More
    KreuLetërsiBibliotekëArben Dedja në përkthim dhe krijim

    Arben Dedja në përkthim dhe krijim

    Nga “Biblioteka futuriste” (Arben Dedja, Pika pa sipërfaqe, 2022)

    1- Sotir Deludhi, Delet e fshatit tim, studim + 50 fotografi delesh (me ngjyra)

    Përveç titullit, ky libër nuk ka asgjë bukolike. Autori, siç e pohon edhe vetë, u ul dhe e shkroi nga dashuria për gjuhën shqipe, aq të keqtrajtuar e të masakruar tash së fundi. Shqipja gjuhë e varfër, e shkruar vonë, në rrezik? Aspak!

    Thotë Profesor Deludhi:

    Pa t’i trajtojmë njëherë pa doreza pasuritë e saj të thella, leksikun e pasur që gjyshërit tanë, barinj të rrafshnaltave epike përdornin, për shembull, për të dalluar delet e kopesë! Numri i këtyre fjalëve – ndonëse mbërritur i gjymtë – është aq i pasur e i larmishëm sa do të mjaftonte, i vetëm, për ta shtuar leksikun tonë të mrrudhur nga dyndjet e huaja me disa mijëra fjalë autoktone më shumë. Balë, bejkë, briçe, çalë, groshare, hutë, kaçe, kërrutë, larë, lavaçe, leke, lepe, llashkë, llajë, mazhë, miskë, qerbë, skuqe, syskë, sykuqe, sharkë, shytë, thinjë, zekë… etj., etj., nuk janë fjalëshpejtëza, por gurë të rëndë në themelet e gjuhës sënë.

    Vazhdon autori:

    Nganjëherë dallimet midis deleve janë të holla, gati të padukshme për ne, dystabanët: por shpirti piktorik i të parëve nuk lë rast pa na mrekulluar: syskë, është një dele e bardhë me rrathë të zinj rrotull syve, kurse sykuqe, pavarësisht nga emri, është prapë një dele e bardhë, por kësaj radhe me njolla kafe rrotull syve. Nganjëherë një emërim krejt i thukët mban përbrenda, si ideogramë, një përshkrim që do të desh përndryshe dhjetra fjalë (për shembull: leke = dele këmbëshkurtër me pulla të vogla të verdha poshtë syve dhe me nga një njollë kafe në të dy faqet).

    A i memorizuat ndoca këto fjalë? – pyet më poshtë autori në kapitullin mbi sinonimitë. – E pra, kjo listë mund të dublohet kollaj në qyen tjetër të të njëjtit mal. Përse bariu fqinjë duhet të përdorë po atë “terminologji” për delet e veta? Fantazia dhe kreativiteti i njeriut shqiptar, i lirë në trojet e veta alpine, ishte pa cak. Delen që i pari e quan briçe, ky e thërret koçe (të mos ngatërrohet me kaçe, që është krejt tjetër dele), pa miskën e quan sorrmë, syskën kaleshe, zekën galë e me radhë. […]

    Në këtë pikë autori u propozon gjuhëtarëve me profesion t’i përdorin njëfarësoj këto fjalë, t’i specializojnë edhe më, duke ua shtuar nuancat qimeve gjedhore dhe, si pasojë, thesaret shqipes. Ai, ama, është i vetëdijshëm që nuk mjafton që fjala të qëmtohet fjalorëve e të vihet në dukje në një libër të vetëm. Fjala jeton në komunikim. Po nuk u përdor (medet!) ajo vyshket, vdes. Si i bëhet, pra, për ta mbajtur ndezur traditën e bukur, tani që barinjtë vërtet të apasionuar kanë emigruar prej vitesh në Zvicër qoftë, a në Sardenjë, dhe të mbeturit stralleve shqiptare e kanë orientuar inteligjencën dhe formimin e tyre drejt kultivimesh bimore me jehonë ndërkombëtare? Si i bëhet fjalës llashkë, për shembull? Apo fjalës sharkë? Në njëfarë mënyre ato duhet të integrohen në indin e modernitetit shqiptar. Po qysh?

    Këtë e mësojmë në kapitullin e fundit të librit. Arsyetimi është i hollë, i katërçiptë, ka gjallërinë e zhivës. Vetëm se nuk jemi të sigurt: autori e ka me tërë mend apo po lot me ne një rrurëz qeshjeplotë? Dakord, sugjeron që në realitetin urban të Shqipërisë riciklimi i këtyre termave të bëhet duke u dhënë atyre një ngjyresë figurative, duke i përdorur si trope/metafora (nuk mund të mendohet më që delet, dora vetë, të ecin serbes nëpër Bulevardin Zogu I).

    Heroi e vrau birin e Makut;

    Pati stuhi shpatash dhe haje korbash.

    Janë vargje nga Saga islandeze e Grettir-it, shkruar aty rreth vitit 1000, siç na rrëfen Borges-i. Vargu i dytë këtu, me anë të metaforave (me kalimin e kohës ato u bënë pjesë e pandarë e gjuhës sa askush nuk i vinte më re) do të thotë që pati një betejë (stuhi shpatash) me të vdekur (haje korbash). Kështu duhet proceduar edhe me emërtimet e deleve shqiptare. Dhe vendi më i mirë, sugjeron autori, ku këto fjalë do të ngjisin vërtet në matricën e gjuhës është po qe se përdoren, ashtu të tëra, nga janë e nga s’janë, për të identifikuar diçka të përhershme e aktive. Për shembull: parlamentarët. Njëqind e dyzet parlamentarë: jo më njëqind e dyzet germa twitter-i për t’u klikuar (për të cilat, meqë ra fjala, pulqerët e tyre me manikyr, por edhe me dhé e graso brenda thonjve, janë të hajthëm fort), por njëqind e dyzet lloje delesh për ta dalluar njëherë e përgjithmonë njërin parlamentar nga tjetri, për ta fiksuar atë mirë në ndërgjegjen e thellë popullore dhe për ta pasur të përbashkët kopenë që qen pastorë e ruajnë vëngër. Kryetari i Parlamentit bën sikur nuk e dëgjon deputetin e opozitës që kërkon fjalën, që propozon diçka të arsyeshme? Ok, po sikur ta thërrasim, për shembull: hutë, që është një dele me veshë shumë të vegjël. Një parlamentar propozon një ligj jashtë faze, e mbi të gjitha, të papërpunuar juridikisht? Po sikur t’i themi: llashkë (kështu quhet delja që pjell para kohe)? Dyshimi për një shaka djallëzore mbetet, por kënaqësia e të lexuarit është edhe më e madhe.

    Së fundi, si recensues i parë i këtij teksti, shpreh një peng: për arsye banale, rënduar nga pandemia Covid, ky studim nuk arriti të dalë në kohë për Panairin e 24-t të Librit “Tirana 2021”. Disa fotografi me ngjyra delesh, që autori desh me çmos t’i përfshinte, e ngadalësuan në mënyrë fatale shtypshkrimin. I kam ndër duar, por nuk po i nxjerr këtu se druaj mos ndesheni në ndonjë fytyrë të njohur.

    Lexim të mbarë!

    2- Dhoksan Pano, Një teori e përkthimit letrar (prolegomenë e metafizikës dhe e fizikës së përkthimit), studim

    Kush i ka shkruar i pari Rubairat? Omar Khajami apo Edward FitzGerald-i? E Fan Noli, a nuk ka qenë ai më i pari fare? Pyetjet, në vetvete të fandaksura, nuk mbeten të këtilla pasi të keni lexuar Një teori e përkthimit letrar…, të Dhoksan Panos, i njohur për publikun si i ashtuquajturi “përkthyesi alpin” (jeton dhe punon në një kullë të alpeve shqiptare, 1.950 metra mbi nivelin e detit), me disa kryevepra shqipëruar qysh në rininë e hershme, por më vonë, kur si autoritet i letrave anglofone mori tagrin që meritonte, i përmendur për dhënien në shqip të disa autorëve pak ose aspak të njohur, nganjëherë enigmatikë, pse gjurmët e tyre nuk gjenden gjëkundi, as në internet. Kurse tani, në prag të moshës së tretë, vjen para botës intelektuale me këtë studim të mirëfilltë mbi natyrën e përkthimit dhe raportin midis tekstit të përkthyer dhe “origjinalit”.

    Ç’kuturisje lavdimadhe! I mbudhur nga teoritë e Platonit mbi idetë, por edhe nga teoritë më moderne të fizikës mbi relativitetin e kohës, studiuesi Pano na shpalos këtu të vërteta të paimagjinueshme mbi përkthimin. Nga ky sinkretizëm i papritur lind një teori revolucionare që autori ynë jo vetëm e ka përqafuar në sferat e larta të mendimit, por edhe e ka kthyer në formë jete. Pa dashur të bëjmë ndonjë spoiler, thelbi i teorisë fillon të marrë trajtë me konceptin e ideve te Platoni, që i quan ato, idetë, pra, banore të një bote sipërane, të fiksuara në amshim; kurse ne merremi vetëm me një pasqyrim të zbehtë të tyre në mendjen tonë, në jetën tonë. Kështu, pohon Pano, ndodh edhe me tekstet letrare që, tekefundit, mbartin ide: përpara se të shkruhen ato ekzistojnë në botën sipërane.

    Çdo libër, pra (flasim për kryeveprat), sipas studiuesit – më mirë të themi “mendimtarit” Pano – është shkruar prej kohësh e ndodhet tashmë në dorëzim në Republikën e Ideve të Platonit, ku pret të kapet nga një dorë e sigurt dhe e padukshme, që të shfletohet para syve të lëbyrur të botës. Meqë, sipas Panos, ndryshimi i vetëm mes një vepre “origjinale” dhe po të njëjtës, por të “përkthyer”, është të qenit e sfazuar në kohë dhe vetëm kaq – akti krijues, vlaga e frymëzimit, përfytyrimit e gjithë të tjerat janë njëlloj – mbetet thjesht të përcaktohet kush e ka vënë dorën i pari në raftin e ideve. E sikur të provohet që Fan Noli ta ketë bërë përpara Khajamit? Për këtë, Pano është i sigurt. Dhe pikërisht këtu fut në lojë konceptin e kohës. Koha është relative. Dhe fizika e mijëvjeçarit të ri tashmë e ka provuar: kur je lart, koha lëviz më shpejt. Ndaj edhe Dhoksan Pano jeton majave të alpeve shqiptare që, duke e pasur kohën e tij që kalon më shpejt, t’u paraprijë – siç ka bërë – autorëve, atyre autorë të gjuhës angleze që mëton t’i ketë përkthyer këta vitet e fundit: autorë që, me gjasë, nuk janë bërë ende të tillë, ndonjëri syresh është ende në kopsht, ndaj dhe nuk ia gjejmë emrin nëpër internet a kudo qoftë, por që më vonë, me siguri, do të shpërthejnë, me veprën që Dhoksan Pano e ka përkthyer ndërkohë në shqip, vepër që autorët do ta nxjerrin me përdëllesë, me përtesën që u jep koha, nga rafti i ideve, si “origjinale”.


    Nga “Sinagoga e ikonathyesve” (J. Rodolfo Wilcock, përktheu Arben Dedja, Pika pa sipërfaqe, 2019)

    1- A. De Paniagua

    Dishepull i Elisée Reclus-it dhe mik i Onésime Reclus-it, A. De Paniagua shkroi Qytetërimi neolitik për të treguar që raca frënge është e zezë në origjinë dhe rrjedh nga India jugore, çka nuk përjashton që në kohë edhe më të lashta francezët të kenë ardhur nga Australia, duke pasur parasysh lidhjet gjuhësore që, sipas Trombetti-it, afronin gjuhët dravidike[1] me australishten primitive. Këta të zinj lëshoheshin nëpër shtegtime pafund; totemi i tyre parak ishte qeni, siç e tregon rrënja “kur”, prandaj edhe quheshin “kuretë[2]”. Duke qenë se s’linin vend pa udhëtuar, gati në të gjitha viset e botës gjendet rrënja “kur”: Kurlandia, Courmayeur, Kurdistan, Courbevoie, Couringa e Kalabrisë, Kurbini dhe ishujt Kujrile. Totemi i tyre i dytë ishte gjeli, siç e tregon rrënja “kor”, prandaj edhe quheshin “koribantë”. Emra visesh që fillonin me “kor” ose “cor” – Korea, Kordova, Kordofan, Cortina, Korça, Corato, Korfuzi, Corleone, Kork, Cornwall dhe Cornigliano Ligure – gjenden pak a shumë në gjithë botën, kudo ku kanë kaluar paraardhësit e francezëve.

    Një pasion i tillë shtegtues shpjegohet pjesërisht me faktin, me sa duket të vërtetuar, që në çdo vis ku mbërrinin kuretë dhe koribantë, qoftë ajo Skithia apo Skocia (me sa duket e njëjta fjalë), Japonia apo Amerika, ata bëheshin të bardhë; me raste, të verdhë. Francezët e hershëm ndaheshin në dy grupime të mëdha: kur-ët që ishin qentë e mirëfilltë dhe kor-ët që ishin gjelat. Këta të fundit ngatërrohen shpesh nga etnologët me qentë: prirja thjeshtëzuese çon (medet!) drejt varfërimit të historisë, vëren Paniagua.

    Qen dhe gjela përshkojnë stepat e Azisë Qendrore, Saharanë, Pyllin e Zi, Irlandën. Janë shamataxhinj, gazmorë, inteligjentë, janë francezë. Dy shtysa të mëdha kozmike bëjnë që kuretët dhe koribantët t’u japin këmbëve fort: shtysa e të shkuarit për të parë ku lind dielli dhe ajo e të shkuarit për të parë ku dielli falet. Të udhëhequr nga këta dy impulse të kundërt dhe të pandalshëm, bëjnë pa e kuptuar një udhëtim rreth botës.

    Drejt lindjes largohen duke dëfryer e duke ngulur rrugës menhirë[3]. Mbërrijnë në ishujt Kujrile; edhe një hap e hidhen në Amerikë. Për ta vërtetuar këtë, mjaft të gjejmë një emër vendi të rëndësishëm që fillon me “Kur”. Afërmendsh, kemi Groenlandën, emri i saj i vërtetë, shpjegon Paniagua, duhej të qe Kurelandë. Gabim do të ish, pra, të mendohej që “Groenlandë” domethënë tokë e gjelbër, për sa kohë që Groenlanda është e bardhë, ngado ta shohësh; por letra e fortë në dorën e etnologut është një fotografi me dy eskimezë, shkrepur ndoshta gjatë perëndimit të pafund polar: ç’është e vërteta, janë skrop të zinj.

    Të tjerë kuretë dhe koribantë, edhe ata duke kërcyer, edhe ata tebdilë si qen dhe si gjel, nisen drejt perëndimit. Ngjiten përgjatë Isterit (sot Danub), të shtyrë nga një ideal revolucionar; në gjakun e errët të racës ndiejnë nxitjen ngazëlluese për të themeluar Francën. Sa i përket lëkurës, me të kaluar Ballkanin bëhen të bardhë, leshverdhë bile. Kësisoj vendosin të marrin emrin zulmëmadh të keltëve, për t’u dalluar nga zezot e mbetur pas. Autori shpjegon që keltë domethënë “adhurues qiellorë të zjarrit”, nga “kel”, qiell (kalimi nga velar në palatal, etimologji e drejtpërdrejtë) dhe “të” (zjarr në dravidisht, etimologji e tërthortë).

    Ndërkohë që të bardhët-sefte i ngjiten përpjetë Danubit, Paniagua lëvdon durimin dhe trimërinë e tyre: shumë mund, shumë lumenj e male për t’u kapërcyer, për të shkuar e vënë gurët e parë të një ndërtese drite e farfurish, ku qëndron i paluajtshëm shpirti i thellë i Francës.

    Teksa çapiten, keltët dërgojnë poshtë e lart misione eksplorues që themelojnë ngulime që më vonë u bënë të famshme; për shembull, Venecia (emri origjinal frëng, Venise) nga dravidishtja “ven”, i bardhë, dhe nga keltishtja “is”, poshtë. Vështirë të gjesh etimologji më të saktë, komenton Paniagua. Një tjetër shmangie shtegtuese, dhe tirolezët shkëputen nga dega kryesore për t’u vendosur në mënyrë të qëndrueshme në brigjet e Tirrenit, siç na e rrëfen rrënja Tir.

    Një degëzim edhe më radhëngjeshur, durimhumbur ngaqë Zvicra nuk i lë të kalojnë, zbret përgjatë lumit Po dhe themelon Italinë (emri origjinal frëng, Italie). Etimologjia është goxha intuitive edhe me këtë rast; “ita” vjen nga latinishtja “ire”, udhëtoj, dhe “li” nga sanskritishtja “lih”, lëpij. Kjo do të thotë që qentë kuretë jo vetëm lehin, por edhe lëpijnë; Itali pra domethënë “vendi i qenve endacakë lëpirës”. Çka del edhe më në pah po të mendosh ligurët, atë popull misterioz: li-kuri, ose më mirë qentë lëpirës në kulm.

    La Civilisation Néolitique (1923) është botim i shtëpisë Paul Catin; blej të tjerë të së njëjtit gjerdan janë Artiljeri im, i kolonelit Labrousse-Fonbelle, dhe Hellas, Hélas! (kujtime pikante të Selanikut në kohë lufte), i Antoine Scheikevitch-it.

    2- Henry Bucher

    Në moshën 59 vjeçare, belgu Henry Bucher në të vërtetë ishte vetëm 42. Arsyet e kësaj tkurrjeje kohore jepen në parathënien e librit të tij me kujtime, Souvenirs d’un chroniqueur de chroniques (Liezh, 1932): “Me t’u diplomuar dhe përudhur me tërë vlugun e viteve të mia më të gjelbërta kah studimi ëndjeplotë i historisë, shpejt kuptova që detyra e gjetjes, përkthimit dhe komentimit të korpusit të plotë të kronistëve mesjetarë – pararendësit obskurë të Froissart-it dhe Joinville-it, të të madhit Villehardouin dhe të Commines-it – për të cilën i isha zotuar vetes ta kryej, katërçiptazi dhe spikatshëm, i kalonte caqet kohore të parashikuara: nuk do të më mjaftonte, ndoshta, një jetë për ta përmbushur. Duke lënë mënjanë punën hulumtuese të teksteve të humbura, më së shumti të kryer – dhe kryer për mrekulli – nga mësuesi im i nderuar Hébérard De la Boulerie, vetëm përkthimi nga latinishtja në frëngjisht (nga një latinishte jo rrallë e bastarduar në frëngjishten sqimatare të ditëve të sotme) do të më hante tërë harkun e viteve që, sipas gjasës, më kishin taksur Parkat; po t’i shtohen kësaj shënimet, gjetjen e përputhjeve – por në rastin në fjalë shumë më e drejtë do të ish t’i quaje shpërputhje – daktilografimin, po dhe detyrimet e ndryshme që kanë të bëjnë me çuarjen për shtyp, korrigjimin e bocave, esetë hyrëse, zhvillimet polemike, letërkëmbimin me Akademitë e të tjera, plus gjëra të paparashikuara, lexuesi do ta kuptojë me ç’siklet dhe ndërdyshje ai djaloshi që isha atëbotë, në prag të të njëzetepesave, iu desh të merrte në shqyrtim mundin e hatashëm që po i fanepsej dhe nevojën urgjente për një plan të mirëmenduar pune.

    “Tërësia e kronikave historike për t’u përkthyer dhe pajisur me shënime, hiq zbulime të reja tashmë të pagjasa, ndonëse gjithnjë të mundshme, qe e njohur dhe e stërnjohur nga ana ime; sidoqë, i kisha vënë vetes një cak të mëtejshëm, atë të të marrurit vetëm me vepra hartuar në shekujt nga i nënti te i njëmbëdhjeti. Të dymbëdhjetin e kish uzurpuar, ca si tepër shkëlqyeshëm, kolegu Hennekin nga Strasburgu; nga i teti, Kisha ruante koprracisht në katakombet të veta (dans ses caves) perlat më premtuese. Edhe kësisoj, ata tre shekuj të shkretë lypnin – duke i rrumbullakosur hesapet mangët – të paktën tridhjetë vite përkthime; shto punët e mbetura, nuk do të mundja dot ta kurorëzoja veprën time përpara të tetëdhjetave. Për një djalosh ambicioz dhe të paduruar, gjendja statike e një tetëdhjetëvjeçari mund të duket nganjëherë, po themi pa ndonjë motiv të arsyeshëm, pak tërheqëse, dhe pa lavdi dafinat që pashmangësisht – por jo gjithmonë – e stolisin. Kështu m’u duk atëbotë; ndaj sajova një mënyrë, në mos për ta mundur, të paktën për ta ndalur kohën.

    “Me mprehtësi kisha vëzhguar ndërkohë që një personi tejet aktiv nuk i del java për të plotësuar detyrimet e një jave; punët e shtyra grumbullohen (t’u përgjigjesh letrave, të vësh rregull në dorëshkrimet dhe çorapet e tua, të rishohësh shkrimet për shtypin makut, pa harruar udhëtimet, dasmat, vakitë, revolucionet, luftërat dhe bjerraditje të këtij lloji) aq sa në njëfarë pike lipset ta ndalësh të tatëpjetën e ditëve, për t’iu kushtuar siç duhet detyrimeve të lëna pas dore. Paskëtaj do të qe e lehtë ta rivije në lëvizje kohën, të çliruar nga punët e prapambetura: të lirshme, të rilindura, të shkrydhëta, pa zvarrisje.

    “Dhe kështu bëra, me ndihmën e kalendarit tim personal: një ditë çfarëdo, po themi 17 korrik, mbaroja, për shembull, së përkthyeri Librin e Tretë të Otonit të Trevirit. Ndaloja datën; ipso facto[4] isha i lirë të shtypja me makinë dorëshkrimin, të korrigjoja bocat e Librit të Parë, të merrja pjesë personalisht në Kuvendin e Historisë së Triestes, të përpiloja Shënimet e Librit të Dytë, të hidhesha pak andej nga Sorbona për të demaskuar një Apokrif, të përditësoja letërkëmbimin, të shtyhesha deri në Ostendë me biçikletë; dhe kjo e gjitha duke e ruajtur gjithnjë fikse datën 17 korrik. Dikur, pa pësuar më detyrime a shtrëngesa, merrja në duar Librin e Pestë dhe i futesha përsëri punës. Për të tjerët, kishin kaluar gati dy muaj, po ia niste vjeshta; kurse për mua ishte ende korrik, tamam-tamam 18 korrik.

    “Pak e nga pak pata ndjesinë e qartë, të përforcuar edhe nga faktet, e të mbeturit prapa në kohë. Kur prusianët pushtuan trojet tona të dashura, duke prerë gjinjtë e grave shtatzëna dhe, ç’ish më e keqja, telat e korrentit, isha ende i ngecur më 1905-ën; lufta e ’14-ës mbaroi për mua qysh më 1908. Sot, që më në fund arrita ’14-ën, atdheu im i gjorë ka mbërritur më 1931 dhe po kalon, me aq sa thonë, një krizë të rëndë ekonomike; besa, kam vënë re që, sa herë ndaloj kalendarin, çmimi i letrës pëson rritje të madhe. Nejse, falë kësaj kohe të fituar, nuk jam lodhur; ndihem i ri, bile jam i ri; historianët vërsnikë janë tashmë te të gjashtëdhjetat, unë sapo kam kapërcyer pragun e të dyzetave. Ky marifeti im i thjeshtë u tregua dyfish efikas; edhe dhjetë, dymbëdhjetë vite të tjera dhe do ta kem përmbyllur veprën, botimin e plotë në frëngjishte të rrjedhshme moderne, me komente po aq të rrjedhshme, të 127 kronikave të tre shekujve; në vërsën vetëm dyzetepesëvjeçare do të njoh, në mos lavdinë, pataksjen admiruese të kolegëve dhe, pse jo?, të zonjave”.


    [1]  Familje gjuhësh pa lidhje me grupe të tjera linguistike, që përmbledh rreth 85 gjuhë dhe flitet nga mbi 200 milion njerëz, gjeografikisht e përhapur në Indi dhe Sri Lanka, si edhe në disa enklava gjuhësore në Pakistan, Nepal, Bangladesh, Butan etj.

    [2]  Grup hyjnish minore të mitologjisë greke, pjesë e shpurës së Reas, gruas së Kronosit. Shpesh identifikohen edhe me koribantët.

    [3]  Nga gjuha bretone men dhe hir, “gur i gjatë”, monumente megalitë monolitë të periudhës neolitike dhe epokës së Bronzit, të përbërë, pra, nga një gur i vetëm në trajtë paralelopipedi të stërgjatur (deri 20 metra të lartë), ngulur vertikalisht në dhe.

    [4]  Shprehje latine (fjalë për fjalë “mbi vetë faktin”). – 1. Përdoret (shpesh me ton shpotitës) në kuptimin “menjëherë, aty për aty, pa kohë tjetër midis”. 2. Për vetë faktin, automatikisht. Këtë kuptim e kemi veçanërisht në kodin e së drejtës kanonike, për të treguar që vetë fakti që ke shkelur një ligj bën të pësosh automatikisht dënimin përkatës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË