tashmë vendimin e tij, që familja nuk do të përfitojë më nga krijimtaria e tij e re. Nga njëra anë – kokëfortësia mashkullore, nga ana tjetër – mosgatishmëria për t’u pajtuar, çoi në faktin se më 21 shkurt 1895 në Moskë, Tolstoi shpalli edhe një herë vendimin e tij për t’u larguar nga shtëpia përgjithmonë. Duke gjykuar nga ditari i Sofia Andrejevnës, Gurjeviçi ishte shkaku i fundit i konfliktit. “Ljovoçka ishte aq i zemëruar sa vrapoi lart, u vesh dhe tha se do të largohej nga shtëpia përgjithmonë dhe nuk do të kthehej.”

    Është kurioz reagimi i Sofia Andrejvnës për këtë. “Papritmas më shkoi në mendje se kjo ishte vetëm njëra arsye, por që në të vërtetë Ljovoçka donte të më linte për ndonjë arsye më të rëndësishme. Mendimi për një grua më erdhi para së gjithash.”

    Atë e mundonte xhelozia, xhelozia dhe sërish xhelozia. Dhe çfarë reagimi i menjëhershëm! “Kam humbur çdo pushtet kontrolli mbi veten time dhe për ta penguar atë të më linte më herët, unë dola vetë e para në rrugë dhe vrapova në korsi. Ai më ndoqi. Unë isha vetëm me rrobdëshambër, ndërsa ai, me pantallona pa bluzë dhe një jelek. M’u lut të kthehesha, por unë kisha një mendim fiks – të vdisja në një mënyrë ose në një tjetër. Qava dhe më kujtohet që bërtisja: të më çojnë në komisariat, në çmendinë. Ljovoçka më tërhoqi zvarrë, rashë në dëborë, këmbët i kisha zbathur në këpucë, vetëm me një këmishë nate nën një fustan”.

    Në këtë kohë, Vanjeçka përpushej në ethe, djalit të tyre i kishin mbetur vetëm dy ditë jetë.

    Disa vjet më vonë, Sofia Andrejevna do ta përshkruajë vdekjen e djalit më të vogël në kujtimet e saj “Jeta ime” dhe ky kapitull i titulluar “Vdekja e Vanjeçkës” do të jetë, ndoshta, vepra e saj më e mirë. Ky rrëfim autobiografik është në një nivel me veprat e të shoqit. Përshkrimi i funeralit të Vanjeçkës, i cili u preh në varrezat Nikolskoje afër fshatit Pokrovskoje pranë varrit të vëllait të tij, Aljoshës, është i mrekullueshëm me një portret të mahnitshëm të Tolstoit. Ky portret përbëhet nga disa fragmente, secili prej të cilëve i jep ngjyrë të re përshkrimit të gjendjes së brendshme të burrit të saj, një filozof dhe predikues fetar, i cili papritur u përball me një pyetje të pazgjidhshme: si të sillet me vdekjen e djalit të tij të dashur? Si ta kuptimësojë këtë në ato horizonte të pabesueshme universale ku shpirti dhe mendimi i Tolstoit fluturonin? Si ta varrosnin trupin e djalit, nëse gruaja e tij nuk e kishte varrosur sipas ritit ortodoks, të cilin Tolstoi e mohoi?

    “E varrosëm Vanjeçkën. E tmerrshme – jo, jo e tmerrshme, por një ngjarje e madhe shpirtërore. Faleminderit Atë. Faleminderit!”. Dy javë më vonë, Tolstoi e kupton vdekjen e Vanjeçkës si “të gëzueshme”, “të mëshirshme”, “zbulimi i gënjeshtrave të jetës, duke sjellë një ngjarje më pranë Tij”. Në të njëjtën kohë, ai shkruan për gruan e tij: “Sonja ende vuan dhe nuk mund të ngrihet në lartësitë fetare … Arsyeja është se ajo futi të gjitha fuqitë e saj shpirtërore në dashurinë shtazore për fëmijën e saj të mendjes: ajo i vuri shpirtin fëmijës, duke dashur ta ruajë e mbrojë atë. Dhe ajo donte të ruante jetën e saj me fëmijën, të mos e shkatërronte jetën e saj jo për fëmijën, por për botën, për Zotin”.

    Këto ishin fjalë mizore.

    … Në një mënyrë a në një tjetër, por vitet 1890 nuk na tregojnë asnjë lloj ftohjeje mes bashkëshortëve. Përkundrazi, ishte një periudhë shumë e nxehtë.

    Tolstoi nuk ishte ai “hindu” konvencional, i cili është i aftë të heqë dorë nga bota dhe të shkojë në pyll. Ai ishte një njeri kompleks rus, i fortë dhe i dobët, kokëfortë dhe sentimental, i mençur dhe xheloz, i butë, delikat dhe ndonjëherë mizor deri në një pikë të pashpjegueshme.

    Përsa i përket Sofia Andrejevnës, gjendja e mendjes dhe shpirtit të saj në vitet ‘90 nga një këndvështrim i papritur karakterizon novelën e saj, “Sonatën e Krojcerit” të saj me titull “Faji i kujt?” (1892-1893).

    Në faqen e titullit të dorëshkrimit shkruhet: “Faji i kujt? Në lidhje me “Sonatën e Krojcerit” të Lev Tolstoit. Shkruar nga gruaja e Lev Tolstoit. Tashmë bie në pah njëfarë teprimi. Përmendja e dyfishtë e emrit të burrit, fillimisht si shkrimtar dhe më pas si bashkëshort, të lë të kuptosh se Sofia Andrejevna e shihte këtë novelë me një sy të dyfishtë, si një polemizuese dhe si gruaja e Tolstoit, që dëshiron t’i vërtetojë diçka të shoqit. Për herë të parë “Faji i kujt?” u botua mbi njëqind vjet pas shkrimit të tij, në 1994 në revistën “Oktjabër”. Por ka pasur lexime shtëpiake të fragmenteve të novelës.

    Nga pikëpamja letrare, “Faji i kujt?” – është një vepër aspak e dobët. Por në këtë vepër, shumë gjëra të vënë në siklet. Të shohësh “Sonatën e Krojcerit” të Tolstoit nga ajo perspektivë që e kishte parë Sofia Andrejevna, do të thotë të mos e shohësh asfare. Aty ku burri i saj u krodh në hon, gruaja e tij ngarendi nëpër sipërfaqe të zgripit të këtij honi dhe bërtiti: “Epo ja, jo të gjithë kërcejnë në hon!”

    Gjëja më interesante e novelës nuk është kuptimi i saj filozofik dhe psikologjik, por një qëndrim i papritur ndaj burrit të saj dhe historisë së martesës së tyre. “Faji i kujt?” doli të ishte një përgënjeshtrim jo i “Sonatës së Krojcerit”, por i historisë së dashurisë së Kitit dhe Levinit në “Anna Karenina”, e cila zakonisht merret si një prototip shembullor i historisë së dashurisë së të riut Lev Nikollajeviç me Sofia Andrejevnën. Rezultoi se atë që Tolstoi e shihte në një dritë, gruaja e tij e shihte në një dritë tjetër.

    Shkurtimisht, subjekti i novelës është si më poshtë.

    Vajza ideale Anna, me të cilën princi tridhjetë e pesë vjeçar Prozorskij është trupërisht i dashuruar. Princi i propozon dhe martohet me Anën. Por shpejt e kupton se ajo që e tërhoqi imagjinatën e tij të shthurur për një muaj mjalti me një grua tetëmbëdhjetëvjeçare, del në fakt si një mërzi dhe një gjendje e dhimbshme e një gruaje të re. Ai është i dhënë pas bujqësisë, ata kanë fëmijë. Ishte një goditje e tmerrshme për Anën të mësonte se para martesës princi kishte një dashnore – fshataren Arina. Kalojnë dhjetë vjet. Miku i tij i vjetër, Dmitrij Aleksejeviç Behmetjev, vjen për të parë princin. Është kthyer nga jashtë, ku jeton me bashkëshorten, me të cilën nuk ka harmoni. Ky është një njeri i sëmurë, por i ndjeshëm, filozof, artist, etj. Natyra delikate e Behmetjevit e tërheq Anën dhe ai vetë tërhiqet prej saj. Princi është jashtëzakonisht xheloz. Ndërkohë, Behmetjevi po vdes nga veremi dhe tani, duke synuar të largohet përgjithmonë nga atdheu, mbledh miqtë në çifligun e tij për t’u dhënë lamtumirën. Aty mbërrin edhe Ana, por pa burrin e saj, i cili është në grindje si me gruan e tij, ashtu edhe me Behmetjevin. Behmetjevi i kërkon Anës të hipë në kaloshinën e tij dhe udhëton rreth e rrotull rrethinave me të, duke kuvenduar në heshtje dhe asgjë më shumë. Kur Ana kthehet në shtëpi, princi i tërbuar, në kokën e të cilit ishin pikturuar skenat më të pista gjatë mungesës së saj, i hedh një prerëse të rëndë letre që e godet në tëmth duke e plagosur për vdekje. Duke vdekur, Ana ia bën me dije princit pafajësinë e saj të plotë dhe e fal vrasësin.

    Është e lehtë t’ia qëllosh se kush është prototipi i Behmetjevit. Ky është një mik i ngushtë i familjes Tolstoi dhe fqinj me ta, Leonid Dmitrieviç Urusovi, një nga  “tolstojanët” e parë. Ai ishte një njeri jashtëzakonisht i sjellshëm dhe inteligjent që adhuronte mësimet e Tolstoit; ishte i pari që përktheu traktatet e tij “Në çka është besimi im?” në frëngjisht dhe “Përmbledhja e shkurtër e Ungjillit”. Gruaja e Tolstoit, të gjithë fëmijët, madje edhe shërbëtorët, e nderonin me gjithë zemër. Gruaja e Urusovit parapëlqeu të jetonte në Paris, ku ndonjëherë e vizitonte burri i saj. Urusovi vdiq nga tuberkulozi në 1885, në Krime, në prani të një djali të vogël, Sergeit. Për më tepër, ishte Tolstoi që shoqëroi mikun e tij të vetmuar në Krime.

    Sofia Andrejevna ishte platonikisht e dashuruar me Urusovin. Në të njëjtën kohë, ajo ia kushtoi novelën Fetit (Afanasij Fet – poet i famshëm rus i shek. XIX), i cili vdiq në vitin që pati nisur të shkruhej novela “Faji i kujt?”. Marrëdhënia e Sofia Andrejevnës me Fetin është një histori e veçantë romantike e mbushur me poezi dhe ndjenjë delikate. Besnikëria martesore e gruas së Tolstoit është, sigurisht, përtej dyshimit më të vogël. Dyshimi shkaktohet nga zemërimi dhe përbuzja me të cilën përshkruhet Princi Prozorskij në novelë, prototipi i të cilit ishte Tolstoi.

    Sapo pa Anën, ende një vajzuke, princi provon menjëherë ndjenjat më të ndyra karshi saj: “… ai ia zhveshi mendërisht kofshët e saj të holla dhe gjithë trupin e saj të virgjër, elastik e të fortë”. Ai thotë me vete: “Duhet, po, nuk kam qare pa e shti në dorë këtë fëmijë.” E gjithë kjo nuk përshtatet aspak me dashurinë e Levinit për Kitin, në të cilën L.N. ofroi modelin e tij të historisë së martesës me Sofia Andrejevnën.

    Shkakton tronditje edhe karakterizimi i princit si mendimtar. “Ai ka udhëtuar shumë, ka çuar një rini të stuhishme, të gëzuar, qe i lodhur nga gjithçka dhe u vendos në fshat, duke u dhënë pas filozofisë dhe duke e imagjinuar veten si një mendimtar i thellë. Kjo ishte dobësia e tij. Ai shkruante artikuj dhe shumëkush mendonte se ishte vërtet shumë i zgjuar. Vetëm njerëz të ndjeshëm dhe shumë të ditur e panë se në thelb filozofia e princit ishte shumë e mjerë dhe qesharake. Ai shkroi dhe botoi artikuj në revista që nuk kishin asgjë origjinale, por ishin një përzierje temash dhe mendimesh të vjetra, të huazuara, të një numri mendimtarësh të kohëve antike dhe moderne. Përzierja u bë me aq zgjuarsi, sa shumica e publikut i lexoi ato, madje me njëfarë entuziazmi dhe ky sukses i vogël e gëzoi pafund princin …”

    Karakteristikat e princit, domethënë të Tolstoit, janë përgjithësisht të tmerrshme. Nëse kemi të bëjmë me vështrim, atëherë ai është sigurisht “brutal”, nëse vendoset në një hotel, atëherë patjetër merr një dhomë “të ndyrë”.

    Përkundrazi, të gjitha karakteristikat e Anës, domethënë të autores, mbivlerësohen në mënyrë sipërane. Kjo nuk është një grua, por një Madonna. “Idealet më të larta të fesë dhe dëlirësisë.” “Me shijen e saj karakteristike artistike, ajo e godiste dhomën e saj aq bukur dhe në mënyrë origjinale me gjëra të ndryshme të sjella prej saj dhe të dhuruara nga princi, saqë princi mbetej i mahnitur me shndërrimin e saj”. “Nga një vajzë e hollë, ajo është zhvilluar në një grua jashtëzakonisht të bukur, të shëndetshme dhe energjike. Gjithmonë energjike, aktive, e rrethuar nga katër fëmijë të bukur e të shëndetshëm … “ “Ajo ishte e bukur në indinjatën e saj: fytyra e saj e rregullt dhe e zbehtë frymëzonte energji dhe pastërti, dhe sytë e saj të errët dukeshin edhe më të errët dhe më të thellë nga shprehja e tyre e hidhur.” Princi është “cinik” për gruan e tij. Në fakt, ai vazhdimisht e dhunon fizikisht, duke mos përjetuar as interesimin më të vogël për anën shpirtërore të personalitetit të saj. Dhe për këtë arsye ajo mendon: “Vërtet vetëm kjo është thirrja jonë femërore, që nga shërbimi me trup për foshnjën e saj, të kalojë tek shërbimi me trup për burrin e saj? Dhe kjo është e alternuar – përgjithmonë! Ku është jeta ime? Ku jam unë? Unë që vërtet aspiroja dikur për diçka të lartë, për t’i shërbyer Zotit dhe idealeve?” Dhe këtu shfaqet Behmetjevi.

    Kjo është e njëjta temë që qe ngritur edhe në “Sonatën e Krojcerit”, veçse tanimë e parë nga një këndvështrim femëror. Por të mos harrojmë se “Sonata e Krojcerit” është monologu i një personi thellësisht të sëmurë dhe të rrënuar mendërisht, siç është Pozdnishevi. Sidoqoftë, novelën e shkruajti Tolstoi i shëndetshëm mendor. Paradoksi i novelës “Faji i kujt?” qëndron në faktin se është shkruar në një gjuhë rrëfimtare klasike, por në të njëjtën kohë të lë një ndjenjë deliri të tmerrshëm.

    E vetmja pikë e dobët e Anës është se ajo është xheloze. Dhe me gjithë neverinë që përjeton nga marrëdhënia me të shoqin, ajo e ka tmerrësisht frikë largimin e tij nga familja. Për të parandaluar këtë largim, ajo është gati për çdo gjë. “Ajo vendosi me të gjitha forcat që ta mbante burrin e saj, të kërkonte ato mënyra dhe mjete me të cilat të mund ta tërhiqte përsëri dhe ta mbante në familje. Ajo i dinte në mënyrë të paqartë këto mjete, ato ishin të neveritshme për të, por ç’gjë është më e mirë?”

    Xhelozia e saj për gruan fshatare Arina dhe për të gjitha gratë me të cilat princi pati marrëdhënie para martesës, merr, ndonjëherë, një karakter të dhimbshëm mazohist, “dhe më pas marrëdhënia e saj me burrin u bë krejtësisht e panatyrshme”. “Ndonjëherë, e skuqur dhe e shqetësuar, ajo kërkonte prej tij t’i tregonte histori për bëmat e tij të mëparshme seksuale.” “Ana i kujtonte të gjitha ato që kishte bërë për të mbajtur burrin e saj dhe u ndje e neveritur, i erdhi krrupë nga vetja.”

    Pra, autorja e kësaj novele e kuptonte se arsyeja e marrëdhënieve jonormale në shtëpi nuk ishte vetëm te princi. Shfaqja e Behmetjevit dhe miqësia me të janë të rëndësishme për Anën, pikërisht sepse Behmetjevi është, si të thuash, një qenie pa seks. Ajo nuk e shqetëson instinktin e tij seksual të “bishës”, që ndrydhet nga sëmundja dhe ai nuk ia ngacmon asaj dhimbjet e xhelozisë, nuk e bën të çmendet. Behmetjevi është i sëmurë, ai nuk do të jetojë gjatë. Behmetjevi është një njeri i vdekur, por një mik i gjallë.

    Novela “Faji i kujt?” është një dokument i vlefshëm për të kuptuar dramën reale e jo të shpikur letrare, të gruas së Tolstoit. Kjo novelë u krijua si një hakmarrje letrare. Ajo u përpoq ta “kthente” “Sonatën e Krojcerit” nga ana e saj së prapthi (e errëta) në anën e saj të përparme (të ndritshme). Novela frymon mirësjellje dhe moralitet, në kontrast me të tmerrshmen, magjepsësen dhe shkatërruesen për nga fuqia e ndikimit të novelës së të shoqit.

    Ajo donte të shkruante diçka për një grua ideale, e cila ishte në mëshirën e një demoni mashkull, më pas gjeti prehje në miqësinë me një mashkull-engjëll dhe u vra “kafshërisht” nga burri i saj. Por si rezultat, ajo shkroi një novelë nga e cila nuk është aspak e qartë: faji i kujt ishte pra? Dhe a ishte vallë faji i ndokujt?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË