Profesor Alfred Çapaliku është pedagog dhe studiues sistematik i letërsisë dhe kulturës shqiptare me një kontribut të dallueshëm në ndriçimin e autorëve dhe fenomeneve të anashkaluara të letërsisë shqiptare të traditës dhe bashkëkohësisë. Është i njohur tashmë edhe si poet lirik i veçantë. Prej vitesh anëtar i çmueshëm i Departamentit të Letërsisë dhe vitet e fundit edhe si anëtar me kontribute të rëndësishme në Qendrën e Studimeve Albanologjike, pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Vepra letrare dhe studimore e prof. Alfred Çapalikut është tashmë si një pikturë me bojëra vaji, të cilën për ta studiuar dhe shijuar duhet t’i qëndrosh në distancë, për shkak të lojës së dritës dhe hijes mbi relievin e saj.
Dhe me këtë distancë, më lejoni të sjell në vëmendje disa kontribute studimore me të cilat ai qëndron veçmas prej studiuesve të tjerë, si:
veprat monografike “At Vinçens Prennushi” 1996, e ribotuar me ripunim në vitin 2019, me titullin “Një jetë për Fe e Atdhe, I lumi Vinçens Prennushi”;
“Benardin Palaj” 1999;
“Gaspër Pali” 2002;
“Kolë Mirdita (Helenau)” 2015;
“Veli Stafa-Platonicus” 2018,
të cilat mbeten vepra me rëndësi themelore për këta autorë në studimet letrare shqiptare.
Bie në sy se këta autorë janë autorë të anashkaluar në studimet tona letrare dhe është meritë e veçantë e prof. Alfredit, sepse ka bërë objekt disa autorë të ashtuquatjur minorë, por me rëndësi për procesin letrar shqiptar të gjysmës së parë të shek.XX.
Për të shtuar përmbledhjet me studime letrare “Alfabeti i munguar” 2003, “Ese dhe studime letrare” 2005, “Luksi i kulturës” 2012, “Paralele foklorike ndërkufitare” 2005, “Penda të traditës” 2020 dhe tani me përmbledhjen e fundit studimore “Odeon” 2024, përmes të cilave autori ka gdhendur vendin e tij në historinë e studimeve tona letrare, përmes një pune të zellshme dhe kurajoze duke bërë objekt shqyrtimi autorë dhe fenomene të ndryshme të letërsisë shqiptare, duke qenë një shembull për t’u ndjekur nga brezi më i ri i pedagogëve dhe studiuesve në fakultetin tonë.
Libri më i fundit “Odeon” është një përmbledhje prej 25 artikujsh studimorë dhe kritikë letrare të shkruara dhe të botuara në revista shkencore dhe periodikë letrarë dhe kulturorë përgjatë viteve 2018-2024.
Në këtë përmbledhje autori paraqet të dhëna me interes studimor dhe enciklopedik për 24 autorë të traditës sonë letrare dhe kulturore, si:
Pjetër Budi, Leonardo De Martino, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Antonio Busetti, Benardin Palaj, Donat Kurti, Ernest Koliqi, Kolë Ashta, Kolë Thaçi, Injac Zamputti, Veli Stafa dhe Vehbi Bala, por edhe për autorë bashkëkohorë, si:
Bahri Beci, Ismail Doda, Ermira Alija, Ardian Ndreca, Arben Prendi, Anton Gojçaj, Mimoza Hafizi, Andreas Dushi, Basir Bushkashi dhe Hasan Hasani.
Në këto artikuj ndërthuret me mjeshtëri njohja enciklopedike e veprës së autorëve dhe analiza e thellë e studiuesit të kultivuar, që përmes një stili elokuent mbërrin të distilojë esencën e vlerës që përmban vepra apo autori i bërë objekt studimi.
Për autorët e traditës studiuesi plotëson mozaikun e studimeve të mëparshme letrare me interpretime dhe komente të reja, ndërsa për autorët bashkëkohorë me kurajo e thotë fjalën i pari, duke anashkaluar paragjykimet e zakonshme për autorët më të rinj, duke vënë në dukje vlerat që ata sjellin në studimet letrare apo në krijimtarinë letrare bashkëkohore.
Në artikujt e këtij vëllimi autori shquhet për erudicionin e gjerë, sintezat e sigurta, bibliografinë e pasur dhe temparamentin e krijuesit letrar, që e ndihmon të jetë në sinkron me autorët dhe veprat e autorëve të shqyrtuar.
Në mënyrë të veçantë, artikujt “Publicistika e Kolë Thaçit”, “Poemat e Kolë Thaçit”, “Vendi i Kolë Thaçit në letërsinë shqiptare” sjellin një kontribut të ri, duke sjellë në vëmendje një autor pak të njohur dhe të anashkaluar në studimet tona letrare. Edhe këta artikuj e bëjnë prof.Alfredin të parin studiues, që ka kontribut të këtyre përmasave për këtë autor, dhe me siguri do të shërbejnë për studime të tjera në të ardhmen.
Përmbledhja me studime letrare është përveç të tjerash edhe një doracak praktik për njohjen dhe studimin e autorëve të paraqitur këtu, si nga ana e studiuesve të fushës, por edhe nga një lexues më pak i specializuar. Kjo edhe për shkak të stilit të përdorur, ndërmjet disa tipave të analizës historiko/letrare, studimore/kritike, por edhe eseistike dhe komentuese e mbi të gjitha për komunikativitetin në lëvrimin e një gjuhe të qartë, korrekte dhe të sigurtë, ku spikatë dora e mjeshtrit në parashtrimin e problemit të marrë në shqyrtim, zhvillimin e tij dhe në rezultatin e punës kërkimore studimore.
Me përmbledhje studimore “Odeon” autori e kompleton më tej, me elegancë, opusin e tij studimor mbi disa autorë të traditës dhe të bashkëkohësisë letrare.