More
    KreuOpinionAndreas Dushi: Mikel Maruli & Dante Aligieri

    Andreas Dushi: Mikel Maruli & Dante Aligieri

    Në vitin 1911, “Raccolta Di Studi Critici Dedicata Ad Alessandro D’Ancona” në Firence botoi një shkrim shumë interesant për humanistin me origjinë arbërore Michele Marullo dhe Poetin e madh Alighieri me autor Vittorio Cian. Shkrimi i shkurtër në faqen 42 të revistës qe shtysë për të pasqyruar e sqaruar disa tipare të këtij poeti, sidomos lidhur me origjinën e tij, duke u bazuar në një dorëshkrim të zbuluar veç në fundin e viteve ’80 në Dubrovnik

    Kush ishte Mikel Marul – Trakanjoti (Michael Tarchaniota Marullus)?

    Viti i tij i lindjes është hamendësuar nga studiues të ndryshëm, por më së shumti është rënë dakord për 1453. Po ashtu edhe vendlindja e tij është vënë përherë në dyshim mes Kostandinopojës dhe Moresë, pasi nuk është arritur në vërtetimin përfundimtar nëse familja e tij ishte shkëputur nga Moreja para apo pas lindjes së Mikelit.

    Duke qenë se ai bën pjesë në ato shkrimtarë që kanë shkruar në latinisht, studimet e tij në Shqipëri janë më të rralla sesa të humanistëve të tjerë arbnorë, bashkëkohas të tij. Në shumicën e rasteve, ai përmendet si personalitet i kontekstit të kohës kur ka jetuar, si përshembull nga Ibrahim Rugova:

    “Po ashtu në vijën e humanizmit kemi edhe poetin dhe filozofin Mikel Maruli (1453 – 1500), i cili shkruante poezi me frymën e elegjive të Katulit dhe bënte interpretimin poetik të botës simbas Lukrecit. Më 1497 botonte dy vepra të njohura Epigramën dhe Himnet e natyrës, si dhe la në dorëshkrim veprën Mbi edukimin princëror. Veprën e tij e përgatiti për botim dhe e përcolli me një studim edhe filozofi dhe esteti i njohur Benedeto Kroçe. Nuk e dimë se a ka prekur probleme apo ide të teorisë letrare.”[1]

    Robert Elsie ndalet pak më gjatë te Maruli duke na dhënë një panomarë më të qartë të personalitetit të tij, por gjithnjë me kujdesin e dyshimit të shprehur nëpërmjet fjalëve si është thënë, mendohet etj.:

    “Një poet latin i Rilindjes evropiane për të cilin tani është thënë se ka prejardhje arvanitase ishte Mikel Maruli (Michele Marullo Tarchainotes, 1453 – 1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja pak muaj pas rënies së Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i fatit në vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante. Maruli është autor i katër librave me epigrame latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me “himne për natyrën”, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444 1510) na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500.”[2]

    Në librin “Krestomaci e letërsisë së vjetër shqipe”, Mahmud Hysa bën një paraqitje të shkurtër të jetës Marluit dhe mandej boton poezi të tija përkthyer në shqip nga Engjëll Sedaj. Jep praktikisht të njëjtat të dhëna që cituam dhe më lart, por bën edhe një shënim të shkurtër për letërsinë e tij:

    Konsiderohet si poet mjaft i talentuar. Poezitë e tij kanë motive patriotike, antifeudale dhe afetare, prandaj veprat iu dogjën nga inkuizicioni. Më 1497 botoi në Firencë veprën Himnet e natyrës në katër libra dhe Epigramet. Më 1553 nga të tjerët u botuan veprat e papërfunduara Mbi edukatën e princërve dhe Epigrame.[3]          

    Hysa gjithashtu e përfshin Marulin në fazën e parë letrare, bashkë me Gazullin, Becchichemin (Beçikemin) dhe Barletin[4].

    *

    Lidhur me origjinën e Marulit, besoj se një biografi e zbuluar veç në fundin e viteve ‘80 në Dubrovnik hedh dritë mbi faktet dhe supozimet e deriatëhershme, e fatkeqësisht edhe të mëvonshme nga studiues që nuk janë njohur me këtë material. Ai është botuar nga Jahja Drançolli në Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave filologjike, nr. 19, Prishtinë, 1990 me titull Një biografi e panjohur për Mikel Marulin Trakanjotin[5]. Mes të tjerash, në të thuhet:

    Sipas që dhënave që i ndeshim në burime të ndryshme, dihet mirëfilli se, Mikeli Maruli – Trakanjoti lindi në Kostandinopojë aty nga mesi i shekullit XV, përkatësisht në fillim të viteve pesëdhjetë të shekullit në fjalë. Shumë studiues mendojnë se familja Maruli në Itali erdhi nga Morea, ku që në fund të shekullit XIV ishte ngritur një diasporë bukur e madhe nga shqiptarët e mërguar. I ati, Manil Maruli (bir i Filip Marulit) dhe e ëma Eufrosina (bijë e Mikel Trakanjotit nga Argosi), duke parë rrezikun nga osmanët, së pari, nga Morea mërguan në Kostandinopojë, prej nga, në vitin 1453, pasi që kryeqendra bizantine keshte rënë nën sundimin osman, mërguan në Raguzë. Duket se Miekl Maruli ka qëndruar një kohë të gjatë në Raguzë. Këtë qytet e konsideronte si vendlindje të dytë. Duke qenë i frymëzuar nga ambienti raguzian, këtij qyteti mikpritës, të bukur e të pasur i kushtoi poezi. Edhe pse në Raguzë u prit bukur mirë, familja Maruli pas një kohe kaloi prej raguze në Itali. Vendqendrimi i tyre qe Ankona. Humanisti ynë, duke qenë i pajisur me cilësi të rralla fizike e mendore, shëtiti dhe mori dituri nga fakultetet më me famë të Italisë. Që në lule të rinisë, përkatësisht në vitin 1469, pasi që kishte marrë dituri elementare, nga Ankona shkoi në Napoli për të studiuar në Universitetin e famshëm të Padovës,  ku në pallatin Bo të Universitetit në fjalë, bashkë me disa shqiptarë të tjerë, studioi filozofinë. Këtë studiues të zellshëm e ndeshim më pastaj edhe në Firence, Venedik, Romë dhe në disa qytete të tjera të Italisë, ku bëri shumë shokë dhe miq. Nga vargu i tyre duhet të veçohen posaçërisht Petrucci dhe Sanseverino. Ndërkaq, mberti i Napolit e çmonte shumë lart. Në Itali, përkatësisht në Firencë, Romë, Breshia, Padovë, Venedik apo në ndonjë qytet tjetër të Italisë, iu botuan pjesa dërrmuese e veprave të Mikel Marulit, të cilat kohë pas kohe dhe më vonë, iu botuan edhe në shtete të tjera të Europës, si, bie fjala, në Gjermani, Zvicër, Francë etj.. Vdiq, ndërkaq, më 15 prill të vitit 1500 duke kaluar me kalë lumin Cecina te Volterra në Toskanë të Italisë.

    Pasi na bën të ditur se deri ku kishin arritur zbulimet deri atëherë (të gjitha të dhënat e mësipërme bazohen në referenca paraprake, pra nuk lidhen me biografinë e zbuluar nga Drançolli), ai ndalet te biografia në fjalë:

    Autori i biografisë kushtuar Mikel Marul Tarkanjotit S.M Çerva, përveç 10 veprave të ruajtura, të cilat i shkroi në periudhën e viteve 1728-1752, si dhe veprave të humbura në opusin e krijitmarisë të këtij studiuesi të madh (numri i tyre është i madh dhe i nduarnduarshëm), hyjnë edhe veprat e titulluara “Adversia” (“Shënime”), të cilat janë të shpërndara në fondet e Bibliotekës së Kuvendit Françeskan të Dubrovnikut, të Arkivit Historik të Dubrovnikut dhe të Arkivit Historik të Akademisë të Jugosllavisë në Zagreb. Këto vepra, përkatësisht Shënimet, në të vërtetë janë një përshkrim i faktorëve me përmbajtje historike e letrare, në të cilat S. M. Çerva arriti rezultate të reja gjatë kërkimeve të tija në biblioteka dhe arkiva publike e private. Jemi të mendimit se edhe biografia kushtuar Mikel Marulit mund të inkuadrohet në këtë fond të krijimtarisë së M.Çervës. Një çështje me rëndësi e këtij fondi të veprave të Çervës është përcaktimi i autorsisë së tyre. Eshtë për t’u theksuar se pjesën dërrmuese të Shënimeve, Çerva nuk i shkroi me dorën e vet, por ia shkruan disa bashkëpunëtorë, kështu që një fakt i këtillë lë mundësi për të dyshuar në autorësinë e disa veprave të tij. Kështu, disa prej tyre u vishen edhe sot autorëve të tjerë. Punimi “Të dhënat” e M.S. Çervës lidhur me biografinë e Mikel Maruli-Tarkanjotit sikurse gati edhe të gjitha veprat e Çervës, është shkruar në gjuhë latine, të cilën autori në fjalë e konsideronte si gjuhë të vetme kulturore e shkencore. Stili i shkrimit të veprës në fjalë është po ashtu identik me kaliografinë e veprave të tij të tjera, gjë që shpie në konstatimin se është autografe edhe kjo vepër e SM. Çevës.

    Përveç këtyre të dhënave që u përmendën më lart, një gjë tjetër që do të zgjojë kureshtjen e studiuesit shkencor te kjo vepër është data e shkruarjes së saj. Një studiues dhe një njohës i mirë i opusit krijues të Çervës në këtë aspekt, edhe pse nuk ekziston fare data se kur u shkrua vepra në fjalë, prapëseprapë nuk duhet të ketë probleme të mëdha rreth përcaktimit të përafërt të datës së shkruarjes. Themi kështu duke mbajtur parasysh faktin se Çerva e zë ngoje Mikel Marulin (Marullus Tarchaniota) edhe në veprën ,”Bibliotheca Ragusina, in qua Ragusini scriptores e orumque gesta et scripta recensentur” (,”Biblioteka raguzane, në të cilën pasqyrohen shkrimtarët raguzanë dhe veprat e shkrimet e tyre”), krahas kësaj edhe në veprën e tij tjetër Viri illustres (“Burrat e shkëlqyer”). Veprat në fjalë u shkruan gjatë viteve 1740-1742 dhe materiali i tyre lidhur me të dhënat e biografisë së Marulit, në krahasim me këtë vepër, që e kemi në shqyrtim, janë më të cekëta. Kështu, viti 1742 mund të jetë termini fillestar, ndërsa viti 1752 mund të merret si termini më i lartë. Gjatë këtij dhjetëvjetëshi 1742-1752 Çerva bëri kërkime të reja dhe pa dyshim ato sjellin plotësime në opusin krijues të tij. Në këtë aspekt arrihet edhe në pasurimin e të dhënave lidhur me biografinë e Mikel Marulit.

    Drançolli jep të gjithë materialin e transliteruar dhe të përkthyer: Mikel Maruli Tarkanjoti

    Poezitë e tij ishin shtypur në Bon në vitin 1504 (mendoj për herë të parë). Për vdekjen dhe vendin e vdekjes të Marulit duhet parë vepra”Commentari” e Raf. Volatarisit. Për lavdinë dhe për parathëniet e tij duhet parë (lexuar-J.D.) te Paulus Cortesi “De Card.” fleta XXV, pjesa I, gjithashtu fleta gabimisht e shënuar me numrin LXXXI, pjesa I, gjithashtu fleta LXXXVI, pjesa I.

    Në Kodeksin e Vatikanit nën numrin 3352, fleta 34, gjendet “Epigrami i Marulit për Antonio Patrucion”, por duhet lexuar Petruci, në të cilin epigram lavdëron pa masë Pontarin. Gjithashtu disa nonnulla në fletën 86 dhe në fletën 147 dhe më tej, nga të cilat merret vesh se Maruli, nga ana e nënës, kishte qenë nip i Mikel Tarchaniotit; nga ana e babait ndërkaq ishte nip i Filip Marulit, ndërsa Filipi kishte bir Maniliusin, baba i Marulit. Gjithashtu në fletën 259 (shënuar gabimisht, sepse duhej të ishte 169) gjenden më shumë epigrame të Marulit. Maruli, njëfarë bizantini, sipas mendimit të përgjithshëm, një poet i frytshëm dhe i dalluar, por përtac, nuk mundi të pengohej me asgjë për t’iu përgjigjur e për t’ia kthyer Alfonsit me urrejtjen asgjë më të vogël se nuk do t’ia arrinte ta urrente aq sa ia shkonte me lavdinë poetike.” P. Cortesi “De Cardtu” libri 2, ku flet për Dëgjushmërinë, fleta 81, pjesa I.

    “L. Lentulus Siculi… pasi që ishte poet i lindur dhe ngaqë e kishte zakon të kapardisej me penë të topitur para njerëzve, poeti Marul për këtë arsye i thoshte: Kur do ta lësh më në fund atë penë – atëherë, kur ti, tha ai nuk do të mburresh më në të thatë”. Po aty, në veprën “Mbi bisedën”, fleta 86, pjesa parë.

    “Meqense më tej (Maruli) nuk deshi të shtyhej më me të (A. Policianon) për shkak të thashethemeve dhe akuzave, i tha se me të nuk do të merrej më me fjalë, veçse me shpatë”. Po aty, fleta 96, pjesa dytë.

    Duket se u referohej astrologëve: për ta shkruar Cortesi në librin e parë, fleta 25, pjesa parë.

    “Mysafir i familjes sime është Marul Bizantini, vendi i të cilit është ndër poetët e ditur. A nuk më fliste shpesh si çunak se nga haldejtë (kështu i quante gjithmonë astrologët) ishte predestinuar nga fati se, nëse nuk do të binte në betejë a luftë, do të vuante ndoshta në skamje ose nga të këqijat. Kur kthehej nga Firenca në Volatar, erdhi lumit Çeçinë, duke kujtuar Akolin, që të mos e kalonte lumin natën në va të parrahur, nëpër shi, u mbyt në lumë i rrëmbyer nga vorbullat”.

    Libri I. Epigrami i Georgius Anselm Nepotis, i cili është botuar në Parmë në vitin 1526, përmban një epigram sofik, i cili e lavdëron shumë Marulin si besimtar, ashtu edhe si poet. Gjenden gjithashtu katër epigrame të tija të Jovio.

    Pasi tregon se për shkruajtjen e kësaj biografie ose bibliografie për Marulin, Çerva shfrytëzoi materialin arkivor që ruhet në arkiva të Romës, Venedikut, Padovës, Firences, Napolit, Raguzës etj., si dhe literaturën e kohës duke u ndalur pak më gjatë në detaje të kësaj natyre, Drançolli e mbyll shkrimin e tij:

    Veprat e Marulit, prej kohës kur u shkruan e deri në ditët e sotme, përjetuan ribotime. Kjo e dhënë, si dhe fakti që Maruli ishte një ndër gjenitë e kohës, bëri të mundshme të krijohej kohë pas kohe një bibliografi e pasur për jetën dhe veprën e tij, nga e cila, për t’u arritur tërësia e punimit tonë, do t’i zëmë në gojë vetëm disa vepra nga më kryesoret. Në radhë të parë, këtu duhet të përmendet vepra e estetit dhe e kritikut famëmadh B. Croce, pastaj G. Bottigliani, C. N. Sathas, Cavalier Abate Girolamo Tiraboschi etj. Sa janë interesante dhe identike me ato të S. M. Çervës të dhënat për Marulin që i sjellin këta autorë që u zunë në gojë me lart, ilustrohet më së miri nga shekulli i G. Tiraboskit (Jetoi dhe veproi në shek. XVIII) historian i letërsisë italiane, i cili Marulin e fut në radhën e poetëve të lartë (“degli ele ganti poeti”). Si i tillë, M. Maruli dhe bashkëvendësi i tij Manilo Ralo dhe italiani Sannazzaro ishin shkrimtarët më të çmuar të Akademisë të formuar nga Pontano. Në vazhdim Tiraboski pohon se një ndikim jashtëzakonisht të madh mbi gjithë krijimtarinë e Marulit ushtroi arti poetik i Lukrecit (98 – 55 para ep. sonë). Ky studiues jep të dhëna edhe për rivalitetin e Marulit me Polizianon, shkrimtar i njohur i kohës lidhur me poeten Alekssandra Scala të Firencës, më vonë gura e Marulit si dhe për vdekjen dhe mbytjen tragjike të Marulit në lumin Çeçinë.

    Shkrimi “Mikel Maruli dhe Dante”

    Në vitin 1911, “Raccolta Di Studi Critici Dedicata Ad Alessandro D’Ancona” në Firence botoi një shkrim shumë interesant për humanistin me origjinë arbërore Mikel Maruli dhe Poetin e madh Alighieri me autor Vittorio Cian.

    Cian-i u lind më 1862. Ishte kritik letrar, akademik dhe politikan i njohur italian. Ai u diplomua për letërsi në Universitetin e Torinos më 1885 dhe punoi si profesor thuajse gjatë gjithë jetës. Në 1917 u zgjodh edhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë. Për shumë kohë redaktoi “Giornale storico della letteratura italiana” si dhe bashkëpunoi me “Nuova Antologia”.

    Si një ndër themeluesit e Partisë Nacionaliste, partia e fashuzmit, u emërua qysh me ardhjen e saj në pushtet fillimisht si këshilltar në Ministrinë e Arsimit e mandej senator. Kur fashizmi mori fund, ju rikthye karrierës akademike deri sa vdiq më 1951.

    Mikel Maruli dhe Dante

    Do të jetë në gjendje të shkruajë një kapitull të rëndësishëm, ai që një ditë a një tjetër do të fillojë të flasë për njohjen që poeti hyjnor kishte në mesin e humanistëve të shekullit XV. Ndërkohë që kërkimi përparon, vihet re se sa pavërtetësi kishte në gjykimin, të kthyer tashmë në traditë, sipas së cilit Aligieri do të ishte keqkuptuar ose përbuzur nga shumica e ndjekësve të Rilindjes, apostuj të apasionuar dhe jotolerantë të antikitetit në që po ringjallej.

    Mikele Marulo, humanisti kontantinopojas i gjysmës së dytë të shekullit XV (vdiq në 1500), i cili për shkak të qëndrimit të tij të gjatë në gadishull mund të thuhet se e ka marrë nënshtetësinë italiane, ishte pa dyshim i apasionuar dhe nga ana tjetër nuk ishte aspak jotolerant dhe i paarsyeshëm.

    Ndjekës i Pontanit, ai kishte miqësi të shumta dhe të dalluara mes studiuesve të Napolit, veçanërisht me Pontanën dhe Sanaxaron, të cilit i kushtoi disa poezi.

    Ai qe edhe në Romë e më pas në Firence ku diti të fitonte dashurinë dhe dorën e Aleksandra della Scala-s, një lule e vërtetë e bukurisë, mirësjelljes dhe kulturës së rafinuar; për shkak të saj hyri në grindje, si humanist i vërtetë, me Policianon, kundërshtar i përbetuar i vjehrrit të tij, oborrtar i familjes Mediçi, admirues i vakët i Dantes.

    Nga natyra dhe gjendja prej ushtari, duket se ka trashëguar energjinë e vrazhdë, vrullin dhe ngrohtësinë, që shpesh u japin efikasitet të veçantë vargjeve të tij latine, për të cilat Gaspari dhe Rosi na kanë sjellë një gjykim të drejtë.

    Dy kritikët vunë re se Tarkanioti vajtoi me trishtim të thellë dhe të sinqertë fatkeqësitë e atdheut të tij të largët. Porse neve, edhe më shumë se vetë kjo, edhe më shumë se shfrimet tejet fisnike të indinjatës që e kapluan përballë dashakeqësive të papatit borxhian, aq sa të quhej çlirimtar Karli VIII i Francës, neve, theksoj, na interesojnë disa dyrreshtorë që bëjnë kryefjalë emrin e Aligierit.

    *

    Sipas të dhënave që na jep shkrimi, poezia që e lidh Marulin me Danten është pikërisht Për Dante Aligierin. Bashkë me disa të tjera, kjo poezi është përkthyer nga Engjëll Sedaj dhe është botuar në revistën letrare të Kosovës “Jeta e re”, 1984, nr. 6, fq. 1089.

    PËR DANTE ALIGIERIN (II, 40)

    Më thuaj e arta Fratë, kush është

    ky poet me nam, Dante Aligieri,

    nga cili fis ka prejardhjen ai,

    dhe çfarë fame, vallë, gëzon n’botë?

    -E gëzon famën e këtij atdheut,

    pa emrin e autoritetit të tij

    mjerohej dikur Etna në Sicili.

    Nxirre tashti lëndën: ndëshkim i tmerrshëm

    i shpirtërave, që drejt qiellit disa të tjerë nga Styga

    Prej cilit vend ishte?

    -Firenca e njeh si nxënës të vjetër.

    Po me çfarë dhuntie qe shpërblyer?

    Me mërgim!

    Heu, ju kohë ziliqare,

    që nga virtyti shartoni fatin e padenjë!

    Cilit t’i takojë virtyti,

    i atij është atdheu.


    [1]  Ibrahim Rugova, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983, Botimi II, Eurorilindja, 1996, fq. 24.

    [2]  Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, përkth. Abdurrahim Myftiu, Dukagjini, Tiranë – Pejë, 1997, fq. 20-21.

    [3]  Mahmud Hysa, Krestomaci e letërsisë së vjetër shqipe, Universiteti i Kosovës në Prishtinë, Fakulteti Filozofik, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, 1987, fq. 22.

    [4]  Shih. Rexhep Ismaili, Tekste të vjetra, Dukagjini, Pejë, 2000, fq. 20.

    [5]  Në fakt, titulli është Një biografi e panjohur për Nikel Marulin Trakanjotin (n e forcuar nga unë, A. D.), por jam nga brendia e tekstit, bindemi se kemi të bëjmë me një gabim ortografik pasi shkrimi i referohet pikërisht Mikel Marul Trakanjotit, sikurse shohim gjatë leximit të tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË