Në kushtim të Prindit dhe 17 Janarit
V (O) PARATHËNIA
Në çdo shkëputje të këpucës nga toka dhe vënies së tjetrës në tokën me barë të thinjur, ndieja herë një lehtësim e në çastin tjetër frikë përzier me akthin e hapit të mëpasmë. Ku do të shkel këmba tjetër! Mos të ftohtit e madh kishte ngrirë gjithçka? Kthimi i ç’akullt më i rrëshqitshëm! Një boshllëk muror i katandisur në gërmadhë. Pa çati mbi vete, shtëpia, ishte shndërruar në një humbëtirë të pakapshme. Dera e daljes i largohej shikimit! Kapërceva shkallët e rrënuara. Mbajta veten për murin plotë grafite. Munda të hyj në korridorin e parë, pas zikzakës jo të zakonshme të ecjes së këmbëve. Mezi u futa në dhomën e pritjes! U ktheva mbrapshtë me shpresën e një të përhumburi. Në pragun e kthinës, një çelës rënë nga varësja, kishte humbur identitetin. Gjithëçkaja thellohej në dromca intrige. Dhoma e martesës bashkë me studion krijuese ishin njëjtësuar në një shtresë madhësish të ndryshme nga mbeturinat e hirit të zjarrtë, pas shiut të akullt. Hyra në vetvete.
IV (I) EPILOGU I FILLIMIT
Dymbëdhjetë orë para mesnatës, kur ndërroheshin tre nëntëshe me tri zero, për të shkrirë numrin më të madh njëshifror në numrin e brishtë, kur njëshi me mund mijëvjeçar ngritët në dy, apo avullimi i 11 vijave e 2 gjysmërrathëve në vetëm 8 kunja (alias 1111+999) si frekuencë e daljes nga një shekull, nuk ka natë më unikat në historinë e njerëzimit (kjo llogaritje nuk vlen as po t’i kthehemi vitit 112 p. e. s. sepse vlen parimi i minusit), pas njëzet muajsh ecejakesh nëpër At(ë)Dhe mbërrini në fshat. I kishin mbetur vetëm disa çaste dhe Ai do të futet në oborrin e shtëpisë pa mundur kurrë më të hyj në të, siç ka hyrë gjithmonë me buzëqeshjen mahnitëse rinore. “Kurrë s’ia bëj hallall zemrës, pse s’më lëshoj, kur pashë fshatin e djegur!” – iu kujtua të ketë shkruar në një ditore bashkëvendori i tij, gazetar televiziv, Sadri Morina.
Frika nuk e mahniti. Ankthet e hapësirës e kishin djersitur. Tokës së kalldrëmtë i mungonin rrezet e acarta. Bunari i Madh lëshonte avullin sikur në të, të ishin futur disa duhangjinjtë që thithnin nikotinë nga më të egrit. Ishte këputur nga lodhja e syve. Shikimi i errësohej. Preku flokët. E kotë të përcaktonte vetveten se ku mund të arrinte nëse nuk e humb vetëdijen! Qershiza, në mes shitores, ishte shndërruar në një pikturë moderne që asnjëherë nuk e ëndërroj në peizazhet e tij. Me shpresën se do ta thërriste dikush, për ta nëmur edhe atë, u gjend në vendin e studios së kahershme. Nxitoj nga të gjitha anët për ta shterur sa më shpejtë vizitën si mysafirë në dhomën e tij të gjumit. Dëshmitarin e vetëm e kishin nxjerr me dhunë nga Bunari i Madh. Të qullur e sollën në vatrën e panjohur të dëshmonte djeg-jen. Në bisedë herë-herë përhumbej dhe harronte se ndoshta kishte qenë disa herë në atë shtëpi të veçantë nga të tjerat në fshat.
III (II) MONOLOGU I DIALOGUT
Për një çast u mësua me ngushëllimet e përtej harresës. Nuk ndjente keqardhje.
– Isha e vetmja shpresë për atë labirint kohor. Shkëputja nga studioja personale i ngjante një lindje foshnje nga shtatzënësia.- i dyfishohet zëri i shterur – Ndoshta kam qenë i mahnitur me dozën e frikës apo nga një vegim që nuk ndieja dhembje për një kohë të gjatë.
– Dardan Vita, a kush jeni Ju, me dy apo asnjë gjini (?!) –e ndërpreu– harresa tek foshnja disamuajshe nuk ekziston!
– Nuk më kuptoni se ky është krahasim?!
– Ndjehem i mahnitur se keni shpëtuar!
– Habitem se si u kthyet me vonesë kur kemi ikur tepër herët!
– Vetëm e vetëm që ti shpëtojmë sytë.
– Pse ende nuk i keni shitur?!
Për një çast pushoj, për të filluar:
– Gjeta këto fletë!
– Është nga ditari ditor. E vura re kopjen në hyrje të portës.
E shfletoj. Me zë ia kumtonte gjithësisë së zbrazët:
– “Pas dosjeve 22, të një fillimvitit A D G R K që shpërthej me vrasje konform një lufte të pashpallur kërkohet nëpër arkivat e mykur Dosja H. Sekretet futeshin në kthinat me të errëta. Zbulimi i ecejakeve fluturuese nxori deshifrimin paranoik se në Gadishullin Ballkanik të shpeshtën e herëve bashkëdyzoheshin copëzat e pasqyrave hijore në të njëjtin arkiv. Pikat e lotit të gjakut vërshuan platenë e WHITE HOUSE dhe Beli-Dvori-t! Mishi ishte hirnosur në imtësinë mikroskopike. H Hulumtonte Herë Hipertekstin, Herë Hierarkinë Hijore të Humanizmit Homerikë në Humbjen Heroike të Helenës së Hamendur dhe të Historisë së Hiperbolizuar Holokaustiane!…”
– …Edhe si individ, edhe si kolektiv, edhe si çështje, edhe si trill në Ballkan, rreth tij dhe për të kishte humbje! (lëvizte duart) … Eskili… Shqiptarët… Serembe… Historia… Rugova, në kuptimin toponimik. Darka e diplomacisë ShpresëKëputur. (gishtin tregues e drejtoj në qiell) Më shumë se lodhja e muskujve e kishte mynxyrosur nxitimi i këshillave të diplomatit të huaj. Viktimat nuk numëroheshin! (ecte skaj me skaj oborrit) Shokët iu kishin vrarë të gjithë kur u ul në karrigen lëvizëse të studios së improvizuar. Mendoj se humbiste shpresën e ringjalljes së këngës. Rapsodi së pari ngjyrosi sytë, më pas gjeti gruan e kërkuar dhe në fund u vra në pritë! Xhylërrushëhanëmi (Lizëantigonëzonja) rritë fëmijën në barkë dhe në nëndhe, vajton kurthin e zhurmës së armatosur dhe pret shpresën e humbjes antike. Të tëra këto në faqet e librit të ardhshëm të bashkëshortit. Palimpsestet shpëtuan nga djeg-ja e trurit të Mikut. (me mimikën e çartur të fytyrës përshkruante tërë dialogun) Lexonte pandërprerë romanin “Robinson Kruzo”. E humbiste përcaktimin e fillimpërfundimit të romanit. Siç tha një vizitor i përhershëm i Tij, ai shprehej se romani tashmë nuk kishte as fillim as përfundim! Ishte njëjtësuar leximi. Aty ku e ndërpriste leximin përkohësisht, aty e konsideronte se fillonte rrëfimin. Bashkëdyzohej faqja e fundit me të parën dhe secilën herë në brendësi gjente diçka të re sa që Miku i të vrarit thoshte: “Ne lexuesit jemi humbës të veprës aq sa autorit i ka munguar rrëfimi universal në poetikën e krijimit! Njëherazi jemi rindërtues post scriptum-“mortum” të veprave antike …”(vërehej se nuk lodhej nga ecejakeja) Me mijëra e miliona shtesa shpjegimesh, studimesh e kritikash do të ketë vepra e Homerit, Eskilit, Shekspirit e Getës aq sa humbja e mundshme e njërit prej tyre. As vet krijuesit (nënkuptohet për së gjalli mendonte- vër. e A. V.) nuk e besuan një simpati të tillë… Dëgjoni këngën! (ndërroj zërin bashkë me mendimin) I vdekuri apo Besa e Shtëpisë e solli Doruntinën! (bërtiste) Intriga e fictionit të Lorkës për Bernarda Alban dhe vajzat e saj në Shtëpi të mbyllur! (mori frymë thellë) Dorë(sh)krimi i kufomës, të verbuarit dhe Odiseut mbetën zvarrë nëpër shekuj për ta ndriçuar memoria e sotme dhe për t`i nxjerrë nga labirintet e Shtëpisë… Po mjaft! U lodha! E kotë tortura! Laookonti është kthyer në mermer! Ne që ikëm nga shtëpitë, që shpëtuam nga mesazhet e grafiteve nëpër mure, nuk kanë me na k’nue… Kanë me na kujtue! (u bë sikur e kreu monologun)
II (III) DIALOGU I MONOLOGUT
Arbër Varri arriti nga kryefshati i qytetërimit t’At(ë)Dheut.
– Pikërisht kopja origjinale e deshifrimit nga shkrimi i dorës në një shkrim makine të pyetjeve të intervistës kishte qenë shkak për
djeg-jen tërësisht të shtëpisë. Autori i intervistës ishte në 64 fotografi. Menduan se bashkë me pyetjet zhduken edhe përgjigjet! Një dehje e çastit e kryepolicit, një antroponim i kapshëm real ekzistues i kërkuar nga i lëçituri, një antikë e vjedhur mijëravjeçare e gjetur në cep të fshatit (arkeologët hermanacionalitetesh hetuan se në arkivat e Beligradit mungonte një unikat i tillë), një çast momenti vegues nga fotografia e kalendar i Vitit 1981, nga një shkak i kësillojtë, vetëm e vetëm se shtëpia gjendej në fshatin që duhet djegur edhe përkundër propozimit të pronarit, para fillimit të luftës, që forcat e NATO-s të vendosen këtu, se monoteistet partiak shkrinë kohërat dhe mohuan një kuvend bashkimi ndërnjerëzor, çka banoret i futi në ankthet e frikës nga liria, qenë shkak?! Apo një…
Dardan Vita ndërpreu të folurit e ngarkuar me dyshime. Tretja e kuptimit të fjalëve kishte humbur në mendësinë e ndriçimit të se paku një ç’thurje varianti kritik.
– Urdhëroni! Uluni! – tha qetësisht.
– Fal’nderit! – ia ktheu Arbëri duke u ulur në një cung.
– Ishte fatalitet i vështirë, vdekje e thjeshtë për të besuar për shpëtim! – shpjegoj prezencën.
– Ç’i shtyri që ta djegin?! – pyeti çuditshëm.
– Zëri sikur dilte nga brendësia ime. Zhurma dhe zjarri tretej nga qenia jashtë kohës e vendit. Veten e projektoj si skelet, – rrëfente qetazi – disi si piktor që i mungojnë ngjyrat e vizatonte eshtra. U mahniten nga kalendari i para 17 vitesh. Imazhi i vashës i çlironte nga ankthi kriminal. Grilat ishin errësuar nga vjetërsia e pluhurosur. 64 fotografi përballë saj sfidonin jetën 32 vjeçare të njëfarë Arbër Varrit, që e thërrisnin të dëshmonte fundin. Por e kotë. Mjaftonin ato fotografi që autori të ishte prezentë.
– Ato ishin arsye të mjaftueshme bindëse?!
– Assesi! I dehuri erdhi rrëmbimthi. Urdhëroj e doli me shpejtësi prej të marri. Shfletonte disa fletë të daktilografuara duke i hedhur në ajër.
– Bije Vokshi nuk kaloj asnjë doganë për të marr pjesë në Bujan. Kohë pa itinerare. Postblloqet kurdiseshin në mendje! Në 60 vjetorin e Vitit të Ri të Rezolutës së firmosur nga shenjëvdekja, banorët heshtazi lëvizin nëpër galeritë e gjetura nëntokësore. Vizitorët iu kthyen shpellave antike. Puthja e Romeos dhe Zhulietës në mermerin ballkanik ishte ngrirë bashkë me pikat e lotit që kishin rrjedhur në mijëra vjet. Edhe para dashurisë së mileniumit të dytë! Pas gjithë mishit të djegur, ekzaminimeve, lojës me arkivole, vjedhjeve e obduksioneve, asnjë kufomë nuk u ngjallë. I mbuluari me qefin erdhi me dhunë, për herë të parë, në kryefshatin P.! Të tjerët
nuk mund të i iknin! Asnjë s`mund të varroseshin as në tokën e dheut të lindjes! DitëZi edhe nesër! – fliste pa shikimin e syve.
I (IV) PROLOGU I FUNDIT
– Hej, Ti i verbuar, pse ikni?!
– Një çast nxitimi është humbje ëndërrimi. As tash s’mund të besoj se si të 17 skedat arkivore të zhdukeshin si një shkrim me 17 vargje. Ashtu ndodhi në të kaluarën: Vdekja e Skënderbeut, Atentati në Undergrubenbah (18 janar: Jusufi vdiq nga plagët. Një gjysmë-vrasje-vdekje: tek intelektualet gjenial ndodh një gjysmëvdekje në fundin e tyre për një shkrirje fizike të një vazhdimësie shpirtërore! Prekja e eshtrave të Homerit, Jezusit apo Gërvallës: Ne e mveshim me të gjitha atributet krijuese intelektuale ndërsa përkundrazi veten e ç`veshim me klithjen: Eshtrat nuk flasin!), Vdekja e Ndrek Lucaj, Fataliteti i irakianes së bukur në rrugën e natës dhe Vrasja misterioze në fiction e Kë De-së! Më vonë se ikjen nga kjo dynja Ata kishin humbur sytë bashkë me gjumin. Ëndrrën ia lënë trashëgim pasardhësve.
– Ku gjenden skedat?!
– Të 17 vargjet poetike u dyzuan vetvetiu në 17 skedat arkivore të studios personale. Truri trandi përkohësisht perceptimin e jashtëm të errësirës së akullt ndriçuese!
Në mendje lexon skedat në një qetësi kuptimi të pazakonshëm:
17. Gjurmët e mitikes trojane me palimpsestet pas Apokalipses
16. Foshnja në djepin e parë me letrën e diplomatit azilant
15. Polisemia Jam shqiptar e kosovar me pjesën e Tretë të Poetikës
14. Deshifrimet e mbrapshta kryqëzore IHO e HIZNOSYXV me hijen e klithmave të Ilirëve
13. Rilindja e Alternativës së Botës Sot me Diellin e Sheshit të Republikës
12. Follow me në Titanic me zanin e Naim F. në thepin e Bjeshkëve të Nemuna
11. Toposet e murimit të dashurisë me heshtjen e krismave në gurë
10. Emblemat e varreve me gëzhojat e lapsave në lëvozhgën e drurit
9. Gjenealogjia e Zotit tokësor me cullakun e lëkurës së Vashës
8. Dialogët në amfiteatrin e brishtë me ligjëratat e censurës së fëlliqtë
7. Duelet e shekullit vicioz me stenogramet e ndëshkimit të sportistëve
6. Mërgimi i bacit Salih me prangat e UDB-së në alarmin e 59-të të shekullit
5. Syri i Tretë në mumie me siluetat e errëta të sarkofagut
4. Shkëlqimi i notimit fals me Vuk-un e gozhduar në çirilicë
3. Krutani i Mërguar në dyzimin e kohës me eristikën demokratike të odave
2. Zhurmat e njollave të carbonit me shkronjat ujore të Gutenbergut
1. Fëmijëria e kujtueme me larminë e ëndrrave të vetmisë
Vetja e zgjati dorën. Ndjeu se preku dikush. Klithi:
-Më zgjove nga vegimet! Hahaha, haha, ha! Aaaaaha?! Kërkoje Ishullin e humbur, lexoje dorëshkrimin e Robinson Kruzo-s, deshifroje labirintin e poetikës së pashkruar, ec e betohu në të gjitha cepet e At(ë)Dheut, zhvarrosi heronjtë e flijimeve, takohu me Helenën, bisedo me Mefistofelin, vërja sytë Borges-it, nderoje armikun fisnik, përkulu në zërin e ëndrrës dhe vrite zbrazësinë e kohës! Asnjëherë mos ik nga liria! Më pas do t’i njohësh që të 17 porositë fictive të poetikës së vargjeve humbëse në njollat e hirit pas shiut të akullt…
O (V) PASTHËNIA
Rrëfimi i fundit i mesazheve pas gjithë monologut të Arbër Varrit: TINGUJT E TË GJITHA ALFABETEVE TË PLANETIT DILNIN NGA NJË GYP ALARMI! ZËRAT VININ, SIÇ U DESHIFRUA MË VONË, NGA GJUHËT E VDEKURA. DIKUSH DYSHOJ SE MOS ISHIN JASHTËTOKËSORËT APO GJUHA QË FLISNIN TROJANËT?! HELENA ASNJËHERË NUK KISHTE PYETUR SE Ç`FARË MENDOJNË VENDORËT NËSE TRADHTOHEN?! PLANETI I ZVETËNUAR NGA VETVETJA E HETON ZBULIMIN E TRADHTISË VONË! TEPËR VONË!
P. S.
– Po, pse autor Arbër Varri?! – sikur filloj monologu i dialogut të redaktimit.
– Përpjekjet për të ç’thurur bashkëdyzimin e Unit të subjektit të autorit me rrëfimin e realitetit dhe të një autori të vdekur me fuqinë e shkrimit të tij imagjinativ më binden që autori i tregimit të dal me një emër e mbiemër fictiv. Nuk është pseudonim, por rrëfimtari që është shkëputur nga krijuesi i vetvetes. Autori, në të vërtetë është pjesë e qenies fizike njerëzore, është pjesë që lind e në fund vdes, kurse arketipi personazh jeton. Dostojevski ka vdekur ndërsa Raskolnikovi tashmë ka hyrë si personalitet i ngulitur në literaturën letrare. E njohim Hamletin aq sa Shekspirin, Faustin aq sa Gëten, Anën aq sa Tolstoin, Adsonin aq sa Ekon, Santiagon aq sa Markesin… A mund të themi se Dostojevski jeton apo se Raskolnikovi ka vdekur?! Përderisa e dimë se Dostojevski lindi, jetoj vdiq dhe eshtrat i prehen në varr s’është e vështirë të konstatojmë se Dostojevski nuk ekziston. Apo e kundërta: Raskolnikovi, si arketip personazhi mund të jetoj edhe sot me një emër tjetër! Një Dostojevsk assesi. Prandaj edhe fillimi: E krijoj mendimin autorial Arbër Varri. – sikur përfundoj dialogu i monologut të shpjegimit.
Është ky trill apo…?!
Shpjegim 1: Autorin e kërkoni kot! Eshtrat e tij të vrimuara mund t’i gjeni në cepin e skajshëm perëndimor të Atdheut. Pesë hapa në jug të Varreve të Krushqve, në të majtë të Lisit më të moshuar. Një metër e 72 cm nën tokë. Thuhet se ende njollat e gjakut fshehën afër varrit sepse në lëkurën e këmbës së djathtë kishte gërvishtur me gjilpërë testamentin si amanet epitaf në kokëgurin e mortit. Fijet e barit për-rreth zvetënoheshin çdo ditë. Bashkë me “Trandafilat e Marrisë”. Thashethemet mateshin me minuta. Rapsodët kërkuan gjatë të verbrin e krisur. E takuan në një kasolle të vetmuar, majëbjeshkëve të Nemuna duke hedhur në ajër fletë dorëshkrimesh. Arkeologët dyshonin në varrimin e viktimës mbi skeletet, ndër me të vjetrat në Dardani. Kolumnistet e legjendave të semiotikës nën rrënoja kishin spastruar eristikën e kuluareve mbi intertekstualitetin e monografisë së pashkruar. Autori i Tregimit, thuhet, se para botimit, u gjend i vrarë. Pas disa motesh në një dit’zie n’pik’dite pëshpëritej se autori kishte klithur frikshëm, në prag të rënies: “Ah Koshare, të daltë flaka!”
Shpjegim 2: Këto dromca rrëfimi në 5 pjesë të cunguara që përbëjnë një (gjysmë)tregim të (pa)përfunduar ka mundur të këtë titull të gjatë “NJOLLAT E GJURMËVE TË HIRIT PAS SHIUT TË MERMERTË E TË AKULLT, TË MUROSURA NË PERGAMENET E PALIMPSESTEVE NË KUPTIMIN MESJETAR” me nëntitull: “Rilindja e gjysmëvdekjes së Arbër Varrit tek një cep i At(ë)Dheut” …
“E redaktoi” dorëshkrimin parabotues: Enver S. Morina
Prishtinë, dhjetor 1998 – janar 1999