More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Koliqi modern mes romantizmit dhe realizmit

    Andreas Dushi: Koliqi modern mes romantizmit dhe realizmit

    Hyrje

    Nga gjithë krijimtaria e Ernest Koliqit, më e vlerësuara mbetet proza e shkurtër, veçanërisht ajo e përmbledhur në dy vëllimet me novela, Hija e maleve dhe Tregtar flamujsh, botuar respektivisht në vitin 1929 (Zara, Kroaci) dhe 1935 (Tiranë, Shqipëri).

    Nga të gjithë prozatorët e periudhës, askush nuk qe më i madh e më i fuqishëm se Ernest Koliqi (1903 – 1975).[1] Kjo madhështi dhe fuqi për të cilën shkruan edhe Guzzetta[2] lidhet, mes të tjerash, me faktin se vëllimi i parë me tregime i Koliqit, për shkak të trajtimi[t] pak a shumë realist dhe analiz[ës] psikologjike të karakterëve njerëzore nuk u prit edhe aq mirë nga shkrimtarët e njohur të kohës, një pjesë e mirë e të cilëve ende lëngonin nga sentimentalizmi i romantikës kombëtare.[3]

    Ndërsa te Tregtar flamujsh, përmbledhja e dytë me tregime e Koliqit, rrëfimi … është më i fuqishëm, kurse depërtimi në psikologjinë e personazheve të kujton nganjëherë autorin siçilian Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello, 1876 – 1936) me veprën e të cilit Koliqi pa dyshim ka qenë njohur. Tregimet e vëllimit Tregtar flamujsh vlerësohen përgjithësisht si më të mirat e prozës shqiptare në periudhën e pasluftës.[4]

    Si është e mundur që një shkrimtar ia doli ta tejkalojë sentimentalizmin e romantikës, por pa e mohuar krejtësisht atë, madje, herë pas here duke marrë elementë prej saj? Cilës rrymë letrare i përkasin tregimet e tij? …orvatjet për të formuluar një tezë pak a shumë të pranueshme për animin e prozës së Koliqit nga një rrymë letrare ndërlikohen shumë[5] shkruan prof. Ali Xhiku. Pikërisht, këto përsiatje rreth kësaj orvatjeje përbëjnë edhe qëllimin e këtij shkrimi me synim paraqitjen e rrymave që ndërthuren në paletën e ngjyrave të përdorura prej Koliqit për krijimin e tablove magjepsëse të tregimeve të tij. 

    1. Tipare romantike në prozën e shkurtër të Koliqit

    “Më dukshëm se romani, tregimi romantik shkruhet për qëllime: patriotike, politike, dhe, gjithnjë, morale – didaktike.”[6]Në rastin e Koliqit, nuk mund të themi se ka novela që i përgjigjen respektivisht dhe ekskluzivisht qëllimeve të tilla, por ka raste kur, në shtresëzimet e leximeve vërejmë praninë e tejçimit të këtyre synimeve në trajtë mesazhesh, gjithnjë trajtuar artistikisht me mjete stilistike.

    Duhet thënë se rastet e trajtuara në vijim nuk tregojnë se nuk kemi të bëjmë me krijimtari tërësisht romantike, por me elementë të romantizmit, përkatësisht qëllimin, të ndërthurur me elementë të të tjera tipologjive letrare.

    1.1 Qëllimi patriotik

    Në rastin e Tregtar flamujsh, qëllimi është sa patriotik, aq edhe politik kundër një mënyre të pandershme të përdorimit të simbolit kombëtar. Hilush Vilza paraqitet atdhetar, edhe pse nuk lufton për atdheun me armët që përdor romantizmi. Neveria që ai ndjen për Gaspër Tragaçin dhe dugajën e tij shfaq lidhjen që ai ndjen për idealin e kombit, idealin shqiptar, jo vetë Shqipërinë.

    Posi… U bâ Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin: Rrnoftë Shqipnija! Ti, i mêçëm, përgjegjë tue bërtitë në kupë të qiellës: Rrnoftë, po! e shpejt me porositë flâmujt. Na shkyeju: rrnoftë! e ti shit, bân pare tue tregtue ndiesít t’ona.[7]

    Për Hilushin, flamuri është ndjesi dhe si e tillë, nuk mund të tregtohet, përkundrazi: duhet ruajtur gati si diçka sakrale. Ky qëllim i transmetuar në këtë mënyrë, sikurse ndodh në tregimet e romantizmit, ka përballë edhe të kundërtën, antiqëllimin, shprehur me ironi nga Gaspër Tragaçi:

    Hajt, hajt, qit bejta e dueje Shqipnín: bejtat e Shqipnija kanë me të qitë në dritë…[8]

    Pra, përballë qëllimit patriotik të Hilushit (ruajtja me fanatizëm e flamurit për hir të asaj çka ai përfaqëson), është qëllimi pragmatik i Gasprit (fitimi me gjithçka, përfshirë edhe flamurin). Vënë përballë njëri – tjetrit, cila është zgjidhja që jep autori?

    Kadalë… – i a priti djaloshi me t’egër e sŷt i vetuen: […] Ti je shlye prej numrit të të gjallve qyshse je ndrŷ në kët dugâjë mbushë me mall. Ky âsht vorri i yt. E sa për Shqipní, po të siguroj un se ka me qindrue. Prandaj mos bân marak se edhe flàmujt kanë me t’u shitë krejt. Por rueje shpirtin t’and mos t’ia shitsh dreqit.[9]

    Është e qartë, ideali patriotik fiton. Për hir të kësaj fitoreje, ai që e zotëron, Hilushi, doli, lehtësue në zêmër nga ai shfrim, me thithë ajr të kulluet n’udhë sepse era e asaj dugâje mirrte frymën.[10]

    1.2 Qëllimi didaktiko – moral

    Qysh në hyrje, novela Rrokòll paraqet qëllimin e saj moral. Rrokòll nëpër teposhtën e shnjerzimit.[11] Historia e rrëfyer është pikërisht e tillë: rrëshqitje në atë çka është e panjerëzishme. Kemi personazhin e Ndrekë Batuçit, të alkoolizuar, arsye pse në familjen e tij nuk kanë fund grindjet. Përveçse e tjetërson si njeri, e shnjerzon, alkooli e detyron edhe të shpenzojë shumë:

    Hŷnte në pijetore, me pí vjeç nji gotë, nji gotë të vetme. E para, mandej, joshte të dytën; e dyta të tretën… e nuk u njehshin mâ. Do me thânë nuk i njehte mâ ai, pse pronari i pijetores i njehte e i stërnjehte.[12]

    Koliqi kujdeset të na tregojë shndërrimin e personazhit, Ndrekë Batuçit. Nga dikush që hŷnte sherbez në pijetore, porositte gotën e rakís, zênte bisedë me tryeza tjera, herherë i a niste kângës. Kishte nji farë rândsije  n’at rreth gjindsh qi pijshin me tê.[13] në dikë që i gitej se të gjith largojshin sŷt prej ti në përbuzje. Rrinte në nji qoshe, vetëm. Arsyeja akoma nuk është zbuluar.

    Këtë tjetërsim e përshkruan shumë mirë prof. Alfred Çapaliku:

    “Shkallëzimi i krizës morale të Ndrekë Batuçit rritet nga gradët e rakisë që përpin. Vesi e ka bërë automat stereotip. Indiferent ndaj së shoqes, të cilës i vjen në mesnatë pa një kacidhe. Indiferent ndaj gjithkaje… Indiferent ndaj së bijës, të cilës s’i blen as rroba për të vazhduar shkollën. Indiferent ndaj vetes: i huaj në shtëpi, i njohur në mejhane; përherë në delir pijaneci.”[14]

    Sikurse vëren prof. Ali Xhiku për personazhet e Koliqit në përgjithësi, tjetërsimi […] mbetet të jetë i krahasueshëm me tjetërsimin e personazheve të romantizmit, ose të pamjeve që ai merrte gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.[15]

    Gjithsesi, tema kryesore e novelës nuk është pija e Ndrekë Batuçit, por prostituimi i së shoqes dhe së bijës. Pra, puna e pandershme me të cilën ata paguanin çka ai linte pa paguar për shkak të pijes.

    “…me stilin e sociologut bashkëkohor dhe të njerëzve të ditur të kohrave të ndryshme, ai [Ernest Koliqi] shpreh idetë e tij për rrugët që të çojnë tek zhvillimi dhe qytetërimi që aspirojnë shqiptarët. Nëpërmjet një retrospektive të thjeshtë, por me shembuj të shumtë, ai parashtron në mënyrë elegante përfundimin historik se puna dhe vetëm puna është burim i qytetërimit e i përparimit të popujve. Të gjitha aktivitetet e jetës së njeriut janë rezultat i punës. Të gjitha, dituria, shkenca, paqja, kombi, familja e mirë, shoqëria e mirë, kultura, madje edhe elementë të caktuar të jetës shpirtërore të njeriut siç është shpresa.”[16]

    Bazuar këtu, qëllimit të parë për të treguar se shnjerzimi nuk sjell ndonjë të mirë të qëndrueshme, i shtohet edhe tjetri, ai sipas të cilit vetëm fryti i një pune të ndershme mund të shijohet.

    2. Tipare realiste në prozën e shkurtër të Koliqit

    Në studimin Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore, Arshi Pipa shkruan për Koliqin: Kështu, një shkrimtar tipik borgjez si Koliqi botoi një përmbledhje tregimesh, Hija e Maleve, përpara se të shkonte drejt veprës së tij më përfaqësuese, Tregtar flamujsh, që portretizonte jetën qytetëse.[17] Ai, kur bën periodizimin e letërsisë shqiptare, e përfshin Koliqin mes shkrimtarëve post – romantikë dhe konservatorë.[18] Në shqyrtimin tejet sintetik që i bën veprave të tij, për Tregtar flamujsh shkruan: Novela që përshkruajnë doket e klasës së mesme shkodrane.[19]

    Nuk biem kurrsesi dakord se në kaq pak fjalë tregohet e plotë, nga të gjitha pikëpamjet e mbledhura veç në një, rryma letrare e veprës së Koliqit, por pikërisht këtu flitet shkoqur rreth realizmit të tij, krejt të shkëputur prej çdo rryme tjetër letrare.

    Edhe studiuesi Luan Topçiu në veprën Istoria Literaturii Albaneze botuar sivjet në Rumani, mes të tjerash, kur shkruan për Koliqin, veçon:

    Lidhja me analizën relativisht realiste dhe psikologjike dhe modelet e sjelljes njerëzore nuk kombinohet vetëm me linjat bashkëkohore të shkrimit, por edhe me sentimentalizmin dhe romantizmin kombëtar.[20]

    Topçiu tregon ekzistencën e një bashkërendimi të rrymave letrare në veprën e Koliqit, duke thënë se mbizotëron realizmi si dhe analiza psikologjike, tipar i letërsisë moderne. Pra, ai thotë se rrymat letrare ndërthuren, por kryesoret janë këto të dyja.

    Në parathënien e botimit anastatik të Hija e Maleve dhe Tregtar flamujsh në një vëllim të vetëm nga Berk, 2020, Ardian Ndreca shkruan mes të tjerash:

    “Tek ato novela gjen gjenealogjinë e peizazheve të jetës urbane shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Teknika, shkolla, marrdhanjet e reja në prodhim, universitarët që vinin prej jashtë shtetit, çtendosja politike e viteve ’30, emancipimi i përgjithshëm shoqnor – të gjitha këto të shtynin me shpresue tek krijimi i nji realiteti të mirëfilltë urban.”[21]

    2.1. Përshkrimi realist i dokeve dhe zakoneve

    Në novelën Gjaku, këmbëngulja e mikut malsuer që vjen te Doda[22]përkon me mendësinë e përgjithshme të malësorëve, sipas së cilës malësori nder këso rasash [bëhet fjalë për fyerjen, gjakmarrjen etj., shënimi im, A. D.] e mendon vrasjen, si nji të drejtë të natyrshme, qi lidhet me nderë të tij […]; prandej ai e mendon si nji mjet, e në daç, si të vetmin mjet per mproje e per me shlye marren e korín faqe tjerve.[23]

    Apo, kërkesa që i bën i ati i Dodës të birit, pak pas funeralit të Zekës: Mirë, shko: udha mbarë të kjoftë. Por… nji amanet due me t’a lânë: në mos të pastë zhburrnue krejt shkolla, mos e lên pa krye at borxh qi ke[24] duke nënkuptuar të marrë gjakun e të vëllait si dhe, sjellja e tij më pas, treguar nga miku malsuer: Nuk del mâ as n’oborr të shtëpís. Ka ngulë njaty afër votre e s’lot. Qyshë se ke shkue ti, s’dij a i ka folë dhetë fjalë gjithsejt.[25] dëshmojnë lidhjen e fortë me kanunin, i dalë jashtë funksionit juridik ato kohë pasi funksiononte xhandarmëria, sikurse edhe vetë Doda pretendon, Po gjêndarmëri a s’ka m’ato ana a?[26], dhe i dimensionuar në një kuadrat më tepër zakonor. Për baben ishte e pakuptimtë që i biri nuk e kuptonte se Gjaku s’hupë kurr.[27]

    Të gjitha situatat që e shtyjnë Dodën të shkelë parimet e veta dhe të marrë gjak, edhe pse kjo nuk është diçka që i duket e udhës apo normale, shpjegohen realisht, ashtu sikurse ndodhin, bazuar në Kanun dhe mendësinë e asaj krahine ku ngjarjet ndodhin.

    Përtej kësaj novele, thuajse edhe gjithë të tjerat përshkruajnë realisht doke e zakone të trevës dhe kohës së cilës Ernest Koliqi i përket. Për shembull, pritja e vizitave ditën e emrit (Nji ngjarje në rrugacën Kezenaj) qëndrimi i besimtarëve në kishë (Anmiku në shtëpi), drekat në familjet aristokrate shkodrane të viteve ’20 (Ândërr e nji mbasditeje vere) e të tjera.

    2.2 Përshkrimi realist i natyrës dhe mendësisë së qytetit të tij.

    Kur flet për Shkodrën, Koliqi nuk i shmang disa tipare karakteristike të shkodranëve, duke i mveshur shpesh me nota groteske. Rasti tipik është ai që paraqitet në tregimet ku personazh është edhe Hilush Vilza.

    Me Hilush Vilzën, personazhin që migronte nëpër disa prej tregimeve (novelave) të tij, E. Koliqi dinte të ironizonte, qoftë edhe duke buzëqeshur, plot dashamirësi, përmes subjektesh që kishin në themel ndodhi groteske, superficialitetin e mjediseve gjysmëborgjeze të qytetit të Shkodrës (Një ngjarje në rrugacën Kezenaj, Djepi i arit).[28]

    Por ka edhe shumë momente të tjera kur, me besnikëri, pasqyrohen sjellje apo ngjarje:

    Të nesërmen kânga e re e Ton Laskut zû me flutrue gojë më gojë. Në Shkodër, kângët e bukura përhapen menjiherë. Në krye të nji jave, kânga ndëgjohej nëpër tregtiza, nëpër kopshtîje; kumbonte shtëpijave e udhave; në mëngjes, në zheg, në mbrâmje.[29] (Kânga e re).

    …ishte veshë me kujdes mbasi i a merrte mêndja se shum sŷ do t’a përsjellshin udhës nga birat e dyerve e nga grilat dritoreve.[30] (Kopshti).

    Kur t’a shikosh mirë, faji âsht i yti! T’ishe kênë djalë, do të jepshe pare mjaft e do të lêjshe me shkue kah t’a kishte dashtë qejfi. Fajin e ke vetë ti… qi deshte me lé vajzë![31]  (Ândërr e nji mbasditeje vere).

    Kjo analizë e shkurtër nuk synon të shterrojë çështjen e shtruar qysh në titull, por të tregojë se me Koliqin, tipologjitë dhe rrymat letrare bashkëveprojnë dhe bashkëjetojnë aq bukur, sa lidhja mes tyre nuk duket, por falë saj, shijimi estetik i tekstit arrin në një tjetër nivel.


    [1]  Robert Elsie, “Histori e letërsisë shqiptare”, sh. b. “Dukagjini”, Tiranë – Pejë, 1997, fq. 328.

    [2]  Shih “Shêjzat”, numër përkujtimor, 1976.

    [3]  Robert Elsie, “Histori e letërsisë shqiptare”, sh. b. “Dukagjini”, Tiranë – Pejë, 1997, fq. 332.

    [4]  Po aty, fq. 333 (nënvizimi im A. D.).

    [5]  Ali Xhiku, “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe 1555 – 1944”, sh. b. “Albas”, 2014, fq. 325.

    [6]  Rexhep Qosja, “Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi, I”, sh. b. “Rilindja”, Prishtinë, 1984, fq. 244.

    [7]  Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”, shtypshkronja “Nikaj”, Tiranë, 1935, fq. 16. (nënvizmi im, A. D.)

    [8]  Po aty, fq. 17.

    [9]  Po aty.

    [10]  Po aty.

    [11]  Po aty, fq. 125.

    [12]  Po aty, fq. 126.

    [13]  Po aty, fq. 125.

    [14]  Alfred Çapaliku, “Luksi i kulturës”, e. b. “Gjergj Fishta”, Shkodër, 2012, fq. 50.

    [15]  Ali Xhiku, “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe 1555 – 1944”, sh. b. “Albas”, 2014, fq. 323.

    [16]  Ndriçim Kulla, “Antologji e mendimit shqiptar 1870 – 1948”, sh. b. “Plejad”, 2003, fq. 673.

    [17] Arshi Pipa, “Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore”, përkth. Myftar Gjana, sh. b. “Princi”, Tiranë, 2013, fq. 85 – 86.

    [18]  Po aty, fq. 187.

    [19]  Po aty, fq. 188.

    [20]  Luan Topçiu, “Istoria Literaturii Albaneze de la origini până în prezent”, “Colecția Albanica”, Rumani, 2021.

    [21]  Ardian Ndreca, “Vrumulisjet e shpirtit qytetar, Koliqi mes nesh”, “Hija e Maleve, Tregtar flamujsh”, novela, botim anastatik, parath. Ardian Ndreca, Berk, Tiranë, 2020, fq. IV.

    [22]  Ernest Koliqi, “Hija e maleve”, shtypshkronja “E. de Schonfeld”, Zara, 1929, fq. 40 – 42.

    [23]  Atë Donat Kurti, O.F.M., “Zakone e doke shqiptare”, “Botime Françeskane”, Shkodër, pa vit, fq, 177.

    [24]  Ernest Koliqi, “Hija e maleve”, shtypshkronja “E. de Schonfeld”, Zara, 1929, fq. 39.

    [25]  Po aty, fq. 40

    [26]  Po aty.

    [27]  Atë Shtjefën Konst. Gjeçovi O.F.M., “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Shtypshkronja Françeskane”, Shkodër, 1932, fq. 87.

    [28]  Ali Xhiku, “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe 1555 – 1944”, sh. b. “Albas”, 2014, fq. 326.

    [29]  Po aty, fq. 147.

    [30]  Ernest Koliqi, “Hija e maleve”, shtypshkronja “E. de Schonfeld”, Zara, 1929, fq. 81.

    [31]  Po aty, fq. 126.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË