Nga Agron Tufa
Poezia qëndron në shtratin e temës, së skicuar më së qarti në poezinë e vitit 1922 “Të shumtëve”. (Shih gjithashtu: “Por unë po ju paralajmëroj”, 1940; “Ashtu siç jam. Paç fat me një tjetër”, 1942; “Kujt dhe kur i kam thënë”, 1952; “Përnën cilat rrënoja po flas”, 1959.) Megjithëse “ju”, këtu kuptohet si rrethi i bashkëkohësve (lexuesve apo njerëzve në përgjithësi, të cilët në një mënyrë a në një tjetër u përfshinë në rrethanat e jetës së autores), të ndarë nga poetja, megjithëse jo krejt shpërfillës ndaj fatit të saj. Aspak “llumra”, po më saktë, janë ata të cilët mund t’i quash ende të ndjeshëm, përvujtnarë, solidarë, simpatizues, por që asnjëri nuk ka kurajën ta bashkëshoqërojë poeten në rrugën e saj, të hedhë hapin e fundit të bashkimit me të (“Vërtet do ta pini gotën që unë pi dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati”… Ungjilli sipas Markut, Х, 39-40, sipas përkthimit të Dom Simon Filipajt, “Drita”, Ferizaj, 1994).
Përpos kësaj, në poezi vihen re motivet danteske që janë karakteristike për të në periudhën e kalimit të saj nga faza e hershme e interpretimit në të vonën, pra përqendrimi në fatin personal dhe qytetar të poetes, i cili do ta ndjekë atë dhe në botën e përtejvarrit. Kthimi kah Dantja e ka bashkëshoqëruar krijimtarinë e Akhmatovës, si rregull, me temën e syrgjynit/ dëbimit dhe shënjohej me metafora të tilla: “këmisha e pendimit”, “qiriri” dhe “buka e hidhur”, që përsëritet në shumë poezi të saj, duke nisur nga “Nuk jam unë nga ata që braktisin vendin” (1922) e duke mbaruar me “Trashëgimtares” (1959). Mirëpo, nga fillimi i viteve ’60 dominues bëhet “vendi i rrathëve danteskë” (kryesisht në “Prologun” dhe në “Rradhinjtë e mesnatës”). Kjo poezi shënon qasjen e parë të saj te periudha danteske: “në satërin e zi” (krahaso me vargjet e vitit 1935 “Përse ju i helmuat ujërat”: “…Pa një xhelat e një staër/ nuk mund të ketë poet mbi dhe./ Me një këmishë pendimi veshur,/ me një qiri – ec e l’sho kujë”.), sikundërse dhe vargjet e kësaj poezie: “Duke u sjellë në hon të zi,/ Në mort të mbramë, a në parajsë.”
Ndoshta shenjë më bindëse e shfaqjes së ngjashmërisë në këto poezi të Akhmatovës, – që i shëmbëllejnë frymës danteske – është patosi i përgjithshëm i tonit, më shumë sesa ballafaqimi skrupuloz me citate. Kryqëzimi citator dhe përshkrimor ndërmjet vargjeve e poezive është aq i shpeshtë, sa këtë gjë e kanë vërejtur me kohë akhmatologët. Por, me sa di unë, në rrethin e përkimeve tekstuale që sjellin rëndom deri më sot nuk janë ndeshur vargjet “Pse pra, ju, lirinë e mbrame/ Po e shndërroni në një shpellë?” – nga poezia që përmendëm “Përse ju e helmuat ujin”. Shpellë (Вертеп) – “strehë e cubave, kriminelëve dhe përdhosësve” sipas fjalorit bashkëkohor – do të thotë edhe bordello, në të cilën po shndërrohej gjithë Rusia sovjete, në analogji me kujën demaskuese të Dantes për Italinë (“Purgatori”, vargjet VI, 78).
Patetika e lartë, në mënyrën e vet, një trimërim i zëshëm i të gjithë fragmentit përgjatë 76 vargjeve, kumbon me po atë tendosje në një radhë poezish të afërta në frymë të Akhmatovës, sidomos në këtë që po publikojmë këtu. Kjo bën diferencën e poetëve, të cilët ne kemi arsye t’i quajmë “të mëdhenj”, në raport me të tjerët.
Anna AKHMATOVA (1889-1966)
Të çmendur! As vetë s’e di,
Nuk e di se ku po shkoj –
Duke u sjellë në hon të zi,
Në mort të mbramë, a në parajsë
Po ju tërheq me vete pas.
Vaj, se ç’krenari mizore
Na lidhi si armik symprehtë,
Më ngjeth kjo qëndresë që prore
Në besë betimesh digjet vetë.
Se ku ju shpura pa e ditur,
Mezi do t’ju bjerë në hatër –
Në cilin vend jeni gostitur,
Si në një qilar t’murosur
Në orë të ligë me kokë në satër.
Papo se ç’turp me mua ndatë
Me heshtjen time vitesh strukur…
Do të rroni, jeni… ishit, patë…
Ndërsa unë – ylli i këputur.
Moskë, 10 tetor 1959 (ditën)