More
    KreuForumi mbi përkthiminAristotel Spiro: Elitis në shqip dhe disa probleme të përkthimit të poezisë...

    Aristotel Spiro: Elitis në shqip dhe disa probleme të përkthimit të poezisë së tij

    Në fjalën e mbajtur para Akademisë së Stokholmit me rastin e akordimit të Çmimit Nobel, Odiseas Elitis do t’u drejtohej të pranishmëve shprehimisht: «Ju njohim dhe na njihni përmes 20% a mbase 30% që mbetet pas përkthimit». Nëpërmjet kësaj shprehjeje në formë aforizmi poeti i shquar konfirmonte bindjen për artin e tij të madh, i cili arrinte të emociononte qoftë edhe pas deficitit që krijonte akti përkthimor. Në kohën që fitoi Nobelin, Elitis ishte i panjohur në Shqipëri. Në këtë kontekst, citimi i mësipërm tingëllon sidomos profetik për botimin shqip të poezisë së tij.

    Ka shumë faktorë që e bëjnë përkthimin e poezisë elitiane të vështirë. E para buron nga vetë lloji letrar, që mbështetet në sistemin shenjor estetik të çdo gjuhe, një sistem i përpunuar gradualisht me kontributin e brezave të tërë letrarë. Këto sisteme shenjore imponojnë marrëdhënie të caktuara ndërtekstore, që ndryshojnë nga njëra letërsi në tjetrën. Një vepër e përkthyer keq ndikohet nga ky ndërtekstualitet dhe rrezikon dekodifikimin e saj, ndërsa një vepër e përkthyer mirë elementet e saj shenjore tenton t’i trupëzojë brenda sistemit estetik të letërsisë mikpritëse. Titulli i veprës «Aksion esti», ashtu i pandryshuar, i papërkthyer, është bërë pjesë e ligjërimit poetik botëror, pra edhe e atij shqip. Si një nga shprehjet më të njohura të traditës së krishterë, ajo nuk mund të gjejë një barasvlerës shenjor në asnjë gjuhë të qytetërimit perëndimor, përveçse me veten e vet. Një gjë e tillë ndodh rëndom me terminologjinë fetare, e cila funksionon në tekst si njësi përkthimore e veçantë. Por në tekstin shqip të «Aksion esti»-së, i cili mbështetet mbi figuracionin biblik, ky rregull nuk zbatohet gjithmonë. Kështu, p.sh. me pasoja për deshifrimin kuptimor dhe estetik është përkthimi i leximit të tretë të Aksion esti-së si «Dalja e madhe» (91), që duhej përkthyer në fakt «Eksodi i madh», meqenëse figura letrare mbështetet mbi ngjarjet që përshkruhen në Librin II të Pentateuchon-it (Eksodi), largimin e izraelitëve nga Egjipti drejt «Tokës së Premtuar». Por kjo metonimi ka pasur në Greqi edhe një përdorim historik, dhe pikërisht në kohën e Revolucionit të 1821-shit, kur kryengritësit e rrethuar të Mesolongjit çanë rrethimin e forcave turke dhe dolën nga qyteti (1826). Njohja e regjistrit stilistikor kishtar si njësi përkthimore më vete e bën të detyrueshme përzgjedhjen e terminologjisë fetare në rastet kur ajo shfaqet. Duke përdorur si shkas Shkrimin e Shenjtë, Elitis ka krijuar një sistem figuracioni letrar, ku fjalë me përdorim të zakonshëm ose neologjizma ndërthuren me terminologjinë ekzistuese të krishterë, duke u bërë bartëse të një simbolizmi metonimik: apelativi ose fjala e zakonshme fiton kuptimin e një nocioni themelor, shprehës vlerash të larta. Këtu hyjnë në punë edhe mjetet drejtshkrimore, përdorimi i shkronjës kapitale, zbukurimet e teksteve kodike etj. Këto detaje i ka pasur parasysh përkthyesi dhe me intuitën e vet letrare ka ecur drejt rindërtimit të këtij sistemi simbolesh duke shfrytëzuar lëndën gjuhësore shqipe. Shembuj të tillë mund të lokalizohen lehtë. Μακρινή Μητέρα Ρόδο μου Αμάραντο (122) Mëma ime e Largët Trëndafil i Pavdekshëm (123), Ο Τοκετός η Θέωσις το Αεί (128) Lindja Hyjnizimi, e Përjetshmja (129), Χαίρε η Καιομένη και χαίρε η Χλωρή / Χαίρε η Αμεταμέλητη με το πρωραίο σπαθί (150) Përshëndetje e Vëluara dhe përshëndetje Njomzakja / Përshëndetje e Papenduara me të bashit shpatë (151). Χαίρε η Ονειροτόκος χαίρε η Πελαγινή / Χαίρε η Αγκυροφόρος και η Πενταστέρινη (152) Përshëndetje Ëndërrpjellëses përshëndetje Detares / Përshëndetje Spirancëmbajtëses dhe Supëryllores (153) Χαίρε που καταρτίζεις τα Μηναία των Κήπων / Χαίρε που αρμόζεις τη ζώνη του Οφιούχου (152) Përshëndetje që përpilon festat Mujore të Kopshteve / Përshëndetje që harmonizon brezin e Gjarpërushës (153).

    Një vështirësi tjetër përbën edhe konteksti historik dhe gjeografik, që në gjuhën mbërritëse merr zakonisht një vlerë thjesht denotative, ndërsa në gjuhën zanafillëse mbushet me konotacione gjuhësore, letrare dhe kulturore, për shkak të rëndësisë në jetën e lexuesve. Emrat gjeografikë të Greqisë janë elemente të një semiologjie kulturore, që nuk mund të përçohen në translatum në mënyrë të pandryshuar. Dhe kjo ndodh sepse kuptimi dhe bashkëshënjimi (konotacioni) është një ndryshore në funksion jo vetëm të kontekstit gjuhësor por edhe të atij kulturor dhe sidomos të këtij të fundit. Sigurisht, përkthimi mund të karakterizohet cilësisht i saktë, por emocioni i përcjellë është asimetrik. P.sh.: «η Ίος, η Σίκινος, η Σέριφος, η Μήλος» (34), përkthehen siç është e kuptueshme «Ios, Siqinos, Serifos, Milos» (35). Ajo që i mungon këtu lexuesit shqiptar është konteksti kulturor, gjeografik, historik, i cili do të mund të plotësohej mjaftueshëm përmes shënimeve në fund të faqes apo librit. Këto shënime mungojnë, siç mungojnë edhe plot shpjegime të tjera të pritshme, siç do të ishte përkthimi i vargut të njohur të Hölderlinit nga gjermanishtja Wozu Dichter in dürftiger Zeit, apo grafitë frëngjisht për Rembonë (Rimbaud) dhe Matisin (Matisse), që lexohen gabimisht si të ishin fjalë shqipe, dhe dalin në fjalëforma të çuditshme (Rimbaudi, Matissesë, 20).

    Vështirësia e tretë lidhet me ballafaqimet e sistemeve gjuhësore përmes mundësive të ndryshme fjalëformuese e inventarit të pabarabartë semiologjik, fonetik e gramatikor. Por ajo që duket si një problem gjuhësor është në fakt një mospërkatësi në zbërthimin e përvojës së shprehur gjuhësisht.

    Përkthyesi i sprovuar i shfrytëzon mjetet e gjuhës mikpritëse për të kompensuar mjetet e saj munguese semantike dhe gramatikore, si dhe për t’i siguruar çdo fjale mjedisin e saj të natyrshëm paradigmatik e sintagmatik. Përballimi i çdo njësie përkthimore është një histori e veçantë në komunikimin ndërkulturor dhe çdo sukses i saj përbën një ngjarje të vogël në dialogun e kulturave. Fjalëformimi me anën e kompozimit si dhe prania e disa mënyrave foljore si habitorja, dëshirorja apo edhe kushtorja, elipsa e vetëmjaftueshme në greqishte dhe e pavetëmjaftueshme në shqipe janë disa nga sfidat me të cilat ndeshet përkthyesi.

    Në përkthimin shqip të poezisë së Elitisit gjejmë p.sh. përdorimin me vend të habitores a dëshirores, atje ku mospërdorimi i saj do të ngjante i çuditshëm: Dhe gjuhë asnjë nuk paska (95); kjo botë kjo ✳ e njëjta botë qenka (99). Fshatarë një lloji tjetër ne, me lloje tjera kazmash dhe hekurash duar, që përbetuara (sic) qofshin (61).

    Puna me poezinë elitiane kërkon megjithatë identifikimin, vlerësimin dhe përpunimin e çdo njësie përkthimore: çdo fjalë, çdo varg, çdo kuptim është një ecejake gjuhësore, kulturore, një pohim, konfirmim e rikonfirmim përdorimesh e vlerash të krijuara rishtas. Përndryshe, zgjedhjet e pamenduara e të nxituara tërheqin padrejtësisht vëmendjen e lexuesit në dëm të fokusimit në tërësinë e mesazhit estetik. Gracka të tilla përkthyesi gjen plot në rrugën e vet. Një sosh është f.v. humnera ndërtimore e elipsës së natyrshme greke, aq e panatyrshme në shqip, e cila për këtë arsye duhet mbushur patjetër. Në të vërtetë kjo është grackë vetëm e përkthyesit, sepse lexuesi me kompetencën gjuhësore që e karakterizon e pranon një ndërtim të mirëformuar gramatikisht dhe e refuzon një ndërtim të keqformuar duke mos vazhduar më tej. Të tilla identifikohen lehtësisht në përkthimin e Elitisit:

    Στην αρχή το φως (28) Në fillim drita (29). Εκεί ρόδια, κυδώνια / θεοί μελαχρινοί(56) Atje shegë, ftonj / hyjni zeshkane…(57). Επειδή πολλοί φορούν το μελανό πουκάμισο (48) Meqë shumë kanë veshur këmishën e zezë (49).Ήρθαν / ντυμένοι «φίλοι» (84) Erdhën / të veshur «miq» (85) khs. përkthimin anglisht They came dressed up as «friends» (përkth. nga E. Keeley, G. Savidis).

    Fjalë në dukje të njëjta, si p.sh. familje dhe φαμίλια njohin përndarje të ndryshme sintaksore dhe stilistikore në gjuhët përkatëse. Emri φαμίλια në greqishte nuk ka atë kuptim që ka në shqipe. Përdoret, ndër të tjera, me kuptimin e fjalës gjini në shqip. Por në një përkthim të «pafajshëm» barazia e shënjuesit (signifiant) do të shërbente si shfajësim i zgjedhjeve përkthimore: Ύστερα και οι άνεμοι όλοι της φαμίλιας μου έφτασαν (30) Pastaj dhe gjithë erërat e familjes sime mbërritën (31). Në këtë kategori përfshihen edhe fjalë të tjera si p.sh. lejlek dhe λελέκι, që në greqisht i takon një ligjërimi të thjeshtë, tek i cili mbështetet tradicionalisht gjuha poetike në greqisht. Në gr. përbën një zgjedhje midis dy fjalësh sinonime (dhe λελέκι dhe πελαργός), ndër të cilat fjala e parë është më popullore, ndërsa e dyta i takon ligjërimit të kujdesur.

    Në përpjekjen për të trupëzuar elementet kulturore të origjinalit, përkthyesi është i detyruar të mbushë mozaikun shenjor përmes krijimit të fjalëve të reja, të cilat sillen brenda tekstit letrar si elemente të stilit të autorit. Në tekstin e përkthyer ato janë në të vërtetë përzgjedhje të përkthyesit, por duhet të japin përshtypjen e zgjedhjeve të autorit origjinal. Në këtë mënyrë ato mund të interpretohen dyfish: si kryetekst (duke kuptuar origjinalin) dhe si variant tekstor (duke kuptuar përkthimin), i cili ndodhet brenda një kuadri semiotik të paracaktuar. Në varësi të kompetencës përkthimore kjo marrëdhënie e përkthyesit mund të jetë marrëdhënie dashurie ose tiranie. Dëshmitë për karakterizimin e saj gjenden në përzgjedhjen e mjeteve përkthyese. Një rast domethënës është ai i neologjizmave kontekstuale, të cilat gjenden me shumicë në veprën e Odiseas Elitisit. Për shkak të një shfajësimi formal apo të një nevoje për të shkaktuar reagimin gjegjës në shqip, përkthyesi ka guxuar të krijojë fjalë të reja sipas gjedhes greke, mbështetur edhe në aftësitë fjalëformuese të sistemit gjuhësor shqip (fjalë të prejardhura dhe sidomos të përbëra). P.sh. ερεβοκτόνο ρόδι (36) shegë terrvrasëse (37), εκατόγχειρες νύχτες (88) net qindraduarshe (89). Por varësia e skajshme ndaj origjinalit ka dhënë shpeshherë përfundime fjalëformuese që duken si sajime të dhunshme, p.sh., ηλιοπότης, ακριδοκτόνος (54) diellpirës, karkalecvrasës (55), metamorfozohem (10).

    Një kategori tjetër përbën përdorimi i ca fjalëve greke, të cilat sillen si huazime të një lloji të veçantë: ngjajnë si ndërkombëtarizma, por nuk janë gjithmonë të tilla. Janë të njëjtat tema leksikore të origjinalit, të cilave iu prapangjiten mbaresat rasore shqipe dhe funksionojnë brenda tekstit si huazime. Disa herë elementet e tyre përbërëse krijojnë lidhje homonimie me tema fjalëformuese të njohura edhe për ndërkombëtarizmat, por gjithsesi brenda një kuadri shpjegues etimologjik vulgar. Khs. fiziolatri (… që sjell adhurimin e natyrës, fiziolatri, 11), paralogjik (Ky dimension, paralogjik në dukje, korrespondon dhe me entitetin material e shpirtëror të vendit tim, 18), homofag (dhe janë Homofagët dhe të Egrit e Ujit, 49), sitofobët (Sitofobët dhe Pelidnët dhe Neokondorët, 49). Kur përdoren në funksion të një qëllimi organizues estetik të tekstit, përdorimi i tyre është i përligjur. Përkundrazi, përdorimi i tyre në emër të një zgjidhjeje sinoptike të imponuar nga dëshira për mbarimin e menjëhershëm të përkthimit konsiderohet i gabuar. Këto fjalë që përzgjidhen në mënyrë të papërligjur për shkak të parapëlqimeve që lidhen me shënjuesit origjinalë mund të quhen pseudohuazime, për t’iu kundërvënë atyre huazimeve që rrjedhin nga nevoja e rindërtimit të tekstit dhe përligjen nga funksionaliteti që i karakterizon.

    Vështirësia e fundit lidhet me gabimet në përkthim, d.m.th. në përzgjedhjen e një fjale, ku si shënjuesi ashtu dhe i shënjuari nuk kanë lidhje më me origjinalin. Dhe të tilla në poezinë e përkthyer të O. Elitisit janë të shumta. Identifikohen dy kategori gabimesh: 1) leksikore dhe 2) gramatikore (morfologjike ose sintaksore). Και το νέφος εχώρισαν στα δύο Και αυτό πάλι στα τέσσερα (30) Dhe renë ndanë dysh Dhe kjo sërish katër (31). Do të pritej një përkthim i tillë: «Dhe renë e ndanë më dysh Dhe atë sërish më katërsh». αλληλέγγυα στάθηκαν τα σπίτια / και μικρά και τετράγωνα (36) solidare u ngritën shtëpitë / dhe të vegjël dhe katrore (37). Εκεί ρόδια, κυδώνια / θεοί μελαχρινοί, θείοι κι εξάδελφοι (56) Atje shegë, ftonj / hyjni zeshkane, hyjnorë (sic!) dhe kushërinj (57). Këtu θείοι nuk mund të përkthehet me mbiemër d.m.th. hyjnorë, meqenëse këtu funksionon si emër së bashku me gjymtyrën homogjene εξάδελφοι. Në këtë kontekst kuptimi i saj është «ungj/xhaxha/dajë», sepse si marrëdhëniet sintagmatike ashtu edhe ato paradigmatike sugjerojnë përkthimin me një fjalë që shënon farefisni.

    Këto gabime, që burojnë nga moskompetenca gjuhësore, dhe, pra, nga kompetenca e pamjaftueshme përkthimore poetike, janë të lokalizueshme edhe tek përkthimi i fjalëve të veçanta ose i një radhe fjalësh: νωχελικά (32) shkujdesur (33). Χαμηλά στων φύλλων τον πυθμένα / η τριβίδα η λεία (38) Poshtë pafundësisë së gjetheve / zalli i rrëmbyer (39). Disa herë ngatërrohet përdorimi i paronimeve: τη φορά του ανέμου εξαγοράζοντας (68) vrundullin e erës duke shpërblyer (69). και στα κρυφά μου αντικαταστήσανε / την παρθένα του βλέμματος (68) dhe fshehtësisht ma zëvendësuan / virgjërinë e vështrimit (69). τρικύμησα / όπως κάβος πάτησα βαθιά / που αέρα πήρανε οι σπηλιές (42) furtunshëm / si pallamar u shtriva thellë / ku shpellat erë patën marrë (43).

    Në rolin e njësisë përkthimore del edhe numërimi i pjesëve dhe nënpjesëve të poemës. Shohim këtu një mospërputhje e cila buron nga mosbashkëpërkimi i alfabeteve të të dy gjuhëve: α΄:a, β΄:b, γ΄:c, δ΄:ç, ε΄:d, στ΄:dh, ζ΄:e, η΄:ë. Në funksion numërues është më e arsyeshme të përdoret alfabeti origjinar latin, pra: α΄:a, β΄:b, γ΄:c, δ΄:d, ε΄:e, στ΄:f, ζ΄:g, η΄:h etj., ku bashkëpërkimet midis dy sistemeve shkrimore janë më të qarta e më të sakta.

    Përfundime:

    «Aksion esti» karakterizohet nga prania e një semiologjie me informativitet të lartë për shkak të përdorimit të fjalëve me konotacion të veçantë, të fituar brenda idiolektit letrar të O. Elitisit. Autori ka vënë në lëvizje një mekanizëm, që gjeneron jo vetëm kuptime të reja, por edhe njësi të reja leksematike, të cilat mbeten gjithsesi kryesisht brenda krijimtarisë së vet, si elemente përbërëse dhe dalluese të nyjëtimit të tij letrar.

    Vështirësitë në dekodifikimin e saj lidhen me këtë veçori. Ato shtohen më shumë gjatë përkthimit në një gjuhë tjetër, si p.sh. në shqip, ku çdo zgjedhje përkthimore vjen si rezultat i një vendimi të marrë në kushte të vështira.

    Dhjetë vjet pas përkthimit dhe botimit të tij në libër të veçantë në gjuhën shqipe do të pritej që O. Elitis, pasi iu trupëzua letërsisë shqiptare dhe asaj botërore të shkruar në shqip, të kishte një impakt mbi letërsinë shqipe. Sot, pas dhjetë vjetësh mund të thuhet se poeti nobelist grek është për lexuesin shqiptar thuajse aq i panjohur sa më parë. Në prodhimin letrar shqip nuk ndeshet ndonjë gjurmë ndërtekstualiteti të lidhur me veprën e tij.

    Fakti i botimit dygjuhësh, mjaft komod për specialistin që njeh si greqishten ashtu edhe shqipen, me sa duket nuk ka ndihmuar në këtë dekodifikim, pavarësisht domethënies së dyfishtë të botimit: nga njëra anë i jepet mundësia lexuesit që të këshillohet me krijimin burimor, tekstin zanafillës, dhe të jetë i ndërgjegjshëm për ndryshimet formale e kuptimore që ndodhin gjatë përkthimit, nga ana tjetër përkthyesi pretendon të ketë arritur rikompozimin e një teksti të kompletuar, që është i barasvlershëm me origjinalin.

    Prapëseprapë, vendosja e origjinalit nuk arrin ta zhdukë hendekun kulturor që ndan lexuesin nga teksti shqip, përderisa teksti origjinal luan një rol shpjegues e verifikues vetëm për njohësin e të dyja gjuhëve. Rolin orientues mund ta luajnë nga njëra anë shpjegimet në fund të faqes ose një aparat shpjegues analitik, dhe nga ana tjetër një përkthim i kryer me frymëzim e kujdes, pas një njohjeje të thellë të veprës.

    Shembulli i përkthimit të «Aksion esti»-së tregon se dekodifikimi i një vepre letrare nuk mbaron me përkthimin e saj, por me analizën e vazhdueshme si në origjinal ashtu edhe në përkthim, i cili mund të shihet si një version i shpjeguar i veprës. Shoqërimi i përkthimit me shpjegimet e domosdoshme në fund të faqes apo të librit do të ndihmonte për të kuptuar më mirë sistemin e figuracionit letrar estetik të Elitisit, si dhe kontekstin kulturor brenda të cilit është vendosur vepra e tij «Aksion esti». Por këto mungojnë krejtësisht tek botimi shqip i Elitisit[1].

    Kështu shpjegohet pse poeti i shquar ende nuk është gjerësisht i njohur në Shqipëri. Edhe pse ka mbërritur në gjuhën shqipe dhe «ka veshur» petkat e saj, fillimisht përmes përfshirjes në «Antologjinë e poezisë greke» (1986) me disa përkthime kryesisht të I. Kadaresë, dhe vijimisht me botimin e një libri të veçantë në përkthimin e N. Kacalidhës, si dhe me botime poezish të shpërndara nëpër gazetat dhe periodikët letrarë, mbetet ende për t’u kryer komunikimi i tij real me pranuesit e këtij ligjërimi poetik: lexuesit shqiptarë[2].

    Një rol të tillë luajnë artikujt dhe studimet për mjeshtërinë e artistike të poetit si dhe veprimtari të ndryshme kushtuar veprës së tij. Ato ndihmojnë për të kuptuar më mirë një autor të përmasave botërore si Odiseas Elitis.


    [1]  Odiseas Elitis, Poezi. Shqipëroi nga origjinali Niko Kacalidha. Tiranë: Onufri, 2001.

    [2]  Pas hartimit dhe kumtimit të këtij teksti doli në dritë një përmbledhje poezish e O. Elitisit në gjuhën shqipe (shih: Odiseas Elitis, Poezi, përkthyer nga Romeo Çollaku, Tiranë: Odeon, 2014), një botim shumë interesant, për të cilin parashikojmë se kritika letrare dhe përkthimore do të merren herë pas here.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË