More
    KreuLetërsiShënime mbi libraArben Veselaj: Një alegori ekzistencialiste e botës shqiptare

    Arben Veselaj: Një alegori ekzistencialiste e botës shqiptare

    (Duke e lexuar romanin Lavjerrësi i qytetit të autorit Zija Çela, botoi “Toena”, Tiranë 2019)

    Romanet e Çelës duhet lexuar, para së gjithash, si protestë ndaj “diktaturës së tranzicionit” politik dhe social shqiptar, por edhe atij universal. Liria me tepri në rrëfimin e tij është një utopi shoqërore që lartëson dhe glorifikon hipokrizinë, gënjeshtrën, mashtrimin, ndërkaq përulë dhe përbuzë nderin dhe dinjitetin njerëzor.

    U bënë gati një vit që prej se s’po e heq dot nga tavolina e punës romanin e fundit të Zija Çelës, Lavjerrësi i qytetit. Dy herë e kam lexuar këtë libër, e, me sa duket, po ta kem luksin e kohës edhe kësaj vjeshte, sikurse e pata verës që iku, me kënaqësi do t’i kisha hyrë edhe një leximi të tretë. Kjo s’është hera e parë që më ndodhë kështu me librat e këtij autori. Zija Çela është nga të paktët shkrimtarë shqiptarë që të shtyn t’ia rilexosh veprat.

    Në çerekshekullin e fundit proza letrare shqipe njohu një listë të gjatë romanesh shumë të suksesshëm të këtij autori, titujt e të cilëve sikur kanë një tingëllim onomatopesh apokaliptike. I kësaj shkalle është edhe romani i fundit Lavjerrësi i qytetit, i paraqitur për herë të parë nga “Toena”, në panairin e librit “Tirana 2019”.

    Mjeshtëria e rrëfimit me një intertekstualitet të veçantë, pastaj me situatat dhe karakteret kafkiane, bënë që ky autor jo vetëm që nuk e zbret nivelin e arritur me veprat e mëparshme, si: Mali i tejdukshëm, Banketi i hijeve, Gjysma e Xhakondës, Gjaku im i errët, Las Varrezas, Për dashurinë shkruhet pas vdekjes, SOS, një buzëqeshje, Gjaku i dallëndyshes, Apokalipsi sipas Shën Tiranës, Arkipelagu Sipiritus, Goja e botës etj., por prek horizonte të reja, të panjohura deri më tani në prozën letrare shqipe.

    Rrëfimi i Zija Çelës edhe kësaj radhe ndërtohet sipas parimit bodlerian për letërsinë: e bukura kërkohet tek çrregullësitë e botës dhe anakronizmat e kohës. Në të lexuarit e këtij rrëfimi ne përshkojmë nëpër nivelet e realiteteve gjithmonë të njohura, por kurrënjëherë të thëna; realitete absurde, herë-herë komike, më shumë groteske, realitete të nënqeshura, të ndërbuzura.

    Edhe në këtë roman Zija Çela na prinë drejt një leximi krejtësisht alegorik. Bota që shpërfaq ai sa është zorshme të përshkruhet, po aq është e vështirë të kuptohet. Sikurse vet bota shqiptare që karakterizohet prej shumë paqartësish e dilemash, Zija Çela krijon po ashtu një botë dilematike, duke na vënë (ne lexuesve) në krye të dilemës. Proza e tij e zbret dhe e zhytë lexuesin në një ambient të egër, të pakuptimtë, ku njerëzit e lirë lakmojnë burgun, ndërkaq atyre që janë në burg u kihet lakmi për privilegjin e të ndodhurit aty – pra në burg.

    Romani Lavjerrësi i qytetit mund të thuhet se është një alegori ekzistenciale dhe psikologjike e botës shqiptare, një alegori e rrëfyer përmes një metafiksioni (shpërndërrimi narrativ), ku lexuesi shpeshherë mund të humb në “pyllin narrativ” e të mos e ketë idenë se cili është autori e cili personazhi. 

       Kjo alegori na rrëfen për Burgasin – një qytet aspak i lavdishëm, të cilit nami në botë i ka dalë vetëm për shkakun e të pasurit një burg të madh. Në atë vend gjithçka merr kuptimin nga rrënja fjalës burg (shih ironinë: “edhe vendi ku kishte lindur Mbreti niste me emrin burg”!). Me kuptimet e bartura Çela na prin drejt një hendeku alegorik për të na zbuluar fytyrën e errët të botës sonë. 

       Siç rëndom ndodhë në romanet e këtij shkrimtari edhe këtu shkrihet mjeshtërisht kufiri mes realitetit dhe fantazisë deri në atë masë sa ai kufi bëhet fare i papërfillshëm. Sikur te Apokalipsi sipas Shën Tiranës – kur lexuesi e kupton përmasën reale të Fundit të Botës – si një “e vërtetë” fare praktike dhe aspak fantaziste, edhe këtu na përshkruhet një botë e konstruktuar përmbys, ndërkaq në fund ajo amplifikohet dhe na del ashtu siç është në realitet: e pashpresë dhe e fundbotshme si ferri.

    Duke krijuar “korpusin” e qyteteve imagjinare, si Fifara (Goja e botës), Lavidani (Arkipelagu spiritus), Mamaci (Banketi i hijeve), Burgasi (Lavjerrësi i qytetit) etj., Zija Çela ka ndërtuar në fakt “kështjellën e absurdit shqiptar”. Edhe “kështjella” Çelës, sikurse ajo e Kafkës, reflekton ankthin dhe frikën kolektive.

    Sikurse në të gjitha klishetë e letërsisë edhe në këtë vepër përballen “e mira” me “të keqën”, “e ndershmja” me “të pandershmen”. Si pasojë e një vendimi qeveritar, në qytetin Burgas papritur nis një bashkëjetesë e çuditshme e “të keqes” me “të mirën”: të burgosurit të nxirren nga qelitë e burgjeve dhe pjesën e mbetur të dënimeve ta vazhdojnë nëpër shtëpitë e shtetasve të lirë. Dhe pikërisht këtu lind dilema e absurdit: cila paskësh qenë “e mira” dhe cila e “e keqja”, kush paskan qenë “të ndershmit” e kush “të pandershmit”?

    Edhe te Lavjerrësi i qytetit sikurse tek shumica e romaneve të Zija Çelës nuk është se na shpërfaqet një vizioni ri për një botë më të mirë, por edhe kësaj radhe autori përvijon mesazhin se, për “njeriun e shkretë” mbase nuk është i mjaftueshëm vetëm rrënimi i botës së vjetër, por ai duhet të këmbëngul që ta rrënojë së pari të keqën e botës së sotme.

    Romanet e Çelës duhet lexuar si protestë ndaj “diktaturës së tranzicionit” politik dhe social shqiptar, por edhe atij universal. Letërsia e tij është kritikë, dhe duke qenë kështu nuk mund të thuhet me siguri nëse ajo synon të ndreq diç në këtë botë të prishur, apo është vetëm një rrëfim tragjik për fatkeqësitë e pashmangshme të kolektivitetit.  

    Liria me tepri, në rrëfimin e Zija Çelës, është një utopi shoqërore që lartëson dhe glorifikon hipokrizinë, gënjeshtrën, mashtrimin, ndërkaq përulë dhe përbuzë nderin dhe dinjitetin njerëzor. E, ndërkaq, në këtë utopi liria personale është e pandashme nga liria kolektive.

    Në fund duhet thënë se Lavjerrësi i qytetit është një rrëfim i bukur për një botë të shëmtuar, një roman magjik e ngashënjyes që na shtyn për ta lexuar sërish e sërish.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË