More
    KreuOpinionAnila Omari: Mungesa e leximit tek të rinjtë varfëron gjuhën

    Anila Omari: Mungesa e leximit tek të rinjtë varfëron gjuhën

    Para pak ditësh, në një tryezë diskutimi u bënë bashkë specialistë të gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Aktiviteti i organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike kishte në qendër studimet gjuhësore e letrare, por edhe propozimet për hapësira të reja. Profesoresha Laura Smaqi ndali te njohja dhe rinjohja e traditës dhe e trashëgimisë letrare përmes burimeve arkivore, studimit të autorëve të ndaluar dhe përmes zbatimit të metodologjive të reja. Sipas saj, nisur nga fakti që studimet letrare të periudhës 1945-1990 reflektonin problematikat e një kohe, ku si letërsia dhe studimet mbi të konsideroheshin si sektorë të rëndësishëm në ndihmë të ideologjisë zyrtare, një varg problemesh ishin krijuar në trajtimin historik të letërsisë shqipe.
    “Ndër to mund të përmendim minimizimin e rolit të autorëve të letërsisë së vjetër shqipe (shek. XVII), konsiderimin dhe trajtimin e të gjitha periudhave, me përjashtim të letërsisë së realizmit socialist, si letërsi me kufizime ideore, qëndrim ky që motivonte përjashtime të autorëve nga studimet, por edhe përjashtime të pjesëve të caktuara të krijimtarisë së të njëjtit autor, thënë shkurt cungimin e krijimtarisë së pjesëve letrare. Vlerësimin e pamotivuar dhe të ekzagjeruar të krijimeve të shkruara nga luftëtarë antifashistë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, si letërsi pararendëse e realizmit socialist”, – shprehet studiuesja e letërsisë, Laura Smaqi. Vlerësimi i deformuar i letërsisë së shkruar nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore deri rreth viteve ’90 bëri që kjo letërsi të quhet letërsi e realizmit socialist. “Problematikat e mësipërme bënë që nga mesi i viteve ’90 e më pas vëmendja kryesore në departament t’u kushtohej autorëve të rëndësishëm të letërsisë shqipe, që për arsye ideologjike ishin denigruar dhe përjashtuar nga studimet, si Fishta, Konica, Camaj”, – vijon më tej ajo.
    Edhe profesoresha dr. Anila Omari bëri një panoramë për disa arritje në fushën e gjuhës shqipe ndër vite, por edhe për perspektivat e reja në këtë drejtim. “Për historinë e gjuhës kanë qenë të përqendruar forcat shkencore më madhore të albanologjisë, që nga Eqerem Çabej, Shaban Demiraj apo Mahir Domi, për të ardhur te brezat më të rinj, Bardhyl Demiraj, Kolecë Topalli apo Seit Mansaku, që kanë vazhduar rrugën e nisur nga albanologë të huaj dhe shqiptarë”, – shprehet Omari. Për studiuesen Omari, një fushë e rëndësishme që lidhet me këtë është edhe studimi i teksteve të vjetra për gjuhën shqipe. “Tashmë janë botuar të gjithë autorët e vjetër të shekullit XV-XVIII. Të gjitha këto studime, tekste të vjetra, kanë krijuar kushtet për një fjalor historik të shqipes. Por kjo është një perspektivë për të ardhmen”, – thotë ajo. Që këto arritje të përcillen edhe te bresat që vijnë, gjuhëtarja Anila Omari mendon se: “Ajo që tejçon këto dije është shkolla. Ka shumë rëndësi i gjithë sistemi arsimor që të funksionojnë në mënyrë të lidhur me njëri-tjetrit. Të gjitha këto probleme kanë bërë që studentët të jenë të dobët sot. Brezi ynë nuk ka pasur problem gjuhën, prandaj mendoj se kjo duhet bërë që në klasë të parë. Një gjë tjetër që varfëron gjuhën, është mungesa e leximit tek të rinjtë.”
    V. Dedaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË