I
Tashmë është e njohur se letërsia nuk është shkencë nga se për hartimin e veprave përkatëse letrare përdoret si materie kryesore gjuha poetike dhe se teksti letrar synon sa më shumë kuptime. Teksti i natyrës shkencore synon njëkuptimësinë, përkufizimin, saktësinë. Për t’ia dalë kësaj edhe për shkencëtarin, edhe për shkrimtarin, është e domosdoshme dije sa e thellë aq e gjerë dhe përkushtim i madh në punën që bën.
Pra, për shkrimtarin janë të domosdoshme njohuritë e mirëfillta për letërsinë, për natyrën dhe llojet e saj. Ai duhet ta njohë sa më mirë traditën letrare, qoftë në rrafshin kombëtar, qoftë ndërkombëtar. Sa më shumë që shkrimtari e njeh këtë traditë, bëhet i vetëdijshëm për zgjerimin e përhershëm të njohurive për artin e fjalës, po dhe për fusha të tjera të veprimtarisë së njeriut. Kjo gjë mundëson përftimin e veprave të arti që do t’u qëndrojnë kohëve. Në punimin “Piksime Estetike mbi zêje të fjalës” (i nënshkruar vetëm me shkronjën X) Fishta vë në dukje se në artin e fjalës, si dhe në çdo mjeshtëri tjetër, kërkohet përgatitje e përvojë dhe një përkushtim i madh për përftimin e veprave me vlera të rëndësishme, që do të shtegtojnë pastaj nëpër breza njerëzish, duke u qëndruar kohëve të përardhshme[1].
Domosdoja e njohjes së natyrës së letërsisë dhe të traditës letrare, përkatësisht të veprave të krijuesve më të mëdhenj paraprakë, dëshmohet edhe nga ky mendim i poetit tonë të shquar, Lasgush Poradecit: “Unë jam Bücherwurm – krimb librash – që rri ditën e natën mbi libra[2]”. Pra, arti i Poradecit, siç ka ndodhur dhe me të gjithë shkrimtarët e rrafshit të tillë, ishte rrjedhojë e leximit, e njohjes të letërsisë sonë dhe e ngritjes së vijueshme të tij si krijues.
Për një varg shkrimtarësh tanë dija e mirëfilltë, qoftë për natyrën e letërsisë, qoftë për njohjen e traditës letrare, sikur nuk përfillet, gjë që ka shkaktuar edhe zbritjen e cilësisë së letërsisë sonë e të llojeve të saj. Kjo dukuri e kishte shqetësuar në kohën e tij edhe poetin tonë të madh dhe njërin nga estetët më të shquar, Fishtën[3], prandaj thotë me ironi: “Due me thânë, se per ç’do zanát, qi do me kapë nieri, duhet nji farë pregatitje gjithkund […]. Vetem âsht nji zanát, qi në Shqypní s’lypë kurrfarë pregatitje: letersija!”[4].
Disa nga shkrimtarët tanë (mjerisht edhe disa nga ata që kinse merren me studimin e letërsisë dhe me kritikë letrare) ende nuk e dinë atë që pati thënë Jurij. M. Lotman: “Tashmë moti është futur në përdorim krahasimi i artit me jetën. Mirëpo, vetëm tash po bëhet e qartë sesa shumë të vërteta ka në këtë krahasim, i cili dikur ka tingëlluar si metaforë. Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të merret me indin e gjallë[5]”.
Gjuha poetike e një vepre të mirëfilltë letrare nuk vjetrohet, por vazhdon komunikimin nëpër breza. Ajo i ofron lexuesit një shumësi sa më të madhe kuptimesh; e vë përballë mundësive të shumta, të thuash të pafund, ku teksti poetik e përligj qenësinë e vet. Me cilësi të tilla ai nxit komunikim më të thellë e më të mirëfilltë dhe bën ndikim estetik më të madh në marrësin[6]. E tillë nuk është e nuk mund të jetë gjuha e komunikimit dhe e kuvendimit të përditshëm (të rëndomtë), që ka për qëllim të sjellë një kuptim të vetëm, të jetë shprehje një kuptimore.
Nga shumësia kuptimore që shkakton teksti poetik tek marrësi, i mundëson atij jo vetëm të përcaktohet për ndonjërin ose për disa prej tyre (kuptimeve), por e nxit të krijojë e të shumëzojë brenda vetes edhe kuptime të tjera të mundshme, që lidhen me botën dhe me shpirtin e tij. Asnjë lloj teksti që nuk i ka këto cilësi, as një lloj tematike ose motive që e cilësojnë tekstin përkatës, nuk mund të shkaktojnë kënaqësi shpirtërore. Letërsia është art i fjalës art dhe para së gjithash është shtjellim gjuhësor poetik dhe shumësi kuptimore. Pra, magjia e fjalës, siç thotë Stevenson, është një ndër cilësitë themelore që duhet të zotërojë një shkrimtar[7].
II
Në çastin kur shkrimtari i jep dorën e fundit një vepre të vet, kur bindet se teksti i saj shpreh atë që ai e ka menduar dhe duhet të jetë e tillë, ua “hedh” në duar lexuesve, e boton. Mirëpo, në rrjedhë të moteve, ose edhe pa kaluar shumë kohë (këtu s’ka as nuk mund të ketë rregull), ai bindet se veprës përkatëse duhet t’i shtohet ose t’i hiqet diçka. Së këndejmi, përcaktimi që t’i kthehet përsëri veprës së vet të dikurshme dhe ta përpunojë, është i natyrshëm dhe, në të shumtën e rasteve, ka dhënë fryte të rëndësishme.
Arsyet për ndërrim dhe mënyrat e ndërrimit të veprës përkatëse te secili krijues janë të ndryshme, po dy prej tyre duhet të jenë më kryesoret:
a) ngritja e rrafshit artistik të veprës përkatëse
b) bërjen e saj më të komunikueshme dhe mundësinë e ndikimit më të madh estetik në marrësin.
Ngritja e cilësisë artistike të një vepre letrare nënkupton, para së gjithash, ngritjen dhe pasurimin e shtjellimit gjuhësor poetik, të sistemit të të shprehurit. Vetëm përmasa artistike është përbërësi që i jep vlerën kryesore një krijese letrare dhe e bën atë pronë të kohëve.
Pra, struktura e tillë gjuhësore shprehëse mundëson shqiptimin më të ndërliqshëm të dukurive të botës e të rrjedhave të jetës së njeriut; ballafaqimin e njeriut me vetveten dhe me të tjerët, me të panjohurën dhe me të papriturën. Me fjalë të tjera, vetëm nëpërmjet mesazhit poetik, që është fryt i shtjellimit të tekstit, vepra letrare është në gjendje të bëjë një ndikim sa të thellë aq edhe të gjithanshëm estetik në marrësin.
Gjithë ajo që thashë më lart lidhet pandërmjetësisht me romanin e Azem Shkrelit “Karvani bardhë”, varianti i vitit 1996.
Vendimi i Azem Shkrelit t’i kthehet romanit “Karvani i bardhë”, të botuar për herën e parë më 1961, pas 30 vjetësh, nuk është i rastit. Këtë ai e vë në dukje në shënimin hyrës të variantit të dytë”:
“Sa isha nxënës i Shkollës normale në Prishtinë, kisha botuar një libër me poezi. Kujtoja se mund të shkruaja edhe roman dhe shkrova ‘Karvanin e bardhë’. Roman nuk ishte, ishte një skicë për roman. Aq mund të bëja atëherë.
Lexuesit e quajtën librin tim roman dhe e pëlqyen. Kritika po ashtu. Nuk e patën vështirë ta quanin roman të mirë, ta lavdëronin e ta shpërblenin. Ne shkrimtarët në Kosovë nuk kishim botuar dhe shumë romane me të cilat ta krahasonim.
Me botimin, as me lavdërimin e asaj skice për roman, jo që nuk u qetësua, por u ndez edhe dëshira ime ta shkruaja edhe një herë ‘Karvanin e bardhë’. Tani ai u shkrua.”[8]
Edhe pa këto fjalë të autorit, lexuesi i dy varianteve të “Karvanit të bardhë” – të vitit 1961 dhe të vitit 1996 – nuk e ka vështirë të thotë se ato janë dy vepra të pavarura. Ndryshojnë mes veti, edhe si sasi, edhe si cilësi. Sidomos në rrafshin e shtjellimit, si vlerë, si mesazh poetik, varianti i dytë ngrihet për shumëçka mbi të parin.
Në variantin e dytë të romanit autori shtoi dhe njësoi një varg gjërash, ose ato të vjetrat i trajtoi nga këndvështrime e mënyra të ndryshme; i shprehu me një gjuhë të zgjedhur dhe të pasur; i shpalosi më thellësisht botët e personazheve e marrëdhëniet shoqërore dhe në këtë mënyrë krijoi një vepër me vlera të mëdha, që e bëjnë atë ndër romanet më artistikë të shkruar në gjuhën tonë.
Në rrjedhën e shtesave duhet përmendur sidomos personazhet: Laken e Tahir Talit dhe serbin, Jagoshin, të birin e Kërst Kapllarit, të cilët në disa pikë kanë kushtëzuar ndërrimin e shtjellimit të romanit dhe rrjedhën e objektit poetik. Edhe personazhet e variantit të parë (ata ruajnë, edhe emrat, edhe disa nga tiparet kryesore që i kanë në variantin e parë të romanit) në variantin e dytë kanë pësuar ndryshime.
III
Dy çështje kushtëzojnë ndryshimet e mëdha midis këtyre dy varianteve të romanit “Karvani i bardhë”:
a) gjuha poetike, përkatësisht sistemi i të shprehurit poetik dhe
b) qasja dhe shqiptimi i ndërliqshëm i botës së brendshme të burrave të ngujuar në shpellë dhe i marrëdhënieve shoqërore, që e kushtëzuan dhe e kushtëzojnë atë botë.[9]
Si sistem gjuhësor shprehës varianti i dytë i “Karvanit të bardhë” është përpunuar me përkushtim e me dije të lartë dhe dëshmon cilësi kulmore poetike.
Fjalia e Azem Shkrelit ka, edhe drejtpeshim, edhe natyrshmëri. Përshkrimet dhe imazhet poetike, të përftuara me anën e gjuhës së zgjedhur dhe të pasur, janë mjeshtërore e pushtuese, shpesh tronditëse, që dëshmojnë aftësinë e madhe krijuese të autorit.
Për të konkretizuar këtë që thashë do të mund të sillja shumë shembuj, që i ndeshim në secilën faqe të romanit. Mirëpo, po sjell vetëm disa prej tyre, që mjaftojnë të vërehet sa veçantia, aq edhe bukuria dhe qenësia e të shprehurit poetik dhe shumësia e mendimeve që dalin nga struktura përkatëse e tekstit.
*
“Mes tyre, brenda në të, do të hynte dalëngadalë fortësia e gurit dhe ftohtësia e harrimit” (f. 17)
*
“[…] atij i vuri dreqi kërpeshin herët dhe i priu mes tufës së vet…” (f. 45)
*
“Udha më e mençur është ajo që bëhet për së dyti. Ia di fillin, orën, bërrylat. Mirëpo kohë nuk ka për korrigjime, koha ecën, udhët ecin. Të shkelin dhe shkojnë.” (f. 61)
*
“Ai (Dyli) kishte marrë, marrë jo por rrëmbyer, më shumë se ç’i përkiste nga guximi.” (f. 94)
*
“Thanë u vra, thanë vdiq lugati i maleve […]
Kishte ndërruar gëzof. E dinte se e presin llogari të vështira. Gjaku me gjak lahet, thonë. Ai s’kishte gjak sa kishte për të larë. U rras nën sqetullën e pushtetit të ri.” (f. 96)
*
“Farën e ligë nuk e prek as breshëri as bryma.” (f. 121)
*
“Aty nuk ishin në zgorin e çukapikut, siç u bëhej ndonjëherë se ishin, ishin në bark të një kështjelle gjigante në të cilën mund të rrinin pa therrë në këmbë. Ishte në kokë therra e cila u shponte atyre kohën ditën dhe qetësinë e gjumit natën.” (f. 177)
*
“Ujë pa va nuk ka, ka thënë ai që ka thënë. Njeriut i kanë dhënë durimin pse i duhet. Si ajri, si buka, si gruaja e mirë…” (f. 190)
*
“Zgërlyqi i shpellës ia duk më i thellë, terri që e ndante nga shokët, më i gjatë e më i shpeshtë, ai po e prekte me dorë atë terr, ai po e shtynte me trup si borë të zezë e të dendur t’i çilte udhë vetes.” (f. 221)
*
“Të tjerë jemi ne, të tjerë. Rugovasi nuk e lut vrasësin të mos e vrasë, por vrasjen të mos e ligështojë.” (f. 232)
Ajo që e bën të mëvetësishëm sistemin gjuhësor shprehës në këtë roman është ballafaqimi dhe kundërvënia e mendimeve dhe e dukurive. Asnjë shkrimtar ynë si Azem Shkreli nuk e ka ngritur kaq lart dhe nuk e ka pasuruar kaq shumë shqiptimin e tillë kontrastik në strukturën e tekstit poetik. Kjo mënyrë e të shprehurit kushtëzon, edhe vështrimin, edhe njohjen më të plotë të botës së brendshme të personazheve e të marrëdhënieve shoqërore të mjedisit ku ata janë rritur dhe veprojnë.
Kjo strategji e shqiptimit poetik përbën thelbin e rrëfimit dhe të shprehurit në roman dhe është e pranishme në çdo faqe, për të mos thënë në çdo pjesë të tekstit.
Të shprehurit kontrastik në tekstin e romanit nuk i nënshtrohet ndonjë rregulli ose modeli, por bëhet në mënyra të ndryshme e me mjete të ndryshme. Këtë parim krijues shprehës autori e zbatoi edhe në poezinë e tij[10].
Shembujt që po i sjell në vijim përligjin vetëm disa nga mënyrat e shqiptimit të tillë poetik në roman.
“Mjeria i rrinte më mirë dhe të tillë e la. Nuk më duhesh as ti, as vdekja jote, deshi t’i thoshte, ndërsa po e ngrinte nga supi, por u tremb mos thoshte më shumë se ç’duhej” (f. 63)
*
“Të mejtuar e të palëvizur, ata flitnin me flakëzat e verdha të prushit të cilat po digjeshin si lëngatë” (f. 67).
*
“Sapo vërriu dy herë me kërthizën nëpër këmbë, e ëma që donte të dinte për ç’bimë po e lidhte të ardhmen e gjatë e të pasigurt të së vesë së Mehmet Ujkës, futi kërthinë nën akuj të gurrës, e rrotulloi tri herë nën vrushkull dhe i ra pëllëmbë prapanicës: Ja rritu ja mbytu, ja rritu ja mbytu, ja rritu ja mbytu!
Fëmija zgjodhi të parën. U dogj dy ditë në zjarmi, mori veten dhe lidhi shtat shpejt. Lidhi shtat se e veja e Mehmet Ujkës i dha kulloshtër ulkoje. Jo, por qumësht të dhisë së egër i paskësh dhënë. As qumësht dhie, as kulloshtër ulkoje, por gjak sokoli të malit” (f. 77).
*
“Andaj, jij sa të jesh, mos jij i paqenë dhe kurrkushi. Dikushi jij, jo kërmill, jo dru shtogu, jo bark që han bukë e bën bukë” (f. 80).
*
“Zbriti Dyl Mehmeti nga malet, u dorëzua kaçaku i malit, cubi i Mehmet Ujkës u zu i gjallë e i vunë prangat. S’i vunë prangat, por e mbyllën, s’e mbyllën, e mbyllën që ç’ke më të se njerëz ka vrarë, të vetët i ka vrarë, s’i dhemb serbit dhembja jonë, ja që nuk e mbyllin, ja që e mbyllin se u duhet i mbyllur, këta e mbajnë në thark ta zbusin që ta heqin pastaj përlaku…” (f. 88).
*
“Janë njerëzit që ua kanë mësuar egërsinë kafshëve. Jemi ne që i kemi mësuar të tremben, të ikin ose të na vërsulen. Janë të pabesa se i tremben pabesisë sonë” (f 142).
*
“Qëndroi mbi gacat që po kërcitnin. Kërcitja e tyre kot që paralajmëronte ndryshimin e tij një kohë të gjatë. Edhe koha ishte jashtë dhe ata nuk do të dinin sa do të zgjaste ndarja e tyre nga moti e nga koha. Ato po rridhnin pa praninë e tyre” (f. 172).
*
“Vetëm fytyrës së fjetur të gruas nuk i shihet djallëzia. Vetëm të fjetura, bukuria e tyre, e atyre që e kanë, i gjason bukurisë së engjëllit. Te kjo femër janë shëmbëllyer që të dyja. E dyta ia mbulon për mrekulli të parën. Ia mbulon po nuk ia fsheh të tërën. Kështu i rri më mirë. Të bukurave u falet diç. Të hieshmeve u falet ndonjë e pahieshme se e zbusin, e zbukurojnë” (f.180).
*
“A do ta bëje ti ndryshe femrën? Nuk do ta bëje. As unë. As tjetri. Nuk mund t’i shtosh as t’i mungosh. Kur të duhet, të gjitha i ka. Kur s’të duhet, asnjë nuk i bën” (f. 222).
*
“Kishin ardhur rugovasit t’i tregonin çetnikut të Beranës duhinë e zjarrin e armëve të dëgjuara të Rugovës e jo të merrnin dhen e dhi” (f. 235).
*
“Kjo luftë ka pasur çmos, ka pasur edhe të këtillë! Këta njerëz kanë pasur një trup e pesë krerë, edhe pesë krerë kanë fshehur nën ketë kapelë” (f. 261).
Personazhet e variantit të dytë të “Karvanit të bardhë” ballafaqohen më shumë dhe më ashpër me vetveten dhe me vetminë, me fatin e tyre e të shokëve me të cilët frymojnë në shpellën e gurtë. Veprimi i tillë ua zvetënon të tashmen deri në keqardhje, por ua errëson edhe të ardhshmen. Pra, autori në variantin e dytë të romanit i vë ata përballë më shumë fakteve, i shpalos mëdyshjet më të mëdha dhe shprishjet shpirtërore më të thella.
Shpalimi i këtillë nuk ngjet vetëm me krye personazhin, njeriun që, siç thuhet, e ka vrarë koha, Dyl Memetin, por dhe me personazhe të tjerë; ata janë “pasuruar”, qoftë për virtyte, qoftë për vese dhe të këqijat që i kanë ose që i kanë dëshmuar në të kaluarën, ose i dëshmojnë në çaste të jetës në shpellë.
Përmes asaj që ndodh në “gojën e shkëmbit” dhe të disa ngjarjeve që “ndëgjohen” e “vinë” nga jashtësia e saj, autori ia ka dalë të japë një tablo të qenësishme të jetës e të fatit të njerëzve në Rugovë dhe më gjerë, sidomos në rrafshin atdhetar e të mbarësisë së botës shqiptare, të domosdosë që njeriu ynë të mësojë nga pësimet, në veçanti përballë të keqes që popujt e tjerë i shkaktuan dhe i shkaktonin. Po sjell disa shembuj.
*
“E kemi krisur kur duhej e kur s’duhej, kumos e për këmos e kemi krisur të shkretën.” (f. 33)
*
“Nuk jemi trima pse jemi trima, po pse nuk guxojmë të jemi tutca.” (f. 34)
*
“Vramë!, i thashë se ne shqiptarët trimërinë për njëri tjetrin e kemi!” (f. 126)
*
“A nuk u shkulëm e s’u faruam mjaft duke u herrur mes veti?!” (f. 126)
*
“[…] ne kemi njerëz që shiten e njerëz që shtiren si ky oficeri i Arif Cubit, njerëz që veshin, jo uniformë, po edhe fytyrë e lëkurë qeni për pak para a pushtet.” (f.168)
*
“Yni, pra, i kujt tjetër! Askush si yni nuk di të japë për të huajin…” (f. 169)
*
“Ne gjithmonë jemi bijtë e vonimit, vonimi është yni. Është dashur ta vëmë gishtin në kokë më herët, shumë më herët.” (f. 248)
*
“Mirëpo për të më bërë futë e katran më kanë bërë të zezat e shqiptarëve të mi, foli Bekë Rrushi.” (f.260)
*
“Kuq na polli, Cuko! Kuq! Sepse u ethëm me Kremlin!” (f. 264)
*
“Na hyri fara kopile! Kopili i kuq na hyri, tani ec e shkule!, shtoi nëpër zhurmë të kazanit Haxhi Mani. As nipat tanë nuk do ta shpërlajnë flligën që ia veshëm vetes!” (f. 264)
Me sistemin e këtillë, sa të pasur po aq të veçantë gjuhësor poetik, me format e shumta dhe të natyrshme shtjelluese, të veçantisë së lakimit të gjuhës sonë shqipe, të shprehurit të pasur frazeologjik, figurativ dhe metaforik, përmes të cilit krijohet një botë skajshmërisht e mëvetësishme dhe e ndërliqshme, romani i Azem Shkrelit “Karvani bardhë” – varianti i vitit 1996, prish shumë punë! Pas leximit të tij e ke vështirë t’u qasesh e t’i lexosh disa romane (edhe vepra llojesh të tjera letrare), që përftohen me një gjuhë të zakonshme, e cila është e komunikimit të përditshëm; një leksik të kufizuar e të rastit, në qenësi gazetaresk, i cili qëllim kryesor ka kumtimin, informatën; bëhet përshkrimi i ngjarjeve e jo përftimi i tyre përmes rrëfimit poetik të menduar, nga teksti dalin porosi e jepen këshilla, që nuk lidhen me natyrën e artit të fjalës, me letërsinë.
Veprat e këtilla mjerisht ngritën në qiell (nga motive miqësore ose të tjera) duke përmendur tematikën e motivet si vlera të rëndësishme e aktuale, po duke harruar se letërsia nuk është tematikë e motivikë, po strukturim gjuhësor shprehës poetik dhe se kryesorja në artin e fjalës është si thuhen dukuritë e jo çka thuhet.
Duke folur për poezinë e Azem Shkrelit shumë vite më parë pata shkruar: “Poezia e Azem Shkrelit me strukturën e veçantë tekstore poetike, me shumësinë dhe thellësinë kuptimore që ngërthen në vete, me nëntekstin e pasur poetologjik dhe me mundësi të shumta të ndikimit estetik, bën njërën ndër pjesët më artistike të poezisë shqiptare në përgjithësi. Si e këtillë kjo është dëshmi e denjë e pasurimit poetik të poezisë sonë. Them kështu duke pasur parasysh faktin se krijuesi letrar që shpreh nivelin më të lartë të gjuhës poetike, shpreh nivelin më të lartë të vetëdijes artistike kombëtare[11]. Azem Shkreli këtë vetëdije e dëshmoi dhe me romanin “Karvani i bardhë” (Varianti i dytë), me tregimet dhe me vepra dramatike. Kur kësaj i shtojmë një ndër mesazhet e rëndësishme, që po e shpreh përmes mendimit përmbledhës të personazhit, Dyl Mehmeti: “Ndihmoji njeriut të mbetet njeri!” (f. 267; mendim që e ka bazën në filozofinë e Hegelit), që shtrihet në dy rrafshe: në atë kombëtar, shqiptar, dhe në atë ndërkombëtar, njerëzor, atëherë ky roman i Azem Shkrelit bëhet shumëfish i rëndësishëm.
Prishtinë, shkurt 2024
[1] Gjergj Fishta, Piksime Estetike mbi zêje të fjalës. Në “Hylli i dritës”, Vjeta VIII, n. 7 – 8, Shkodër 1932, f. 396.
[2] Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë i plotësuar. “Toena”, Tiranë 1999, f. 96.
[3] Shih për veprën letrare të Fishtës librin tim Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë. Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës. “Shpresa” & “Faik Konica”, Prishtinë 2003.
[4] Gjergj Fishta, Piksime Estetike mbi zêje të fjalës, pun. i përm., 396. Shih dhe Atë Gjergj Fishta, Piksime estetike mbi artin e fjalës. Me një punim hyrës nga Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2003.
[5] J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta. Nolit, Beograd 1976, f. 384.
[6] Shih rreth rëndësisë së ndikimit estetik të veprës letrare në marrësin në veprën time Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. (Bashkë me Labinot Berishën.) Faik Konica, Prishtinë 2018.
[7] Jorge Luis Borges, Ligjërata. Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2013, f. 10.
[8] Shënimi është shkruar në dhjetor të vitit 1995, në Prishtinë.
[9] Më 2006, kur e lexova dy herë romanin “Karvani i bardhë”, variantin e dytë, me qëllim që ta shijoja gjuhën poetike dhe stilin e veprës, më lindi ideja të shkruaja një punim me titullin “Rreth një romani që na prish punë…”. Pas tetëmbëdhjetë viteve po e përmbush idenë – hartimin e punimit.
[10] Shih Azem Shkreli, Azem Shkreli, Rrënjë të gurta. “Shpresa – Kuvendi Salezian”, Prishtinë 2001. Botimi i dytë i rishikuar, Shtëpia e kulturës, Pejë 2012, botimi i tretë Argeta LMG, Tiranë 2023.
[11] Shih studimin tim Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. “Argeta – LMG”, Tiranë 2011.