More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Dy poezi të G.Capparozzos, përkthyer prej Ndre Mjedës dhe Ernest...

    Andreas Dushi: Dy poezi të G.Capparozzos, përkthyer prej Ndre Mjedës dhe Ernest Çobës

    Deri më sot, akoma nuk ka ardhur në gjuhën tonë një përkthim i plotë i një vepre, e aq më pak i gjithë korpusit letrar, të poetit italian Giuseppe Capparozzo. Ai lindi më 1802 dhe vdiq në moshë të re, 45 vjeç. Ishte mësues i letërsisë në Vicenza e mandej në Veneto e Ceneda, për ta mbyllur jetën në Venecia, me 13 maj të 1848.

    Ai nuk ishte i përkushtuar vetëm ndaj mësimdhënies, por edhe besimit, prandaj një pjesë e krijimtarisë së tij poetike ka pikërisht të tillë tematikë. Kronologjikisht, ai i përket romantizmit italian, ndërsa realisht, mbetet i hapur diskutimi nëse ishte vërtetë një poet romantik apo jo, pasi në fillim, tipare të tilla mungojnë, ndërsa në poezitë e fundit, shohim se bëhen gjithmonë e më të pranishme.

    Nga poezitë e tij, kam arritur të gjej dy të ardhura në shqip. Përkatësisht “Vllávrási” përkthyer nga dom Ndre Mjeda, botuar në “Juvenilja”, 1917 dhe “Urata e mbrâmjes”, përkthyer nga mons. Ernest Çoba, botuar në “Keze të hueja”, 2020. Për datën e përkthimit të realizuar nga Mjeda, nuk kemi të dhëna ndërsa përkthimi i Çobës mban datën 24 tetor, 1930. Në fund të këtij përkthimi, vendoset edhe një shënim nga përkthyesi:

    “Ky shkrimtár, lé në vjetë 1802 e dekë më 1854, shkrîni të gjith jeten e vet tue msue djelmnín, e perbâni shum pojezi lyrike, nder të cillat disá me subjekt fetár; apologë, epigrame. Vjershat i ká shum të rrjedhshme e të permállshme, nder të cillat mund të shijohet edhè në giûhë t’onë pojezia. Vllavrási, sjellë aq origjinalisht e rrjedhtas shqyp sá nuk mund të dálë e perkthyeme, prej pêndës s’ártë të D. Ndré Mjedës.”[1]

    Kontributi letrar i mons. Çobës është bërë i njohur vonë[2], ndërsa për jetën e tij shkruhet qysh heret. Në botimin e parë të realizuar për të rrëfyer jetën e meshtarëve katolikë shqiptarë që vuajtën gjatë komunizmit, për të thuhet:

    “Imzot Ernesto M. Çoba u lind me 16 shkurt 1913. Rrjedh nga nji familje e vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para e të mesme i ka krye në Kolegjën Saveriane e në Seminarin Papnur. Asht shugure meshtar me 9 shkurt 1936. Ka shërbye në detyra të ndryshme pranë seminarit Papnur e si mësues i besimit edhe në shkollat e qytetit.

    Ka krye njeherit detyrën e zv/famullitarit e të famullitarit të Shkodrës pas vdekjes së Imzot Thaçit dhe arrestimit të Monsinjor Mikel Koliqit. Së bashku me Imzot Pjetër Demën asht shugurue ipeshkëv nga Imzot Bernardin Shllaku në Prill të vitit 1952. Pas vdekjes së Imzot Shllakut ka drejtue dioçezin e Shkodrës. Me mbylljen e Kishave ka qëndrue në familje. Asht arrestue në vitin 1976 dhe dënue me 25 vjet me motivacionin ‘Ka mbajtë lidhje me Selinë e Shejtë me anë të legatës Italiane për çështje fetare’. Vujati dënimin në Tiranë deri sa vdiq në spitalin e burgut po në atë qytet, më 8 janar 1980.”[3]

    Në vijim po paraqesim dy poezitë e Capparozzos, përkthyer prej Mjedës e Çobës.

    Vllávrási

    shqipëruar nga Mjeda

    Neper terr qi lëshote nata.
    Ngarkue teshat kaliboç,
    Per nji pýllë kû s rá kurr spata,
    Ndiqte rrugen nji djaloq.

    Landët e pýllës si’j ujk ju dukshin,
    Qi prei újet n’mal luron;
    Cuba t’rrebtë, qi n’prit’u strukshin,
    Gjethet e lisave kujton.

    O Shqypnii! gjimote i shkreti,
    Male, mbushë me gjuetarë plot;
    Késoll’e bardhë, kû porsi mbreti
    Shkon barija dit e mot.

    O ju lugje te Prevezes!
    Këtû mue zêmra po m’ vajton;
    Te ju hâna me dritë t’rrezes
    Shtigjt udhtarit ja kalxon.

    Fis i dashtun, kû n’dritë dola
    Afer détit t’pápshtjellim;
    Shpi e bardhë kû s’parit fola
    N’prêhen t’nanës tui gjetë pushim.

    Njeshtû thot’e me trimnië
    U nis udhës shtegtari prap:
    Fishklloj landa tu’u perzië
    E prei frigës ngau djali vrap.

    Por n’nji cub mbas gardhit hasi;
    Ndalu, i thotë, nuk ké kah mba!
    Nji kubure n’bri ja rrasi,
    E mbi tokë permbyz e la.

    Ah! nanë shkreta! i shuemi briti,
    E permbyz u lëshue mbi’j curr;
    Per tre muej e shkreta m’priti,
    E tekëndej nuk m’shef mâ kurr.

    Po jot’âme, si per qestië,
    Ja bân gjaksi me idhnim plot;
    Ti m’diftò kû rri me shpië,
    Fjala e jote nuk hupë dot.

    N’skaj t’Shqypnis shkon vorfnisht jeten,
    E pá djelm e mjera mbet;
    Dy mâ t’mëdhajt nder luftna mbeten,
    E ketû i treti qe po jet.

    Pat nji tjetrë…. fija e zânit
    Ju kput djalit e gjimoj;
    U dridh gjaksi, e aj farë luânit
    Pushken n’tokë me’j herë e lëshoj.

    Pat nji tjetre, qi ajo e dote
    Permbî dritë të syve vet;
    Kurr prei prehnit nuk e lëshote
    Shokë nder cuba vojt e gjet.

    Vllá, i pergjegji zêmervshtiri,
    Njitû t’vrava e këtû po des;
    Nuk kam sy me m’pá mâ njeri.
    Ngryk’me tý njito po jes

    Jo, ti shëndosh! e fill te shpija
    Te nanë zeza fluturò:
    Pa asnji fëmij, e mbytë vetmija,
    E mbëlon skami: mos e lësho.

    Shka t’i tham mandej nanës ngratë.
    N’kjoftë se pvetë per ty ndo’j send?
    Thuej se mora nji rrugë t’giatë
    Se bashkë n’qiell dikúr xâm vênd.

    Urata e mbrâmjes

    shqipëruar nga Çoba

    Vertè e ambel âsht urata
    e njajë zêmres s›pásherri
    kúr kaluemun teksá nata
    drita e diellit nisë me gdhi,
    por mâ e ambel â e urates
    në heshtinë e muzgut t’natës.

    Kúr shtegtari i perkushtuem
    n’cak t’nji udhe hapin ngurrë
    e lodhun e pá pushuem
    ulet ndêjun mbi nji gúr
    edhè n’paq ja thotë uratës
    në heshtinë e muzgut t›natës.

    E n’mungade e neper déta
    kû mâ e mshefët po ishte hija
    shkon nder vênde t’mbyllme e t’shkreta
    nieri i dhanun kah vetmija,
    n’per dhambë tue ja thanë nji uratës
    në heshtinë e muzgut t’natës.

    Tue pergjegjë si rrin jehona
    neper pyrgje të ndertes’e
    létë e létë njâshtû kumbona
    qe, po ndíhet tue dënese
    e u bâhet shoqe uratës
    në heshtinë e muzgut t’natës.

    Qajò qi nalt në qiellë
    Ishon mbí né nji t›shndritun t›zbétë,
    qajò rê qi se po pshtiellë
    duket diell’n gati t’pájetë
    shqim të fton n’t’thanun t’uratës
    në heshtinë e muzgut t’natës.

    Edhè hyjt qi të shkretnuem
    reshin rreze aq t’gazmueshme
    janë dritarët e pámbaruem
    qi t’krijesës n’ndertës t’mrekllueshme
    madhëní i apin uratës
    në heshtinë e muzgut t’natës.

    N’ç’dhéna, vall, n’t’cillat briqe
    kû tue ushtue ndihet zâ njerit
    n’t’cillen breshtë, n’t’cillat zgavrriqe
    jeton gjinde aq permndérit
    qi n’lavd t’Hyut s’ja thotë nji uratës
    në heshtinë e muzgut t’natës.


    [1]  Monsinjor Ernest Çoba, “Keze të hueja”, botuar nën kujdesin e Lisandri Kolës, “Forentia”, 2020, fq. 36.

    [2]  Për më shumë, lexo “Kunora e përkthimeve të monsinjor Ernest Çobës” nga Lisandri Kola, parathënia e librit të cituar më lart, fq. 7 – 15.

    [3]  “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990”, përgatitur nga një redaksi me drejtor Mons. Zef Simonin, Shkodër, 1993.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË